BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

Në Europë, me ligje e rregulla, apo... “allashqiptarçe”!

Në Europë, me ligje e rregulla, apo...

Na është bërë shprehi tashmë, që në shumë raste, ligjet dhe rregullat i zëvendësojmë sipas mënyrës tonë që na duket më e lehtë, apo si të themi, “allashqiptarçe”! Kjo mënyrë, vepron kudo, në politikë, në zbatimin e ligjit e të rregullave, në luftën kundër krimit e korrupsionit, në mënyrën e qeverisjes, në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, kudo. Edhe njerëzit që shkelin ligjet apo nuk na pëlqejnë i shajmë vënçe, “allashqiptarçe”! Sapo kapet një hajdut që ka vjedhur shuma kolosale, qoftë mjek, gjyqtar, prokuror, ministër etj. që nuk janë pak, do të dalin shumë “bishtra” në mbrojtje të tyre për t’i justifikuar, duke i vënë “këmbët”e “duart” e një të ndershmi. Të gjithë flasim kundër krimit e korrupsionit dhe më pas, të gjithë dalim në mbrojtje të tyre, “allashqiptarçe”! Kur kapen të korruptuarit, me shuma të mëdha, hajdutët e mëdhenj, menjëherë e politizojnë çështjen edhe vetë këta, kurse ndonjë si Tirja, e futim në burg. Edhe kjo është një metodë “allashqiptarçe”. Edhe vetë këta që kapen, e politizojnë cështjen, si “jam i majtë” apo “jam i djathtë” prandaj edhe më sulmojnë. Edhe kjo mënyrë është “allashqiptarçe”. Kapet një çantë me drogë, zbulohet një parcelë me hashash, kapet një hajdut i rëndomtë, ndodh një vrasje, një vjedhje etj. etj. të gjithë turren jo të godasin krimin që nuk ka “ngjyrë” e “shije”, por fillojnë nga zbulimet se i cilës force politike është për të pasur një fakt më shumë kundër kundërshtarit. As më shumë e as më pak, kjo është një mënyrë për t’u vënë në rolin e atij që jep kontribut për partinë, pra “allashqiptarçe”. Mediat, këtë mënyrë e kanë shumë përzemër. Punë e tyre sepse me një “gur” vrasin dy “zogj” edhe bëhen të besueshëm për shefat, por edhe japin “kontribut” për forcën politike që përfaqësojnë. Kështu, “allashqiptarçe “ për pushtet, shfrytëzohen edhe fatkeqësitë natyrore, si përmbytjet, tërmetet, zjarret, pandemitë si kjo që jemi në betejë etj. dhe nuk luftojnë fenomenin, të japin kontributin e tyre në interes të qytetarëve, por sulmojnë kundërshtarin politik me “argumenta bindëse”! Edhe koha e keqe dhe vështirësitë e krijuara kohët e fundit, është edhe ky një “zbulim” i madh për të sulmuar qeverinë, duke rënë në pozitat e ndonjë “analistuci”, të cilët në garë me njëri-tjetrin, e vendosin në “udut” qeverinë dhe mirë bëjnë, por jo të shajnë si rrugaçët e rëndomtë me banalitete “allashqiptarçe”aq sa i vjen ndot edhe kalamajve. Edhe Presidenti, në çdo dalje që bën sulmon kryeministrin si “fajtor” dhe vetveten e nxjerr “të larë” sikur të mos jetë i pari i vendit dhe mban përgjegjësinë e tij. Janë këta që japin të parët shembullin “allashqiptarçe”! Edhe ky, “allashqiptarçe” siç bëjnë kalamajtë e lagjes kur zihen dhe shahen me njëri-tjetrin. Nuk thotë kot populli, “I qeshuri të qesh”! Tërë bota lufton fenomenin, ne, “allashqiptarçe” luftojmë kundërshtarët politikë për të ardhur në pushtet. Sikur të na thonë “gjejeni vetë mënyrën se si do të shkoni në Europë”, ne shqiptarët, me siguri do shtyheshim me njëri-tjetrin, njësoj si dikur kur nuk na “shijonte” të hipnim në autobusin urban pa u shtyrë edhe kur nuk kishte shumë udhëtarë. Është kjo një veti e veçantë e jona që çdo gjë ta bëjmë sipas mënyrës sonë, por asnjëherë sipas ligjit. E kemi shumë të vështirë të pajtohemi e ta bëjmë ligjin, një “mik” të pandarë, por na pëlqen më shumë kur ligjin e mbajmë sa më larg vetes dhe gjithçka ia besojmë mikut, shokut. Tek ecën rrugëve të kryeqytetit, ajo çka të bie në sy, është lëvizja në mënyrë kaotike e kalimtarëve, e makinave, biçikletave, motorëve. Askush nuk zbaton rregullat më elementare të lëvizjes edhe të kalimtarit duke mbajtur krahun e djathtë e po kështu edhe makinat