Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ndërkombëtarët i kemi miq apo siç thotë Monika armiq?

Postuar: 17/10/2019 - 07:16

Në fjalimet e udhëheqësve të Partisë së Punës nuk kishte rast pa sulmuar armiqtë e jashtëm. I etiketonin imperialisto-revizionistë. Fjalime bombastike me kurthe e bllokada, pengim të ecjes dhe zhvillimit të vendit tonë drejtë përparimit. Injektimin e çdo të keqeje deri tek propaganda e shthurjes së rinisë dhe popullit me stilin e jetës së atyre që nuk ishin komunistë. Për kapitalizmin shfrytëzues dhe demokracinë e gënjeshtërt, jo si e jona, që ishte demokracia më e gjerë, më e thellë dhe më parimorja në botë. Pikërisht për të larguar nga drejtimi këta politikanë që kishin instaluar komunizmin dhe pasi e provuam dhe nuk fituam, shqiptarët u ngritën në këmbë në vitin 1990 për t`i dhënë fund kësaj ndarje të thellë mes vendeve dhe hapjen e Shqipërisë drejt Perëndimit. Shumë herë kemi anatemuar vendimin në fund të Luftës së Dytë Botërore që e rreshtoi Shqipërinë në krah të vendeve komuniste. Kemi mallkuar Jaltën. Po kjo i përket historisë dhe nuk mund të zhbëhet. Realisht edhe fizikisht, po edhe në mentalitetin shqiptar, siç dëshmon historia, vendi ynë është pjesë e botës perëndimore. Tregues i padiskutueshëm është edhe qasja properëndimore, gati njëqind për qind e shqiptarëve, të cilët edhe pse jo pak herë kanë gjetur dyert të mbyllura në Europë, përsëri nuk e kanë zbehur dëshirën për t`u ulur në sofrën e Unionit Europian. Pikërisht në ditët finale kur vijon beteja e argumenteve për të bërë të mundur pranimin e Shqipërisë dhe njohjen e progresit për të çelur negociatat dhe kur ka ende kundërshti dhe vendet skeptike që gjykojnë se nuk i kemi arritur standardet për të na hapur këtë portë, përsëri shtetasit shqiptarë i kanë sytë dhe zemrën nga Perëndimi. Shembujt e mbështetjes së shteteve perëndimore, që vendi ynë të flakte sistemin komunist dhe të dilte nga izolimi, janë me mijëra, ashtu siç njohin përpjekjet e institucioneve të shumta që e kanë asistuar demokracinë e brishtë shqiptare. Nuk besoj të jetë ndonjë shqiptar i zakonshëm që të thotë se kemi kriza ciklike, se atmosfera politike është e trazuar. Ngërçi politik është i importuar, varfërinë, korrupsionin, problematikat në administratë dhe emigrantët i kemi peshqesh se kështu duan ndërkombëtarët. Se ata nuk kanë bërë detyrat ndaj vendit tonë, që sot nuk jemi në krye të përparimit dhe ende kemi pensione të ulta, probleme me pronat, sherre, vrasje, drogë, korrupsion, mosmarrëveshje politikanësh e gjithfarë problemesh që i krijon jeta. Se demokracia është ende jo funksionale dhe betejat mes faktorëve politikë janë të ashpra deri në absurd. Nuk besojmë se shqiptarët ngarkojnë me përgjegjësi që një tufë e madhe partish ka dalë nga institucionet, duke bërë brex me gjithçka, që nga Parlamenti, deri te zgjedhjet dhe reformat madhore. Kanë braktisur pikërisht ato detyra që sot na vë BE dhe Bundestagu gjerman, i cili kërkon realizim me patjetër, se pa to nuk ka integrim. Dhe me të drejtë. Populli shqiptar, sa herë bën një retrospektivë dhe ballafaqim me të djeshmen, nga jemi nisur dhe ku kemi mbërritur, sepse vetëm nihilistët esktremë mund të përjashtojnë gjithçka është bërë në këtë vend, një falenderim të madh ia drejtojnë ndërkombëtarëve. Pa ata, ne nuk mund të bënim asnjë hap përpara në fushën e ligjit, demokracisë dhe reformave të mëdha. Nuk mund të listojmë gjithçka që është bërë në këto vite. Kjo do ishte një ndërmarrje e vështirë dhe e pamundur. Po nëse do