BREAKING NEWS

Ndërkombëtarët japin alarmin: Lidhjet me gjyqësorin po shpëtojnë politikanët nga burgu, Rama-Basha promovojnë vetëm besnikët, LSI parti familjare

Ndërkombëtarët japin alarmin: Lidhjet me gjyqësorin po
x

Opinion / Editorial

Mjaft pushuam, tani të gjithë t’i kthehemi punës

Mjaft pushuam, tani të gjithë t’i kthehemi punës

E marta e 23 qershorit ishte dita e fundit e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Pavarësisht se nga karantina ne kemi ditë që kemi dalë, Shqipëria e mbylli edhe juridikisht gjendjen e pazakontë të vendosur nga Parlamenti. Shqiptarët dolën të lodhur e të mërzitur nga karantina,por kjo nuk duhet t’i demoralizojë, por t’i nxisë për të rinisur punët në të gjithë sektorët e jetës me energji të shumëfishuara. Të gjithë të rifillojmë punën, por pa harruar për asnjë çast se heqja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk do të thotë se tanimë nuk jemi të kërcënuar më nga koronavirusi. Rastet e fundit tregojnë se gjendja e secilit është e rrezikuar, ndaj nga të gjithë kërkohet kujdes, zbatim me rreptësi i masave mbrojtëse, vetëkontroll e bashkëpunim, që jeta t’i kthehet plotësisht normalitetit. Disa persona, sidomos ata që mbahen si vipa, shkelin rregullat e distancimit social, ekspozohen në vende lehtësisht të infektueshme dhe e kanë në majë të gjuhës që për çdo rast të fajësojnë qeverinë. Disa kritizerë që nuk duan as rregullin dhe as jetën e tyre, kur qeveria mori masa shtrënguese dhe në sajë të tyre vendi ynë pati mjaft rezultat në drejtim të mbrojtjes nga Covid -19, e akuzuan qeverinë si diktatoriale se “po i mbyllte njerëzit me forcë brenda se ka frikë nga protestat”. Kur qeveria filloi t’i lehtësojë masat shtrënguese, disa u lëshuan të hallakatur, pa asnjë masë mbrojtëse, dhe kur rritej numri i të infektuarve, përsëri e akuzuan qeverinë si “indiferente, që nuk interesohet për shëndetin e popullit”. Gjatë këtyre muajve, ku kërcënimi nga koronavirusi ka qenë shumë serioz, duhet thënë se qeveria ka qenë shumë korrekte në masat parandaluese e mbrojtëse që ka marrë, ndoshta duke e kaluar paksa cakun, por ama, kur është fjala për shëndetin tonë, gjithçka pranohet. Ndaj ata që për çdo fatkeqësi, edhe të natyrës, edhe kur i shkaktojnë vetë, ia hedhin fajin qeverisë Rama, janë të detyruar të dështojnë. Megjithatë, të detyruar nga kjo fatkeqësi mbarëbotërore, edhe ne shqiptarët bëmë një pushim të gjatë, gati 3 muaj e gjysmë. Ndoshta pati edhe nga ata që bënë propagandë e përfituan prej kësaj pandemie, pati të tjerë që i besuan sinqerisht gjendjes së krijuar e u trembën, duke humbur shumë nga vetja e pasuria e tyre, por ama ruajtën pasurinë më të madhe, shëndetin. Edhe pse kaluam të gjithë një kohë të vështirë, që nuk kemi për ta harruar lehtë, sidomos ata që patën viktima, tani të bashkohemi e t’i rikthehemi seriozisht punës, duke hedhur pas shpine shumë gjëra që nuk na nderojnë. Boll pushuam. Shqiptarëve, të mësuar me shëtitjet në natyrë, me frekuentimin e kafeneve orar e pa orar, ndoshta iu duk si pushim i egër e i bezdisshëm. Tani kërkohet t’i kthehemi të gjithë punës, me ndershmëri, korrektesë e mobilizim, për t’i dhënë jetës atë ripërtëritjen që kërkohet, pa ulur asnjë çast vigjilencën, sepse virusi është ende nëpër këmbë. Së pari i takon qeverisë të vihet më mirë në krye të punëve në të gjithë sektorët, nëpërmjet një kontrolli e vetëkontrolli të rreptë e me një ndjenjë përgjegjësie të lartë. Të analizojë me seriozitet e ndershmëri, çdo ditë të gjendjes së fatkeqësisë natyrore që kaluam, të bëjë balancë konkrete dhe të ndreqet çka nuk shkoi si duhet gjatë muajve të karantinës, duke ndëshkuar çdo abuzim e shkeleje të ligjit dhe të nxjerrë përgjegjësitë konkrete. Qeveria, tani nuk ka më asnjë shteg për justifikime e tua hedhin fajin të tjerëve, por kush ka abuzuar të ndëshkohet, e kush e meriton të shpërblehet. Punës duhet t’i kthehet e gjithë klasa politike, sidomos të krijohen raporte efektive, pozitë opozitë, duke bërë sa më pak zhurmë e më shumë punë, sidomos në