BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Mos mungo në apel

Mos mungo në apel

Sot më shumë se kurrë duhet komunikimi i Kryeministrit të vendit me qytetarët e vet. Ai ishte i përditshëm në ditët e tronditjes dhe frikës së madhe nga koronavirusi në mars dhe prill 2020. Ky komunikim duhet pranuar se na mbylli në shtëpi dhe na bëri të disiplinuar (nga frika dhe makthi i virusit të panjohur) ndër të parët në Evropë. Na mbylli dhe praktikisht na shpëtoi në orën më të rëndë të rrezikut. Ndaj shumë mirë u bë, pasi mbyllja herët dhe disiplina në respektimin e atyre pak orëve të daljes jashtë për blerjet e domosdoshme na shmangu katastrofën, me sistemin tonë shëndetësor krejtësisht të paaftë për të përballuar infektime masive. Dhe menduam se ia hodhëm, në gjysmë të majit, kur nisën të hiqeshin kufizimet. Dhe kërkuam me mall dhe padurim t’i ktheheshim jetës së lirë që bënim. Pa e kuptuar që me praninë e virusit, ajo jetë nuk mund të bëhej. Dhe më 23 qershor ndodhi hapja e plotë. Në atë moment, na duhej urdhri i Këshillit të Ministrave për mbajtjen e detyruar të maskës në mjediset publike të mbyllura. Ai erdhi me dy javë vonesë dhe kurba e infektimeve u ngrit lart. Tani jemi në një majë të rrezikshme dhe kemi nevojë, domosdoshmëri për komunikimin ditor të të parit të qeverisë me ne. Po çfarë mund të na thotë ai që nuk e kemi dëgjuar deri tani? Mund të jenë fjalë të përsëritura, por prej atij kemi nevojë t’i dëgjojmë. Të tilla si “Na duhet bashkëpunimi me ju qytetarë. Të vetëm në shtet nuk ia dalim dot. Na duhet të zgjidhni të jetoni me maskën në mjedise publike të mbyllura, me higjenën e plotë në larjen e duarve pasi të jeni kthyer në shtëpi. Na duhet të zgjidhni të mos i dënoni të tjerët me vdekje, duke mos mbajtur maskë! Të zgjidhni të fitoni jetën. Parandalimi është çelësi i fitimit të kësaj lufte të gjatë me këtë virus që do të qëndrojë i pabesë dhe në pritë mes nesh, sa të gjendet vaksina. Sa më shpejt të kuptojmë se duhet të respektojmë rregullat, aq më shpejt do ta fitojmë këtë luftë. Ti që je me tampon pozitiv dhe shikon që shenjat dhe simptomat janë duke u përkeqësuar, telefono 127 për një vlerësim për shtrim në spital. Mos dil, se je burim i transmetimit të infeksionit. Ti që ke shenja të lehta, të cilat po i trajton në banesë dhe ke përmirësim të simptomave, vepro në bashkëpunim të përditshëm me mjekun e familjes dhe 127. Mos dil, se je burim i transmetimit të infeksionit. Ti që ke shenja të lehta dhe mendon se është virozë e stinës, kërko ndihmë te mjeku i familjes ose te 127 për të përjashtuar dyshimin e Covid-19. Mos dil deri në përjashtimin e tij, se je burim i transmetimit të infeksionit! Ti që ke bërë tamponin dhe ke dalë pozitiv, por nuk ke shenja dhe simptoma, mos dil se je burim i transmetimit të infeksionit! Ti që kërkon ndihmë mjekësore sepse ke shenja dhe simptoma, ti që nuk kërkon tampon, sepse nuk do të identifikohesh, mos dil se je burim i transmetimit të infeksionit. Ti që nuk je në asnjë nga gjendjet e mësipërme, dil, por mbrohu!”. Këto janë fjalë-mesazhe të një mjeku në krye të urgjencës sonë kombëtare, por do të donim t’i dëgjonim të na i thoshte edhe Kryeministri. Një miku im në datën 2 gusht ka dasmën e djalit. Ka ftuar 250 veta. Të gjithë kanë konfirmuar se do të shkojnë. Një ceremoni varrimi një javë më parë në Tiranë u shndërrua në vatër infeksioni. Jeta jonë nuk është më njësoj me armikun koronavirus nëpër këmbë. Ai nuk largohet vetë. Do të qëndrojë me ne, sa të gjendet vaksina. Kur ajo të gjendet dhe të prodhohet për të gjithë, do të çlirohet bota. Deri atëherë, duhet të ruajmë jetën. Për këtë kemi nevojë për komunikimin me Kryeministrin. Listat e hapura janë gjë e bukur vërtet. Edhe pasioni dhe gara politike me zgjedhjet njëmbëdhjetë muaj më vonë. Por parësore sot është ruajtja e jetës së qytetarëve. Prandaj apeli thërret të parin e qeverisë të komunikojë me qytetarët e vet çdo ditë. Të largojë frikërat e forta dhe të konsolidojë kujdesin e të mençurve të këtij vendi, duke goditur fort pakujdesinë e të rinjve dhe atyre që nuk kuptojnë rrezikun e këtij armiku të padukshëm të paparë ndonjëherë. Dhe Kryeministri nuk duhet t’i mungojë apelit.