BREAKING NEWS

Ja se si nobelisti Montagnier po hedh në erë Big Farmën dhe po zbardh veprimet kriminale me covid 19

Ja se si nobelisti Montagnier  po hedh në erë Big Farmën dhe  po
x

Opinion / Editorial

Në emër të “demokracisë”, do të zgjedhim se kush do na sundojë!

Në emër të “demokracisë”, do të zgjedhim se

Së afërmi në Shqipërinë tonë nën zhurmën e tam-tamve dhe vallëzimeve nëpër sheshe, herë nën tingujt shfrenues të muzikës “rok e dhe “pop”, madje nga fundi i tyre të shoqëruar nga Himni i Flamurit, do shohim dhe dëgjojmë shpalljen e fituesit të zgjedhjeve. Fytyrat e tyre do të ndrisin nëpër tribuna, madje dhe duke shtyrë me bërryla dhe njëri-tjetrin si për të treguar se këtej e tutje ai do të jetë “VIP” dhe që për së afërmi do ta shikojmë në karrigen e ministrisë aq shumë të ëndërruar prej tyre. E teksa ky ngazëllim si tullumbace festive do lëshohet nga të dyja partitë kryesore, për të mbërthyer kupën e qiellit, ekranet e TV-ve, gazetat, radiot dhe gjithë “mas-media” do pështjellohet nga dilema e madhe se në të vërtetë cila parti i fitoi zgjedhjet pavarësisht se të dyja e patën deklaruar “Fitoren” dhe e shpallur atë përpara sa ta bënte publike Komisioni Qendror i Votimeve! Po pse mos vallë do të mjaftonte kjo? Partia e humbur me gjithë humbësit e saj dhe turmat e irrituara nga disfata, do të fillojnë kontestimin dhe mos njohjen e zgjedhjeve se “gjoja u shkel demokracia” se votimet u bënë nën një trysni dhe kërcënim të madh psikologjik se ato u vodhën e u manipuluan nga partia kundërshtare, se votat u shitën e u blenë sikur të ishin mall nga magazinat e shumicës, se u shkelën parimet e shtetit të së drejtës etj. etj. Shteti i së drejtës?! Po ku ka shtet të së drejtës në kapitalizëm? Mos vallë kapitalistët e rinj shqiptarë të majtë, të djathtë, të qendrës apo dhe ata pa asnjë lloj qendre ose më saktë “bythëlëvizurit” janë përfaqësues të shtetit të së drejtës? Nëse shoqëria shqiptare (sikurse tashmë ky është bërë një fenomen i përbotshëm), është e ndarë në dy klasa, në njërën që sundon dhe tjetrën që sundohet, si mund të flitet për shtet të së drejtës? Nga pikëpamja filozofike, dihet se shteti nuk është gjë tjetër veçse një makineri e madhe e karrocur e blinduar fort, i cili ka si qëllim kryesor që me anë të forcës së tij, të sigurojë sundimin e një klase mbi klasën tjetër. Dhe duke qenë kështu një aparat i veçantë dhe për të qëndruar vetë në këmbë, ai ngre një sasi të caktuar institucionesh në shërbim të tij, pikërisht për të siguruar sundimin e vet borgjezia. Po kush na qenkan këta borgjezë e kapitalistë në Shqipëri dhe përse ata nuk janë të interesuar për demokracinë e vërtetë?

