BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Ndihmesa dhe pjesëmarrja e shqiptarëve arumunë (vllah) në kuadrin e 100 vjetorit të “Epopesë së Vlorës”

Ndihmesa dhe pjesëmarrja e shqiptarëve arumunë (vllah) në

Tashmë dihet nga të gjithë rëndësia historike e Luftës së Vlorës, si një nga epopetë më luftarake të popullit shqiptar mbas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, epope kjo e cila lidhet drejtpërsëdrejti me ruajtjen e mëvetësisë së kombit shqiptar kundër qëllimeve imperialiste të fqinjëve e veçanërisht të Italisë e cila kishte zaptuar Vlorën, Sazanin dhe një pjesë të krahinave jugore të Shqipërisë. Lufta e Vlorës u kurorëzua me sukses të plotë mbas një luftë të pabarabartë përballë 22 000 mijë trupave pushtuese italiane qëndronin dhe luftonin rreth 5000 luftëtarë shqiptarë (në raportin 5:1 në favor të armikut), por kjo luftë përfundoi mbas nënshkrimit të traktatit të tërheqjes së trupave ushtarake italiane nga Shqipëria më 2 gusht 1920 (ndërsa tërheqja e trupave ushtarake përfundoi në shtator të po atij viti). Shkalla e organizimit gjatë gjithë kësaj lufte, sëbashku me shpirtin e tyre luftarak e të paepur që treguan shqiptarët, veçanërisht jo vetëm ata të Labërisë, por dhe nga treva dhe shtresa të tjera të popullit shqiptar, janë tregues të vazhdimësisë së rrugës së tij, rrugë kjo e vështirë, e cila përherë është çarë me shpatë në dorë për ekzistencë kombëtare. Por nga ana tjetër, kjo Epope bëri që Lidhja e Kombeve dhe vetë Europa e padrejtësive ta njihte jo vetëm si luftë, por era e barotit do të bënte të njihej dhe vetë Shqipëria, duke e pranuar atë në këtë lidhje. Nëse, nga qytete e krahina të ndryshme të vendit si nga Tepelena, Mallakastra, Korça, Elbasani, Tirana, madje dhe nga Kosova, në ato momente të vështira u nisën vullnetarë, është me vend dhe në nderin e vendit tonë, të theksojmë se në këtë luftë morën pjesë aktive (sikurse me vonë kjo do të ndodhët dhe në luftën Nac-Çlirimtare) dhe nga komuniteti shqiptar i vllahëve, ose arumunëve me banim në këto troje. Si qytetar shqiptar, por dhe si banues i dikurshëm në vëllazërinë e vllahëve selenicarë të Vlorës, e ndiej një detyrim të madh, në respekt të këtij komuniteti ku unë kam kaluar dhe një pjesë të fëmijërisë sime dhe që dhe sot e kësaj dite u përulem me shumë respekt, për ato vlera të mira e virtyte që kam njohur mes tyre, të ulem e të shkruaj qoftë dhe fare pak edhe pse ata meritojnë aq shumë. Mbase shekujt me suferinat dhe shqotat e kohëve lakmitare, na e ndanë dhe përcaktuan fatin të përbashkët, sepse si ne ashtu dhe vllahët, përjetonim drithërimat e makthit midis jetës dhe vdekjes midis ekzistencës dhe mos ekzistencës si komb e si popull. Ato çka vuanim ne, i patën hequr dhe vuajtur më parë dhe arumunët, (vllahët) të cilët historikisht kanë qenë pellazgo-ilirë të latinizuar, me vendbanimet e tyre të hershme në lartësitë e Pindit, në disa troje të Maqedonisë e deri në Shqipëri (madje dhe në disa vende të Ballkanit). Afërsia me epiriotët dhe disa fise të tjera ilire, bënë që ky komunitet (mbase dhe për përafërsi gjenetike të gjakut ilir) të ndihej mirë mes shpirtit bujar e vëllazëror të shqiptarëve, shpirt ky, që po aq i madh gjendet dhe midis këtij