BREAKING NEWS

Pas Skënder Brataj një tjetër zyrtare e njohur shqiptare del pozitive, kjo është Drejtoresha e Operatorit të Shërbimit shëndetësor e prekur nga COVID-19

Pas Skënder Brataj një tjetër zyrtare e njohur shqiptare del
x

Opinion / Editorial

Monarkia coronavirus

Monarkia coronavirus

Nuk e kishim njohur nga afër zonjën e madhe, Monarken Çoronavirus. As nuk kishim dëgjuar ndonjëherë të na tregonin për fuqinë natyrore të saj. Këtë nuk mund ta dinin njerëzit e zakonshëm, sepse nuk kanë lidhje me figura të tilla, me veprim natyror të pa menduar kurrë, por shkenca, shkencëtarët në botë nuk na ofruan asnjë informacion për rolin, ndikimin e saj në jetën sociale të njerëzve. Nuk kishim zbuluar asnjë shenjë të vendndodhjes së saj. Kishte qenë e strehuar në monarkinë e saj dhe befas një ditë u shfaq mes nesh. Askush nuk e di saktësisht deri sot kush e  zemëroi, kush e bëri të ndihet agresive këtë zonjë të madhe. Thonë se ka qënë shkak një lëvizje e nxituar në Kinë, e mjekëve atje, por ky fakt nuk është i argumentuar zyrtarisht. Gjithësesi Monarken Coronavirirus dikush e ka mërzitur dhe nga inati është betuar që të shkoi në çdo shtet të botës për të marrë hak. Është shumë hakmarrëse  kjo Monarke. Ndoshta ka të drejtë, se kot nuk bënë si e tërbuar ajo. Erdhi edhe këtu tek ne në Shqipëri.

Sapo dha shenjat e para të mbërritjes, qeveritaret tanë e spikatën këtë hileqare dhe menjëherë muarën masa parandaluese. I mbushën mendjen vetes se Monarkes do ia bënin ferrë jetën. Dhe ç`bënë? Bllokuan kufijtë anë e mban vendit, duke i prerë  rrugëtimit historik të saj. Me një fjalë Qeveria  bëri shtetrrethim. Një shtetrrethim në paqe që s`e kishim parë e provuar ndonjëherë. E vërteta është se njerëzit, shqiptarët në fillim e morën ca me të qeshur. Nuk besonin në thirrjet e vazhdueshme të Kryeministrit Rama  se ardhja e Monarkes së coronavirusit do ishte një tragjedi e madhe , fatkeqësi për popullin. U morën shumë masa parandaluese, duke i bërë një barikadë të vërtetë këtij armiku të fshehtë, tinzar dhe shumë të rrezikshëm. U propagandua me gjithë fuqinë e qeverisë, të trupës shëndetësore në spitale, ngritur për sensibilizuar opinionin shoqëror e njerëzor. U theksua me zë të lartë se zonja Monarke coronavirus është një armik botëror që merrë jetë njerëzish. Kaq është thënë njëmijë herë në ditë, sepse nuk ka të dhëna të tjera që flasin për rrezikun që vjen nga kjo zonjë, pa vendlindje të identifikuar dhe vendqëndrim të fiksuar. Ajo që dihet saktë është se atje ku shkon e qëndron bënë namin. Vjen si hije mes njerëzish dhe është parë se moshat e treta i ka shumë “xhan”. Të këput në këmbë,pa kuptuar se je mbartës. Të lë pa frymë. Dhe kur ta shohësh veten, shtruar në pavionet e spitaleve që janë hapur si kapanone fushore në kohën e zboreve të sistemit monist. Të gjithë e kanë tmerr, të gjithë janë alarmuar e janë vetëkarantinuar. Nuk duan të dëgjojnë lajme të kobshme, lajme të frikshme për kasaphanën e krijuar nga Monarkia coronavirus. Shifrat e  jetëve të humbura rritet frikshëm në disa shtetet europiane, të cilat e mbanin veten si ushtri me artileri të rëndë. Nuk duhet marrë me shaka, nuk duhet marrë me të qeshur. Eshtë shumë serioze kjo luftë, por arma për `ta goditur këtë armik tinëzar mungon. Thonë se pas disa muajsh do dalë një  vaksinë, por deri atëherë, o gomari, o i zoti.

