BREAKING NEWS

1.3 tonë kokainë në Maqedoni, vjen reagimi zyrtar nga Policia shqiptare për sasinë rekord: Dorëzuam drogën

1.3 tonë kokainë në Maqedoni, vjen reagimi  zyrtar nga Policia
x

Opinion / Editorial

Mos të ishte ky, ata, ato dhe ai, pushteti do ishte patjetër yni!

Mos të ishte ky, ata, ato dhe ai, pushteti do ishte patjetër yni!

Në sheshin qendror në qytetit tonë, ditën kur luhej finalja e madhe e botërorit mes Gjermanisë dhe Brazilit në një stadium të tejmbushur dhe entuziazmi kishte arritur kulmin për golat e shënuara nga futbollistët gjermanë dhe nga tërë tifozët që ndiqnin ndeshjen dëgjoheshin ofshama entuziazmi, para grumbullit të tifozëve ndali Malu. Është një nga shakaxhinjtë e qytetit që shumë herë nuk kuptohet kur flet me humor e kur seriozisht.

Të gjitha e kanë qejf Malon, jo vetëm për ato që thotë, po më së shumti për ato që bën me shpoti, tallje e romuzet pafund. Kur entuziazmi kishte arritur kulmin, u dëgjua shakaxhiu i qytetit që bërtiste në qejf të vet: -Ç`bëhet kështu more zotërinj? Ndeshja luhet në Brazil e ju digjeni nga ethet për golat gjermane. Dhe më tej, more pse këta futbollistët, rropaten me orë të tëra pas një topi? Pse nuk e bëjnë me radhë? Të largojnë atë numrin një që mbron portën, portierin si i thonë dhe të fusin gola sa tu dojë qejfi.

Pastaj të njëjtën gjë të bëjë edhe skuadra tjetër. Se kështu pas një topi njëzetë burra nuk ka lezet. Edhe ai që i frynë bilbilit, le të pushojë në hije deri sa të shqepen me gola lojtarët e të mblidhen në restorantin e Rio de Zhaneros e të ngopen me kuzhinën braziliane. Epo këta ore pas një topi sikur të kishte rënë në fushë ndonjë planet me ar. Tifozët qeshën e bashkë me ta edhe shakaxhiu Malo, i cili iku drejt rrugës për nga stadiumi, ku ka edhe shtëpinë. Filozofia e tij ishte: Ndeshje në fushë pa kundërshtarë. Në fushën e betejës vetëm njëra palë. Dhe kështu të dyja palët fitojnë. Po mos të ishte skuadra gjermane përballë, kishte fituar Brazili se tek e fundit asnjë lojtar nga pala tjetër nuk do kishte në fushë. Ndeshje me një palë të vetme. Pra nëse nuk do ishte kjo apo ajo skuadër, kampionati do fitohej nga pasardhësit e Peles së madh. Pse jo edhe nga ne shqiptarët që jo pak ëndërrojmë për ndeshje pa të tjerë përballë.

Treguam këtë rast, jo për të kujtuar Malon për fitore pa kundërshtarë, po për t`iu referuar ca Malove politikë që sot në 2020 në shekullin e njëzetë e një, flasin kodra pas bregut dhe tregojnë përralla, të cilat as vet nuk i besojnë për pushtet të garantuar me përjashtimin e vetëm që mos ketë të asnjë kundërshtar që të luftojë për forcat e tjera politike. Në këto gjashtë vjet, qysh kurse PD doli në opozitë dhe LSI prej dy vitesh, dëgjohet gjithandej e njëjta këngë, të njëjtat ankesa e akuza. Argumenti sundues prej të gjithë liderëve të partive opozitare, atyre që kanë elektorat masiv, por më së shumti ata që nuk kanë në listat e anëtarësisë dhe mbështetësve as dhjetë persona.

Bërtasin e mallkojnë se fitorja është e tyre, se mbështetja është mbarëpopullore, plebishitare, e gjithanshme, mezi pret populli t’i ngjitë në poltrone e piedestale qeverisëse, po pengon, ai, ajo, ky, këta, ata, ato, i gjati, i shkurtri, bullafiqi, rrumbullaku, diplomati, dredharaku dhe i shtohet vargut që bëjnë tersin dhe janë pengesa, një numër individësh e simbolesh që të gjithë si prita për mos të lënë opozitarët të ngrejnë krye dhe të fitojnë atë që meritojnë. Me këtë gjuhë flasin radhazi të parët e të fundit.

Liderët kryetarë partish e radhazi të tjerët që mbajnë poste të dyta e treta deri tek ata që merren me prapavijën apo arkivat e partisë dhe rezultateve zgjedhore ndër vite. Mallkojnë përherë ca të tjerë që nuk i lënë të ecin përpara drejt pushtetit. Dëgjoni se si argumenton Lulzim Basha sa herë flitet për gara elektorale, si i justifikon humbjet, rezultatet negative, numrin e deputetëve, pse nuk u fitua në qarkun e Korçës, Elbasanit, pse humbën në Durrës, ngecën në Delvinë, pse fituan në Kukës apo në Shkodër. Atje ku humbasin, deklarojnë se me Ramën kryeministër nuk fitohet. I faturojnë gjithë të këqijat që ka bota. E etiketojnë, e anatemojnë, e diskreditojnë dhe në fund: O të iki Rama ose nuk ka pushtet. Dhe më tej Berisha e ngre stekën edhe më lart. E dramatizon fare realitetin. Ose të hidhet Rama në Lanë ose opozita do shkrihet. O largohet Rama, o mbetemi në opozitë.

