Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Mungesa e dëgjesave publike, si shmangie e demokracisë direkte

Postuar: 12/11/2019 - 07:16

Pas vendimit të përcaktimit së tarifës për “Rrugën e Kombit”, qytetarë të Kukësit shpërthyen në revolta dhe dogjën pajisjet e vjeljes së taksës, të cilën e konsideruan të pakonsultuar dhe çmimin të papërballueshëm për buxhetet e tyre familjare. Një veprim i tillë i qytetarëve të zëmëruar u shoqërua me dëme materiale të konsiderueshme. Jo vetëm kaq. U dëmtua imazhi i vendit tonë faqe botës. U godit iniciativa e sipërmarrësve. U kontaminua një risi, të cilës i takon e ardhmja si kudo në botë. U shoqërua me ndalimin e atyre që shkatërruan pronën dhe vepruan në kundërshtim me ligjin, moralin dhe etikën. Fill pas këtyre veprimeve, kryeministri Rama doli para qytetarëve shqiptarë, specifikisht para kuksianëve me kërkesë ndjese publike. Ai deklaroi se qeveria ishte shpejtuar. Kishte munguar konsultimi dhe nuk ishte bërë asnjë dëgjesë serioze publike. Ishte një nismë që ndodhte për herë të parë në vendin tonë. Konsultat dhe llogaritë duhet të bëheshin deri në detaje, duke dëgjuar të gjitha grupet e interesit të përdoruesve të kësaj nyje të rëndësishme, e cila është një arterie që nuk u shërben vetëm shqiptarëve këtej kufirit, po edhe atyre në shtetin e Kosovës, të cilët janë udhëtarët e përditshëm në shumicë për të ardhur në atdheun amë, si dhe për të shfrytëzuar potencialet turistike në bregdetin shqiptar. Njëherësh u neglizhuan ata që u takon të kalojnë nëpër këto kabina edhe dhjetë herë në ditë. Këtu, në këto zona, kanë fshatin, banesat, lëvizin me produkte bujqësore e blegtori. Pra nuk mund të paguajnë taksë për të shkuar në shtëpi. Pikërisht pas pësimit, shteti bëri takime të detajuara dhe dëgjoi gjykimin e qytetarëve, bizneseve, shoqërive të autobuzave, fugonave, kamionëve të transportit të mallrave dhe tërë ata që u takon të kalojnë në këtë nyje të rëndësishme me dhjetëra herë në muaj. Shkurt organizoi dëgjesat publike. Dhe u reflektua në taksën e rrugës çdo dëgjesë. U përjashtuan ata që nuk duhet të paguajnë dhe u lehtësuan të tjerët, duke mos i cenuar materialisht. Tek e fundit, rrugët u shërbejnë qytetarëve. Duhen mirëmbajtur dhe riparuar. Dhe për këtë kërkohen fonde. Po kjo, lyp masa të mirëmenduara dhe zbatim me korrektesë të interesave të qytetarëve. Pra kërkohen konsulta dhe dëgjesa të shumta, pa neglizhuar asnjë zë të veçantë me taksapaguesit. E sollëm këtë shembull për të dalë në një argument që kërkon vlerësim nga organet e pushtetit lokal, qendror, ekzekutiv, legjislativ dhe çdo organi vendimmarrës, parti politike, organizata shoqërore, ligjvënës para çdo vendimi që ka efekte të gjera publike. Dëgjesat e vëmendshme shmangin keqkuptimet. Sigurojnë marrjen e vendimeve të balancuara. I thonë jo zgjidhjeve burokratike. I presin rrugën abuzimeve dhe përfitimeve të pamerituara. Dihet se shteti ndërmerr iniciativa për vepra të mëdha. Jo vetëm në konceptin fizik, siç mund të jenë autostradat, bay-passet, stadiumet, veprat madhore energjitike, parqet e mëdha olimpike, sheshe në qendrat e qyteteve, godina me rrezatim të gjerë që kapërcejnë kufijtë e një qyteti, teatrot, godinat e operave e baletit që kanë ndikim mbarëkombëtar. Vendime të shumta të karakterit të reformave të mëdha. Ligje me efekte shumëvjeçare. Po a dëgjohet publiku për ndërtimin e këtyre veprave dhe reformave? Sa të informuar janë qytetarët që do jenë përdorues të tyre me shumat që harxhohen? Sa sqarohen për veprën e re që do ndërtohet apo është në perspektivë për t’u ndërtuar dhe cilat janë impaktet pozitive që do arrihen? Si e duan qytetarët këtë rrugë apo atë parkë, a e pranojnë ndryshimin e rrjedhës së një lumi apo mbylljen e tij në tubacione? A u organizuan konsulta me qytetarët për ndërtimin e hidrocentraleve mbi Valbonë dhe shkatërrimin e peizazheve që i bëhet kësaj zone nga më të mrekullueshmet në vendin tonë, duke e futur në tubacione dhe duke fshehur rrjedhën e ujit që ka qenë ndër ato shtigje në mijëra vjet? Si mund të fshihen bukuritë e krijuara, kataraktet, ujëvarat, honet, gropat mahnitëse, latimi i shkëmbinjve, pellgjet me ujin kristal për pak kilovatë