Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Na pushtoi fashizmi, por shpërtheu antifashizmi!

Postuar: 25/08/2019 - 08:01

Oratori i shkëlqyer, luftëtari trim dhe Hero i Popullit Memo Meto, kur është pyetur se ç’është fashizmi, u përgjigje: “Fashizmi është këmishëzi, ujk, spiun, çakall, hajdut”! Bashkëkohësit shqiptarë e panë vetë se kush ishte fashizmin gjatë viteve që na pushtoi. Ndaj malet u mbushën me partizanë dhe shpërtheu Antifashizmi shqiptar…

“Populli nuk soset me të vrarë,

do luftojë sa të fitojë lirinë”.

 Nga radhët e luftëtarëve antifashistë ranë 28 mijë dëshmorë. U ndeshëm trimërisht me pushtuesit fashistë e nazistë, duke luftuar me armë, pa u përkulur edhe burgjeve, internimeve, torturave, kërcënimeve, me pushkatime e deri me varje në litar e duke u djegur në zjarr. Por “popull nuk soset me të vrarë, do luftojë sa të fitojë lirinë”,-thoshte Heroi i Popullit, Fuat Babani. Dhe shembujt janë me mijëra: Niko Avramin nga Hotova e Përmetit, e pushkatuan se refuzoi të fliste kundër LANÇ. Dëshmorin Tafil Gjergji nga Berati, e vranë se nuk tregonte shokët. I vranë dhe vëllain, Samiun. Hysen Koxherri nga Martaneshi, nuk dha asnjë informatë, e çuan në Prishtinë, ku u pushkatua në masakrën e 104 patriotëve! Dy vëllezërit Kleanthi e Dionis Manastirliu, i pushkatuan se ishin partizanë. Ymer e Ibrahim Balla, nga Orenja, i vranë se nuk treguan ku ishte teknika e partisë. Aqif Qysrin nga Lushnja, bashkë me tre shokë i torturuan se nuk treguar shokët organizatorë dhe i pushkatuan në afërsi të Krujës. Haxhire dhe Abdyl Myzyri nga Elbasani, pas arrestimit u rrahën për të treguar shokët e demonstratës dhe u vranë të dy.