komuniteti. Duke kaluar në temën e Epopesë së Luftës së Vlorës, duhet të nënvizojmë se vërtet nisma luftarake edhe organizimi filloi nga Vlora (sepse Vlora dhe rrethinat e saj ishin të pushtuara), por gradualisht kjo nga një çështje e karakterit lokal, ajo si një kushtrim i madh luftarak, u shtri më gjerë dhe mori karakter kombëtar. Në këtë situatë vllahët selenicarë, por dhe nga Armeni (Ërmen) e Lubonja, Mekati e Bonavia, morën pjesë me armë në dorë, madje dhe ranë dëshmor si psh Taqi Foto Dhëmbi ku dhe sot i këndohet: “ Taqi Foto Selenica / syri që të nxjerr shtatë drita”. Por më shumë e ajo që spikat është pjesëmarrja direkte me anë të ndihmave dhe karvanëve të mushkave ngarkuar me materiale në shërbim të luftëtarëve të Vlorës, trima e kurajozë të fiseve Gjeçaj, Petraj, Nasaj, Dhamaj, Bombaj, Seferaj, Mitraj, Xhogajt, Papajt etj. të cilët bëheshin më shumë se 40-50 burra e djem të rinj të asaj kohe, të cilët dhanë një ndihmesë të madhe me karvanet e tyre të furnizimit. Drejtues i këtij karvani u caktua Toli Kito Petraj dhe komandant i gjithë operacionit të ndihmave Takush Nasto Dhamaj. Ata i njihnin mirë e në përsosmëri të gjitha rrugët që kontrolloheshin nga italianët, sikurse dinin dhe shtigjet e tjera të rrugëkalimeve të fshehta, të cilat i realizonin me shumë sukses natën dhe pa zhurma. E njihnin mirë jo rastësisht, sepse Italia kishte nën kontroll dhe minierën e Selenicës, nga ku transportonin serën për në Vlorë. Në këto kushte, në një farë mënyrë ata u bënë reparti mbështetës i prapavijës luftarake që ndikuan shumë ndjeshëm në fitoren përfundimtare dhe hedhjen e Italisë në det. Madje në mbarim të kësaj lufte, ish-Kryetari i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, Osman Haxhiu, i cili i njihte mirë vllahët madje shumë prej tyre dhe individualisht (mbasi në Picar ai kishte dhe një palë saraje të tij) në takim që pati me popullatën vllahe të selenicarëve është shprehur: “Populli i Selenicës arumunëve (vllaheve) fitoi flamurin e kuq me ndihmat që u dha në municione armë dhe në ushqime luftëtarëve të Vlorës”. Shtrohet pyetja, se përse Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare në mbledhjen e vet që mbajti në Drashovicë u caktoi këtë detyrë vllahëve (arumunë)? Edhe kjo e ka domethënien e vet, sepse drejtuesit e organizimit politik dhe ushtarak të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare e njihnin mirë shpirtin e paepur, por dhe punëtor të tyre, ata e dinin mirë se vllahët ishin jo vetëm bujq e blegtorë e tregtarë të mirë, por dhe me shpirt bujarie e sakrifice të lartë, mjeshtra dhe ekonomiqarë të zotë, sikurse po aq mos dhe më shumë, njiheshin si njerëz të fjalës e të veprës. Ata luftëtarë të heshtur, deri në thjeshtësinë e trimave, kurrë dhe mbas lufte nuk kërkuan merita, por në nder të tyre dhe për ndihmesën që ata dhanë gjatë Epopesë së Madhe të Vlorës, u duhet njohur ndihmesa e madhe dhe pjesëmarrja direkte në këtë luftë, së pari nga historiografia shqiptare dhe nga Akademia jonë e Shkencave. Duhet njohur merita dhe kontributi i vllahëve arumunë në Luftën e Vlorës, si “kavalierët e transportit në shërbim të sovranitetit tonë kombëtar” sepse ata nuk ishin pak, por me dhjetëra e dhjetëra burra e djem të