BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Mos harroni Fierin!

Mos harroni Fierin!

Rajoni i  Fierit renditet i treti në vend për nga rëndësia ekonomike. Është qendra e Shqipërisë në industrinë e naftës, bitumit dhe bujqësisë. Është rajoni më i populluar pas Tiranës dhe Durrësit. Ka 50 kisha, ka Apolloninë, Bylisin, ka festa të bukura tradicionale myzeqare si ajo e gjelit të detit, e grurit, e bibës në tavë, e luleshtrydheve, e qershive. Kryesorja, ka njerëz të mirë, të qeshur, të ndershëm e punëtorë. Ka një jetë të pasur kulturore dhe artistike. Ka plazhe të virgjëra, si ai i Divjakës, Darëzezës, grykëderdhjes së Semanit, Pish-Poros. E megjithatë, rrezikohet i gjithi si rajon të harrohet dhe mënjanohet. Festat e Fierit të mos ndiqen më me aq vëmendje, thesaret arkeologjike e kishtare të mos kërkohen më të vizitohen. Po pse e gjitha kjo? Sepse më 15 qershor 2020, tre ditë më parë, u hap i plotë By-Pass-i i Fierit, korsia e dytë e autostradës nga kthesa për në Fier deri në Levan. Dy milionë vizitorë që do të zbresin në jug këto tre muaj qershor-shtator nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të etur për të harruar pandeminë, kanë një arsye madhore për të harruar Fierin. Rrugën e shpejtë deri në Vlorë e më tutje në Rivierën shqiptare. I gjithë ky rajon fantastik do të kthehet thjesht një segment transitor, një trase rruge që të çon në Vlorë gjysmë ose treçerek ore më shpejt. Në këtë turravrapin e jetës sonë marramendëse sot, qyteti i Fierit me një qendër hijeshuar aq bukur dhe bankinat e lumit Gjanicë që në qendër ngjajnë me ato të Danubit në Vjenë, do të nisin të harrohen ngadalë. Me grinë e rëndë të harresës, qyteti dhe e gjithë krahina do të ulin ritmin e jetës, ndërsa njerëzit do të synojnë të ikin në Tiranë, Durrës apo Vlorë. Kjo nuk duhet lejuar! I gjithë rajoni i Fierit, të gjithë këta 300 mijë banorë bujarë dhe punëtorë, meritojnë më shumë se sa harresën. Qeveria jonë qendrore duhet të lëvizë, e ndihmuar nga shoqatat e operatorëve turistikë. Qyteti dhe rajoni i Fierit duhet urgjentisht të ketë brand-in (markën, shenjën dalluese) e tyre unikal. “Qyteti dhe vendi i Diellit, Detit dhe Zotave!”. Ka njerëz të zotë dhe dëshirues të bëjnë mirë në Bashkinë Fier, për të ndihmuar turizmin rajonal. Por janë të pashpresë, me qametin e pandemisë dhe me turrjen e dy milionë turistëve drejt Vlorës dhe Rivierës këtë vit, nëse qeveria në Tiranë nuk merr në dorë situatën. Qeveria jonë duhet të organizojë një mbledhje qeverie në Fier(jo vetëm në Vlorë)!. Duhet të shpallë përparësi kombëtare rigjallërimin e qytetit dhe krahinës. Fieri ka itinerare magjepse turistike: Apolloni-Ardenicë; Divjakë - Lushnjë - Ardenicë - Bylis – Apolloni, si dhe itinerarin e kishave Fier - Kolkondas - Libofshë - Ardenicë - Bishqethm - Krutje - Toshkëz – Strum. Ka shumë për të ofruar, që vizitori që shkon në jug, të qëndrojë të paktën një natë në Fier. Kjo duhet të ndodhë, jo humbëtira graduale, harresa dhe errësira. Ky qytet dhe kjo krahinë nuk duhet kurrsesi të bien në moszhvillim! Këtu përgjegjësia e qeverisë sonë është parësore. Ajo e ka në dorë të ndihmojë realisht fierakët. Itineraret e Fierit duhet të jenë aplikacione aktive dhe të sponsorizuara me pankarta në rrugët kryesore të vendit, për t’u kapur nga të gjithë celularët e udhëtarëve për në Vlorë. Dosja e Rrugës së vërtetë dhe të famshme të antikitetit “Via Egnatia”, e cila nis në Durrës dhe gjarpëron në të gjithë rajonin e Fierit, me projekte gati për rigjallërimin turistik të gjurmëve të saj në rajon, duhet të shndërrohet në lobim dhe armë për zhvillimin e zonës për të gjithë deputetët e fierakë. Në radhë të parë për Kryetarin e Kuvendit, bir i kësaj zone. Qeveria të gjejë fonde fillestare dhe të kërkojë me lobim të fortë fonde nga Bashkimi Evropian, pse tërheqja e antikitetit mund të rritet shumëfish, në prani të Apollonisë dhe Bylisit, me ridaljen në skenë të rrugës antike, kthyer në një përjetim turistik. Qeveria, në radhë të parë Ministria e Turizmit dhe ajo e Kulturës, të mos mendojë aktivitete verore dhe vjeshtore (me aq sa do të na lejojë ecuria e pandemisë) vetëm në Tiranë, Vlorë dhe Sarandë këtë vit, por t’i sjellë me vizion dhe përkushtim edhe në Fier. Këto nuk janë ëndrra, por mund të kthehen shpejt në projekte konkrete për të ndihmuar Fierin. Ata dy milionë turistë të nxituar për dallgët dhe blunë e detit Jon, mund të marrin një ditë nga aventura e tyre, për t’u kredhur në eksperiencën e mrekullueshme të itinerareve magjikë të Fierit. Jo! Nuk duhet të harrojmë Fierin. Fieri dhe fierakët janë pjesë e pandarë e jetës sonë. Nuk mund t’ i hedhim, zhysim ata në harresë, për hir të një traseje rrugore të shpejtë.