i referoheshim reformës në drejtësi, që për herë të parë në historinë tonë që nga koha e kadilerëve, qatipëve, çmuesve të trojeve dhe shuarjes së gjaqeve, burrave të urtë që ndanin të drejtën nga e padrejta, komisioneve fshatare e qytetarë, gjykatave dhe prokurorëve në diktaturë që deri pak kohë më parë asnjë gjyqtar e prokuror nuk kishte provuar të dilte para togave të zeza, të ishte edhe ai njëherë të vetme në vend të qytetarit të zakonshëm që mund të përfundojë pas hekurave për një telefon apo një fyerje, iu desh të provojnë pasuritë, sjelljen profesionale dhe morale. Dhe jo pak prej tyre ranë në rrjetat e drejtësisë, duke u larguar përfundimisht nga sistemi dhe jo pak për të rifilluar shkollën nga e para pasi u gjykuan si fillestarë në dije dhe njohjen e ligjit dhe zbatimin e tij. Kjo është reforma në drejtësi. Pa ndërkombëtarët, të gjithë jemi koshientë, se nuk do ia arrinim kësaj dite. Reforma edhe me mbështetjen dhe udhëheqjen e tyre të pandërprerë, ka hasur nëpër shkëmbinjtë që dalin përpara dhe e pengojnë, le më të ishte një ekskluzivitet i institucioneve tona. Dhe nëse kjo reformë, pasaporta e Shqipërisë për në Europë dhe një nga arritjet më të vlerësuara nga kancelaritë e huaja që lobojnë sot për vendin tonë, nuk do kishte lëvizur asnjë milimetër në drejtimin e duhur. Përkundrazi do ngecte në vend dhe do shndërrohej në një mollë sherri, si tërë reformat e tjera që kanë qenë me inicim të brendshëm ose siç ndodh sot me reformën zgjedhore, ku palët përplasen dhe nuk pranojnë të ulen në të njëjtën tavolinë me palët e tjera, duke vënë parakushte dhe kundërshti të jashtëzakonshme, me përjashtim të opozitës parlamentare dhe, me një trup ndryshe që të jetë e huaj dhe jo vendase. Shkurt të mos miratohet kurrë një reformë e cila të përmbushë kërkesat e BE-së dhe OSBE-ODHIR-it. Edhe kur Basha thotë po, duhet të përgatitemi për ndryshim qëndrimi si gjithnjë. Edhe në këtë ndryshim kursi në dukje ishte këmbëngulja e ndërkombëtarëve që duket sikur diçka po ndryshon. Pse i përmendëm disa nga qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe cili është qëllimi ynë? Politikat e tyre janë të njohura. Të verifikuara dhe të memorizuara në ndërgjegjen dhe mendimin e çdo qytetari shqiptar dhe nuk pret askush të njihet me rastet nga një shkrim qoftë edhe shterues. Arsyeja që bëmë këtë udhëtim nëpër rrugëtimin shqiptar, nën prozhektorët e ndërkombëtarëve dhe në orientim të tyre, është deklarata skandaloze e udhëheqëses së LSI-së, e cila ka për sigël pikërisht integrimin drejt atyre vendeve që në emisionin televiziv i shpalli armiq e kundërshtarë, si sjellësit e fatkeqësive të shqiptarëve. Jemi njohur me etiketimet për vende e institucione të veçanta, të përgojuara e të etiketuara nga zonja Kryemadhi, e cila është me status të dyfishtë, njërin, të pranuar, ofiqin partiak, kryetare partie dhe tjetrin biologjik, pasi është bashkëshortja e qytetarit numër një, Ilir Meta dhe gëzon statusin e Zonjës së Parë. Kur thotë Kryemadhi, se ndërkombëtarët janë kundërshtarët tanë dhe armiqtë që e kanë zhytur Shqipërinë në këtë gropë të thellë dhe të errët sipas saj, atëherë të gjithë vrasim mendjen: Mos e kemi gabim ne që kemi mendimin se ndërkombëtarët na e kanë pa hile dhe na mbështesin apo ka të drejtë Monika që i shpall kryefajtorë për çdo gjë që nuk ecën në këtë vend? Ne qytetarët nuk kemi aq informacion. Zonja Kryemadhi është banore e Pallatit Presidencial. Është njeriu më i informuar edhe për faktin se është drejtuese e një force politike që ka si kauzë