Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ndihma ekonomike, lëmosha për të varfërit

Postuar: 13/11/2018 - 07:13

Shqipëria sot, si një shtet demokratik, sigurues i kushteve dhe shanseve të barabarta dhe për më tepër me politika progresive në fushën e mirëqenies sociale, ofron si mbështetje për banorët e saj të rënë në varfëri programin e Ndihmës Ekonomike. Për të vlerësuar këtë instrument të përkujdesjes sociale, në kuadër të zbutjes së varfërisë në vend si dhe përmbushjes së objektivit primar të OKB mbi zhvillimin e qëndrueshëm, Kontrolli i Lartë i Shteti ndër llojeve të tjera të auditimit, ndërmori një auditim performance me fokus të veçantë mbi efektivitetin e politikave të mbrojtjes sociale sipas kritereve ligjore dhe objektivave strategjikë, si dhe eficiencën e procesit të Ndihmës Ekonomike në praktikë, me qëllim që skema e mbrojtjes sociale të jetë sa më gjithëpërfshirëse, të ndihmojë familjet në nevojë në një masë të përshtatshme dhe të shmangë rastet abuzive sa më shumë të jetë e mundur.

Aktet ligjore në fuqi përcaktojnë se shuma maksimale që mund të përfitojë një familje në nevojë nga skema e Ndihmës Ekonomike është maksimalisht 8,000 lekë në muaj dhe natyrshëm lind pyetja: A mjafton kjo vlerë për të plotësuar nevojat jetësore bazë të këtyre individëve?

Që Ndihma Ekonomike të përmbushi nevojat biologjike, nevojat ushqimore dhe jo-ushqimore (veshje, kushtet social-kulturore etj), do të thotë se është vlerësuar si e tillë me qëllim plotësimin e vlerës së minimumit jetik në vend. Mirëpo të duhet të hulumtosh thelle në kohë, për të gjetur lidhjen midis vlerësimit financiar aktual të minimumit jetik dhe shportës së konsumit të domosdoshëm për individin, analizuar kjo nga institucionet përgjegjëse respektive. Ndërsa në vitin 2001, Këshilli i Ministrave akordoi një fond shtesë në buxhetin e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale për Projektin “Minimumi Jetik Zyrtar”[1], pikërisht kjo Ministri kreu llogaritjen e minimumit jetik në vlerën 7,975 lekë në muaj për frymë, e cila është edhe vlera e fundit e përcaktuar e minimumit jetik në vend nga institucionet qendrore. Mirëpo ky studim nuk u miratua asnjëherë me akte ligjore apo nënligjore. Pra në Shqipëri nuk ka asnjë akt ligjor apo nënligjor që të ketë përcaktuar zyrtarisht një vlerë të minimumit jetik, edhe pse ky term është përdorur në disa dispozita të legjislacionit tonë si: Kodi i Procedurës Civile dhe Kodi i Punës. Në këtë mënyrë, Shqipëria është aktualisht i vetmi vend në Evropë që nuk ka një tregues zyrtar të minimumit jetik të deklaruar. Përcaktimi i një standardi ligjor të varfërisë është një hap që mund të përmirësojë shënjestrimin më të mirë të individëve, të cilët kanë më shumë nevojë për ndihmë ekonomike. Llogaritja e minimumit jetik shërben si një tregues për të përcaktuar kufirin real të varfërisë, për të ndarë individin e varfër nga jo i varfër. Ky tregues ndihmon edhe në hartimin e politikave efektive veçanërisht në fushën e mbrojtjes sociale. Një vlerë e përditësuar dhe e miratuar e minimumit jetik ndihmon për të përcaktuar normën minimale të ndihmës ekonomike, pensioneve, pagesës së papunësisë, etj. Duke qenë se në Shqipëri vlera e fundit zyrtare e minimumit jetik ka mbi 15 vite që nuk përditësohet, rezulton se shumat e skemave sociale, si p.sh. ajo e Ndihmës Ekonomike nuk reflektojnë dhe mbulojnë nevojat reale dhe aktuale të individëve dhe familjeve në nevojë. Njëkohësisht edhe sot, ministria përgjegjëse për mbrojtjen sociale nuk ka kryer asnjë studim për të përcaktuar vlerën e minimumit jetik që nga viti 2001. Për këto arsye, bazuar edhe në evidencat e siguruara gjatë auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka trumbetuar fort duke lënë rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, INSTAT dhe aktorët e tjerë të përfshirë të përcaktojnë metodologjinë e përllogaritjes së vlerës së minimumit jetik në Shqipëri dhe të propozojë pranë Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratimin e kësaj metodologjisë për përllogaritjen e minimumit jetik, në linjë me Ligjin 9355, datë 10.03.2005 me detyrimin e institucioneve përgjegjëse për ta përditësuar atë periodikisht. Kjo do të sjell që Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të propozojë pranë Këshillit të Ministrave miratimin e vlerës zyrtare, të analizuar dhe rregulluar të minimumit jetik në vend.

Kalvari i mbështetjes ligjore të familjeve në kushtet e varfërisë apo varfërisë ekstreme pasohet nga programi i reformuar i Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për paketën e Ndihmës Ekonomike. Ky reformim synon zbutjen dhe lehtësimin e varfërisë, duke mundësuar mbulimin më të mirë të familjeve dhe individëve të varfër dhe ekstremisht të varfër, duke përmirësuar shënjestrimin e tyre, rritjen e transparencës dhe shmangien e abuzivitetit në skemën e Ndihmës Ekonomike.

