BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Opinion / Editorial

Monika i zgjedh deputetë, Rama akuzohet se bën lojën e vet!

Monika i zgjedh deputetë, Rama akuzohet se bën lojën e vet!

Në politikën shqiptare në këto tri dekada kur bie fjala për fajësime, për çdo problematikë që nga më të zakonshmet, deri më madhoret, të natyrës politike, shoqërore, natyrore, fenomenet rastësore apo të domosdoshme, humbjet në zgjedhjet e përgjithshme apo lokale, investimet deri edhe tek fyerja e dikujt në rrugë nga individë të rastësishëm, të gjithë tregojnë me gisht atë që drejton qeverinë. Tani për tani të gjatin, siç etiketohet në zhargonin e ditës. Po kjo ndodh, jo vetëm me kryeministrin aktual. Lideri i mazhorancës shpallet individi më i zi, më problematiku, kryefajtori për gjithçka. E dëgjon nëpër rrugë kur qytetarët ecin në qejf të vet. Kur flasin për pronat, regjistrimin e tyre në Kadastër. Kur dikush thyen një pemë në anë të trotuarit, tjetri përball ia pret shkurt: Fajin e ka ai në krye! Dikush tjetër, më i avancuar dhe më i ngarkuar psikologjikisht, thotë si pa të keq:- Ah, të isha një orë kryeministër. Flet ai që edhe këpucët e veta i mbanë të zgjidhura dhe lidhëset varen si rrjetë merimangash. Kur i kërkojnë të vendosin maskën për të kryer veprimet në banka apo zyra çfarëdo, ngërdheshen në fytyrë, shtrembërojnë buzët dhe i këputin një të sharë Ramavirusit. Për ta nuk ka sens që nuk lejohen të hyjnë në mjediset bankare për faktin se pandemia ka shtuar numrin e të infektuarve, po për shumë prej qytetarëve është lojë. Kushdo, nga fermeri, bariu, polici, ndërtuesi, zyrtar i administratës shtetërore, për të gjitha rastet kur i thyhet kandari, atje ku nuk do ai, menjëherë nisin sulmet për të demaskuar e denigruar të parin e qeverisë. Nuk është fjala për të mbrojtur kryeministrin e radhës, as atë që sot drejton qeverinë shqiptare. Po kemi provuar edhe më keq kur të parin e qeverisë, fajësohej në emër të tradhtisë kundër atdheut. Kështu akuzat kundër Ramës nuk janë asgjë para atyre që i drejtoheshin kryeministrit të socializmit, kur i kërkohej të thellohej për fajet politike që kishte bërë kundër partisë dhe pushtetit popullor. Akuza që u shoqëruan deri në vetëvrasjen e kryeministrit të Shqipërisë në dhjetor 1981. Në këtë kuptim as që kanë të krahasuar qëndrimet e sotme me akuzat që i bëhen një individi i cili ka marrë përsipër të drejtojë Shqipërinë. Gjithsesi edhe pse kemi tri dekada demokraci, fyerjet, sharjet pa kufi, mallkimet, anatemimet, etiketimet nuk gjejnë qetësi. Akuzat ndaj të parit të qeverisë janë kilometrike. Nëse i dëgjon nuk të mbetet asgjë tjetër, veç të vësh duart në kokë dhe të qeshësh e të qash me ligje për nivelin mediokër të shumë prej politikanëve tanë, këtyre zanatçinjve që në vend të bakrit përpunojnë llafallogjinë. Politikanët tanë nuk e kanë për asgjë të shpifin, fyejnë, shajnë, qortojnë deri edhe zotin edhe ku nuk ka vend fare për akuza e fyerje. Qytetarët shqiptarë, para dy vitesh kanë marrë një vendim me votën e tyre. Është kjo votë që ka përcaktuar raportet mazhorancën-opozitë. Në demokraci, është i njohur roli i opozitës zyrtare, asaj opozite e cila ka qënë në pushtet vetëm vite më