Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ne, maturantët që jetuam një ëndërr të madhe dhe ia mbërritëm

Postuar: 08/09/2019 - 07:38

Secili ka jetën e vet. Një histori të gdhendur si në ëndrra që qëndrojnë mes fantazisë dhe realitetit. Shumë herë, këto ëndrra, duket sikur janë bija të legjendave, pjellë e tyre, si të vinin nga thellësia e shekujve, duke udhëtuar mbi qilimin e përrallave. Në jo pak raste, kjo jetë është edhe si një realitet i krijuar brenda kozmosit të shpirtit e zemrave rinore. Ne, maturantët e viteve tetëdhjetë, përjetuam në një takim ditë më parë, jetën e përthyer brenda një sistemi ku ngërthehej ideologjia dhe shpresat na largoheshin, sa herë donim t`i përjtonim në jetën tonë të përditshme. Po e bukura, idealja, shpirti kërkues, besimi, ngulmimi, guximi, dashuria për jetë më të mirë ishin motive që u rritën bashkë me ne dhe na udhëhoqën drejt një jete edhe pse e pasigurt, shumë e dashur për të gjithë, djemtë e vajzat që u lindëm dhe u rritëm në ato vite, ku fjala e parë që mësuam ishte partia dhe jo nëna. Në vend të fotos së babait e nënës që na kishin rritur, të parat foto që njohëm varur mbi oxhakun e nxirë nga tymi i zjarrit, ku përgatitej gjella dhe ngroheshim netëve të ftohta të dimrit, ishin fotot e udhëhqësve të partisë. Ideologjia na u ngjit dhe na u kacavir në tërë trupin, si një rrodhe që të shponte sa herë hidhnim një hap. Po ideologjia dhe politika nuk na u ndanë edhe në shekullin e njëzetë e një. Ende nuk kishim nisur rrugëtimin e jetës dhe sapo kishim mësuar abc-në në shkollën tonë, që ishte një shtëpi me tjegulla të kuqe, shtëpi e konfiskuar në vitin 1945. Shkolla e re u bë më vonë. Tani është moderne. U rritëm mes privacioneve të shumta. Po brenda qenies tonë, kishim ide e dëshira të shumta që as mund të imagjinohen. Ishim besimplotë se do ia arrinim. Do rriteshim dhe do shtonim dijet, e do nxinim shkencën e kulturën e vendit e të botës. Kanë kaluar vite. Të gjitha këto përjtime dhe kujtime që na kanë shoqëruar në tërë këto vite i pamë si në një film, që shfaqet me shpejtësi para syve në këtë fund gushti kur shumë nga bashkëmaturantët nuk i njohëm menjëherë. Ditën kur pas një viti përpjekje dhe telefonata, e-maileve, hap pas hapi përmes të njohurve, mesazheve, njoftimeve dhe tërë formave të komunikimit nga Shqipëria deri në SHBA, Australi, Gjermani, Greqi, Spanjë, Austri, Zvicër, ku gjenden ish maturantët tanë, i ftuam të bëheshin pjesë e një takimi mbresëlënës, ku shumë prej bashkë-maturantëve nuk i kishim parë asnjëherë për katër dekada, nuk ishim takuar, nuk e njihnim jetën e tyre aq më shumë që viti 1990 pas hapjes së Shqipërisë, era e i shpërndau si gjethet e vjeshtës nëpër vise të largëta të globit. Ishim shumë kuriozë dhe me shpërthime emocionuese që nuk mund t`i përballonte kraharori dhe gati të dallgëzonin tej pareteve kockore. A do ti njihnim ato fytyra fisnike të rinisë së largët? Sa kishin ndryshuar shokët tanë? Cila ishte familja e tyre? Ku jetonin? Sa fëmijë kishin? Cilat profesione ndiqnin? Profesionet e ish maturantëve në jetë. Arritjet e dështimet dhe a ia kishin mbërrtiur të bënin realitet ato që kishin rritur brenda vetes, shpresat dhe dëshirat për t`u bërë dikushi? A do ishin shumë të ndryshëm fizikisht? Kush ishte rrudhur e cili zbardhur? Dhe kur u takuam vërtetë ndryshmet ishin të dukshme.Vetëm shpirti dhe rinia