Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Monika, bën diversion me socialistët dhe cakton dialogistët

Postuar: 15/09/2019 - 07:40

Nuk është hera e parë që zonja Monika Kryemadhi, Kryetarja e LSI-së, sot bashkëkryetarja e opozitës, që pas divorcit nga bashkëjetesa në koalicion prej katër vitesh, 2013-2017 me PS-ën, ku zotëronte më shumë se tridhjetë për qind të qeverisë dhe institucioneve, ministritë me peshë, tendera, punësime, para, bën diversion të ashpër për t`i ndarë socialistët në rilindas dhe socialistë të vërtetë. Të vjetrit e të rinjtë. Ata dhe këta. Të mirët e të këqijtë. Themeluesit e bujtësit ndër vite. Të shtëpisë e krushqisë. Autoktonë e kollovarë. Vendas dhe ardhacakë. Ndarje në të Nanos dhe Ramës. Edhe pse ajo është vet një ikanake. Natyrisht për këta të fundit bën nostalgjiken dhe u shpreh tërë simpatinë personale e presidenciale, po vetëm simbolikisht. Nuk është se i dhemb trajtimi i socialistëve, se u qan hallin apo u do progresin pasi i braktisi 15 vite më parë në mënyrën më poshtëruese dhe nga socialiste u shndërrua në pëdëiste, nga e majtë u konvertua në e djathtë, duke bashkuar votat me Berishën. Për shqiptarët, qëndrimet e zonjës Kryemadhi në politikë janë të njohura. Ashpërsia që ka përcjellë, përmes veprimeve nga salla e Parlamentit, deri në bulevarde, postblloqe, Astir, debatet pa sens me mazhorancën, që përfaqëson në bllok socialistët, ajo nuk ka shfaqur asnjë minimum kujdesi për të bërë të dhimbsurën dhe nuk i shkon kur do të bëjë shenjtoren. Pa folur për respekt apo solidaritet për ish shokët e armëve, atje ku u rrit dhe u bë deputete e përjetshme, udhëheqëse e FRESH-it dhe funksionare në parti. Gjatë tërë atyre viteve dhe katër vjet në qeveri, socialistët për të ishin vetëm socialistë dhe nuk ndaheshin, të vjetrit dhe të rinjtë pagëzuar si rilindas. Kjo ndarje është strategji e atyre që duan ta paraqesin PS-në, si forcë politike, me dy trupa, dy zemra, dy mendje, dy fytyra, dy kokë, dy pjesë, dy parti me shumë strategji. T`i paraqesin të përçarë, të sakatosur, të seleksionuar, në të vjetër e të rinj, në ata dhe të tjerët, të anashkaluarit, të përbuzurit e të përkëdhelurit, të mirëtrajtuarit. Shkurt, diversion i hapur dhe përçarje ekstreme. Qëllimet dihen. Synimet po ashtu. Në vijim të diversionit permanent, kryetarja e LSI-së, në emisionin e “RTV Ora” e zhveshi pallën. Si përherë, armiku përballë është Edi Rama. Kryeministri i Shqipërisë mbetet shënjestra preferenciale. Ca për t`u treguar konsekuente në armiqësinë me Ramën, për tu thënë bashkë koalicionistëve opozitarë dhe më shumë për të korrigjuar biografinë, se është akuzuar për dialog me Ramën, ndryshe nga aleati numër një Basha, që këmbëngul përjashtim absolut të kryeministrit nga tavolina e dialogut, deklaroi prerazi se: “Rama është një kriminel”. Se ai “Nuk përfaqëson PS-në”. Ne të ulemi me atë?! Në një tavolinë me sjellësin e fatkeqësive të Shqipërisë? Dhe zbraz të gjitha mllefet kundër kryesocialistit, si të fliste për një hiç. E di se ai nuk është emëruar as pushtues i partisë, nuk i ka zënë vendin me përdhunë dikujt pas një muaj drejtimi, siç bëri Monika me Tit Vasilin. Megjithatë, Monika i lë Ramës vetëm një pjesëz të vockël të partisë. Dhe e noterizon si pushtues bashkë me rilindasit. Këta të fundit i barazon me kriminelët dhe banditët. Kaq keq për anëtarët e një partie të madhe me kontribute kombëtare. Në këto tri dekada askush nuk ka guxuar ta etiketojë partinë më të madhe post komunizmit. Edhe kur kanë qenë në pozitë dhe kur kanë dalë në opozitë, socialistët kanë fituar në zgjedhje numrin më të madh të votuesve. Po Monika nuk e ka problem dhe ndihet e kënaqur ta shumëzojë me zero tërë atë mund, punë, sakrifica, vetëm për t`i etiketuar si të ishin hiena dhe individë të rëndomtë që nuk meritojnë asgjë. Bile do donte të zhduken rilindas-socialistët dhe Shqipërisë ti mbeteshin vetëm lësëistët. Pikërisht për t`i dhënë një dimension ekstrem, për të na mbushur mendjen të gjithëve, të këtushmëve dhe atyre matanë kufijve të Shqipërisë për t`u shtirë si moderatore dhe për dialog, si paqësore dhe reformatore, Kryemadhi deklaron se është për dialog, po jo me Ramën. Por… Dhe këtu nis