 Heroina Qeriba Derri kapet në kurth bashkë me kunatin. E burgosën. E torturuan. I kërkonin të hiqte dorë nga lufta, nga idealet, por ajo qëndroi e pamposhtur. Edhe pse ndodhej para pushkatimit, mesazhi i saj për bashkëluftëtarët ishte: “Lart zemrat!” Armiqtë e pushkatuan. Ylbere Bylykbashi, debatikase, partizane e Brigadës III, u plagos rendë dhe ra pa ndjenja. Armiqtë e kapën dhe e torturonin. Një kapiten SS i drejtoi revolverin në ballë. I bërtiti me inat :-Do thuash me zë të lartë: Poshtë partizanët! Ylberja e shikonte me urrejtje. Ajo s’pati frikë nga plumbi, por frikë kishte se mos i ndërpritej fjala që do të thoshte. Nxitoi dhe thirri: -Rrofshin partizanët! Ra heroina, në Junik të Kosovës. Ndërsa nazistët qeshnin. Dy vëllezërit dëshmorë, Shinasi e Asaf Dishnica, i pari u vra në demonstratën antifashiste të Tiranës, i dyti, komunist u vra se iu kërkua deklaratë kundër LANÇ, por ai u përgjigj: “E kam lëshuar një deklaratë që të jem besnik i popullit dhe i atdheut, deklaratë tjetër nuk lëshoj”! Partizanen 15 vjeçare, Lejla Malo nga Saranda, pasi e masakruan barbarisht, nuk i jepnin as ujë, e vranë dhe e zvarritën rrugëve të qytetit dhe armiqtë bënin sehir!! Nasi Thimjo, nga Pendavinj i Korçës, komunist, arrestohet, torturohet dhe kur i këputin copa mishi nga trupi deri sa e vdiqën, armiqtë kënaqeshin!! Në Himarë gjermanë e ballistë mblodhën 84 veta, u bëhej presion të tregonin se kush e vrau tenente Muratin. Asnjë nuk fliste. U ngrit Miço Beleri dhe foli frëngjisht: “Zotëri, kot po na pushkatoni, nuk e kemi varë neve”. Përgjigja e këtij burri i bëri përshtypje komandantit gjerman. E pyeti se kush ishte. Mësoi se qe emigrant, ardhur nga Franca me leje pranë familjes dhe do iki prapë. Gjermani nuk i vrau, për disa ditë e morën përkthyes. Në nëntor 1943 komandatura gjermane e Korçës i kërkoi qarkorit të Ballit arrestimin e 8 personave të lëvizjes. Dhe krerët e spiunëve tradhtarë, dhanë edhe emrin e Ali Resnjës, 61 vjeç, shtëpia e të cilit bazë e luftës, babai i dy partizanëve, të cilin e pushkatuan në rrugën e Voskopojës, bashkë me 7 aktivistë të tjerë të luftës. Hasan Doçi nga Kruja, 64 vjeç, banonte në Vlorë, punonte kasap. Antifashist rreth Këshilli Nacionalçlirimtar. Djali i tij, Et’hem Doçi partizan, 18 vjeç, dëshmor. Hasani ndiqej nga spiunë e ballistë. Pushtuesit italianë e internojnë në Sazan, andej e nisën drejt ish Jugosllavisë të internuar, kaluan kufirin dhe afër Strugës e pushkatuan, pasi i detyruan bashkë dhe me disa të tjerë të hapnin gropën për varrimin e tyre. Ata puno e armiqtë fol e qesh si në estradë! Në Ziçisht shkuan gjermanë e ballistë për plaçkitje. U drejtuan dhe në shtëpinë e Nerënxës, grua 56 vjeçe, shtëpia e së cilës ishte bazë luftë. Burri vdekur. Ajo tentoi të dalë jashtë. Ballistët s’e lanë. E kërcënojnë: “Fol, moj nepërkë, ti e ke një djalë komunist, Llaqin”! Komandanti ballist dha urdhër dhe pesë prej tyre e shtynë të zonjën e shtëpisë dhe hynë brenda në shtëpi. Por në çast u dëgjuan krisma armësh. Ballistët ngrinë nga frika. E lanë kontrollin. Ballistët arritën të derdhin vajgurin e llambës në dysheme dhe nisi të ndizej zjarri. Nerënxa kishte hallin se aty mbaheshin dokumente të partisë, fishekë e bomba. U përpoq ta shuante flakën që sapo filloi të përhapet. Ia arriti qëllimit. Flaka u shua. Ballistët u kthyen dhe e vranë në shtëpinë e saj. Ballistët e shikonin si po vdiste dhe ikën shpejt…

Me litar në fyt, antifashistët

thërrisnin Poshtë fashizmi!

