Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Na preve gjunjët Europë, ne e duam Shqipërinë në gropë

Postuar: 09/12/2017 - 07:13

Thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishte në themel të lëvizjes së dhjetorit 1990. Jemi fare pranë ditës së këtij përvjetori kur kjo thirrje u bë motiv i jetës së mijëra të rinjve, intelektualëve dhe tërë popullit shqiptar që u ngritën kundër sistemit komunist dhe ia arritën ta përmbysin atë. Kanë kaluar 27 vjet që nga ato ditë të largëta. Po jehona dhe emocioni përjetohen sikur këto ngjarje madhore kanë ndodhur dje. Nuk do i referoheshim atyre momenteve dhe nuk do sillnim në këto radhë emocionet dhe energjitë pozitive që mobilizonte ajo kohë e madhe nëse gjatë këtyre ditëve nuk do përjetonim një debat që është duke u zhvilluar këtu tek ne mes politikës dhe shumë prej analistëve në shtyp, portale, televizione, diskutime, opinione që kanë nisur t`iu frynë borive për ta zhbërë esencën e thirrjes – “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Edhe pse e ambalazhuar në emër të transparencës dhe realizmit, synimi i opozitës e cila vjen nga dhjetori i 1990-ës dhe që udhëhoqi revolucionin e ndryshimit të sistemit, duke u bërë promotor i ndryshimit, sot është jo vetëm e paqartë dhe në ndryshim kursi, por ka marrë një pozicion si ta pengojë ecjen drejtë Europës. Natyrisht, jo se nuk e do BE-në, po kërkon zgjidhjet sipas metodës së vet. Shkurt të jetë ajo që t`i udhëheqi këto procese. Pa të, asgjë nuk mund të bëhet. Përparimi është i pamundur.

Është ky vështrim që edhe vizitën, pritjet dhe ato që u diskutuan në takimin e kryeministrit Rama në Bruksel, u interpretuan jo si vlerësim për Shqipërinë, por si fatkeqësi për opozitën. Kësaj i thonë të helmohesh nga e mira. Në një kohë kur duhet të entuziazmoheshim të gjithë. Kur gjykohet sipas sentencës “Për inat të sime vjehrre do të fle me mullixhiun” nuk ka si ndodh ndryshe. Jo vetëm që nuk u mirëpritën qëndrimet e Brukselit po ngjallën panik dhe mllef tek politikanët e opozitës tonë. Mbi ta sikur ra heshtje varri. Politikanë të opozitës, PD dhe LSI-së përmes tellallëve të tyre përpiqen ta paraqesin Brukselin si një dështim të kryeministrit. Një notë negative për qeverinë, duke ngritur në qiell takimet dhe gjoja mbështetjen ndaj frymës dhe analizës “Basha” me presidentin e PPE, i cili për hir të së vërtetës, veç mbështetjes morale dhe parjes si një alternativë e PD për qeverisjen e ardhshme, pasi është i të njëjtit krah politik me PD nuk cënoi asgjë nga ato që ishin konkluzione zyrtare të BE-së. Gjykimi i opozitarëve tanë pas asaj që u diskutua në qendrën e Eoropës është, jo vetëm subjektiv, por edhe keqdashës. Këtu nuk është fjala për kryeministrin Rama. As për mazhorancën e qeverinë. Aq më pak individin Edi. Në Bruksel u diskutuan fatet e Shqipërisë. Dhe është për të ardhur keq që liderët tanë në opozitë e përcollën sikur atje nuk shkoi si përfaqësuesi i Shqipërisë për të shtyrë më tej negociatat e për të hapur dyert drejtë Europës, po sikur u thirr për t`u vënë me shpatulla pas murit për të dhënë llogari për atë ç`ka po ndodh në Shqipëri. Një analizë e përmbysur dhe një perceptim plotësisht kokë poshtë dhe i pavërtetë. Është vërtetë për t`u çuditur si ka mundësi që kur institucionet e kupolës së BE-së, njohin progresin e arritur dhe evidentojnë reformat e ndërmarra dhe kërkojnë më shumë punë për të zbatuar Reformën në Drejtësi për të arritur realizimin e pesë prioriteteve kyç për integrimin që janë dashamirës dhe vullnet mirë për vendin tonë, këtej nga ne, ka pllakosur pesimizmi, sikur ka rënë zia në radhët e opozitës. Po, e vërtetë, qëndrimi i BE-së nuk i konvergon PD dhe LSI-së. 