kthesën tinzare. Bën progresisten, duke i seleksionuar socialistët. Dhe si misionare cakton edhe dialogistët. Natyrisht pasi përjashton Edi Ramën. Ai është i papërshtatshëm për tu ulur në tavolinën e engjëjve, atyre që dinë të bëjnë veç punë të mira. Si mund të pranojë Zonja e Parë, të ulet me atë që e pagëzon si mbret të krimit dhe më shumë se njëmijë herë i ka paracaktuar fundin tragjik deri në asgjesimin fizik, duke caktuar edhe atentatorin, që do ishte një grua burrneshë shqiptare?! Më shumë se dialogun, Ramës i ka dëshiruar ikjen pa kthim. Jo thjeshtë në kuadrin “Rama ik”. Po edhe ikjen biologjike. Kjo nuk është një insinuatë as simbolikë, po realitet i shprehur me qindra herë. Ndryshe nuk do e kishte përdorur gjithë arsenalin, nga shishet e ujit, vezët dhe krye armën, çizmen e majtë. Si bashkëpunuese me pjesën e ndershme, zonja Monikë seleksionon emrat. Në të respektuar e të anatemuar. Të parin diferencon Ditmir Bushatin. E zgjedh sot, se ka një pozicion kritik ndaj qeverisë dhe Ramës. Deri kohë më parë ai ishte i etiketuar rilindas. Tani u kualifikua socialist. Askush nuk është kundër kritikave të Bushatit, aq më tepër kur synojnë korrigjimin e praktikave dhe strategjinë e partisë në pushtet. Edhe kur bëhen nga një zë dhe individ i shpërblyer deri në postin e ministrit të Jashtëm. Përzgjedhjet vazhdojnë. Musa Ulqini i parapëlqyeri i radhës. Deputet prej vitesh me kontribute. Burrë i qetë. Aktiv mes socialistëve. I nominuar si i përshtatshëm për tu ulur në tavolinën e dialogut me progresistët opozitarë. Një tjetër figurë e nominuar, Pandeli Majko. Prurje e njëkohshme me Metën dhe Monikën në PS. Themelues, më shumë se njëherë kryeministër. Sot ministër dhe drejtues i PS-së. I fundit në radhë, Servet Pëllumbi. Një nga ideatorët dhe themeluesit e PS-së. Veçimi nga Monika i këtyre figurave, realisht nuk bëhet për vlerat që përfaqësojnë. Por se nuk janë në krye të partisë dhe qeverisë. Kryesorja për diversion. Gjenden, si i thonë në skalionin e dytë. Nuk janë vendimmarrës. Nëse do ishin të tillë, ashtu siç ka ndodhur rëndom edhe ata do ishin thjesht rilindas dhe jo socialistë. Ndarja që projekton Kryemadhi, diversioni që ndërmerr, strategjia përça e sundo nuk besoj t`i joshi të nominuarit prej saj dhe fara e përçarjes të mbijë në një parti që diversitetin dhe debatin e ka shtyllën e vet kurrizore të ekzistencës. Miklimi i disa socialistëve dhe përçmimi e akuzat për kreun e tyre nuk i shtojnë asnjë përfitim Monika Kryemadhit. Ajo vetëm sa lodron në hipokrizinë dhe etjen për pushtet. Asgjë nuk i rrit bursës së vet politike dhe kur pyet retorikisht: A mundet SHBA, të negociojë me krimin? A mundet Gjermania të bëjë marrëveshje me kriminelët, kuptohet me Ramën? Pyetje që nuk kanë nevojë për përgjigje. Aq më tepër, kur për koincidencë, ditën që Monika seleksionoi dhe caktoi partnerët në dialog përkoi me ditën kur Kryeministri Rama u prit nga Kancelarja Merkel. Dhe kur SHBA këmbëngul që reforma në drejtësi nuk është Ramaformë. Përgjigje më koncize nga kancelaritë euro- amerikane nuk do kishte për zonjën Monika Kryemadhi. Dhe pyetjet e Monikës do mbeten vetëm një retorikë pa ngjyrë, ashtu si seleksionimi në socialistë e rilindas, një synim i pështirë!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2019 - 07:20

Për opozitën tonë jashtëparlamentare si në tërë këto vite, gjithçka që ndodh në këtë vend individualizohet e pykëzohet në një emër të vetëm.

Postuar: 23/10/2019 - 07:18

Në raportin e zbatimit të buxhetit faktik të shtetit për vitin 2018, institucioni i auditimit më

Postuar: 23/10/2019 - 07:16

Me siguri na erdhi shumë keq të gjithëve për lojën që luhet si përherë në kurrizin e ne shqiptarë

Postuar: 23/10/2019 - 07:14

Marrëzia jonë, ka shkuar deri aty sa shumë kush të "zemërohet" me Francën!

Postuar: 22/10/2019 - 07:21

Ka tronditje të madhe në politikë për fundin e formimit të SPAK apo fillimin e punës së tij!

Postuar: 22/10/2019 - 07:14

Dihet që Këshilli Europian nuk arriti të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave me Shq

Postuar: 22/10/2019 - 07:13

Të trishtuar dhe humbës real nga vetoja e francezëve në Këshillin e Europës, ku presidenti Macron