Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Në pushtet me grusht shtet

Postuar: 16/09/2018 - 07:46

Nuk është koincidencë që fiks një ditë para 14 shtatorit, datë që ka hyrë në politikën shqiptare si ditë e grushtit të shtetit në vitin 1998, Profesor Doktor Sali Berisha, ish President e Kryeministri i Shqipërisë, Kryetar fuqiplotë i PD-së në këto tri dekada të përsërisë thirrjen për një grusht të ri shteti. Këtë herë ndryshe nga 20 vjet më parë, në qetësi, pa pasur arsye e shkak as ndonjë dhimbje apo tronditje të thellë shpirtërore si ajo e shkaktuar nga vrasja e Heroit të Demokracisë, Azem Hajadari, e cila më shumë ishte pretekst se realitet, pasi planet ishin gati në sirtar. Thirrja për përmbysje në një ditë të qetë me diell si të ishte mes i verës dhe jo vjeshta në prag nuk habiti askënd. Popullin, politikën, institucionet, deri edhe organet e drejtësisë, të cilat në vendet demokratike për ftesa të tilla anti kushtetuese nisin me urgjencë procesin hetimor dhe dërgojnë para drejtësisë individin që ka shkelur ligjin. Thirrje pa asnjë shkak. Ai i rikthehet idesë së vjetër se pushteti merret vetëm me luftë për jetë a vdekje, duke na shtyrë pas në vitet e socializmit, ku edukoheshim me bindjen se pushteti fitohet dhe mbrohet me grykën e pushkës. E menduam të kapërcyer këtë fazë, thamë se e harruam këtë mësim marksist, e lamë pas këtë ideologji me të cilën u ushqyem për një gjysëm shekulli. Po jo, nuk ishte e thënë. Lideri i PD-së, ish Presidenti dhe Kryeministri, ai që udhëhoqi lëvizjen e dhjetorit 1990 nuk ka ndryshuar psikologji. Nuk ka braktisur metodat revolucionare.

Edhe pse propagandon demokracinë ka për vëlla bolshevizmin. Për të, edhe sot në demokraci është në fuqi slogani revolucionar se “pushteti nuk merret me votë, po me top”. Ashtu si njëzetë vjet më parë kur forcat paramilitare, shikas të Gazidedes, horra, banditë me damkë, militantë të opozitës të armatosur deri në dhëmb me të gjitha armët, zbritën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe me tytat drejtuar nga godina qeveritare, mësynë, duke pushtuar zyrat në kërkim të Kryeministrit të kohës, Fatos Nano, të cilin e kishin si target të aksionit të tyre për ta përmbysur dhe për t’i marrë pushtetin me dhunë. Realiteti i atyre ditëve është ende i freskët në mendje e sytë tanë dhe nuk ka vite t’i shuajë apo t’i vjetrojë. Ende në psikikën e shqiptarëve, janë të gjalla skenat se si u rrëmbyen tanket e “Gardës së Republikës”, si u armatosën militantët e PD dhe partive opozitare, si u grumbulluan rreth tyre individë me prirje kriminale, njerëz të hurit e litarit, dalë nga burgjet dhe gjithfarë individësh që ishin të gatshëm të rrëzonin pushtetin me dhunë. Dhe e tërë veprimtaria e 14 shtatorit 1998, ishte një histori e mirëfilltë e një grushti shteti, përgatitur deri në detaje. Me role të mirëpërcaktuara. Detyra të ndara. Dhe sulmi mbi institucione ishte tipik si ato që kemi parë nëpër filma apo lexuar në libra. Grushti i shtetit, që nga grumbullimet deri te platforma, ishte hartuar nga specialistët e kohës që kishim lënë pas. Pushtimi i institucioneve ishte hapi i parë. Dhe më në fund, edhe televizioni i vetëm kombëtar, ku Ekrem Spahia në zbatim të platformës dha sihariqin me zë dhe figurë se forcat demokratike morën pushtetin. Populli fitoi. Demokracia u vendos. Dhe uroi për një ditë të qetë.