Nuk janë pak të varur në litar. Po radhitim 23 prej tyre, janë pesë vajzat heroina, nga 6 të varura në gjithë Evropën: Bule Naipi, që u tha armiqve: “Qëlloni tradhtarë. Vajza shqiptare nuk trembet as nga plumbi dhe as nga litari. Ju duhet të trembeni, jo unë, sepse ju jeni ata që jetoni orët e fundit”. Persefoni Kokëdhima, që u plagos rëndë dhe u kap e spiunuar, qëndroi si trimëreshë. Fato Berberi, pioniere 14 vjeçare, e cila në luftimet e ashpra në malet e Kurveleshit, rrëshqiti dhe ra në humnerë, pa ndjenja. E gjetën nazistët. E torturuan. E burgosën në kampin e Selanikut.. Para trekëmbëshit ajo thirri fuqishëm: “Rroftë liria”! Sofia Noti, nga Erindi i Lunxhërisë, që luftonte me dy armë: në një sup mbante pushkën, në tjetrin çantën si infermiere. U plagos rëndë në këmbë. Nuk ecte dot. E kapën gjermanët. E varën në litar. Qëndroi e pa tundur. Kështu, heroikisht kanë qëndruar edhe 22 të tjerë të varur në litar: Katër djem vlonjatë, Sadik Ibrahimi, që para litarit thirri: “Nuk kam frikë prej vdekjes. Poshtë Italia”. Teki Hanaj, kur u var në litar, tha: “Rroftë djelmëria shqiptare, nuk jam fajtor”. Xhelo Shakaj, thirri sypatrembur: “Jam i pafajshëm. Poshtë fashizmi!” Isa Veseli, thirri: “Nuk kam me thënë kurrgjë”. Shyqyri Ishmi, i ri revolucionar, fashistëve u tha: “Rinia shqiptare është si bari i livadheve, që i kositun len ma i gjallshëm” Kapën Hamit Mëzezin, Nikolla Tupe e Ferid Xhajën, qëndruan 13 ditë në burgun e Tiranës gjithë lagështi. U varën në oborrin e burgut. Vasil Laçi, trimi i Piqerasit, 18 vjeçar, qëlloi me revolver mbretin e Italisë! Por Emanuel xhuxhi shpëtoi. Hamid Shijaku, djalë i aksioneve antifashiste. Para varjes në litar, i pa në sy armiqtë dhe u tha: “Xhelatët s’kanë jetë të gjatë”! Të rinj nga mosha, viganë nga shpirti! Midhi Kostani e Kiço Greço nga Korça, hynë në godinën e fashës dhe e dogjën! Fashistët njërin e varën në mes të pazarit dhe tjetrin te kopshti i Spiro Ballkamenit. Muhamet Gjollesha, nga Lazarati vepronte në Mat. Shkonte në Gjirokastër me punë partie. E arrestuan në kryeqytet. E torturuan, i bënin presion të tregonte se me ç’detyra dërgohej në zonat e Jugut. Nuk mësuan asgjë nga goja e tij dhe të nesërmen e varën në Tiranë, në mes të Pazarit të Ri. Tofik Çanga, u var në Gjakovë. Fashistëve u tha: “Mos më prekni me ato duar që i keni të ndyra me fashizëm”. Tre malësorë: Haxhi Abdyli, nga Paci i Tropojës, 30 vjeç dhe dy vëllezërit Zeqir Halili, Xhemal Halili. Të tre të arrestuar dhe u varën në Gjakovë. Xhemali, më i vogli i Bytuçasve, 17 vjeçar, në fillim i varën në qafë një copë rrobe të frikshme, për ta trembur, që të tregonte. Por ky djalosh, trim, shkoi drejt litarit! Kolë Laku, 16 vjeç, pjesëmarrës në demonstratën që u zhvillua në Durrës. Atentator i përkryer. Nazistë e ballistë e varën në litar. Dhimitër Denasi, nga Voskopoja, komunist, diktohet, në rrezik të arrestohet. Doli partizan në Brigadën e III. Në malësinë e Labinotit u gjend i rrethuar. Ishte mitraljer, u plagos rëndë. I mbaruan fishekët dhe u kap nga armiku, u var në litar te Ura e Beqarit. Jordan Misja, në betejën e lavdishme të Shkodrës, bashkë me Perlat Rexhepin e Branko Kadinë luftuan me heroizëm. Dy të fundit ranë duke luftuar trimërisht kundër qindra fashistëve e tradhtarëve. Jordani luftonte i vetëm. Thirrjes për t’u dorëzuar, iu përgjigjej: “Komunistët nuk dorëzohen”! Nga ajri fashistët donin të luftonin prej aeroplanit, por këtë nuk e bënin se vrisnin forcat e tyre që ishin në rrethim të shtëpisë. Filluan të digjnin shtëpinë. Flaka po rrezikonte Jordanin, i cili hidhet nga dritarja dhe bie në pusin e shtëpisë, ashtu siç ishte në agoni, pa mundur të lëvizë në ujë. E qëlluan me breshëri automatiku. Fashistët e nxorën nga pusi Jordanin me trupin tërë plagë. E varën litar në qendër të qytetit. Para litarit qëndrimi i Jordanit ishte heroik. “Çka po thotë Jordani, Ta marrë vesh italiani…”

Fashistë e kolaboracionistë

thernin njerëz!

