BREAKING NEWS

Tubimi i 2 Marsit/ Spartak Ngjela paralajmëron Ilir Metën, zbulon kush do ta dënojë rëndë presidentin

Tubimi i 2 Marsit/ Spartak Ngjela paralajmëron Ilir Metën, zbulon kush
x

Opinion / Editorial

Në kujtim të Profesor Kadri Zhulalit

Në kujtim të Profesor Kadri Zhulalit

Në momentin që erdhi njoftimi i ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Kadri Zhulalit, tek të gjithë kolegët e

Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës u vu re një hije trishtimi dhe për pak sekonda

mbisundoi heshtja. Është ndarë nga jeta Profesor Kadriu, (sepse kështu e thërrisnin të gjithë kolegët, bile edhe moshatarët e tij) njeri prej profesorëve që la gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e Fakultetit të

Ekonomisë, UT.

Profesor Kadriu ishte një nga ata profesorë që e meritonte plotësisht këtë emër duke qenë gjithnjë

midis atyre që ishin më të spikaturit në zhvillimin mësimor, në kërkimin shkencor, në marrëdhënie

me kolegët e stafit akademik dhe ndihmës, në marrëdhënie me studentë, pra një figurë e kompletuar

nga ana profesionale, nga ana akademike, por mbi të gjitha nga ana njerëzore.

Nëse duhet të shkruajmë disa resha për karrierën në vite të Prof. Kadri Zhulalit duhet ta fillojmë që

në karrierën e hershme të tij, si një nga ata pak njerëz në periudhën e para vitit 1990 që mbaroi me

rezultate të shkëlqyera 2 fakultete, fillimisht studioi në degën e matematikës dhe për të plotësuar

njohuritë e veta përfundoi studimet edhe në Fakultetin e Ekonomisë. Para vitit 1990 ai ka qenë

pedagog matematike dhe statistike në Fakultetin e Ekonomisë UT dhe në periudhën e fundit edhe

përgjegjës i Katedrës së Statistikës. Mbas vitit 1990 ai ishte ndër nismëtarët e ndryshimeve rrënjësore që pësoi Fakulteti i Ekonomisë UT dhe duke qenë për disa vite edhe dekan i fakultetit dhe përgjegjës i departamentit të Matematikë, Statistikë dhe Informatikë të Zbatuara. Ai drejtoi fakultetin dhe departamentin në rrugët e reja, me guxim, me vizion dhe duke kërkuar dhe gjetur edhe bashkëpunimin e të gjithë kolegëve të tij.

Megjithëse në moshë jo shumë të re, profesor Kadriu ju bind intuitës dhe vullnetit të tij duke i

thelluar njohuritë përmes kualifikimit dhe në vitin 1994 pati mbështetjen e një burse Fulbrght në

San Diego State University. Mbasi mori një vendim personal për të emigruar familjarisht në SHBA, profesori punoi në vitet 1996-2008 Adjunct Professor në National University dhe gjithashtu në periudhën 1998-2010 Phoenix House – Councelor.

Profesor Kadri Zhulali ishte një figurë e kompletuar profesionale, jo vetëm për arsye të një

bazamenti të fuqishëm të krijuar përmes përfundimit të dy fakulteteve të rëndësishme, matematikë

dhe ekonomi, por edhe në sajë të një pune të palodhur kërkimore shkencore duke botuar shumë

tekste mësimore, artikuj dhe kumtesa shkencore. Me zë pak të ulët, por me një shpjegim shumë

dinjitoz ai hynte tek preferencat e të gjithë studentëve për ta patur mësimdhënës. Ai mbahet mend nga të gjithë ne ish-studentët dhe kolegët e tij si një njeri që nuk bënte kurrë kompromis me cilësinë e mësimit dhe me kërkimin shkencor. Prof. Kadriu dallohej jo vetëm për cilësinë e punës së tij, por edhe për vërejtjet e bëra ndaj artikujve të kolegëve dhe këmbënguljet që këto vërejtje të pasqyroheshin në artikujt dhe kumtesat e konferencave ku kolegët merrnin pjesë.

Prof. Kadri Zhulali ishte një drejtues inteligjent, tek i cili ishin bashkuar korrektësia në punë, kërkesa

e llogarisë dhe toleranca ndaj kolegëve dhe vartësve. Ai dinte të mbante një balancë të shkëlqyer

midis këtyre tre elementëve duke u bërë një drejtues i cili kishte mbështetjen dhe admirimin e të

gjithë kolegëve dhe studentëve. Prof. Kadri Zhulali ishte në profesor ku mbizotëronin virtyte të tilla si ndërshmëria dhe etika profesionale dhe mbi të gjitha marrëdhëniet njerëzore në raporte me kolegët dhe vartësit. Në vizionin e tij të gjithë kolegët dhe vartësit ishin bashkëpunëtorë dhe asnjeri nuk ishte superior ose vartës. Marrëdhëniet e ngrohta njerëzore shkonin shumë larg bile edhe për asistentët, duke i ftuar

edhe për vizita në shtëpi ku “gabimisht” përzihej biseda miqësore dhe familjare me bisedat e punës.

Marrëdhëniet shkonin deri në atë pikë sa edhe pedagogët e rinj konsideroheshin shpesh si pjesë e

familjes edhe nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.

Në vizionin e Prof. Kadri Zhulalit gjithnjë duhej kërkuar dhe gjetur mënyra e komunikimit që

përmes bashkëpunimit dhe jo përmes ndëshkimit, që puna të bëhej sa më mirë dhe marrëdhëniet të

ishin sa më njerëzore.

Në përfundim të këtyre rreshtave, ne, kolegët që e kemi njohur në vitet e punës në Fakultetin e

Ekonomisë, në këtë moment të largimit nga jeta të profesor Kadri Zhulalit e kujtojmë atë me

mirënjohje dhe respekt për vlerat njerëzore, për cilësinë dhe korrektësinë në punë, për marrëdhëniet

e ngrohta dhe trajtimin bashkëpunues të kolegëve dhe për shumë virtyte të tjera që profesori i

kishte mjaft të spikatura.

U prehsh në paqe profesori i vlerave të larta, Kadri Zhulali!

Nga stafi pedagogjik i Fakultetit të Ekonomisë, Tiranë