Dhe në fund të ditës u kuptua nga të gjithë se turmat nuk kishin qëllimin për të shprehur dhimbjen për vrasjen e deputetit Hajdari, po për të rrëzuar pushtetin e ligjshëm. Për të gjithë është më se e qartë si u zhvilluan ngjarjet dhe cili ishte skenari. Ashti siç njohim deri në detaje gjithçka ndodhi pas pushtimit të institucioneve nga militantët e armatosur dhe të drejtuar ushtarakisht dhe politikisht me objektiv marrjen e pushtetit me grusht shteti. Ishte ndërhyrja energjike e qeverive perëndimore dhe SHBA-së në radhë të parë, po edhe vendeve të tjera mike, që PD i tërhoqi “ushtarët” në kazermë në mjediset e selisë së saj. Dhe selia e PD-së u mbush me militantë e armë. Po për grushtin e shtetit, edhe pse i filmuar dhe faqe tërë popullit shqiptar, nuk u ndëshkuan as organizatorët, udhëheqësit, drejtuesit, pjesëmarrësit, nxitësit, as aktorët, dirigjentët, regjisorët, as ata që dolën me urën e zjarrit në dorë. Ata që grabitën. Qëlluan mbi godinat qeveritare. Mbi ministritë.

Pas kaq vitesh kanë rrjedhur shumë ujëra. Shqipëria është sot një vend i NATO-s, kandidat për në BE, me një mazhorancë të afirmuar dhe të zgjedhur nga vota popullore, një vend me prestigj ndërkombëtar. I mbështetur për politikën paqësore dhe reformat që ka ndërmarrë. Shqiptarët janë sot më të demokratizuar e më të emancipuar. Më të ditur e më të shkolluar. Më të aftë për të jetuar në sistemin demokratik. Kanë përvojë të jashtëzakonshme, të fituar në ushtrimin e gjallë të demokracisë në veprim. Jetojmë në shekullin e 21-të. Në një Ballkan ndryshe. Ka vite që përjetojmë qetësinë dhe nuk jetojmë dhunën dhe luftrat mes shteteve. Shoqëria jonë është më e pjekur dhe më e aftë për të ecur në rrugëtimin drejtë Europës. Reforma të shumta janë ndërmarrë në sistemin e drejtësisë dhe fusha të tjera të zhvillimit të vendit. Pikërisht në këto momente, në këtë situatë politike dhe në një kohë, kur Shqipëria lufton fort për të përmbushur kushtet e Europës, ish Presidenti dhe ish Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha bën thirrje për një shtator të dytë. Për të ardhur në pushtet me grusht shteti. Për përmbysje me dhunë të një qeverie të zgjedhur demokratikisht në një garë me pjesëmarrjen e më shumë se 50 partive. Qeverinë me votat e popullit. Nga ekrani i TV në një nga emisionet më të ndjekura, ai tha:- Me Edi Ramën kryeministër nuk fitohet. Opozita nuk vjen kurrë në pushtet. Është e dënuar të mbetet në opozitë. Ndaj do t’i përdorim tërë format. Edhe forcën. Grushti i shtetit mbetet opsioni kryesor për të rrëzuar këtë kryeministër. Pak a shumë këto tha Berisha. Faqe të gjithëve. Live. Pa doreza, pa parashtesa e prapashtesa. Po pse bën sot këtë thirrje dhe cila është arsyeja e vërtetë? Nuk mund të gjendet asnjë argument për të justifikuar një platformë të tillë ogurezë. Shqiptarët prej shekujsh kanë vuajtur nga politikat e mbrapshta. Nuk kanë patur mundësinë të jetojnë në liri e të gëzojnë të drejtat që u takojnë si tërë popujt e qytetëruar. Pushtetet u janë imponuar dhe regjimet i kanë shfrytëzuar. Po sot përse bëhet kjo thirrje që vjen si nga thellësia e shekujve, bie era myk, si një ogur i zi? A është ky një zë dëshpërues nga një individ që për 30 vjet i ka dhënë tonin politikës shqiptare apo është një provokim i ditës? Përse të mos besojmë se është nostalgjia për të ardhur në pushtet me dhunë dhe me revolucion e grusht shteti?