Këtu në Shqipëri Monarkia coronavirus ka marrë përgjigje flakë për flakë. Si i thonë nuk të falë shqiptari. Janë marrë masa urgjente për t`u  mbrojtur nga mikesha e largët. Ka dalë në rrugë ushtria me armë në krahë. Policia e shtetit nga ana tjetër është kthyer në mburojë e konsoliduar.  Qeveritarët besojnë se ky është front i pathyeshëm për të mos lejuar këtë pandemi të afrohet, të kërcënojë jetë njerëzish. Këtu populli është ushtar,  është edhe komisar e komandant. Nuk të falë askush të prek kufijtë e territorit. Dhe në rast se do ketë ndonjë shenjë, populli vigjilent do ia shtyp kokën armiqve të brendshëm e të jashtëm dhe ky truall të mbetet dashura e shqiptarëve. Nuk është pak, apo jo? Ka  traditë shekullore ky popull, ndaj e ruan vendin me vigjilencë të lartë. E thënë në gjuhën e popullit nuk ia ha qeni shkopin.

Shtetrrethimi është arma më e mirë për të mos lejuar konteshën të hyjë vjedhurazi në këtë truall. Urdhri i qeverisë që populli të vetkarantinohet, që do të thotë Shqipëria është shtëpi e mbyllur për shoqen e ardhur nga larg, Monarkia Coronavirus. Njerëzit janë izoluar, janë maskuar, janë bërë më të ndjeshëm për të qenë  të mbrojtur nga ndonjë agresion i mundshëm frontgjerë. Nuk do ia falim vetes në rast se zonja e padukshme vjen e troket në banesat tona. Në rast se ndodh kështu, kjo është ulje vigjilence, është katastrofë dhe përgjegjësia është e jona. Shqiptarët kanë vuajtur shumë nga kërcënimet, nga sulmet tinzare, nga aleanca të huaja. Të ndodh përsëri në shekullin e   të gjithëve? Çfarë mund të mos presësh.

Të shikosh rrugët sheshet, mjediset  në blloqe pallatesh, hyriesh nuk të zë syri këmbë njeriu. Jo se i trembë COVID-19, por sepse vendstrehimet janë llogorja më e mirë për t`u mbrojtur, për të nxjerrë armikun zbuluar, të dukshëm. Nëse ndodh kështu është fare e lehtë për të goditur, për të asgjësuar. Kjo është e vërtetë. Është strategji lufte, e ardhur përmes përvojës së madhe të populit ushtar. Shkolla e përvojës nuk ka pse harrohet, nuk duhet nënvleftësuar, por në raste si ky i sotmi, meriton vëmendje të menjëhershme për zbatim.

Ka ca njerëz që tregohen trima dhe thonë se nuk e njohin Monarkinë coronavirus. Thyejnë shtetrrethimin, duke i bërë karshillëk forcave të shtuara të policisë së shtetit, ushtrisë, të cilat monitorojnë rreptësisht rrugët, sheshet, deri hyrjet e pallateve, ku të rinj tentojnë të qëndrojnë në shoqërinë e njeri-tjetrit. Qytetet i ngjajnë vendeve të boshatisura ku njerëzit i ruhen rrezikut nga ky armik që të merr jetën. Rrezatimi i veprimit të COVID-19 është I pa njohur nga shkenca bashkëkohore. Kjo pandemi mban në ankth shoqërinë njerëzore, kërcënon se nuk ka forcë në botë që e ndalë, se nuk pyet as për majat më të larta të elitës mjekësore në botë. Monarkia  Coronavirus është në habitatin e saj për momentin, por kështu do mbetet përkohësisht. Armiku i njerëzimit  e ka kuptuar se nuk e ka dhe shumë të lehtë të marrë jetë njerëzish pa fund. Karantinim  është  goditje e rëndë dhe armë e fuqishme për t`a thyer, për t`a mposhtur, për t`a shfarosur. Njerëzit, shkenca, qeveritë, popujt janë të duruar dhe kanë një moto të përbashkët: Frikë nuk kemi, Kujdes, po! Të shkuara me kaq!