dhe çdo mjet motorik apo biçikletat. Motorët, kalojnë edhe mbi trotuar bile edhe me shpejtësi pa pyetur fare, biçikletat po kështu nuk kalojnë në korsitë e tyre, të cilat këto, për hir të së vërtetës, mund të themi që në rrugë kanë hapësirë më shumë nga makinat. Kjo shkakton një rrëmujë që të alarmon nervat tek lëviz me autobus urban që është e kotë, përderisa në këmbë shkon shumë herë më shpejt nga autobuzi urban. Po pse? Bashkia edhe në rrugët kryesore, ka lënë vetëm dy korsi për makinat aq sa ka lënë edhe për biçikletat. Duke qenë se nocioni “allashqiptarçe” është i ngulitur qysh herët, bashkia nuk ka marrë parasysh këtë nocion. Kjo bën atë që në njërin krah të parkohet ndonjë makinë që drejtuesi i saj ka shkuar në shtëpi të hajë bukë, apo shkarkon domatet për furnizim, ai krah do të bllokohet jo me minuta, por mbi gjysmë ore sepse edhe policët, nuk e kanë parasysh “allashqiptarçen” sepse në të kundërt do të ishin atje ku është nevoja. Tërë bota ka vendosur semaforë për disiplinimin e trafikut. Ne edhe atje ku kemi semaforë i bëjmë lëmsh, kalimtarë, makina, biçikleta e më pas, fillojmë shajmë njëri tjetrin “allashqiptarçe”! Në qytetet e tjera ky problem është “zgjidhur” duke vendosur një polic në kryqëzime rrugësh me një bllok të verdhë në dorë... Ky është një “semafor” që nuk “korruptohet” “allashqiptarçe”! Jo të gjithë i çojnë makinat për kontroll të imët teknik, por shkojnë vetëm drejtuesit, me “veglat” e tyre, “allashqiptarçe”! Kur them që metoda “allashqiptarçe”, është shumë e vjetër, kam parasysh që Tirana, këto tridhjetë vitet e fundit, është shtuar disa herë nga sa ishte në fundin e shekullit të kaluar. E ndërsa njerëzit shtohen, për çudi trotuarët ngushtohen deri në zhdukjen e tyre. Të gjitha rrugicat midis rrugëve kryesore, asnjëra prej tyre nuk ka trotuar ose ka një të tillë vetëm njëzet cm që kalimtarit i duhet të ketë aftësinë e një pehlivani të kalojë mbi të, sikur të kalojë në këmbë mbi një tel. Në të njëjtën rrugë pa trotuar, ecin motorët me shpejtësi sepse u ftohen picat dhe “ngrënësit” nuk ia pranojnë, makinat po ashtu sepse karburantin e kanë me “pikatore”, kalimtarët, zënë kokën me dorë. Edhe biçikletat kanë të drejtë të ecin “allashqiptarçe” jo ku i kanë korsitë e tyre, por në “trojet” ku kanë lëvizur qëmoti! Më pas, trotuari është i zënë me karriget e kafenesë që nuk i mjafton hapësira brenda, me tepsitë me turshi, kova me vardallak sipas stinëve, me gjizë e djathë, me fruta e perime aq sa është shumë më mirë të kalosh në rrugën e makinave. Ç’të bëjnë ata të mjerë që policët e bashkisë, ua rrëmbejnë dhe i hedhin mbi makinat e tyre. Ndërtimet në çdo pëllëmbë, duke qenë se janë burimi kryesor i fitimit, po bëjnë atë që jo vetëm të hanë “racionin” e trotuareve, por po zënë edhe diellin edhe hënën edhe ajrin e pastër. Ata janë ngjitur me njëri-tjetrin aq sa një grua, me të drejtë tha që me një telekomandë televizori, komandon tërë televizorët e lagjes. Edhe kjo, është një pjesë e asaj që ne i themi “allashqiptarçe”, një term ky që shtrihet kudo, në kafene, në lokale në spitale e kudo. Ja p.sh, kudo në Europë, njerëzit janë të prirur për të shkuar në punë. Kafen, ata e pinë shpejt e shpejt në këmbë ose e marrin me vete. Po ne? Ne kemi mënyrën tonë. Ulemi qysh në mëngjes atje, qytetarë të të gjitha moshave ngjitur me njëri-tjetrin dhe ia kërcasim muhabetit derisa të vijë dreka apo mbrëmja sikur janë në pritje për të parë se si është “vizitori” COVID”. Kanë edhe një të drejtë, sepse kafenetë kanë punësuar numrin më të madh të kamerierëve. Mijërat e tyre me tre turne nga dy në turn, merret me mend se sa bëhen. Ky është punësimi me mënyrën tonë. Paga, nuk është për t’u admiruar, por shërbimi me kapele “kaubojsi”, me uniformen e Zorros apo me kapele meksikani, bën atë që klientët të mos jenë edhe aq “cingunë”! Nuk po hyj në tabelat që mbajnë