Pse të mos gjykojmë se llogaritë PD-në nuk e nxjerrin fituese në zgjedhje të lira e të ndershme edhe pse rreth saj po mblidhen tërë partitë politike qejfmbetura nga Rama që nuk i ka bërë pjesë të tepsisë së pushtetit? Askush nuk do guxonte të bënte një thirrje të tillë të hapur për përmbysje të rendit kushtetues! Në çdo vend demokratik po të veprohej kështu, prokuroria do niste menjëherë hetimet dhe do mbante qëndrim ligjor. Po pse sot, kjo thirrje për përmbysje kalohet pa u ndjerë e asnjë qëndrim ligjor? Si është e mundur që opinionistët dhe analistët, shtypi dhe intelektualët, deputetët, të varurit e të pavarurit, ata që ngrenë zërin edhe për pikat e shiut që bie në Tiranë, ta kalojnë këtë thirrje si diçka rutinë? Mbahet ky qëndrim, kur këtë thirrje nuk e bënë një njeri i zakonshëm, një qytetar i thjeshtë, individ i revoltuar e pesimist nga një padrejtësi apo cënim interesi. Përkundrazi e bën ai, që për një fjalë goje të tregonte qelinë. Ai që për shumë më pak se kaq të etiketon tradhtar e zjarrvënës. Të emërton bandit e antishqiptar. Gangster e kriminel. Po vetes ia toleron një qëndrim të tillë. Zoti Sali Berisha gjykon se ka të drejtën të thotë e bëjë gjithçka. Dhe të tjerët, ne populli, jemi të detyruar ta dëgjojmë, ta tolerojmë, ta ndjekim, ta amnistojmë. Dhe kështu, në këto 30 vjet e njejta logjikë fatkeqësisht. I njejti qëndrim. Të njejtat presione. Po deri kur kështu, dhe pse duhet të mos veprojnë organet ligjzbatuese si për gjithë të tjerët?

Një thirrje e tillë është jo vetëm e patolerueshme. Ajo është së pari e dënueshme. Berisha nuk është bariu i shqiptarëve. Nuk është tutori ynë që na kërkon të bëhemi të gjithë ushtarë e militantë, të na komandojë në një betejë që ushqehet nga etja për pushtet për të përmbysur qeverinë e ligjshme. Nëse do një pushtet me grusht shteti, ja ku e ka. Ja sheshi, ja mejdani. Le ta bëjë e le ta marri. Vetë ama, jo me ushtarë e mercenarë të mbledhur e rektutuar. Se grushti i shtetit dhe ultimatumi të ikë kryeministri është e njejta gjë, sikur ne të thonim: Të ikë Berisha nga politika. Me Metën President nuk shkojmë në zgjedhje. Me këtë kryeopozitar nuk i njohim zgjedhjet. Pa ikur politikani “X” nuk shkojmë në fushatë elektorale. Po kjo nuk do ishte politikë, po dhunë. Populli nuk është kurrë në këtë linjë. Edhe pse të gjithë flasin në emër të tij. Populli i qesëndis politikanë të tillë që zgjedhin forcën dhe grusht shtetin për pushtetin personal. Përkundrazi është kundër çdo dhune aq më shumë famëkeqit, grushtit të shtetit!/ Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2018 - 07:22

Miku im pensionist, që ka qenë oficer dhe është rritur me një disiplinë të fortë e një jetë përgjithësisht të ashpër, nëpër dasma kërcen vetëm valle dyshe me daulle, ose nuk ngrihet fare.

Postuar: 17/10/2018 - 07:21

Çfarë ndodhi dy ditë më parë në Bruksel me shqiptarët askush nuk e kishte llogaritur.

Postuar: 17/10/2018 - 07:20

Ca të mira i keni bërë, po me këtë që ke bërë këtë radhë, i ke prishur dhe ato.

Postuar: 17/10/2018 - 07:19

Debatet mes Greqisë dhe Shqipërisë për detin dhe kufijtë që kërkohen të ndryshojnë sipas diktatit

Postuar: 16/10/2018 - 07:15

Kanë vite e vite që krahët politikë duke u alternuar në pushtet e tyre, prej më shumë se 25-së vi

Postuar: 16/10/2018 - 07:13

Bashkia e Tiranës nuk vlerëson siç duhet bustin e Sulejman Pashës.

Postuar: 16/10/2018 - 07:11

Këto ditë para opinionit të gjerë, shqiptarëve të bombarduar me seriale pafund filmash me “