parë dhe ka të regjistruar në memorien e vet bëmat dhe gjëmat e atyre që sot bëjnë opozitën dhe betohen për fe e atdhe, se janë pikërisht ata, muskëterët që do i japin drejtim makinës së pushtetit, sapo të ikin këta dhe të vijnë ata. Megalomani ekstreme. Shpërdorim politik i besimit. Dashuri e çmendur për ta rrëmbyer timonin, ata të vetëshpallur të ndershmit, të paqtët, të papërlyerit, të përkushtuarit. Ajo që të habit, është sjellja e liderëve të secilës parti, reshtuar në pasarela, ku pritet të sfilojnë secili për vete, drejt fronit kryeministror. Po sado që të shfaqen, sikur duan të anatemojnë cilindo, të sillen, si të jenë në zyrat e qeverisë dhe jo në opozitë, Basha të imitojë kryeministrin dublant, falsiteti është i dukshëm dhe i lexueshëm. Tipike për t’u sjellë në këtë mënyrë, është Zonja e Parë, bashkëshortja e Presidentit të Republikës, Monika Kryemadhi, e cila ka aktualisht turnin në drejtimin e LSI-së. Zonja Kryemadhi flet, doktore e shkencave, është jo vetëm analitike, gjithëpërfshirëse, po edhe përgjithësuese në etiketimin e liderëve dhe tërë faktorit politik të mazhorancës. Ajo është zëri më i zjarrtë i politikës opozitare, që veç fjalës ka në dorë edhe kopaçen për t`i goditur të gjithë ata që e pengojnë të jetë, jo vetëm Zonja e Parë, po nëse jo kryeministre e Shqipërisë, së paku zëvendëse apo me një portofol të rëndësishëm. Pa u ndalur te bëmat e Monikës, ato të kohës së shkuar që janë atipike dhe ndriçojnë edhe në errësirë, le t`i referohemi qëndrimit më të fundit kur komentoi sjelljen e deputetëve të opozitës parlamentare. Trajtimi i deputetëve të zgjedhur me dorën e saj, të studiuar me imtësi, si më besnikët dhe qëndrestarët, u ka dhënë statusin e tradhtarit dhe jetimit. Tani bënë sikur i ka përzgjedhur nga shtëpia e fëmijës. Si të ishin pa nënë e baba. Figura të njohura, si Koka apo të tjerë, shumëzohen me zero, trajtohen si të paqenë, sikur të jenë inekzistentë. I vendosi vetë në listat e LSI-së. I bekoi. U uroi fitore. I mbështeti në garën për të fituar, duke shpallur edhe fitoren e zgjedhjeve. Po pas ikjes,braktisjes, djegies së mandateve, e mira dhe përkushtuara Monikë, i sulmoi për veprimin që bënë, duke u futur në Parlamentin e Shqipërisë dhe nuk iu bashkuan atij të rrugicave. Trajtimi i tyre, si të ishin ufo apo alienë, i Parlamentit si shtëpi private, një nga vilat e shumta të çiftit presidencial, deputetët e listës, si figura të konsumuara që ishin në lista pa vullnetin e Kryemadhit, i shpallën të gjithë tradhtarë. Këta bukëshkalë, lanë shtëpinë, LSI-në për t`i bërë fresk qeverisë, siç thotë dendur Monika. Po realiteti nuk është kështu. Ata atje i delegoi Monika dhe LSI dhe janë në të drejtën e tyre legjitime e morale. Pastaj akuzat se i futi Rama për t`i manipuluar janë qesharake. Edhe më ironike bëhet situata kur deklarojnë se i bleu me tendera. U fali gjobat. U mbuloi pisllëqet, vjedhjet, përfitimet e padrejta, vilat, plazhet, resortet. Kjo është një histori e gatuar në kuzhinën e LSI-së dhe e servirur në pjatë të drunjtë prej Monikës. Pse vërtet kaq lirë mund të blihej Ralf Gjoni, ish-këshilltari kryesor i Metës, gjatë drejtimit të Kuvendit të Shqipërisë? Me çfarë çmimi e bleu