lokalet ku nuk ka mbetur emër presidenti amerikan, jo vetëm të këtyre të dyzet e gjashtëve të fundit. Përveç emrave të presidentëve e të kryeministrave të botës, përveç atyre që nuk janë të dëgjuar, që mbajnë jo vetëm rrugët e rrugicat e Kamzës, por edhe lokalet, janë edhe emrat e të gjitha kryeqyteteve të botës, milionerëve dhe miliarderëve me përjashtim të atyre të Europës Lindore. Edhe kjo është sipas mënyrës tonë, pra “allashqiptarçe”! Mënyra jonë “allashqiptarçe” është kudo në çdo institucion, në çdo administratë, në çdo sektor. Midis tyre po marr një rast, atë për një vizitë mjekësore në spitalin “Nënë Tereza”, në Klinikën Qendrore apo “kudo si Lutua”. Pacientët janë të shumtë të ardhur edhe nga rrethet e tjera. Presin mjekun megjithëse ora ka kaluar. Mbasi nuk do të ketë mbaruar punë në klinikën e tij. Pacientët presin, mërziten shtrëngojnë dhëmbët. Vjen mjeku rëndë rëndë u hedh një sy këtyre “që nuk kanë punë tjetër, por mbetën nëpër dyert e spitalit” dhe futet brenda. E para në radhë, është një grua nga Lushnja. “Prit nëne, të mbaroj me këta që kam brenda” ishte përgjigja e mjekut.. Po cilët ishin këta? Ishin të njohurit apo “të dhënët” e mjekut që i kishte marrë me vete. Vizita e tyre kërkonte kujdes dhe jo si ajo gruaja nga Lushnja që kishte ardhur nga larg qysh në orën 06:00. Edhe mjeku shqiptar është, prandaj edhe vepron “allashqiptarçe”. Më pas, mbasi dalin miqtë e mjekut, tenton të futet Lumja, kështu e quanin gruan nga Lushnja, por përsëri ndalohet nga zëdhënësja e mjekut: “Prit nëne, ja edhe 5 minuta”. Vjen një me mustak me një vajzë për dore dhe me disa karta në dorë. Dikush nxehet: “Po pse neve, çfarë jemi këtu, kunguj”? “Mos u mërzit Zotëri, ishte reagimi i “mustakut”, vetëm pesë minuta punë kam”. Të tjerët shfryjnë sikur të ishin shpuar disa goma makinash njëherësh... Njëri që kam aty pranë, ikën. Por jo, u kthye përsëri me një mjek tjetër për të hyrë brenda. Përsëri pritje dhe tensioni i të gjithëve ngrihej... Ora po shkonte 13:00 dhe mbetej akoma edhe një gjysmë ore... Kur Lumja po bëhej gati të futej, vjen një që ishte më “origjinali” nga të gjithë. Ai, me mënyrën e tij “allashqiptarçe” i rrëmben bluzën e bardhë një Tireje aty pranë kundrejt një kartëmonedhe që ia lëshoi në dorë, e vesh atë dhe futet drejt e brenda. Sigurisht, “Mmjeku” që mban veshur uniformën e “Hipokratit” nuk mund të ndalohet. Përfundoi edhe “Tirja”, përfundoi edhe ora dhe në fund kush mbeti? Mbeti vetëm grushti, ai është “ëmbëlsira” që hahet në fund. Kështu zgjidhen hallet në “hallemadhen” Shqipëri. Po ku është shkaku? Ku është fajtori? Fajtori është shteti që nuk heq dorë nga zgjidhja e çdo problemi “allashqiptarçe”! Kaq e vështirë është të vendoset si në tërë botën e qytetëruar një makineri ku secili të marri numrin e vet dhe të presë kur të vijë radha? A bëhet kjo? Bëhet që ç’ke me të, por përmbi shpenzimin e papërfillshëm, është ajo që të gjithëve i pëlqen të veprojnë “allashqiptarçe” me ato mënyra që kanë mbetur qysh nga Perandoria Osmane. Rri e vras mendjen. Mos vallë kjo është një mënyrë për të mos u integruar në Europë? Pse e them këtë? E them këtë mbasi, po të integrohemi në Europë, do të vendosemi në disiplinë, megjithëse jam shumë skeptik sepse disiplinën, ne nuk para e kemi shumë qejf. Por, po të shkojmë më tej, do të mendojmë që integrimin, në radhë të parë nuk e duan shtetarët, sepse “allasënllëk” thotë turku, se mos një ditë e shohim veten në Europë dhe kjo do të jetë një ditë e keqe për markat e shumta që kanë shirë me metodat “allashqiptarçe” deri sot dhe këta, nuk janë sidokudo, prandaj mendojnë “kështu e lëntë”! Kjo gjendje është edhe në çdo administratë, ku secili, duhet të dijë që para se të shkojë, të bëjë mirë llogaritë dhe më e mira do të ishte të marrin ndonjë “të fortë”! “Të fortët”, që zgjidhin punë të parët, le t’i lëmë për në fund!