Instrumenti i MSHMS i cili realizon më së miri këtë reformim është Formula e Unifikuar e Pikëzimit e krijuar për të përllogaritur në mënyrë empirike peshat specifike të variablave të përfitimit të Ndihmës Ekonomike, e më pas të gjeneroj rezultate mbi individët dhe familjet që duhet të përfitojnë Ndihme Ekonomike. Kjo do të thotë së për popullsinë shqiptare përveç vlerës financiare për “të varfërit” u shtua edhe transparenca e variablave specifik që targetojnë kush nga familjet janë të varfra dhe ekstremisht të varfra.

Për të bërë transparent ndaj taksapaguesve këtë proces si dhe për të vlerësuar eficiensën në zbutjen e varfërisë nëpërmjet formulës së reformuar të Pikëzimit, më së pari KLSH evidentoi se, ndërsa INSTAT raporton për vitin 2012 vlerën 6,407 Lekë/frymë si vlerësim kufitar për ta quajtur një individ të varfër, për rrjedhojë përcaktimi i VKM nr. 787, datë 14.12.2005 "Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike" i ndryshuar prej 8,000 lekë në muaj/familje, pavarësisht nga përbërja e familjes, nuk përkrah realizimin e politikave të ministrisë përgjegjëse për arritjen e objektivit mbi zbutjen e varfërisë. Për më tepër, që ky vlerësim financiar i Ndihmës Ekonomike nuk është as sa vija e varfërisë absolute. Është detyrë e MSHMS në bashkëpunim me institucionet e lidhura, të përcaktojë nivelin real të varfërisë në vend, analizuar sipas nivelit të çmimeve, shportës së konsumit, nivelit të shpenzimeve dhe nivelit të inflacionit, me qëllim për të vlerësuar drejt kontributin në reduktim të varfërisë dhe ruajtjes së transparencës mbi shpenzimin e fondeve publike për reduktimin e saj.

Politikat sociale për nga natyra sensitive që kanë, ofrojnë rezultate të matshme dhe reale për popullsinë vetëm nëse databaza e sigurimit të të dhënave të tyre përditësohet dhe vjen nga një frymë bashkëpunimi ndërinstitucional. Si e tillë që të vlerësosh nëse familjet që skema e Ndihmës Ekonomike i kategorizon realisht si të varfra apo i nxjerrë nga kjo skemë arbitrarisht, duhet që indikatorët e matjes së varfërisë në vend të lexohen dhe zbatohen në më tepër se vetëm në zyrat e pagesës së Ndihmës Ekonomike. Të ndodhur në neglizhencë totale të institucioneve përgjegjëse për çështjen e varfërisë, KLSH thekson dhe rekomandon për MSHMS si institucion qendror, të bashkëpunojë me institucionet e varësisë, për të ndërtuar dhe përditësuar inputin kryesor të politikbërjes sociale, hartën e varfërisë në nivel kombëtar, në nivel qarku dhe në nivel NJBQV, në mënyrë që ulja fiktive e numrit të familjeve të varfra në vend përmes daljes nga skema, të mos kthehet si qëllim në vetvete për t’u raportuar për opinionin e gjerë publik si rezultative në uljen e varfërisë.

Më tej KLSH gjatë auditimit gjykoi se kushtet apo variablat e renditur që kategorizojnë nëse një familje do të marrë apo jo Ndihmë Ekonomike, nuk ofrojnë siguri mbi përzgjedhjen e saktë dhe të drejtë të familjeve në nevojë, referuar kjo mos transparencës së Formulës në tërësinë e saj. Dhe në tërësinë e saj KLSH argumenton në zërin e rekomandimit për MSHMS të propozojë plotësimin e VKM nr. 956, datë 07.12.2016 “Për përcaktimin e kritereve dhe të detajeve të formulës së unifikuar të pikëzimit për përfitimin e ndihmës ekonomike” duke bërë transparente Formulën e Unifikuar të Pikëzimit, që përcakton përfituesit e ndihmës ekonomike, duke përfshirë peshat specifike që vlerësojnë variablat dhe marrëdhënien empirike që prodhon rezultatin.

Në panoramën që ky auditim prezanton Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka marrë Vendimin nr.144, datë 28.09.2018 ku jep mesazhin se: “ Skema aktuale e Ndihmës Ekonomike, si instrument i MSHMS dhe institucioneve të varësisë për përkujdesjen sociale, nuk është efektive në zbutjen e varfërisë referuar numrit të familjeve që dalin nga skema për shkak të punësimit dhe përmirësimit të kushteve social-ekonomike të tyre. Ineficienca e sistemit elektronik lidhet me aplikimin e formulës së unifikuar të pikëzimit, e cila nuk është vlerësuar në bazë të kushteve koherente të familjeve në nevojë.

Mbështetja e qeverisë me programin e Ndihmës Ekonomike do të ishte efektive nëse kontributi do të vlerësohej paralelisht me nivelin e përgjithshëm të çmimeve, me produktet e shportës së konsumit, me studime dinamike për riintegrimin e individëve në shoqëri dhe paralelisht të analizuar me vlerën reale të minimumit jetik dhe kufirit të varfërisë, mbi të cilën të bazohen politikat reformuese dhe studimet e përkujdesit social në vazhdimësi.

Nga Miranda BERDO*



[1]VKM nr. 119, datë 08.03.2011 "Për një Shtesë Fondi në Buxhetin e Vitit 2001, të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, për Projektin “Minimumi Jetik, Zyrtar”

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.