brenda tyre nuk kishte ndryshuar fare. Ajo ishte atje, brenda qenies tonë si një hyjneshë që vetëm buzëqesh. Të njëjtët zëra. I njëjti timbër. E njëjta buzëqeshje. Shpirtbukur. Të pandryshuar në themel. Të njëjtit hokatarë e shpotitës. Karakteri ndryshon shumë rrallë brenda njeriut. Nga largësia e katër dekadave, pamë tek secili, shokun dhe shoqen e djeshme, atë të para shumë viteve. Të njëjtë në mendime. Të njëjtë në shpirt e dëshira. Përsëri të rinj! Çudi! Cila është ajo fuqi që nuk e ka lejuar ndryshimin të shfaqej në shpirtin e shokëve dhe shoqeve tona?! U mboldhëm. Dhe mendonim: Nga u nisëm dhe ku mbërritëm. Ishim djem e vajza që nisëm shkollën e mesme, atje në skajin më jugor, në cepin e Shqipërisë. Në Konsipol. Shkolla kishte konvikt dhe në të shkolloheshin qindra të rinj që vinin nga çdo cep i rrethit të Sarandës. Në këto raste, kujtimet burojnë lumë. Para 40 viteve zbritëm për herë të fundit shkallët e kësaj shkolle të ndriçuar nga drita e diturisë, e cila ishte në fakt universiteti ynë i parë. Në miniaturë, si përbërje të prejardhjes dhe etnive që shkolloheshim nën të njëjtën çati, ishim një Ballkan origjinal, një mozaik shumëngjyrësh. Shoqet e shokët tanë, vinin nga më shumë se tridhjetë fshatra. Edhe jashtë rrethit të Sarandës, deri nga Gjirokastra. Edhe nga Erseka. Një shumësi origjinash, gjuhësh dhe qytetërimesh të ndryshme. Shkolla “Bido Sejko” nga të parat shkolla të mesme në jug të vendit, u bë shtëpia jonë e dijes, shkencës, kulturës, vëllazërimit, bashkëjetesës. Erdhëm në këtë shkollë dekada më parë. Me bluzat e leshit të thurrura nga nënat tona. Me këmishët pupuline të qepura nga duarlodhurat sqimëtare. Të inkurajuar nga prindër, që sakrifkuan gjithçka, deri edhe bukën e tryezës për vete në emër të diturisë dhe formimit tonë. U rritëm në këtë shkollë. U edukuam në këtë qytet me tradita. Pimë ujë Çiçiriku, ajo çezma në mes të përroit nën kurorat e përralit dhe kulperit poshtë ullinjve hijerëndë, me lyfitin prej gize grirë nga uji në vite. Sa pak ujë! Po edhe sa i mirë! U ngjitëm në Shpellën e Kreshëmoit, një vendbanim prehistorik të cilën studiues të arkelogjisë nga SHBA, e eksploruan për muaj me rradhë, duke jetuar në Konispol dhe duke udhëtuar përmes shtigjesh malore me kuaj. E kanë etiketuar si një nga vendbanimet më të hershme të njerëzimit. Ishte shpella që na përngjasonte si ajo e Ciklopit të legjendës së Odisesë. Zbritëm në fushat e Rrahut, ku punuam bashkë me kooperativistët dhe fjetëm në qiell të hapur, ku na pikëlonin yjet mbi fytyrë dhe ne u vendosnim emrat e shoqeve tona. Dhe grindeshim, kush na rrëmbente, a na ngatërronte yllin e përzgjedhur. Naturisht, jo yjet që kishim mes nesh, se ishim larg të perceptuarit të lidhjeve dhe marrëdhënieve në ato vite të shkollimit tonë. Shkuam në male. U ngjitëm në Sarqind e në Mile dhe pamë për herë të parë portet dhe anijet përballë në Korfuz. U edukuam mes atyre njerëzve zëmërbardhë e punëshumë, që e ngritën ekonominë në lartësi të panjohura, fal punës titanike edhe pse e papaguar. Ishim fare të rinj. Të paorientuar me dallgët e jetës. Po me plotë vullnet, ëndrra, dëshira e fantazi. Me etjen pa kufi të bëheshim dikush në jetë. U rritëm në një kohë kur na mungonte teknologjia e sotme. Pa smartphone, Iphon, internet. Selfiet nuk i imagjinonim. Të mendoje për to ishte njëlloj si ti ngjiteshe galaktikave në këmbë. Nuk i