Opozita në Bruksel doli huq pasi ajo lutej dhe lutet që atje të ishte ngritur gijotina dhe të konfirmoheshin tërë pretendimet e liderëve të opozitës që kanë vetëm një merak, si ta paraqesin vendin në sytë e botës sa më problematik, sikur këtu nuk punohet po shkatërrohet. Si të ishim në një emergjencë të jashtëzakonshme politike, si të ishim siç pretendon opozita “Kopshti i Europës” me kanabis, vendi ku ka vetëm korrupsion dhe emigracion. Është kjo filozofi nga e cila udhëhiqet opozita jonë e që i mat politikanët e botës me kudin e vet dhe gjykon se opinioni i saj dhe ai i lobingjeve të paguara me miliona dollarë, janë edhe gjykimet dhe qëndrimi europianëve. Normalisht siç u pa dhe mësua, përmes komunikatave dhe konferencave edhe në televizione, ishte një vizitë që konfirmoi arritjet dhe i hap Shqipërisë një perspektivë të re. Ato që u diskutuan janë një hap i rëndësishëm drejt BE-së për hapjen e negociatave kaq të shumë dëshiruara nga shqiptarët. Në Bruksel u njohën reformat, vlerësuan ndryshimet. Dëgjuam presidentin Tusk, komisioneren, Mogherini, presidentin Tajani, presidentin Juncker. Tërë kupola e BE, pranuan arritjet. Inkurajuan ecjen përpara. Dhe të gjithë një zëri i shumëzuan me zero pretendimet e liderëve tanë opozitarë. Populli, opinioni i gjerë dhe përparimtar, njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, ata që e shikojnë Europën si një pikë referimi dhe kanë një ëndërr për të mbërritur sa më shpejtë atje, realistët dhe dashamirësit u gëzuan kur dëgjuan e panë me zë dhe figurë që vendi ynë u prit më së miri në tavolinën e Brukselit. Është e çuditshme se si disa politikanë shqiptarë, duke filluar nga Lulzim Basha, Petrit Vasili, Enkeiled Alibeaj e një dyzinë analistësh që kanë mbirë në televizionet tona dhe rrotullojnë e bluajnë fjalët si kokrrat e misrit në rrotat e gurta të mullinjve me ujë, janë të pezmatuar dhe të cënuar aq sa disa prej tyre ta konsiderojnë suksesin si këputje gjunjësh dhe humbje kauze opozitare. Nuk dëshiroj të përmend emra edhe për etikë aq më pak që nuk është ky qëllimi, po të habit guximi, ta quash atë që ndodhi që ishte një prozhektor që ndriçoi rrugën drejt Europës dhe ku vendi ynë u promovua jo nga shqiptarët po ndërkombëtarët, se është në rrugën e duhur, se ka arritur rezultate të prekshme, si një hata e madhe si një gjëmë vetëm se nuk është në një linjë me gjykimin dhe pretendimet opozitare.

Bota e qytetëruar nuk arsyeton sipas opinioneve të kazanit tonë politik e aq më pak atij mediatik. Shtypi, edhe ai në vende më të zhvilluara krahas realizmit po shkel çdo ditë e më shumë parimësinë e së vërtetës dhe realizmin e argumentimin. Përderisa pranon të pasqyrojë të pavërteta ulëritëse, vetëm se bën lobing me paratë e liderëve tanë në opozitë që kërkojnë të nxjerrin përfitime dhe ta përdorin shtypin e paguar si kamxhik kundër kundërshtarëve politikë. Për këtë qëllim bëhet palë në politikat e brendshme të vendeve të tjera siç po ndodh edhe me vendin tonë, atëherë edhe besimi ndaj tij është zbjerrur. Ishte kjo arsyeja që Brukseli nuk foli me gjuhën e lobingjeve as me atë të opozitarëve tanë. Përkundrazi ishte një gjykim racional dhe shumë real. Brukseli nuk ishte një medalje për kryeministrin. As dekoratë për Ramën. Atje nuk ishte e deleguar qeveria. As partia. Nuk është se ndodhi ndonjë mrekulli. Dhe nuk ishte finishi. Thjeshtë ishte një inkurajim realist dhe një dëshirë e mirë për vendin tonë. Një sinjal i fuqishëm se e ardhmja jonë është Europa. Dhe për t`ia mbërritur mbetet ende një rrugë shumë e gjatë. Po kjo rrugë kërkon seriozitet. Shumë punë. Kërkon bashkëpunim. Ndaj dhe pas Brukselit si sukses, kryeministri i shtriu dorën e bashkëpunimit opozitës. Po deri tani nuk duken sinjale optimiste opozitare. Se ata vuajnë nga sindroma “e mira është vetëm e mira jona”. Është kjo arsyeja që pa u shuar jehona e deklaratave të Brukselit, këtu tek ne vërshuan deklaratat kundër. Deri atje sa shumë prej politikave tanë në vend që të gëzonin, recituan avazin e vjetër në kor: “Na preve gjunjët Europë, ne e duam Shqipërinë në gropë!”

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/01/2018 - 11:59

Ky është një vlerësim i bërë nga ata që e shohin Shqipërinë nga jashtë, po për ne shqiptarët ky vlerësim është pak nota më poshtë. Do të ishte objektive nota në mes 7 dhe 8, po ndoshta edhe ky vlerësimi im është subjektiv.

Postuar: 14/01/2018 - 11:57

Hyri janari dhe prapë po mbarset “mali” i PD. Pas asaj “Pranverë-Verë 2017” tek çadra, tani po troket sfilata “Dimër 2018”.

Postuar: 14/01/2018 - 11:55

Politika shqiptare është përfaqësuesja më ekselente e skenave tragjikomike, që nuk i ka parë kurrë shoqëria shqiptare, në tërë historinë e jetës së saj shoqërore e njerëzore.

Postuar: 14/01/2018 - 11:52

Do të mbetet një parabolë artistike e madhe për të dhe familjen e tij, por edhe për ne që e admironim adoleshentin e talentuar Ibrahim Madhi, debutimi i parë i tij në publik në

Postuar: 13/01/2018 - 09:31

Reforma në drejtësi është kryefjala e dy viteve të fundit, jo vetëm në rrafshin politik, por edhe në debatet dhe diskutimet mbarëpopullore.

Postuar: 13/01/2018 - 09:27

Sikur ne shqiptarët të kishim afinitetin e bashkimit, dashurisë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit siç kemi të zgjuar ndjenjën e urrejtjes, të ndarjes dhe përçarjes, sot do të ish

Postuar: 13/01/2018 - 09:20

LSI është një parti, që qëndron si një pikë mbi “i”.