BREAKING NEWS

Edi Rama jep sinjale për ndryshime në qeveri, zbardhen paralajmërimet në takimet me deputetët e krerët e bashkive, ja ministrat që pritet të lëvizin

Edi Rama jep sinjale për ndryshime në qeveri, zbardhen
x

Opinion / Editorial

Nacionalizmi grek vazhdon të praktikojë tezën e Vorio-Epirit dhe Megali-Idea

Nacionalizmi grek vazhdon të praktikojë tezën e Vorio-Epirit dhe

Historikisht koha ka treguar se nacionalizmi grek ka synuar vënien në jetë të idesë së tyre të “Greqisë së madhe”. Deri diku ata kanë arritur, që nëpërmjet traktateve të ndryshme gjatë shekullit 18 dhe 19 me ndihmën e fuqive të mëdha,t’u shkëpusin territore të caktuara vendeve fqinje. Këtë gjë e kanë arritur me ekspansionin kulturor, duke bindur vendet europiane të kohës, për kulturën e saj të vjetër, që gjoja “mbizotëron mbi kulturat e tjera ballkanike”, ashtu edhe nëpërmjet kishës, duke përhapur ortodoksinë në vendet fqinje të saj. Dihet që qëllimi kryesor, pas dështimit me Korçën, Gjirokastrën dhe territoret e tjera shqiptare, ka qenë dhe shtyrja e territoreve të ashtuquajtur Vorio-Epir në drejtim të territoreve të brendshme shqiptare. Jam i bindur se dhe deklaratat e Vitorio Zgarbit, të këtij historiani italian të artit, ku mbas vizitës në Bylis, ku u shpreh se “ Bylisi është një qytet grek”, i shërbejnë këtij qëllimi, si dhe na lënë të kuptojmë, se ai nuk është një historian arti i kujdesshëm dhe i mirëfilltë, pasi ai nuk përdor terminologjinë e duhur për ndikim helen në Bylis. Me këtë provokacion ai tregoi që është një vegël e nacionalizmit grek të Vorio-Epirit. Deklaratat e tij tregojnë për mungesë dinjiteti dhe kompetence profesionale, duke nxitur kështu nacionalizmin e gatshëm grek, i cili e priti me entuziazëm këtë deklaratë. Sipas arkeologut shqiptar me famë botërore, z. Neritan Ceka qëllimi i kësaj deklarate është: Ajo të përputhet me synimet greke të shtyrjes së Vorio-Epirit deri në Bylis dhe më tej. Si është e mundur që një njeri kaq i njohur dhe me përvojë, të thotë të pavërteta shkencore dhe historike për Bylisin? Ai duhet të pranojë që :- ose është i paditur shkencërisht, ose dëshiron të kënaqë “babëzinë” e grekëve për territore! Deklarata të tilla bëhen nga një njeri “studiues arti”, që nuk bëri studime të hollësishme profesionale mbi Bylisin, duke mos marrë informacion të bollshëm, që e çuan atë në një përfundim të pavërtetë. Por ai erdhi si mik dhe iku si turp, duke hedhur baltë mbi mikpritjen shqiptare, pasi e shkeli me këmbë atë, duke trilluar për qytetërimin dhe trashëgiminë tonë kulturore. Këta lloj “historianësh arti” të paformuar do t’i harrojë koha, pasi çdo ditë që kalon gjërat ndriçohen dhe vërtetësia do të shuajë deklaratat e tij të pavërteta. Iliria sidomos ajo e jugut ka pasur qytete me një zhvillim kulturor dhe tregtar bashkëkohor, me qytetërime antike si: Bylis, Klosi, Gurzeza, Margëlliç, Dimal, Kalivaç Amantia etj. Besoj që periudha 50-vjeçare e diktaturës dhe mbyllja e kufijve, bëri që të ndërpritej dhe stopohej propaganda e Shqipërisë në botë mbi Ilirët dhe kulturën e tyre antike. Kjo i dha mundësi, kohë dhe favore grekëve, të propagandojnë dhe përhapin idenë