Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Ne, brezi, që i mbetëm borxh të shkuarës dhe të ardhmes!

Ne, brezi, që i mbetëm borxh të shkuarës dhe të

Në fillimet e punës si nëpunës i thjeshtë i shtetit, i ndikuar nga novelat e shkrimtarit amerikan, Ernest Heminguej, perifrazoja midis shokëve, në formë shakaje, se brezi ynë (të lindurit në periudhën e socializmit), ishte një brez i humbur, si ai i shkrimtarit në fjalë. Përcaktimi im kishte dy argumente, të cilat kur i dëgjoje, dukeshin si shaka pa kripë. Ne, brezi ynë, u “recitoja” shokëve, nuk arritëm të gëzonim as dekoratat dhe nderet e LANÇ, e as miradinat e komunizmit. Të parat, se nuk kishim lindur në atë kohë. Për të dytën, dihej se komunizmi donte më shumë se një jetë njeriu për të “mbërritur” me të gjitha arritjet e tij. Tani, kur i kam kaluar të shtatëdhjetat, vërej me dhimbje, se shakaja ime nuk ishte larg së vërtetës. Jo vetëm komunizmin nuk e arritëm, por humbëm edhe paradhomën e tij, socializmin.

            Dikush, madje edhe shumëkush, këtë kthesë që ndodhi në fundvitet nëntëdhjetë, e quan të pashmangshme, objektive. Socializmi e komunizmi, thonë ata, nuk mund të fitojnë, sepse janë idera dhe praktika utopike. Unë, megjithëse jam nga pala e humbur e betejës gjysmë shekullore midis socializmit e kapitalizmit, e kundërshtoi me bindje këtë tezë. Socializmi humbi betejën, por jo luftën. Lufta vijon gjer në fitoren e pashmangshme të socializmit e Komunizmit. Humbja e kësaj beteje ka shkaqe subjektive të dukshme. Në këto shkaqe subjektive, vendin kryesor e zë brezi im.

            Kur them brezi im, kam parasysh të gjithë ata që ishin të interesuar për socializmin e komunizmin, si rend shoqëror, i cili në praktikën gjysmë shekullore të vendit tonë, e vërtetoi progresin dhe vitalitetin e tij në të gjitha fushat e jetës politike e social-ekonomike. Në avangardë të këtij brezi, doemos ishin bijtë e heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ, të konsolidimit të pushtetit popullor dhe të ndërtimit socialist. Shifra 28 mijë dëshmorë, mund të shumëzohej pa frikë me të paktën njëzet persona, që kishin dhe kanë lidhje gjaku me dëshmorët. Pa ishin dhe bijtë e bijat e veteranëve të luftës, të cilët përbënin dy apo trefishin e dëshmorëve, që duke i bashkuar me të parët, plus 200 mijë komunistët e organizuar politikisht, armata e ndërtimit dhe mbrojtjes së socializmit e kapërcente milionin, çka përbënte gati gjysmën e popullsisë së vendit.

            Për të argumentuar këto shifra që po rreshtoj, po jap si argument një episod nga viti 1979. Në tetor të këtij viti, në qytetin e Rrëshenit, Mirditë, u zhvillua ceremonia e rivarrosjes së dëshmorëve në varrezat e dëshmorëve të rrethit. Unë, që po shkruaj këto radhë, falë sakrificës dhe gjakut të babait, gjendesha në krye të kortezhit dhe, në krah të drejtuesit kryesor të Partisë së Punës të Mirditës. Në krahun tjetër të tij, ishte ish-shoqja ime e gjimnazit, vajza e Heroit të Popullit Bardhok Biba, Marie Biba. Rruga nga qendra e qytetit, e deri tek varrezat, ishte mbushur cep më cep. Nga një vështrim i shpejtë, mund të përcaktoje numrin e tyre, që ishte jo më pak se pesëqind-gjashtëqind vetë. Pas ne kryesorëve në krye të kortezhit, turma sa vinte dhe ngjeshej. Mjaft qytetarë nga të gjitha moshat, tentonin të ishin sa më afër kreut, për të ndjekur të plotë ceremoninë në fjalë. Unë, i veshur me uniformën e oficerit, mundohesha të ruaja njëfarë distance me Sekretarin e Parë, i cili shpesh me fuste krahun dhe më afronte nga vetja. Merakun tim për të mos u kapardisur në krah të të madhit, e zgjidhën qytetarët, të cilët me ndihmën e “bërrylave”, në fund të rrugëtimit të shkurtër, më kishin spostuar nga mesi i turmës, sa nuk arrita të shoh vendin ku u varros babai im. Kjo gjë nuk më zemëroi. Përkundrazi ndjeva një gëzim të brendshëm. Me mua të 28 mijëshin e bijve dhe bijave të dëshmorëve, ishin me dhjetra e qindra të tjerë. Një siguri kjo, se sakrifica sublime e të rënëve për liri, për socializëm e komunizëm, do të rronte përjetësisht.