Le ta ilustrojmë: Me 21 janar 2011, populli i udhëhequr nga Partia Socialiste (dhe kjo një parti borgjeze) u ngrit në revolta për shumë e shumë arsye. Por arsyeja kryesore qëndron te “Pinoçet Berisha”, i cili kudo që shkon e vete, merr pushtetin mbas vete. Dhe kur themi “Pinoçet Berisha” nuk flitet vetëm për natyrën e tij të egër e aspak humane (mjeku vrasës), por te shtresa që ai përfaqëson. Natyrisht që korrupsioni i madh e galopant, vjedhjet masive, shkelja e të drejtave më elementare në jetën sociale, shkalla e lartë e papunësisë dhe ulja e niveli të jetesës u përdoren me efikasitet nga kjo parti neo-borgjeze. Po a nuk ishte po kjo parti e cila e ktheu tërësisht timonin djathtas, me rivendosjen e kapitalizmit në Shqipëri?! Dhe nocioni “kapitalizëm” do të thotë sundim ekonomik i një klase mbi një tjetër. Kështu që për të ruajtur pikërisht privilegjet ekonomike të saj nga vala e kryengritësve pushteti pushkatoi nga gjiri i popullit 4 protestues dhe asnjë udhëheqës të PS-së, sepse ata e lanë e braktisën popullin e tyre. Ndodhi ajo që pritej: U akuzua partia pjesëmarrje në demonstrata, por asnjeri prej tyre nuk u dënua. Se mos u dënuan dhe vetë ata të 97-s! A nuk ishte vetë Evropa ajo që i mori nën mbrojtje?! Në rastin e “21 janarit” diktatura vrau 4 të pafajshëm, por asnjëri nga kriminelët nuk u dënua. Madje dhe një kryeprokurore, e cila dhe vetë ajo ishte pjesë përbërëse e burokracisë shtetërore, sapo guxoi pakëz të ngrinte zërin, menjëherë e shkarkuan madje e quajtën dhe “lavire bulevardi”. Kjo kishte domethënie të madhe sepse kapitalisti shqiptar e kishte ngritur shtetin me qëllim të caktuar që t’i shërbente atij dhe jo të akuzonte atë. Pra aspak nuk i lejohej askujt që të ngrinte struktura të veçanta të shtetit kundër shtetit. Masa që morën ndaj k/prokurores ishte kërcënim për këdo individ të makinerisë shtetërore, i cili do të guxonte të dilte nga binarët interesave të klasës sundimtare. Dhe ne e pamë këtë, kur Komisioni Hetimor nxori fajtor organizuesit dhe jo vrasësit e popullit, teksa organizuesit (kupola e PS-së) prisnin me ankth se çdo bëhej me ta. Së fundmi ata u lehtësuan disi dhe lëshuan një “ahhh” gëzimi, kur vërejtën se shteti i tyre nuk u bëri asgjë. Ishte e logjikshme se kupola e PS-së dhe jo vetëm e saj, por e të gjitha partive të tjera, sëbashku me pronarët e mëdhenj, kapitalistët e vjetër, por dhe diletantë, bandat e krimit të organizuar etj., përbëjnë superstrukturën shtetërore pa dallim feje krahine apo ideje. Kjo shtresë e re fillimisht e gradualisht nga kastë u shndërrua tërësisht në një klasë të konsoliduar, e cila tashmë përbën rrënjët e kapitalizmit shqiptar. Kështu, që ngjarjet e 21 Janarit, janë shembulli më tipik i sundimit me anë të forcës ekonomike të borgjezisë së re shqiptare mbi klasën tjetër që shtypet e shfrytëzohet. Po cilët na qenkan këta përbërës dhe pjestarë fatkeqë që në “kulmin e demokracisë borgjeze” rrihen, burgosen, sakatohen, vriten, vidhen hidhen në mes të katër rrugëve e që lihen nën mëshirën e fatit për të mallkuar fatkeqësisht atdheun e tyre që i lindi dhe i rriti në këtë kohë kaq mizore?! Pra cila qenka kjo klasë? Ashtu si borgjezia shqiptare na qenka e bashkuar dhe paskësh qenë e formuar nga të gjitha kupolat e partive dhe afaristët e mëdhenj në një periudhë historike të caktuar (mbas tradhtisë ramiziane), ashtu dhe klasa tjetër e cila shtypet “në emër të demokracisë” përbëhet nga ata njerëz të mirë e të thjeshtë, punëtorë e të papunë, studentë, gra, të rinj e të reja me apo pa parti, të cilët vuajtjet i përjetojnë në mënyrë të njëjtë. Nuk ka të papunë PD-ist, socialistë, republikanë, ballistë, apo dhe pa parti të kenë privilegje të veçanta nga klasa sunduese. Jo dhe absolutisht që jo! Ekonomikisht, ata janë e kundërta e tyre, por në shumë raste fatkeqësisht, politikisht, bëhen përkrahësit e tyre. E veçanta e këtyre qëndron se në shumë raste nga niveli i ulët një masë e madhe simpatizantësh, bien preh e fjalimeve të bukura para elektorale, e premtimeve për gjoja luftën kundër papunësisë, uljen e nivelit të varfërisë, për rritjen gjoja të pensioneve dhe uljen e taksave, duke i shoqëruar të gjitha këto premtime, pse jo dhe me gjeste patetike atdhetare, duke bërë një shqiponjë me duar në mes të kraharorit (të shkretës shqiponjë dhe pendët ia kanë hequr duke e katandisur si një zog korbi). Dhe thua se këtë vit do ndryshojnë fjalimet e tyre? Jo aspak! Një pjesë deputetësh (ose depo-tetësh) do të largohen dhe një pjesë do na vijë, veçse në largim e sipër ata që do lenë “pallavramentin”, pa i parë askush, do t’u japin në dorë kandidatëve të rinj për deputet fjalimet e tyre të vjetra, të cilët do na premtojnë përsëri rrugë të reja, hapje te vendeve të punës, ndalim të hemorragjisë kombëtare nëpërmjet emigracionit, premtime se do heqin bolierët nga çatitë dhe se do kemi ujë të pijshëm 24 orë, se do marrin masa për kullimin jo vetëm të tokave, por të të gjithë Shqipërisë nga përmbytjet, se do të vendosin para drejtësisë të gjitha ata që shkelin ligjin e sidomos Saliun, Lilin, Lulin, Medi Gërdecin, Llallën, Zaganjorin, Tahirin, se do u sekuestrojnë pasurinë kusarëve të veshur me pushtet, por dhe atyre pa pushtet etj. etj. A dini ju të nderuar miq se ata kurrë po e theksoj përsëri, se kurrë s’kanë për të dënuar ndonjë nga ata që është i korruptuar, por që ka pushtet. Iku i gjori Babale e kërkoi azil politik se mos e dënonin. Dhe bëri mirë që iku se po të kishte qëndruar me siguri do e kishin dënuar për mitmarrje pasive, korrupsion dhe inskenim provash, sigurisht dhe pasurinë do ia merrnin. Po çfarë pasurie kishte Babalja? Rrobat e punës në dollap dhe tre palë benevrekë. “Rroftë demokracia” - borgjeze, e cila është e ngelet demokraci për sundimtarët tanë, që ne në çdo 5 vjet i zgjedhim me këngë e valle, se kush e kush na sundon e na hipën në qafë më mirë se të tjerët!