energji? Cili është interesi publik? Një hidrocentral i vockël dhe një pronar i ri në fushën e energjisë apo ruajtja e pacënuar e Valbonës? Qytetarët e kësaj zone prej vitesh luftojnë në gjykata. Asgjë nuk ka ndryshuar. Gjyqet i fitojnë sipërmarrësit. Po populli i kësaj zone çfarë fiton? Betonin patjetër dhe humbjen e një bukurie mahnitëse, e cila mbetet në sytë e të gjithëve që kanë ardhur edhe njëherë të vetme në këto vise. Nëse organet përgjegjëse dhe vendimmarrëse do dëgjonin qytetarët, kjo odise nuk do të trashej deri në këtë farë feje, sa duket mision i pamundur. Po kështu nuk janë bërë dëgjesa publike për ndryshimin e destinacionit të lumit Vjosa, e cila vlerësohet si një nga mrekullitë natyrore ose i vetmi lumë i egër në Europë? A janë dëgjuar banorët bri Vjosës? Po specialistët e mjedisit? Po të huajt që protestojnë për mbrojtjen e “Lumit Blu”? Deri tani askush nuk ka marrë mundimin për të bërë dëgjesa publike. Tek e fundit përbri këtij lumi gati magjik, jetojnë mijëra njerëz. Kanë fshatrat e tyre, fermat dhe blegtorinë. Janë lindur e rritur me blunë e ashpërsinë e Vjosës. A duhet të neglizhohen kërkesat e tyre? Sigurisht që duhen pyetur. Dëgjesat publike nuk duhen neglizhuar as lënë spontanitetit. Ato nuk mund të jenë akte burokratike. Kurrsesi nuk duhet shkuar me idenë se për ata bëhen, pse duhet t`u merret dora dhe të dëgjohen? Shteti nuk e ka kohën të tepërt! Shumë më keq kur mendohet se është humbje kohe. Pak vite më parë në qytetin e Sarandës në kuadër të zhvillimit të infrastrukturës dhe sigurimit të ujit të pijshëm u kryen punime voluminoze. Për ndërtimin e ujësjellësit të ri, u investuan miliona euro. U shtruan tubacione nga cepi në cep të qytetit. Investim që u mirëprit nga qytetarët dhe u vlerësua puna e bërë. Edhe pse në qytet u bënë punime që krijuan problematika të mëdha me lëvizjen pasi u çanë rrugë dhe u prish asfalti, askush nuk tha asgjë. Po pas përfundimit të veprës, përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm në periudha ngarkese, atëherë kur qyteti pesëfishohet, uji është i pamjaftueshëm. E njëjta edhe me bulevardin e ri shtruar me gurë, i cili është komentuar negativisht dhe kontestuar nga qytetarët për materialin e përzgjedhur. Këto ditë kanë nisur punimet për “Lungomaren Joniane” të Sarandës. Projekti është afishuar buzë shëtitores së qytetit. Është shpallur edhe fituesi. Ka nisur puna. E para punë është mbulimi i plazhit përbri skulpturave të mermerta. Plazhi tradicional më i vjetri dhe i dashuri, emblemë e qytetit po shuhet. Plazhi i centralit nuk do jetë më. Mundet që në përfundim të përfitohet një vepër e bukur. Nga fotot duket se po. Po a nuk do ishte më i bukur, duke mos e sakrifikuar këtë plazh emblematikë të Sarandës që është një nostalgji për të rritur e fëmijë? Qytetarët në vendet demokratike pyeten edhe për probleme në dukje qesharake. Po pyeten veç. Nëse do dëgjohen qytetarët, atëherë edhe vendimet do jenë të baraspeshuara. Publiku është vendimmarrësi më i matur, më i sakti, më i pagabueshmi. Nëse neglizhohet kjo praktikë, do mbisundojnë zgjidhjet burokratike,empirizmi, urdhërat, vendimet politike. Ky nuk është kopjim i vijës së masave, dëgjesa publike! Neglizhimi i hap rrugë korrupsionit. Errëson të mirën publike, kompromenton vendimmarrjen e institucioneve!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Ka debat dhe diskutime sot mbi atë që quhet nga KM si ligji mbi "anti shpifjen".

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Mbrojtja me çdo çmim e të vetëve, militantëve, të zgjedhurve, funksionarëve, ish-administratorëve

Postuar: 13/12/2019 - 07:09

Siç dihet poetit racist, austriakut Handke iu dha çmimi Nobel në letërsi për meritën e “për

Postuar: 12/12/2019 - 07:07

Sigurisht që koha e sotme ka nxjerrë në pah dhe iniciatorë dhe emra të rinj "fantastikë të p

Postuar: 12/12/2019 - 07:06

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim t

Postuar: 12/12/2019 - 07:05

Përmbysja e sistemit komunist në 1990-ën ishte vepër e shumicës së shqiptarëve, në radhë të parë

Postuar: 12/12/2019 - 07:04

Mbas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që pllakosi dhe tronditi zemrat e shqiptarëve të kudon