Ganimet Trebeshi, heroinë gjakovare, motër dëshmori, të cilën pasi e torturuan, e therën me bajonetë në mënyrën më dramatike! Ganimeti ua përplasi urrejtjen armiqve në sy: “Ju barbarë e ju tradhtarë, ta dini se hakën do të ma marrin shokët, për liri s’më dhimbset jeta”. Kriminelët therën pezaken Bajame Loshin, 57 vjeçe, e prenë me thikë copa-copa trupin e saj dhe copat e mishit ia hodhën qenve! Jo vetëm. Me bajonetë në dorë shpuan në disa vende trupin e njomë të pionierit 15 vjeçar, Mahmut Uku, të cilit i vranë edhe babain, Muharremin. Në Borovë vranë 107 veta, nga të cilët 47 të moshës 0- deri 20 vjeç! Një nazist mori një fëmijë dyvjeçar, Nikon e vockël, e qëlloi disa here në gjoksin e tij të njomë dhe e përplasi mbi trupin e nënës së vet! Një tjetër nazist, iu afrua një fëmije 6- muajsh që ishte në djep, e vrau me revolver! Dy fëmijë motër e vëlla nazisti i pushkatoi, gjyshja e tyre që i pa, u çmend, ndërsa nazisti e vrau edhe këtë plakë me bajonetë! Ç’vrastarë? 20 gusht 1943- Ballistët rrethojnë fshatin Pojan të Korçës, arrestojnë 23 fshatarë, mes të cilëve lidhën, Petraq Stratin me gjithë familje dhe Nesti Vreton. U thanë armiqve “Ju po na vrisni, po luftën ne do ta fitojmë!” Të dy i therën me bajonetë dhe trupat e tyre i hodhën në lumin e Devollit! 17 janar 1944, nazisto-ballistët, pasi dogjën pjesën më të madhe të fshatit Dukaj të Tepelenës, vranë 12 djem e burra, më i vogli i të cilëve, Haki Bajram Varfaj, 13 vjeç! Para nënës, nuses e fëmijëve i morën lidhur këmbë e duar dhe i pushkatuan në oborrin e shtëpisë, Dinen, vëlla partizani, e burgosën në kalanë e Tepelenës, e sakatuan: i prenë me thikë shputat e këmbëve e të duarve, hundën, veshët e buzët, i nxorën sytë dhe e hodhën jashtë mureve të saj! Por nëna e tij zemërtrime, së bashku me bashkëshortin, Besim Muçaj e ngarkuan në kalë natën kufomën e djalit dhe e varrosën në kopshtin e shtëpisë, pranë vëllait dëshmor. Krimet armiqtë i paguanin me kokë. Batalioni armik u asgjësua nga Brigada e VI. Fshati u çlirua. Fashistë e ballistë thernin njerëz, pa u therur fare zemra, se çnjerëzorë. Në Hundëkuq, i çanë barkun me bajonetë gruas shtatzënë Urani Qirjazi. Ikën dy jetë njëherësh! Në Golëm të Gjirokastrës vranë Fejzo e Vito Demaj, prindërit e dëshmorëve Demo e Çerçiz, por vranë edhe vajzën e tyre 2-vjeçare në djep, emrin e së cilës e mban një kopsht fëmije në Gjirokastër. Një djalë i ri në Mallakastër, Tafil Paja, tentoi të hidhte një bombë, por tradhtari Isa Toka e diktoi, e arrestoi dhe kreu aktin më të poshtër, duke e mbërthyer këtë filiz me gozhdë në një dru vidhi dhe e la aty!

Digjen në zjarr njerëz,

shtëpi dhe pasuri!