e “të vetmes kulturës së tyre antike në Ballkan”. Ata morën përparësi duke bindur dhe europianët për gjoja “kulturën antike më të civilizuar të kohës”. Përveç kësaj ata arritën të bëjnë si të “vetat” edhe kulturën dhe trashëgiminë kulturore të vendeve të tjera të Ballkanit. Shpesh qeveria shqiptare prej vitesh për arsye ekonomike politike apo të emigracionit ka ndaluar, apo i është shmangur debateve apo kundërshtive për të vërtetat historike dhe kulturore me Greqinë. Dëgjojmë shpesh njerëz të pakulturuar në Shqipëri që thonë që ne nuk kemi asgjë. Besoj që italianët kanë qenë në unison me grekët, për t’i treguar botës që në antikitet ekzistojnë vetëm dy kultura, ajo greke dhe ajo romake. Ata nuk marrin parasysh kulturën antike ilire. Kultura antike ilire duhet studiuar detyrimisht nëpër shkolla. Patjetër që ekskursionet duhet të drejtohen jo vetëm drejt vendeve të bukura dhe piktoreske të natyrës shqiptare, por edhe ndaj këtyre qytetërimeve të vjetra antike të paraardhësve tanë, Ilirëve. Është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme që qeveria dhe Ministria e Arsimit të shtojnë fondet në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës së këtyre pasurive,veçanërisht asaj rrugore, që të çojnë drejt vendbanimeve dhe qyteteve të vjetra ilire. Rrugët e parregulluara pengojnë apo vështirësojnë vajtjen e vizitorëve, studiuesve, turistëve, ekspeditave, që duan të shkelin këto qytete antike shumë të rëndësishme të kulturës dhe civilizimit tonë. Ka ardhur koha që propagandimin e kulturës antike ilire, duhet ta ngrejmë në një stad shumë të lartë, duke dhënë fonde të mjaftueshme për mirëmbajtjen e këtyre veprave antike, por edhe duke vazhduar punën për zbulimin e vendbanimeve të vjetra ilire. Në krye të këtyre punëve kërkimore duhet të jenë arkeologët e vjetër shqiptarë, të cilët kanë një përvojë dhe një kulturë të pamohueshme në zbulimin e vendbanimeve të vjetra ilire dhe më vonë. Nuk mund të lihen jashtë kësaj veprimtarie kërkimore edhe arkeologët dhe studiuesit e rinj. Kulturën ilire e kuptojnë më mirë pasardhësit e tyre dhe ata që flasin gjuhën e tyre. Zgarbi ka dëgjuar të pavërteta historike të shtrembëruara, mbi civilizimin antik ilir, të diktuara nga influenca greke. Edhe pazotësia jonë për të mbrojtur dhe bindur Europën, me tezën tonë të pamohueshme- mbi civilizimin dhe qytetërimin e vjetër antik të ilirëve, kanë ndikuar negativisht mbi disa historianë botërorë të paformuar. Ministria e Kulturës duhet të dalë nga gjumi i thellë dhe i gjatë, duke hartuar një strategji në lidhje me përhapjen dhe paraqitjen sa më të shpejtë të kulturës, civilizimit dhe gjuhës së vjetër ilire në botë. Ilirët janë më të vjetër se grekët, kjo është një e vërtetë historike që duhet vërtetuar nga arkeologët tanë të çmuar me shumë përvojë dhe nga gjuhëtarët tanë të talentuar. Këto fakte mund t’i gjejmë me shumicë edhe në çdo pëllëmbë të territorit të sotëm të shtetit grek. Gënjeshtra greke duhet të zëvendësohet me të vërtetën historike mbi vjetërsinë e ilirëve. Grekët hodhën në lojë kartën Zgarbi, e cila u dogj sapo u hodh. E vërteta është me ilirët, paraardhësit tanë të kulturuar.