drejtim të thellimit të reformës në drejtësi dhe përfundimit të reformës zgjedhore. Opozita nëse ka alternativa le t’i paraqesë, të jetë transparente në kërkesat e saj dhe të koordinojë punën pa asnjë paragjykim me mazhorancën në të mirë të vendit. Është momenti që mazhorancë e opozitë, të gjejnë gjuhën e përbashkët për thellimin e reformave, forcimin e shtetit ligjor për të bërë realitet kushtet e vëna nga ndërkombëtarët. Klasa politike duhet ta ketë të qartë se përfundimisht se këta tridhjetë vjet tranzicion i ka lodhur dhe zhgënjyer shumë shqiptarët. Bizneset dhe kompanitë private, që patën humbje gjatë karantinimit, duhet të rrisin ndjenjën e përgjegjësisë e të shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet ekzistuese për të kompensuar humbjet dhe jo për çdo mangësi t’i qahen shtetit, apo të spekulojnë në kurriz të punëtorëve. Urgjente është rinisja e punës nga shoqata e transportit qytetas dhe ndërqytetas. Është i palejueshëm justifikimi i tyre për mos nisjen e aktivitetit, në kohë që mijëra punonjës, nëpunës, nxënës, studentë, hallexhinj bëjnë në shi e diell dhjetra kilometra rrugë në këmbë për të mbushur detyrimet e tyre. Ashtu siç kanë fituar vazhdimisht në kurriz të qytetarëve, le të bëjnë tani edhe pak sakrificë, duke pranuar përkohësisht edhe humbjen. Nëse shoqatës së transportit nuk i del kostoja në biznesin që zhvillon, atëherë le ta mbyllë aktivitetin e ta marrë një firmë tjetër që i leverdis. Asnjë kusur nuk kanë qytetarët të vuajnë pretendimet spekulative të operatorëve të tillë, kur gjendja është në fije të perit, e këta kërkojnë të majmen në kurriz të të sfiliturve. Shteti nuk ka pse sodit protestat e tyre, por të veprojë sipas ligjeve që të imponon gjendja e fatkeqësisë natyrore. Organet e drejtësisë të nisin më me vrull punën, aty ku e ndërpreu gjendja e fatkeqësisë, ndoshta duke punuar edhe tej kapaciteteve të tyre. Në zyrat e gjykatave janë krijuar male dosjesh që presin të gjykohen, e të vendosin të vërtetën, të cilat jo vetëm kanë denigruar qytetarët, por edhe kanë tronditur shtetin ligjor. Një rëndësi të veçantë për kushtet tona merr zhvillimi i turizmit. Ai jo vetëm që meriton një vëmendje më të madhe nga shteti, por edhe vetë pronarët e këtyre bizneseve duhet të bëhen më të ndërgjegjshëm dhe të sakrifikojnë më shumë për të ruajtur imazhin që kishin dhe përballimin e humbjeve pa u rënë në qafë pushuesve. Duhet shmangur çdo lloj spekulimi, nga tregtarët për të ruajtur ekuilibrin e çmimeve, sidomos atë të ushqimeve jetike. Mjekët dhe infermierët, që në këtë periudhë qenë e janë në ballë të luftës, tani e kanë kuptuar më mirë se ç’është jeta për njeriun, ndaj duhet ta shtojnë më shumë humanizmin dhe përkujdesjen për të qenë gjithmonë në lartësitë që e kërkon profesioni i tyre. Pandemia dhe karantina pati mangësitë dhe rreziqet e veta. Pati justifikime që nga qeveria e deri tek pastrueset se “kaq ishin mundësitë e nuk mund të bëhej më tepër”. U justifikuan nxënësit, shefat, nëpunësit, gjykatësit, punëtorët e thjeshtë e përgjithësisht ishin të pranueshme. Por nga periudha e koronavirusit duhet të ruajmë edhe disa gjëra të mira që pati. Sidomos të ruajmë solidaritetin e bashkëpunimin me njëri- tjetrin, mirëkuptimin e qetësinë, shmangien e sherreve e grindjeve dhe shtimin e vazhdueshëm të kujdesit familjar. Është moment t’i kthejmë sytë nga vetja, e pak të presim nga të tjerët. Bashkitë e vendit të mbajnë nivelin e ndotjes në ato parametra që na e la koronovirusi e të mos lejojnë më ndotjen akustike. Kontrollorët të mos lejojnë rritjen e çmimit të karburanteve, por të paktën të qëndrojë në atë nivel që zbriti në ditët e pandemisë. E kështu me më shumë punë të kapërcejmë e plotësojmë boshllëqet kudo që janë krijuar. Duke nxjerrë mësime nga çdo e keqe që na shkaktoi pandemia e duke shfrytëzuar në maksimum mundësitë ekzistuese dhe energjitë që grumbulluam gjatë këtij pushimi të gjatë, t’i rikthemi punës, secili të bëjë detyrën në frontin e tij, për të kompensuar e arritur ç’ka kemi lënë mangët.