BREAKING NEWS

Zbardhet projekti për bazën e Kuçovës, amerikanët zbarkojnë në Shqipëri dhe u tregojnë dhëmbët rusëve, brenda 2023 nisin fluturimet e para

Zbardhet projekti për bazën e Kuçovës, amerikanët
x

Opinion / Editorial

Moxart e violinë shqiptare në ’97-të dhe drama e sotme e Teatrit

Moxart e violinë shqiptare në ’97-të dhe drama e sotme e

Nga Romina Kuko*

Vjen në moment në jetë kur do duhet patjetër të kthesh kokën pas, të përballesh me demonë që flenë brenda teje, të cilët i ke fshehur pa dashje, me dashje, ke dashur t’i harrosh por që kurdo, në një moment kanë ngritur krye brenda teje. I tillë është ky moment, kur debate mbi artin, teatrin, artistët ka arritur një pikë kulmore si kurrë më parë. Në këto ditë kam qenë nën një sulm të pamëshirshëm reminishencash të cilat qëndronin tinëz të shtypura në vetvete.

Brezi im, është brezi i humbur kur vjen puna për art në Shqipëri. E nisa violinën 6 vjeç, fiks në vitin ’90, atëherë kur epokat përthyheshin dhe kur arti dhe kultura e vendit tonë ishte viktima e parë. Ethet e asaj kohe , që si fëmijë nuk i kuptoja i kam parë në shkollën time ku në dimrat e vetmisë së madhe, pa xhama në dritare dhe në vend të tyre një cellofan, studionim në korridoret e shkollës, në minus 15, me duart kërcu, ku të të këputej një tel apo të të thyhej harku ishte tragjedi sepse nuk do gjeje dot të tjerë, ku nxirrnim sytë duke kopjuar partitura me dorë dhe me qiri (a e mbani mend terrin pa drita në të cilin jemi rritur o miku im!) sepse partiturat mungonin dhe  jo vetëm që nuk kishim salla për saxhio dhe koncerte, por edhe mësimi bëhej në klasat e rregullta të mësimit të ditës; aty, një fëmijë 6,7,8 vjeç dhe zysha duke zbërthyer notat e koncertit në Sol Maxhor të Moxart, përreth, banga të vjetra, një dërrasë e zezë dhe partitura mbi një dërrasë të sajuar sepse lexhio nuk bëhej fjalë të kishe, ishte luks i madh. Shqipëria e viteve ’90 i hante bijtë e saj artistë. Shumë prej tyre vendosën të largoheshin, shumë prej tyre zgjodhën jetë të reja, punë mbijetese, larg artit dhe kulturës. Njerëz të mrekullueshëm, me shpirt e vlera, por gjithashtu njerëz të kësaj bote ku imperative kryesor ka mbijetesën! Dhe në pamundësi absolute për të mbijetuar me talentin e tyre, zgjodhën një rrugë tjetër.

Nuk do ta harroj kurrë një moment kur në sezonin e luleve të ftohta të Marsit ’97 jashtë kërcisnin armët dhe brenda luheshin sonata, është një kujtim që do të më ndjekë deri në fund të jetës. Ngadhënjimi i shpirtit mbi çmendurinë.

Këto mendime më rrotullohen pafundësisht këto ditë, kur teatri absurd ka marrë përmasa të tilla sa e vërteta është me absurde se fiksoni; ku dëgjoj gjyqe publike emrash të përmendur a thua se nuk janë njerëz prej mishi e gjaku, me histori njerëzore, dhimbjet e tyre. E, duke folur për dhimbje, po bëhet pothuajse një vit që kur shkela sërish në Liceun Artistik krejtësisht të rindërtuar, tek salla e koncerteve dhe aty, si me shkulm më hapej një plagë e vjetër e më buiste në kokë mendimi “shkolla që do kisha dashur të kisha; shkolla që më mungoi gjithmonë”. Jo vetëm mua, por gjithë brezit tim që për vite e vite me radhë i dha gjithë kohën dhe mundin muzikës dhe në fund u detyrua ta braktiste, sepse o miku im, Shqipëria e asaj kohe nuk ishte një botë ku artisti mund të mbijetonte. Jo, jo!

Dhe në plan tërësisht njerëzor, është trishtim kur sheh që edhe kjo kauzë futet në hullitë politike, kur një kauzë për të cilët mund të ketë mbartur një ideal në vetvete, merret peng dhe kthehet në gjyq politik, në diskurs aq shumë të largët nga ai që duhej të ishte. Gjyqi artistik i sotëm duhej të akuzonte drejtpërdrejt ata që për dekada e atrofizuan mizorisht jetën dhe botën tonë shpirtërore; ku artisti ishte krejtësisht i braktisur dhe i tallur dhe i lënë në cep të mbijetesës! Ky është thelbi! Teatri është vetëm simptoma. Sëmundja qëndron tjetërkund.

Qëndron në qeset e plastmasi në dritaret nëpërmjet së cilave ende shohim botën, të cilat nuk na mbrojnë nga acari dhe na pengojnë të shohim mundësitë aty jashtë. Qëndron në kurthin e lirisë shpirtërore, kauzë madhore të cilën ende nuk e kuptojmë. Jam e bindur se ngjyrat e jetës sonë në Shqipëri janë të nemitura pikërisht sepse bota shpirtërore është e nemitur.

Violina, për mënyrën si është ndërtuar, brenda trupit të saj, ka një copëz  e cila është e vendosur në mënyrë vertikale, si një tra i vockël që mban më këmbë gjithçka dhe që ne e quajmë Shpirti i Violinës. Shpirti e bën të kumbojë në tingujt hyjnorë që ajo ka. Nëse shpirti mungon, violina pushon së qeni e tillë, është vetëm një formë druri dhe tingulli i saj i përngjet një piskame. Dhe klinikisht, piskamat janë simptomë e çmendurisë. Është koha t’i vendosim shpirt gjërave, të heqim qeset e plastmasi nga sytë tanë, të kthejmë dinjitetin e artistit duke i dhuruar skena të reja, horizonte të reja. Kjo pra, kjo është e gjitha. Të tjerat janë ujëra.

*Zv/ministre e Brendshme