            Por pas dekadave të para të pasçlirimit, kur ishin hedhur bazat ekonomike të socializmit, dhe mbi të gjitha ishte siguruar pushteti politik, mbi ish-klasat e dikurshme sunduese e shfrytëzuese të popullit, në “skenë” doli parashikimi i shkrimtarit Ismail Kadare, afishuar në librin “Nëntori i një kryeqyteti” dhe materializuar në filmin artistik “Radiostacioni”. Në dialogun midis disa grave të pasanikëve, që LANÇ i rrëzoi nga pushteti, njëra prej tyre thotë afërsisht kështu: “Mos u mërzisni, ata (populli, rajaja) do të mërziten pa ne, dhe shpejt do të na kërkojnë”.

Dy dekada pas kësaj profecie, “plaka Nurihan”, me shoqe e shokë, erdhën në pushtet. Nuk erdhën vetë, por i sollëm ne, “rajaja”, ku deri dje bëja pjesë edhe unë me shokët e mi të brezit të pasçlirimit. Si e qysh ndodhi kjo?

            Brezi im, nuk arriti ta merrte në dorë si duhet dhe seriozisht stafetën e veprës së dëshmorëve. Se stafeta në fjalë kërkonte mund e djersë pa kursim. Por kjo e fundit, siç u pa, nuk na vinte “për shtat”. Të gjithë e dinim teorikisht se “pushteti mund të fitohet, por është më vështirë të mbrohet”. Dhe këtë vështirësi të fundit ne nuk e deshëm. Liria dhe paqja që na dhuruan prindërit, na shijonte më mirë nëpër zyra, se sa atje ku dielli digjte në fytyra. Ne bijtë e bijat e dëshmorëve dhe të veteranëve të luftës e të punës, duket se u llastuam me nderet që na bëheshin për hir të veprës së prindërve tanë. Veprën e tyre, nuk e përvetësuam, por e privatizuam. Dhe me këtë “certifikatë” pronësie, u lëshuam drejt shkollave, zyrave e kolltukëve shpesh herë të pamerituara. Për fat të keq edhe disa prej veteranëve të luftës, ndonëse mbanin në gjoks plot dekorata të merituara, në vitet e fundit u bëri lak këmba. Jo prej pleqërisë, por prej lakmisë. Lakmisë për vete dhe për pasardhësit e tyre. Pse ndodhi kjo, kur në luftë ata kishin bërë sakrifica e heroizma të pashembullta? Eh, lufta! Në luftë, siç është vërtetuar praktikisht, dalin në pah vlerat më të larta të qytetarit të vërtetë. Ndërsa në paqe lulëzojnë të gjitha sëmundjet, fizike e morale.

            Në fund të viteve tetëdhjetë, veçanërisht pas vdekjes së udhëheqësit tonë të madh, Enver Hoxha, ne armata e madhe e socializmit, ishim përfshirë nga një makth i pashpjegueshëm për gjendjen e mjegullt, nëpër të cilën po notonte vendi ynë. Por të mbërthyer nga probleme meskine e personale dhe të nanurisur nga paqja gjysëm shekullore, truri ynë ishte topitur, syri ynë ishte lëbyrur dhe nuk arritëm ta shihnim “kalin” e drunjtë, që po rendte drejt nesh. I vetmi nga intelektualët e vendit, Hysni Milloshi, ishte ai që e kuptoi situatën dhe nëpërmjet penës së tij të artë, iu drejtua popullit me kushtrimin: “Hapni sytë, hapni sytë ju punëtorë të çliruar / Ju heronj pa dekorata, ju viganë të shenjtëruar / Fryejnë erëra të sëmura jasht’ e brenda si lubitë / Jo, s’ka vdekur Bot’ e vjetër, hapni sytë, hapni sytë//. Hapni sytë ju fshatarë, e ju veteranë të Luftës / Revolucioni nuk përmbyset, vetëm me ushtri të pushkës / Lisin që s’e shemb rrufeja, krimbat mundet ta rrëzojnë / Krimbat me fytyrë njeriu, që ilegalë mes nesh jetojnë”.