njohëm e-mailet dhe mesazhet. Udhëtuam përmes mungesave dhe jetuam mes thjeshtësisë, po edhe dëlirësisë. Vërtetë i kishim tërë këto mungesa. Po ne zotëronim teknologjinë më moderne të shekujve: Librin. Ai ishte lokomotiva jonë e diturisë. Përmes tij fluturuam në tërë hapësirat e globit dhe vizituam me sytë e fantazisë, galaktikat. U edukuam me dashurinë për punën. Respketin për njerëzit. Me ideale iluministe e liberale. Ne formësuam mikrokozmosin tonë, botën që e njihnim vetëm ne dhe na përkiste po ne. U rritëm të pastër, pa vese. Të kthjellët si ditët me diell. Nuk ushqyem ndjenjën e lakmisë. Pa urrejtje. Me dashurinë e sinqertë për njëri - tjetrin. Plot virtyte. Mes nesh nuk kishte vend grindja. Fyerja ishte e panjohur. Ndiheshim të lumtur brenda hapsirave që na lejonte koha. U kalitëm me vullnet të çeliktë. Ecëm me largpamësi dhe besim tek e ardhmja. Lamë pas privacionet dhe shumë herë ecëm mespërmes ideologjisë pa përfillur kufizimet. Nuk u bëmë miq me dembelizmin. E urryem atë. Ishim të vërtetë. Fare bio. Dhe pikërisht kjo fjalë u diskutua gjatë në takimin tonë. Njëri prej ish maturantëve iu drejtua burrave të shoqeve tona: - Ju i morët këto vazja, bio, se ne ishim ca budallenj që nuk njihnim asgjë nga jeta e sotme. Pse ta fshehim ishim naivë. Po tani fjalët nuk kanë peshë. Ju i fituat!... Ishim djem e vajza, që u rritëm përmes punës titanike. U errëm e u gdhimë mbi libra. Rrugët tona të dijes nuk i zgjodhëm përmes monopateve të lehta. Jemi brezi, që sakrifikuam. Jo vetëm për shkollimin. Shumë prej miqve tanë kishin përballë shkëmbinjt të pakapërcyeshëm të biografisë politike dhe nuk u shkolluan edhe pse ishin të talentuar. Për vazhdimin e shkollave të larta, secili kaloi përmes kalvarit të lodhshëm dhe shumë herë sfilitës. Po në fund të gjithë ia dolëm. Ia arritëm. Erdhëm me një minimum dijesh në vitin e parë. U larguam pas katër vitesh me botën brenda qenies tonë. Universi i diturisë u zgjerua. Dhe e u bëmë dikushi në shoqërinë e kohës dhe në vitet që pasuan. Po në atë takim të maturës, në përkujtim të atyre viteve mbërritëm disi të ndryshëm. Së paku fizikisht. Mbi flokë na ka rënë tisi i dëborës. Jemi zbardhur. Në fytyrë na janë shtuar gjurmët e jetës, jemi rudhur. Në shpinë, mbajmë ngarkesën gjysmë shekullore, paksa jemi krrusur. Po kështu ndodh kur jeton në katin e gjashtëdhjetë të ngrehinës së jetës. Në këto lartësi dielli djeg më shumë. Je më afër qiellit. Bora të bie mbi krye. Je në majë të malit. Erërat farkëtojnë ndryshimet përmes rrudhave, si thepisjet mbi shkëmbinjtë në maja malesh, ku suferina gdhend shtigje që janë një lloj rrudhosje e gurëve. Po u ndjemë më fisnikë. Verifikuam se ishim më të urtë. Më të matur. Më të menduar. Më të qetë. Ikëm nga kjo shkollë në moshën më të bukur rinore. Erdhëm pas katër dekadash me status tjetër. Prindër e gjyshër. Ish maturantët erdhën mësues, inxhinierë, agronomë, arkitektë, mjekë. Kristina Papdhima, vazja niviciote, bëri një bilanc të shkollimit të maturës tonë. Njëqind e gjashtëdhjetë vite universitet dhe 1500 vite jetë post maturës të gjithë bashkë! Festuam një përvjetor. Po shpresojmë të festojmë edhe tetëdhjetë vjetorin e maturës tonë. Le të ëndërrojmë! Është bukur të ëndërrosh. Po u mblodhëm edhe me një pezëm e me një dhimbje në shpirt. Në vitet e gjata, nga gjerdani i argjendtë i miqësisë tonë, janë shkëputur disa