 Në Pezë Hamide Muka, 63 vjeçe, armiqtë e dogjën në flakët e shtëpisë së saj. Në Vërnik të Vlorës armiqtë dogjën 10 veta, midis tyre dy plakat Shefiko Veshi e Mihase Bega, të cilat u hodhën të gjalla në flakët e shtëpive të tyre. Banorë të mëdhenj e të vegjël shihnin me dhimbje si shkrumbohen njerëzit e tyre. Nga torturat dhe vuajtjet vdiqën 5 fëmijë, lule të jetës. U dogjën 85 shtëpi, 40 stalla me kecër brenda, u dëmtuan qindra bagëti dhe bletë, por fshati nuk u tund. Me 59 partizanë, 67 burra e gra territorialë, 15 dëshmorë. Zojë Djaloshi, 65 vjeç, nënë partizani, në Qerret të Pukës. Armiqtë hynë në shtëpinë e saj. -Ti je nënë komunisti?-Po! -Ku e ke djalin? -Në shesh të luftës! -Si hyni kështu në shtëpinë e botës? –Zjarr shtëpisë, thirri komandanti i bandës. –Zjarri të përvëloftë! Shtëpinë e kam ndërtuar unë dhe pa vdekur unë ti s’e djeg dot,- iu përgjigj Zoja! Ndërkaq armiqtë sollën kashtë. Zoja rrëmbeu një drapër dhe me të në dorë u sul mbi armiqtë. Plagosi një xhandar. Komandanti i tyre urdhëroi ta kapin. Nëna përpiqej t’u shpëtonte nga duart. Shtëpia mori flakë. Ajo thërriste me zë të lartë: “Komunistët do t’u hanë kokat”. Komandanti armik me breshëri predhash e shtriu nënën trime përtokë… Fashistë e ballistë dëfrenin e qeshnin duke parë si digjet njeriu! Nxirrnin kuriozitetin që mishi i tij konsumohet si qiriri. Në masakrën gjermano-balliste të Zminecit, 17 veta u masakruan dhe u pushkatuan, disa u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, siç ndodhi me Koço Fotinin dhe me një ushtar italian që ishte strehuar e mbrojtur aty. Pas vrasjes e djegies së tyre hajdutët ballistët u shkulën dhembët e florinjtë, ndërsa në Lunxhëri nuseve u merrnin unazat duke u prerë gishtat përsëgjalli! Në Kuçin e Kurveleshit, ekzekutuan gruan Afo Feja, e cila u kap kur kthehej nga pylli ku ishte me 4 fëmijët e saj të vegjël. U gjend e vrarë me fëmijën 6 muajsh në gji që ishte shuar, siç kishte qenë duke thithur qumësht! Nure Mane Xhaferaj ekzekutohet në prani të 5 fëmijëve të saj të vegjël. Aleme Bishaj, e kapën me ushqime të partizanëve në duar, e masakruan dhe e copëtuan me bajonetë! Fashisti dhe ballisti kanë hedhur të gjallë e kanë djegur në zjarr, ndaj ai s’kanë vend as në varr! Kudo që kalonin pushtuesit fashistë italianë e nazistët gjermanë, ishin bashkë me kolaboracionistë, nga frika e ndonjë përpjekjeje me partizanë. Heroina e popullit Liri Gero, kjo vajzë fierake, komuniste revolucionare, aktiviste e shkëlqyer, që vepronte ilegalisht në qytet, shkoi partizane. U vesh “nuse”, shoqëruar me “dhëndër” e “dasmorë”, hipur në karrocë, gjoja do martohej jashtë qytetit! Kaloi me sukses postbllokun fashist. Dhe kjo “bela sinjorina”, siç thoshte roja armike e shërbimit shkoi në mal fitimtare. Në betejë me armiq u plagos rëndë disa herë dhe mbeti pa ndjenja. Bishat armike e zunë të gjallë dhe pasi e torturuan heroinën, e spërkatën me benzinë dhe i vunë zjarrin! Në Tërbaç shkoi një grup ballistësh me përgjegjës Çelo Kërpishtin, zëvendësin e kryeballistit Mitat Frashërit, që priti me ceremoni zyrtare kryeministri, me dy skuadra me gjermanë dhe dogjën shtëpinë e heroit Vehbi Hoxha, nga e cila kishin dalë 3 partizanë. Morën qetë e parmendës, kuaj, bagëti etj. Shkuan në Vranisht dhe bënë kasaphanën, vanë 80 burra! Pas çlirimit babai i Vehbiut e gjeti ballistin Çelo në një kafene dhe me revole në dorë e vuri përpara, e çoi në degën e brendshme! Në Frashër e Sherishtë, kapën Koli Dimo, 62 vjeç, kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar, e torturonin në mënyrë çnjerëzore. Por trimi ua përplasi: “Qëlloni mor të poshtër, se hakun do të ma marrin Partia dhe partizanët”! Për hakmarrje armiqtë i hodhën ujë të nxehtë dhe në të çarat e trupit i futnin kripë dhe i dogjën shtëpinë. Pas dy ditësh ai vdiq. Armiqtë urdhëruan të mos varrosej, por populli i të dy fshatrave s’e përfilli këtë urdhër dhe e varrosi me nderime. Ndrek Bardhi, mirditor, antizogist. Regjimi i Zogut i dogji shtëpinë. Malësori trim takohet me Bardok Bibën. I dha fjalën: “Pasha besën, unë do jem me ty, me ata që luftojnë për lirinë e këtij vendi”. Dhe qëndroi e luftoi përkrah partizanëve deri sa kullave të Gjonmarkajve u doli tymi! Por një ditë në pyllin e Kaçinarit u dëgjuan krisma pushke. Ndreka dhe i biri, Pali kishin rënë në pritë. Armiqve nuk iu dorëzuan, babë e bir luftuan të dy, ranë dëshmorë.

