BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Mos braktisni diasporën!

Mos braktisni diasporën!

Jemi 70 ditë përpara zgjedhjeve dhe vetëm 800 përfaqësues të diasporës sonë janë regjistruar në Regjistrin Elektronik për të votuar online. Nga 1. 35 milionë mbi 18 vjeç me të drejtë vote! Çfarë po ndodh? Mos ka parti politike tek ne që shprehen me fjalë se janë për votimin e diasporës dhe e sabotojnë në heshtje? Sikurse ndodhi me reformën në drejtësi? Kujt nuk i intereson të votojë diaspora? Cili politikan/parti është i pasigurtë me votën e saj? Cili politikan ndjen se shashkat që ai përdor t’iu hedhë hi syve dhe t’u shpëlajë trutë qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi nuk i ecin me përfaqësuesit e diasporës, që dinë ç’është progresi i vërtetë, kush e sjell atë dhe e shohin çdo ditë praninë e shtetit ligjor aty ku jetojnë? Data 25 prill për ne është një takim me historinë tonë. Edhe nëse arrijmë që të sjellim në votimin elektronik një të dhjetën e atyre 1. 35 milionë përfaqësuesve me të drejtë vote. Por për këtë duhet punë e përditshme e ethshme dhe me mbështetjen e plotë të partive kryesore politike. Janë ato që duhet të dalin (madje duhej të kishin dalë tashmë) me apele të forta për përfaqësuesit e diasporës. Ku në çdo media: televizion, portal, gazetë të vendit që ndiqet prej diasporës, të shpjegojnë qartë hapat e thjeshtë për t’u regjistruar dhe për të votuar. Nenet 24 dhe 25 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar më 22 korrik 2020, u japin mundësi të gjithë përfaqësuesve të diasporës të moshës mbi 18 vjeç (janë mbi 1. 35 milionë të tillë) që të votojnë. Nuk ka asnjë pengesë ligjore. Mirëpo vetë nenet nuk mund të bëhen shkop magjik dhe të shtrojnë udhën e votimit të diasporës. Nevojitet një infrastrukturë e plotë, të paktën elektronike (regjistër elektronik i të dhënave të përfaqësuesve të diasporës: banimi, numri i identifikimit, pasaporta, etj.) dhe nevojitet që vetë këta 1. 35 milionë shqiptarë të njoftohen dhe të dinë botërisht se mund të votojnë për zgjedhjet në Shqipëri. Më 30 janar 2021, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi se ky Komision ka gati draft-ligjin për regjistrimin e votuesve me banim të përhershëm jashtë territorit të Shqipërisë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë një listë të të gjithë përfaqësuesve të Diasporës së Re dhe të mëparshme, që dëshirojnë të votojnë aty ku banojnë. Jemi shumë vonë dhe realisht i gjithë procesi rrezikohet. Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko u shpreh pak kohë më parë në Kuvend se është në komunikim të vazhdueshëm me Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili, me dy nenet e miratuara të Kuvendit në Kodin Zgjedhor, gëzon të drejtën e plotë për vendimmarrje lidhur me votimin e emigrantëve. Por sa do të arrijë ky Komision (që ndërkohë mban nën sqetulla edhe njëmijë kunguj të tjerë të procesit zgjedhor) që të informojë në kohë dhe të ndihmojë realisht diasporën që të votojë? Diaspora është komuniteti ynë qytetar më i hapur si mendësi. Ajo nuk e shet kurrë votën. Diaspora ka aftësinë të largojë paranë kriminale nga politika, gjë që nuk e kanë bërë në dy dekada e gjysmë partitë tona. Cilat janë këto parti tonat politike që i fshihen dhe i tremben votës së diasporës si djalli temjanit? Që shprehen me fjalë se janë pro dhe me indiferentizmin e tyre vrastar po e varrosin këtë mundësi të artë për ne të kemi diasporën partnere në zhvillimin tonë shumë më fort se deri tani. Pse ajo na afron më shumë me partnerët dhe organizmat ndërkombëtare? Mjafton të shikojmë ndikimin e jashtëzakonshëm pozitiv që diasporat përkatëse votuese sollën në Itali, Rumani dhe do të sjellin edhe në Kosovë pas ditës së djeshme, ku votoi edhe diaspora në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Votimi i saj rrit ndjeshëm interesimin e dhjetëra mijëra sipërmarrësve të diasporës në zhvillimin ekonomik të vendlindjes. Nëse ky votim do të jetë i suksesshëm më 25 prill, do të shikojmë një shtim të ndjeshëm të dërgimit të parave (remitancave) nga emigrantët dhe rritje të numrit të investuesve nga radhët e diasporës. Dhe përfaqësuesit e diasporës sonë kanë aftësinë të sjellin edhe sipërmarrës seriozë nga vendet ku jetojnë. Njëlloj si i ndodhi Turqisë në vitet 1970-2000 me investimet gjermane në turizmin e Antalias. Me entuziazmin nga pjesëmarrja e përfaqësuesve të tyre në zgjedhje, mund të ngremë me mekanizma shtetërorë fonde investimi, ku të kanalizohen mbi 2-3 miliardë euro dhe dollarë kursime të diasporës, duke kaluar edhe paratë e pasigurta dhe tejet të kushtueshme të PPP-ve aq problematike për ekonominë tonë. Mbi 150 vende të botës dhe mbi 40 të tilla në Europë e aplikojnë votimin e diasporës. Vendi ynë ka shansin të bëhet më 25 prill një prej tyre. U drejtohem të gjitha partive politike të vendit tim. Bëni thirrje tani që diaspora të votojë! Tregoni në çdo kontakt publik dhe me mediat se sa thjesht dhe bindshëm mund të votojë diaspora jonë në mënyrë elektronike, në bazë të regjistrimit në regjistrin elektronik dhe marrjes së certifikatës elektronike që je votues dhe që të siguron aksesin në votim. E kemi të domosdoshme të emancipojmë realisht shoqërinë tonë, duke i mundësuar gjysmës së popullsisë që jeton jashtë kufijve të atdheut, që të votojë. Dhe ajo duhet të votojë! Parti politike të vendit tim. Mos e braktisni këto ditë diasporën, pse historia dhe ndërgjegjja e gjithë shqiptarëve të këtushëm e përtej kufirit do t’ju dënojë! Me një fushatë të pashoqe komunikimi, informimi dhe nxitjeje për të 1. 35 milionë përfaqësuesit e diasporës sonë të madhe dhe patriotike, për mundësitë që të votojë edhe brenda këtyre 70 ditëve që na mbeten mund të arrijmë të regjistrohen me dhjetëra mijëra qytetarë tanët nga diaspora.