integrimin. Po aëtherë përse të mos e besojmë një funksionare politike, që ka një jetë në politik dhe ka informacion me bollëk, se ka ajo të drejtë dhe jo ne që kemi besim të verbër tek ndërkombëtarët? Kishim parë e dëgjuar deklarata ekstreme deri sot. Që nga refuzimi i telefonatave dhe këshillave të DASH. Etiketime për drejtuesin e OSBE-së, i cili është shpallur armik dhe është kërcënuar deri në portën e shtëpisë, një veprim që tronditi mbarë opinionin shqiptar. Dhe për të vetmin faj, se nuk këndoi melodinë e LSI-së dhe kërkoi pjesëmarrje në zgjedhjet e pushtetit vendor nga tërë forcat politike. Po kryetari i Prezencës së OSBE-së nuk është i vetmi. Është njëri nga të anatemuarit e radhës. Duhet të presë se përsëri do riciklohet nën goditjet opozitare. Në ndryshim nga anatemimet dhe denigrimet individuale që nuk është ndonjë qamet i madh, pasi flitet me emër dhe mbiemër edhe pse mundet të mos kesh asnjë të drejtë dhe je subjektivist ekstrem, së paku flitet për një individ i cili nuk barazohet kurrë me një duzinë ndërkombëtarësh të shpallur armiq në bllok. Pikërisht, këtë e bëri zonja Kryemadhi, e cila i duket se kështu shpallet si politikania e guximshme, zonja që nuk pyet për ata që bëjnë politikën botërore, nuk i ka fare në hesap, ca politikanë të këtushëm, ministra, qeveritarë, kryeministrin. Kur unë nuk pyes për të mëdhenjtë e botës, juve të këtushmit nuk u kam në llogari fare, u thotë indirekt Kryemadhi kundërshtarëve politikë. Etiketimi i ndërkombëtarëve, si individë keqdashës për Shqipërinë dhe përgjegjës të situatës aktuale, trajtimi i tyre sikur të jenë anëtarë me teserë të LSI-së, ushtarë të grupimit të Jalës apo deputetë të marrë nga bankat e shkollës, është një qëndrim i cili, jo vetëm është përbuzës, po edhe i padenjë dhe që nuk mund të pranohet nga faktori politik dhe opinion i gjerë shoqëror. Kryemadhi nuk e ka fare problemin me atë që u ndodh shqiptarëve. Për atë jemi vetëm disa emra dhe shifra që konvertohemi në vota, pro dhe kundër, në kutitë e votimit. Ajo e ka në kundërshtitë e politikave të saj dhe mospranimin e sjelljes në opozitë. Me qëndrimet ekstreme, në protestat e bulevardit. Me sjelljen në parlament dhe dhunën ndaj sistemit. Me qëndrimin e Venecias për bashkëshortin dhe mos nënshtrimin e ndërkombëtarëve nga kapriçot e Monikës, Bashës dhe vet Metës. Pikërisht këtu e kanë bazën etiketimet dhe urrejtja e Kryemadhit me ndërkombëtarët. Sigurisht, ky nuk është gjykimi i shqiptarëve që e kanë vështrimin dhe shpresën tek ata! Dhe kënga Kryemadhi, u duket melodi zëçjerrë, etiketim i rëndomtë që nuk duan fare ta dëgjojnë!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/11/2019 - 13:23

Le ti marim disa gjëra me radhë e të përpiqemi të hulumtojmë mbi to.

1. Presidenca Juncker.

Postuar: 13/11/2019 - 07:20

Kontrolli i Lartë i Shtetit kryen auditime sipas planit vjetor të miratuar nga Kryetari Bujar Les

Postuar: 13/11/2019 - 07:17

Edhe pse për herë të parë, ndjesa e Lulzim Bashës për taksën e pronës tetë për qind është një ris

Postuar: 13/11/2019 - 07:14

Besimi tek politika dhe kohezioni, në këto vite të tranzicionit barbar, kanë qenë për qytetarët s

Postuar: 13/11/2019 - 07:13

Shkak për të shkruar këto radhë, u bënë disa intervista të publikuara nga kandidatët për kryetarë

Postuar: 12/11/2019 - 07:16

Pas vendimit të përcaktimit së tarifës për “Rrugën e Kombit”, qytetarë të Kukësit shp

Postuar: 12/11/2019 - 07:15

Turi i shpresës me të rinjtë, që po zhvillon kryetari i PD-së Lulzim Basha këto ditë në qytetet e