***

Lista është e gjatë. Kaq mjafton të binden edhe të pabindurit se cilët kanë qenë fashistë e ballisto-zogistë. Faktet janë kokëfortë. Ballistë e zogistë që ende jetojnë, e dinë vetë se ç’krime kanë bërë, puna është që t’i dinë si duhet edhe bijtë e tyre, t’i mësojnë edhe ata gjoja historianë e “akademikë”, “demokratikas”, neoballistë e neofashistë, që i kthejnë ngjarjet e faktet kokëposhtë, se duan të ushqejnë rininë me “ide të reja evropiane”, që sot “Fashizmin është popullor”, pra edhe “Antifashizmi s’ka nevojë të jetë me armë”! Dy janë qëllimet e tyre: Goditje LANÇ, rehabilitim të kriminelëve ballisto-zogistë. “Flisni ju, o male, fusha e bregore, Ju livadhe, lumenj, rrugë e pyje, Ju që për partizanët ishit llogore, E i patë dëshmorët si mbetën yje!

 

Nga Sevo Tarifa

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/09/2019 - 07:22

Do të numëroja shtatë arsye ndonëse janë 140 të tilla, përse Shqipërisë sonë të vogël nuk ka ç’i duhet një Parlament kaq i madh. 1.

Postuar: 21/09/2019 - 07:19

Shembulli i zgjidhjes së krizës qeveritare për një kohë shumë të shkurtër, në Italinë fqinje, duh

Postuar: 21/09/2019 - 07:18

Të gjithë, politikanë, burra, gra, militantë, socialistë, demokratë, lësëistë, familjarë, ish bas

Postuar: 21/09/2019 - 07:16

Shoqëria shqiptare dhe ndërkombëtarët kanë shumë që ankohen për drejtësinë e korruptuar e të inkr

Postuar: 20/09/2019 - 07:20

Këtë të vërtetë e shohim më së miri te dëshmorët e LANÇ.

Postuar: 20/09/2019 - 07:18

Nuk mund të ketë më folklorizëm patetik, më fantastik, se sa kur një lider politik shkon në një t

Postuar: 20/09/2019 - 07:16

Edhe pas dy dekadave, ende nuk mundemi, apo nuk duam që t’i zgjidhim problemet politike, ek