BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Opinion / Editorial

Ndihmoni prodhimin për eksport!

Ndihmoni prodhimin për eksport!

Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri (i quajtur ndryshe fason) përfshin 700 ndërmarrje aktive të mëdha dhe të vogla dhe siguron 40 për qind të eksporteve të Shqipërisë (në vitin 2019 në total eksportet ishin 2.1 miliardë euro, me mbi 800 milionë euro të siguruara nga fabrikat e veshjeve dhe këpucëve). Shumica e këtyre fabrikave prodhuese po punon sot për mbijetesë. Në dy muajt më të vështirë, mars-prill 2020, tre në katër sipërmarrës të sektorit menduan të shisnin biznesin e tyre. Përpara pandemisë, sektori punësonte 70 mijë vetë dhe siguronte ushqim për mbi 56 mijë familje. Sot, ky sektor që ushqen eksportin tonë, është sektori me humbjen më të lartë në punësim në shkallë kombëtare(22 mijë punonjës të larguar nga pandemia deri tani). Ky sektor rezulton më i interesuari nga të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë për këtë lloj ndihme, pasi 44 kompanitë e sektorit të përzgjedhura nga bankat për të përfituar kreditë e Instrumentit të Parë kanë përdorur deri në fund të majit 70 për qind të fondit të miratuar, në krahasim me përqindje shumë më të ulta përdorimi nga sektorët e tjerë. Kjo flet për domosdoshmërinë e rikthimit në afat të Instrumentit dhe përdorimit të 4.3 miliardë lekëve ende të papërdorura nga ai. Nga zbatimi i deritanishëm i Instrumentit të Dytë të Kredisë me Garanci Sovrane 60 për qind, janë vërejtur vonesa të rëndësishme nga ana e bankave në përpunimin e aplikimeve, për shkak të kohës që merr analiza e riskut. Kushtet kualifikuese vijojnë të jenë penalizuese dhe përjashtuese për shumë kompani të sektorit, aktive në punësim dhe faturim, por që nuk kanë shlyer disa detyrime të natyrës dytësore në tatime, ose kanë kredi jo-performuese (jashtë standardit dhe të dyshimta), për shkak të natyrës së prodhimit. Mbi 80 për qind e kompanive të sektorit ndodhen në nevojë urgjente për likuiditet. Rreziku i falimentimeve në masë është evident. Shoqata përfaqësuese e sektorit, Pro Eksport Albania i bën thirrje Qeverisë të ulet në tryezë me sektorin dhe të përgatitet një program mbështetjeje për investimet në sektor, të ngjashëm me programet mbështetëse për sipërmarrjet private të industrisë së lehtë që po zbatohen në vende të ngjashme me ne për nga fuqia blerëse, si Kosova (p.sh. subvencioni i qerasë me 50 për qind, etj.) dhe Maqedonia e Veriut (subvencioni me 25 për qind i investimit me grant për fuqizimin e konkurrueshmërisë së kompanisë, me qëllim stabilizimin dhe rinovimin e aktivitetit të biznesit). 97 për qind e fabrikave prodhuese për eksport, të pyetura nga Pro Eksport Albania, nëse mendojnë për të investuar për të ndryshuar prodhimin, janë përgjigjur se duan ta bëjnë, por ju mungojnë fondet për këtë. 37 për qind prej tyre tashmë e kanë filluar pjesërisht rinovimin, me fondet e pakta që munden. Në këto kushte, prodhuesit shqiptarë për eksport në industrinë e veshjeve dhe këpucëve e ftojnë Qeverinë në realizimin e përbashkët të një projekti mbështetës nga Buxheti i Shtetit dhe donatorë ndërkombëtarë për krijimin e një “Business House(Shtëpi e Biznesit)” me ekspertë të fushës dhe një fond fillestar mbështetës. Dhe kjo qeveria jonë duhet t’i dëgjojë këta prodhues! Sepse një strukturë e tillë e propozuar do të mundësojë gjetjen e ofertave të integruara në tregun evropian, ku sasitë kritike të produkteve të kërkuara mund të plotësohen, duke shfrytëzuar njëkohësisht kapacitetet e lira të shumë sipërmarrjeve të sektorit, bashkëveprimin me strukturat e arsimit profesional dhe me donatorët për programe kualifikimi dhe trajnimi konkret për punonjësit e sektorit, në përputhje me natyrën e kërkesave të porosive të reja për eksport, çertifikimin sipas standardeve evropiane të sipërmarrjeve dhe të produkteve të industrisë së prodhimit të veshjeve dhe këpucëve dhe promovimin e produkteve “Made in Albania” të sipërmarrjeve me cikël të mbyllur, si dhe promovimin e produkteve të sektorit në nivel rajonal, evropian e më gjerë, me anë të organizimit të panaireve, takimeve B2B dhe fushatave të informimit nëpërmjet rrjeteve sociale. Ka ardhur koha që një fond fillestar të caktohet nga qeveria, ndoshta dhe në nivel modest prej disa miliona euro. Kjo do të ishte dallëndyshja e parë, pse Shtëpia e Biznesit e sektorit mund të përthithë me kohën fonde të rëndësishme nga donatorët, të tillë si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Korporata Financiare e FMN, etj. . Një eksperiencë e ngjashme e suksesshme vjen pikërisht nga Maqedonia e Veriut, vendi i 8 në botë në vitin 2018, për politikat e nxitjes së punësimit, nëpërmjet rritjes së prodhimit për eksport.