rubinë. Ishin miqtë tanë më të mirë. Na mungojnë. Ishin të përkryer. Talente. Të ndritshëm si dielli. Po në atë ditë kur u mblodhëm bashkë e dinim se na shikonin nga lartësia e qiellit. Ata ikën në heshtje, Andrea Naçi, Profesor në Universitetin e Tiranës.Vasil Boli matematicien i lindur, gjeolog, Vasil Papa erudit i shkencave shoqërore, Hanushe Veliu pedagoge e letërsisë, krijuese me letërsinë në ADN, Kosta Voda valltar, Sotir Deliu i dalluar në fushën e zooteknisë. Na mungonin. Po vetëm fizikisht nuk i kishim midis nesh. Ata ishin në shpirtrat tanë. Në kujtimet tona. Në zemrat tona. Në vendqëndrimet e tyre, atje në bankat përbri u vendosëm karafilat që e përskuqën atë klasë nga e cila kemi kujtime dhe mbresa që nuk vdesin. Po në takimin e maturës sonë nuk gjetëm në korridorë edhe mësuesit tanë të shtrenjtë. Skënder Mullaj, drejtori i shkollës, erudit, shkrimtar dhe historian, Luan Nelaj, mësues pasionat i edukimit fizik, Agim Llosha, që e mbushte dërrasën e zezë dhjetë herë në një orë matematike, Fadil Kaso, kimist që na mësoi kiminë inorganike dhe atë organike, Hekuran Shehu që na ngjiti tek realitiviteti i Anjshtajnit dhe na e bëri fizikën si të ishte abetare. Të gjithë ikën para moshës 65-vjeçare ende pa dalë në pension. Në raste takimesh të tilla emocionet janë mbisunduese. Aq më shumë kur në krye bashkë me ne, ishin edhe mësuesit tanë që na edukuan. Mësues, Jani Vaja i matematikës, Ziso Kote, mësuesi i gjeografisë, Bardha Memko, mësuesja e e historisë. Dhe mes mesazhesh edhe mësuesi i rusishtes, Jorgo Apostoli, profesor Bashkim Kuçuku, studiues, kritik, krijues… Për të ngacmuar bisedën në një moment u thashë bashkëmaturantëve të dekadave më parë: -Flisni sot, pa ndroje, sepse mora garanci që mësuesit tanë, vetëm këtë herë nuk do të bëjnë të rreptin e pedantin. Do ju vlerësojnë të gjithëve me notën shkëlqyeshëm. Këto nota shpjeruani dhe tregouani nipave dhe mbesave. Mburruni pak para tyre. E meritoni! Një takim pas dekadash është një refleksion për jetën. Të gjithë kanë me vete një histori. Është ëndrra që jetuan ndër vite. Është shpresa që ushqyen dhe jeta që jetuan. Pas katër dekadash u ritakuam. Takim me ëndrrat tona. Në të njëjtën klasë. U ulëm në banka si dikur. Emocione më shumë. Të menduar e me sytë e mendjes në ëndrrën që jetuam ndër vite. Është ëndrra që na ushqeu matura jonë në atë shkollë ku nisëm rrugëtimin e gjatë të jetës. Dhe ia mbërritëm.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2019 - 11:05

Instituti Ndërkombëtar për Studime i Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) me qendër në Ljubljana, Slloveni, vazhdimisht analizon ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe Ballkan.

Postuar: 19/09/2019 - 07:16

Aspak nuk është hiperbolizim i çështjes dhe as titull bombastik për të tërhequr vëmendjen e lexue

Postuar: 19/09/2019 - 07:15

Të qenit shërbestar nuk është të jesh “shërbëtor”, në konotacionin negativ të fjalës

Postuar: 19/09/2019 - 07:14

E para është fjala.

Postuar: 19/09/2019 - 07:12

Qëkur ka nxjerrë zhdekretimin e zgjedhjeve të 30-qershorit dhe deri tani Presidenti nuk po ndihet

Postuar: 18/09/2019 - 07:22

Struktura Speciale Kundër Korrupsionit, Byroja Kombëtare e Hetimit, janë kthyer gati tunduese për

Postuar: 18/09/2019 - 07:18

Dukuria e korrupsionit, kjo gangrenë e shoqërisë shqiptare i ka përfshirë të gjitha shtresat.