Ndaj ta largojmë me çdo çmim dhe me të gjitha format. Çdo politikan që synon pushtetin dhe analist që i bën fresk liderëve të opozitës, që u qan hallin që i ka gjetur me këtë qeveri që nuk i lënë të vijnë në pushtet me bandat e krimit, si metodë efikase për ta larguar qeveritarët aktualë, nisin nga eliminimi fizik, vdekja natyrale, largimi jashtë vendit, heqja dorë nga politika me detyrim, shporrja një orë e më parë nga selia e Kryeministrisë pasi sipas tyre mazhoranca e sotme e ka sjellë këtë komb në këtë derexhe.

“Me Ramën, Shqipëria është rrënuar plotësisht”, bërtasin opozitarët në radhë. Në këtë situatë Shqipërinë e ka sjellë Rama deklaron Kryemadhi. Është fakt, shkon më tutje politikano-analisti, i gjithëdituri, Petrit Vasili se Rama është kartë e djegur në Shqipëri dhe me keq në Kosovë. Të gjithë liderët, kryetarë partish të koalicionit opozitar, sa herë flasin për humbjet elektorale të cilat i shesin si fitore plebishitare, siç u veprua me zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, ku mospjesëmarrja u konvertua në 85 për qind mbështetje për opozitën, fajësojnë Ramën. Nuk marrin votat e pretenduar, shënjestrojnë qeverinë. Ikin nga Parlamenti, braktisin demonstrativisht dhe përsëri fajtor është ai, i gjati. Djegin mandatet, deklarojnë se e bënë për faj të tij. Braktisin zgjedhjet, fajtor është përsëri ai. Nuk pranojnë të futen në fushatë elektorale, nxjerrin justifikimin se na vjedh Rama me banditët votat. Të njëjtat argumenta pas çdo humbje. E njëjta logjikë për deputetët e munguar dhe pushtetin e pafituar. Me të njëjtin fjalor. Të gjithë kopje të njëri- tjetrit, si të kenë një mendje, një kokë, një logjikë.

Është bërë kaq i bezdisur refreni, se fajin e ka ai, ky, ata, ato, ju, sa të vjen të vjellësh, po edhe t`i mëshirosh ata që duan pushtet pa vota, pa ndeshje, pa fushata zgjedhore, të luajnë pa skuadrat përballë. Shkurt të zbatojnë porosinë e Malos të qytetit tonë, i cili u kërkonte lojtarëve të braktisnin lojën dhe të gjuanin secili në portën pa portier, pa arbitër, pa skuadra kundërshtare. Shkurt pushtet pa garë. Pa rival përball. Sikur mos të mjaftonin fjalimet pafund të Bashës e Kryemadhit edhe figurat e dyta e të treta, deri tek ata në fund të rreshtit të partive politike, siç veprojnë kryetarët në kopje të tyre. Raportojnë nga qarqet që shkojnë, qytetet, takime me militantë, të zgjedhur për festa apo inspektime a ngritjen e frymës së partisë dhe mbështetjen e militantëve në rrugëtimin për të marrë pushtetin me të njëjtat slogane. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi pas kthimit nga Elbasani deklaroi se e gjeti partinë atje shumë të angazhuar e të mobilizuar. Në Elbasan,- tha ai, PD fiton mbi 55 për qind të votave. Sa shumë! Ndoshta edhe më shumë.

Po edhe Bardhi, sjell të njëjtin argument. Bardhi deklaroi se: -Po të mos jetë Balla në Elbasan, e kemi në kupë fitoren. Po është ai që mobilizon banditë, kriminelë dhe votat i vjedh. Është një psikologji e tërë kjo e justifikimit të rezultateve në zgjedhjet e radhës, të kaluarat dhe ato që vijnë për përqindjet e fituara, duke akuzuar ata të tjerët. Sa herë mungojnë votat e premtuara, fajtor bëhet automatikisht një nga figurat e PS-së. Së fundi për Gazment Bardhin në Elbasan fajin ua ka Balla. Ai vizatohet si të ishte lubia që ka zënë grykën e burimit nga rrjedhin votat. Fshehja pas akuzave të tilla është një justifikim i hapur po edhe një dëm i jashtëzakonshëm që u faturohet partive opozitare. Është shmangie nga fushëbeteja dhe shuarje e entuziazmit për të fituar në rrugë normale dhe të ndershme. Është foshnjarake kjo mënyrë e të bërit politikë. Hedhja e fajit, sa njërit politikan tjetrit nuk është rruga e zgjidhjes dhe aq më pak e fitores mbi kundërshtarin. Është një mendësi qesharake. Sa herë PD dhe aleatët në opozitë do justifikohen me sloganin, pengesa është ky apo ai, ata apo ato se pushteti do ishte yni aq më shumë do i largohen kolltukëve të pushtetit.