rinj, të cilët sot nuk jetojnë më, por jeton vepra e përcjellë te gjenerata e tyre, (nga ku shumica e fiseve jetojnë etje edhe sot), jeton shpirti luftarak dhe besnik i kauzave të drejta të vllahëve, jetojnë përherë dhe nuk kanë për t’u zhdukur nga memoria jonë popullore, pozicionet e rrugës së tyre të nderit, që ata mbajtën në mbështetje të vëllezërve të tyre shqiptarë e jo vetëm në Luftën e Vlorës, por dhe gjatë luftës së madhe Antifashiste Nac-Çl, ku përveç dhjetëra partizanëve që dolën malit për liri me armë në dorë, i dhanë kësaj lufte dhe dëshmorët si Nasi Xhogu, Nasi Gjordeni, Qirjo Petraj, Qirjo Bombaj, Stavro Bombaj, Vasil Koçeli, Tuni Dhamaj Andrea Gjeçi, si dhe dëshmoren, Polikseni Gjeçi, duke bërë kështu lidhjen e madhërishme të qëndrimit të tyre luftarak e atdhetar midis dy epokave e cila tregoi qartë, se shpirti i vllahëve është një e që s’mund të tjetërsohet, pa folur këtu që në shkallë kombëtare numri i vllahëve dëshmorë, është shumë më i madh. Duke filluar, nga komunisti i parë dëshmor Koci Bako, e deri tre heronjtë e kodrës së kuqe, ku njeri prej tyre ishte Heroi i Popullit Xhorxhi Martini. Është me vend të nënvizojmë, se vllahët e kanë dëshmuar që hershëm me pushkë e me penë, për mëmëdheun tonë të përbashkët, duke i dhënë nder dinjitet dhe lartësuar komunitetin e tyre, pse jo dhe Atdheun tonë të përbashkët, të cilët edhe sot janë të lidhur sa vëllazërisht aq dhe pazgjidhshmërisht me shqiptarët. Në këtë kuadër, duke nderuar dhe përulur para të gjithë dëshmorëve dhe heronjve të Luftës së Vlorës, po me aq respekt u duhet tu përulemi dhe pjesëmarrësve vllahë me karvanet tyre në shërbim të Lirisë si: Liç Nasto, Fane Dhima, Naqi Koçi, Soto Tuni, Lol Kita e Andon Kita, Leç e Llaz Thanasi, Tol Ndoni, Kol Takushi, Tun Naqi, Tezho Tasi, Kito Milo, Vasil Peci, Soto Milo, Vangjel Xoxi Jerasi, Vero Toli, Uan Miti, Andon e Soto Miti Bucaj, (Mitnaku) j, Lol Thanas Nakaj, vëllezrit Vero Mitraj e Miho Mitraj, Vangjel Nasi Kolicaj (Nasaj), Kol Vero Nasi, Vero Thanasi, (Vërvalla) Vangjel Tasi, Vasil Koliçi, Lio Piti Ziu, Petro Jaso, Kol Petro. Andon Vaso e Qirjo Vaso, Lio e Jorgji Tas Pulaj, Koçi Sotir Papa, Koçi e Leks Miti Sholla, Lio Koçi Rrapaj Koçi e Vangjel Xhogu, Rrapi Tuni Mustaka, Vero e Miho Soto Luniku, Liç Kaçani e Pilo Kota, Bani Beko, Rrapi e Gol Dollaku, Todi Lubonjari i mbi njohur dhe me emrin Todi Karnavari e dhjetëra të tjerë. (Emrat e listës së “Karvanit të Lirisë” kështu do ta emërtoja unë këtë karvan zgalemash, janë marrë nga materiali i studiuesit pasionant z. Kozma Mitraj, por që nuk mund të le pa përmendur dhe bashkëpunimin tim të ngushtë me intelektualet vllahë Tomi Petraj, Vasil Nasaj, Vllas Gjeçi etj.).

Në përfundim të këtij shkrimi, nuk marr përsipër të falenderoj në emër të popullit shqiptar, por unë si bir i popullit shqiptari u përulem me respektin më të madh, ndihmës së madhe e vëllazërore veprës së madhërishme të këtij komuniteti në shërbim të çështjes tonë kombëtare. Nder e lavdi “Karvanit të Lirisë” së arumunëve selenicarë në shërbim të “Epopesë së Vlorës” dhe të popullit shqiptar! (Tinjii sh'alavdã " Carivanlu di sãlghiri " al Armãnjlor Selenitsoti ti ndoapãrta la "D'epupui ali Avlona" shi tutu opor Arbinescu"!).