Rama zotin Gjoni dhe nëse e ka blerë përse ai është kritiku më i ashpër i Ramës dhe demaskues i qeverisë dhe akuzon e shan njëlloj si bijtë e tjerë të LSI-së? Si mund të blihet një individ, deputet, si Koka, ai thuhet se ka pasuri për të blerë tërë LSI-në? Këto dokrra nuk i ha askush. Edhe vetë Monika që i lëshon si tullumbace, kumbulla të papjekura mbi opinionin e gjerë shqiptar, sa herë i vjen mbarë, flasin për lojën e Monikës. Opozita koti me deputetët e LSI, PD e partive të tjera që pranuan të zënë kolltukët parlamentarë sipas Monikës, është e manipuluar nga Rama. Sikur të ishte një kope me dele apo stan me lepuj, pa asnjë personalitet. Nëse do pranohej kjo logjikë, i bie që LSI ka punuar kundër vetes, duke promovuar emra tregtarësh dhe individë me njëqind flamuj dhe pragmatistët më të mëdhenj të vendit. Qëndrimet e opozitës parlamentare, deputetëve të LSI-së, zgjedhur nga Monika, u vendosen nofka, emërtime që bien erë ligësi. Ata mund të mos jenë doktorë të shkencave, si kryetarja Monikë. Mund të mos kenë ushtruar sportin e peshëngritjes apo atletikës si presidenti Meta. Po tek e fundit, kanë një emër dhe mbiemër. Janë figura shoqërore. Kanë një familje dhe një fis dhe nuk mund të trajtohen si të ishin lecka për të fshirë dyshemetë e selisë së Monikës. Deputetët, Monika i ka zgjedhur vetë. Me koshiencë të plotë. Kështu edhe zoti Lulzim Basha. Deri sa ishin pas liste, ata ishin burra dhe gra të shkëlqyera. Po deri sa qëndronin brenda kafazit të partisë veç. Sapo u çel porta dhe u hap një dritare dhe nisën të cicërojnë, pa lejen e Monikës, filluan të bëjnë lojën e Edi Ramës. Dhe loja vazhdon. Politika, po trajtohet, si një poker dhe ruletë gjigante, si në kërkim të bingos. Jo me trajner Ramën, po Monikën. Përse të besojmë se i kurdis këto kukullat Rama dhe jo Monika, e cila nuk është e kënaqur me atë që u arrit në përfundim të katërshes së famshme në tokën amerikane?! Edhe për këtë qëndrim e ka fajin i gjati? Po Vasili, gur shahu ishte në atë tavolinë? E pabesueshme, jashtë logjike. Ai është eminenca gri e çiftit presidencial dhe nuk gabon. Rama e kishte në dorë të thoshte, jo që në nisje të procesit. Po nuk e bëri. Përse duhet të ndërmarrë lojëra të tilla tani? Në fund manovra të tilla do i binin mbi krye! Trajtimi i deputetëve të opozitës, është paradoks dhe nonsens aq më tepër që mbahet nga një doktoreshë në fushën e statistikës dhe ekonomisë. I komandon Taulant Balla deputetët e listës, -thotë Monika. Tjetër deklaratë pa kuptim. Në realitet, lojë po bën Monika. Ajo i ka njerëzit e vet. Të partisë së saj. Të zgjedhur, si me gogla në një seleksionim të gjatë. Ashtu siç ka zgjedhur djem e vajza nga universiteti dhe që e përfaqësojnë në Parlament apo janë aktivë në politikë. Përpjekja për ta quajtur lojë të kryeministrit, sjelljen e deputetëve të listës së saj, shpallur tradhtarë, është vërtet e pistë. Monika, i zgjedh deputetë, Rama akuzohet se bën lojën e vet! Monika i zgjedh, i propagandon, i etiketon si më të shquarit, figura me integritet. Njerëz të përkushtuar, me botë të gjerë shpirtërore, individë të spikatur. Po sot i përbuz, i etiketon, i fyen. Kësaj i thonë, dallëndyshe, ndjesë Monika, ktheje ndryshe!