BREAKING NEWS

I përfshirë në korrupsion për lirimin e një të burgosuri, GJKKO merr vendimin dhe ndryshon masën e sigurisë për bashkëshortin e ish-gjyqtares Mimoza Margjeka

I përfshirë në korrupsion për lirimin e një të
x

Opinion / Editorial

Ne "suedezët" e Ballkanit dhe leksioni i Tuciditit!

Ne "suedezët" e Ballkanit dhe leksioni i Tuciditit!

Habia e madhe, por dhe kundërshtia si dhe dakordësia "shtet vs qytetar" apo "pushtet vs shqiptar" është më e shkurtër se tre ditë në Shqipëri. Tashmë maskat i vendosin vetëm ata që duan dhe janë më shumë në qendrat e vogla të qyteteve, kurse në përgjithësi shqiptarët nuk i vendosin ato. Nuk i vendosin, sepse "nuk tremben" dhe nuk i vendosin se nuk i konsiderojnë kaq efikase në rrugë, por dhe nuk i vendosin sepse janë folklorikë jo kaq shumë të ndreqshëm me ligje dhe pushtete që nuk janë kaq shumë të ndershëm si pikërisht te ne. Janë mësuar me urdhërin fals dhe nuk janë të mësuar me ligjin e qartë. Rama sa do t’i trembë me gjoba, deri sa të shkojë puna te ajo, shqiptarët kanë kryer rrugëtimin e tyre pa maskë. Ne dhe në muajin e dytë të një "luckdown" të ashpër me ligje me autoblinda dhe me urdhëra u lëshuam si "vaji në lakra" me njëri-tjetrin. Nuk bindemi dhe kjo është për t’u studiuar nëse vjen ngaqë urrejmë pushtetet apo se jemi të tillë dhe nuk ka "zot" që na ndreq. Por dhe sikur të jetë e para, nuk është se e kemi kaq shumë gabim. U hapën pothuaj krejtësisht, me përjashtim të kulturës që për turp të qeverisë nuk u hap si religjionet në predikimin e tyre pa maska dhe pa ruajtje nga koronavirusi. Asgjë nuk do të bënte një teatër më keq se sa bën një kishë apo xhami në predikimin e tyre. Gjithsesi, për nga kujdesi ishim si shqiptarë, por për nga hapësira dhe liria që i dhamë vetes (jo nga pushteti) jemi si suedezët dhe pse nuk jemi aspak suedezë. Por ishim të lirë dhe do të jemi lirë dhe në mos zbatim të urdhrave në mënyrë interesante. Jo si suedezët, të cilët nuk pësuan një mbyllje të tillë si në Europë, por si shqiptarë që sillen si "suedezë" dhe pse nuk janë të tillë. Ka ngjitje-përhapje të sëmundjes dhe ne këtë e kemi bërë dhe gjatë muajve të verës dhe sot rastësitë e shtrimeve si te shteti dhe privati janë më të mëdha, por me përballje më me dituri dhe fatalitetet kanë mbetur në atë grafik pothuaj paralel me një mesatare prej 3-4 personash në ditë. Janë shtuar kontrollet dhe tamponët, por fatalitetet janë pothuaj ato prej dy muajsh. Sigurisht ne nuk jemi suedezë. As nuk do të jemi kurrë. Aspak, sepse jemi dhe ballkanikë dhe mesdhetarë dhe kemi dallim të madh, por... Por dhe pse na kanë urdhëruar të mbyllemi, nuk jemi mbyllur dhe nuk zbatojmë urdhëra e shpikje qeverie. Por pa dashur, frika dhe alarmi te ne, është diçka që nuk e kanë nënshtruar shoqërinë. Kjo sigurisht është e mirë pavarësisht gatishmërisë dhe shtetit, i cili është gjithmonë gjysmë virtual dhe gjysmë folklorik. Pa e lexuar, shumica e shqiptarëve kanë pranuar Tuciditin si njeriun më të qartë të antikitetit për një ndodhi të ngjashme me të sotmen. Ai në fakt ka përshkruar dhe është më i besueshmi në historinë e rrënimit të Athinës së lashtë nga murtaja apo ethet apo e ngjashmja e fatkeqësisë së asaj kohe (Koha e Perikliut) në luftën e Peloponezit. Vetë kreu i Athinës