            Kushtrimi i poetit Hysni Milloshi nuk ishte retorikë, por një thirrje për t’i dalë të keqes përpara. Dhe ajo që tërheq vëmendjen, kushtrimi i poetit, nuk u drejtohet intelektualëve, as pushtetarëve e madje as komunistëve, të cilët, siç u pa, e kishin tradhëtuar, apo do ta tradhtonin atdheun dhe popullin. Ai u drejtohet punëtorëve, fshatarëve, veteranëve dhe heronjve pa dekorata, viganëve të shenjtëruar. Veçse mjerisht, edhe këta mbrojtës të vërtetë të lirisë e të atdheut, paqja e pabesë, neglizhenca dhe tradhtia, i kishte nxjerrë jashtë loje. Armata jonë e madhe e socializmit, kishte dalë jashtë “luftimit”, duke realizuar profecinë e Ismail Kadaresë, artikuluar nëpërmjet gojës së plakës “Nurihan”, tek filmi “Radiostacioni”.

            Në vitin 1990, u përsërit 7 prilli i vitit 1939. Veçse kësaj here jo me helmeta, topa e mitraloza, por me “Flamurin e demokracisë”, që me të drejtë shqiptarët e thjeshtë e quajnë “Flamuri i demokrazisë”. Nuk është nevoja të japim shifra e fakte, për regresin e tmerrshëm që ka pësuar vendi ynë, gjatë këtyre tri dekadave të pas restaurimit kapitalist, në të gjitha fushat e jetës politike e social-ekonomike të shoqërisë. Mjafton të citojmë parashikimin e institucioneve ndërkombëtare, përfshi dhe OKB-në, të cilët konstatojnë se Shqipëria, nga tre apo katër milionë banorë që ka sot, në vitin 2050 do të zbresë në 800 mijë deri 1 milion banorë. Kur themi banorë, kemi parasysh qytetarë shqiptarë dhe jo të ardhur nga vende të ndryshme, të cilët me siguri nuk do ta lënë vendin bosh në këtë pjesë toke të lakmuar buzë Adriatikut.

A mund të ndalohet kjo gjëmë që po na përgatitet?

Ish-armata e madhe e Socializmit, ku bëj pjesë edhe unë, megjithëse u vetëmashtrua dhe u tradhtua poshtërsisht, i pati të gjitha mundësitë të mos e linte vendin të degradonte në këtë shkallë që ka degraduar aktualisht. Në gjirin e kësaj armate, ka patur resurse njerëzore të kualifikuar, të cilat mund të përballonin situatat e krijuara dhe brenda sistemit kapitalist, të ruanin konstruktin e kombit të shumëvuajtur, por jo të dorëzuar. Brezi im, i pati intelektualët e të gjitha fushave, të cilët po të viheshin në drejtim të punëve, do të kishin amortizuar shumë nga goditjet vdekjeprurëse të “lumpenëve” të shoqërisë, të cilët në bashkëpunim me reaksionin antishqiptar, kanë mbërthyer vendin, duke e çuar drejt asfiksimit dhe asimilimit.

Por fatkeqësisht, brezi në fjalë dështoi. Dështoi, sepse midis sakrificës së luftës dhe paqes së gënjeshtër, zgjodhi këtë të fundit. Për më keq, inteligjenca jonë, që është dhe drejtuesja e fateve të popullit, në shumë raste për hir të pragmatizmit, për hir të qetësisë e lumturisë personale, iu bashkua “lumpenëve”, rrëmbyesve të pushtetit, duke u bërë ortakë me ta në shkatërrimin e vlerave të krijuara e të konsoliduara të epokës së ndritur të socializmit.

Ja, pse, unë qysh në titull të shkrimit, e quajta brezin tim, brezin që i mbeti borxh të shkuarës dhe të ardhmes, duke e cilësuar atë “brezi i humbur”!

Po më tej? Cikli nuk mbyllet këtu, sepse brezat rifreskohen me gjenerata të reja. Sido që të vijnë rrethanat, Shqipëria do ta lindë brezin, i cili do të përballet me të keqen dhe do të kthejë vendin në parametrat e dinjitetit dhe identitetit kombëtar, që sot është nëpërkëmbur keqas. Për këtë jam më se i sigurtë. Shoqëria njerëzore nuk mund ta pranojë gjatë regresin. Aq më pak kjo për shoqërinë shqiptare, e cila, pati fatin ta provonte socializmin, arritjet e të cilit janë fiksuar përjetësisht në historinë e saj. Këto arritje, rrezatojnë dritë të qartë, me të cilën vendi ynë do të mundë të gjejë rrugën për daljen nga tuneli i errët, ku e kanë futur tradhtisht dhe forcërisht antishqiptarët dhe mercenarët e tyre në pushtet. Kjo luftë e brezit të ardhshëm, nuk mund të jetë veçse ngjashëm me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila u kurorëzua me sukses në 29 Nëntorin e lavdishëm të vitit 1944.