demokratike apo Perikliu dhe familja e tij, ose gjenerali i madh, vdiq nga kjo sëmundja përhapëse vrastare në atë kohë. Ishte koha kur Athina po luftonte me Spartën, por sëmundja ngjitëse e panjohur sipas Tuciditit erdhi nga Etiopia dhe pastaj kaloi në Egjipt, por në Athinë erdhi nëpërmjet anijeve në Pire e pastaj në Athinën e mbyllur në mure, sepse ishte luftë. Njësoj si në rastin e Koronavirusit. U përhap, nga fshatrat u dyndën në Athinë, nuk dinin si ta luftonin, vdiqën nëpër rrugë dhe tempuj, dikush dhe shërohej, por gjysma vdiqën e këto i përshkruan me imtësi një nga filozofët, mendimtarët dhe historianët më të mëdhenj të lashtësisë. E gjithë kjo fatkeqësi në shekullin e pestë para erës së re. Por Tuciditi thotë se: Athinën nuk e rrënoi murtaja, por frika. Në vendin e Fideas dhe Platonit njerëzit humbën betejën më të madhe me frikën e tyre. U lëkund gjithçka në rregullin urban dhe shkoi puna deri atje sa të shkrinin pasurinë, sepse e dinin se i kishin ditët e numëruara. U prish morali dhe u luajtën bazamentet kryesore të demokracisë. Kjo në farin e demokracisë më të madhe të botës dhe në kulmin e pasurisë. Demoralizimi çoi frikën në kulmin e moralit shoqëror dhe shkatërroi demokracinë dhe ekonominë. Tuciditi është ai që na sqaron: në Peloponez sëmundja nuk kishte depërtuar, të paktën në një mënyrë domethënëse, kishte bërë një vërshim infeksionesh, veçanërisht në Athinë dhe më pas në pjesët më të populluara të territorit. Po, por njerëzit u frikësuan dhe demoralizuan, duke iu nënshtruar fatkeqësisë. U morën vendime të gabuara, u kryen veprime të gabuara mjekësore dhe u mblodhën gabimisht njerëzit, për t’u kuruar pa pasur as dijeni as mundësi, por duke i grumbulluar dhe u sëmurur më shpejt dhe më shumë. Ka ndodhur dhe në 1917-ën në gripin spanjoll. U shkatërruan ekonomikisht dhe u prishën si pasuritë dhe bizneset dhe këto i tregon qartë dhe mirë Tuciditi. E vetmja "qartësi ishte vdekja" e këtu qyteti më i madh dhe demokratik i botës ra. Epidemia goditi të gjitha klasat, pasuritë dhe moralin e kohës. Dikush që bleu kur të gjithë shisnin u pasurua dhe padyshim kjo është një marrëzi në ngjashmëri. Tuciditi thotë: Dhe në fund, të kapërcyer nga fatkeqësia, ata hoqën dorë nga çdo përpjekje. E ka fjalën se ju dorëzuan fatit të keq. Në fakt, sot është ndryshe, por përdorimi i frikës pothuaj i njëjtë dhe kjo sigurisht është më e keqja. Leksioni nga historiani më i besuar i lashtësisë është praktikisht "mos shkuarja në skaj të frikës" së përgjithshme. Fajet e asaj kohe i ngjajnë kësaj kohe. Zgjatimet e agonisë me masa mbylljeje mbrojnë sigurisht, por nuk zgjidhin problemin e madh botëror. Aq më tepër kur shprehen se mbrojnë sistemin shëndetësor. Po pra sistemin dhe jo njerëzimin. Sot ka shkuar puna sikundër thotë zonja Merkel - kështu nuk mund të vazhdohet më. Po dhe pritet takimi i kryeministrave të Europës. Nga një armik (kështu e kanë shpallur covid 19-ën disa) nuk mbrohesh duke u fshehur përgjithmonë. Jo ai duhet sulmuar dhe bota deri tani nuk po e bën. Nuk po e bën si pamundësia e Athinës së lashtë nuk e bëri deri sa u rrëzua kryesisht nga frika dhe demoralizimi ndaj sëmundjes vrastare dhe ngjitëse. Bashkë me Athinën ra dhe demokracia. Gjë e cila kurrë nuk duhet të ndodhë sot.