BREAKING NEWS

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë në aksin Sauk-Teg, policia përballet me atë që nuk pritej (VIDEO)

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë
x

Opinion / Editorial

Në të kundërt historia do t'u "kryqëzojë në shtyllën e turpit"

Në të kundërt historia do t'u "kryqëzojë

Tashmë, që Europa i ndezi Shqipërisë dritën jeshile për hapjen e negociatave, ju që keni marrë përgjegjësinë publike (qeveri+opozitë) për ta udhëhequr këtë popull drejt një shoqërie demokratike, duhet t'i "vini gishtin kokës", për të mos e humbur edhe këtë shans historik, si herët e tjera për shkak të kokëfortësisë, kryeneçësisë, xhelozisë apo për interesa të ngushta personale, vese këto të një klase politike arrogante, mediokre dhe orientale. Duhet t'i lini mënjanë interesat e vogla meskine, personale, partiake, lokale, cinike, vulgare dhe të tregohen qytetarë në zgjidhjen e problemeve me: dialog, negociata, debate konstruktive (sidomos në Parlament) dhe duke reflektuar kudo e në çdo gjë një sjellje etike (pa sharje, ofendime, akuza etj). Standardet, mirësjellja, komunikimi, debati, diskutimi, jo dhuna, arsyeja, toleranca, drejtësia. Po përse vallë janë shpikur gjithë këto, përse vallë janë krijuar prej paraardhësve tanë të gjitha këto ndërlikime? Ato janë të përmbledhura në një fjalë të vetme, “qytetërim”, që para së gjithash është vullneti për të jetuar në një bashkësi. Mungesa e kulturës, mungesa e qytetërimit është prirja ndaj vulgarizimit. Komanda mbi jetën publike e ushtruar sot prej një vulgarizimi të tillë, nga pikëpamja intelektuale është ndoshta faktori më i ri, i pangjashëm me standardet e një demokracie liberale europiane. E aq më tepër që këto standarde janë pikërisht parimet mbi të cilat mbështetet e gjithë kultura europiane. Nuk ka kulturë aty ku nuk ka pranime të pozicioneve të caktuara, të cilave mund t'u referohesh vetëm nëpërmjet diskutimit dhe debateve. Nuk ka kulturë aty ku nuk përfillen parimet morale dhe ligjore. Nuk ka kulturë aty ku nuk respektohen standardet e qytetarisë. Nuk ka kulturë aty ku ka fyerje, sharje, ofendime, shantazhe, kërcënime dmth aty ku nuk zbatohen rregullat e komunikimit etik. Nuk ka kulturë aty ku ka dhunë.

 E pra kjo kulturë ju mungon juve që na drejtoni ne, juve që keni marrë përsipër ta bëni Shqipërinë si Europa! Kur mungojnë të gjitha këto nuk mund të ketë kulturë, por në kuptimin më rigoroz të fjalës, ajo që ekziston është "orientalizëm ", sepse "orientalizmi" në vetvete është mungesë tërësore e standardeve europiane, të cilave mund t'u drejtohesh. Ndaj, le të mos gënjejmë veten, por të pohojmë se kjo është ajo ç'ka po demonstrohet sot në shoqërinë shqiptare kudo në politikë, Parlament, në media, në protesta e kudo, një "rebelim" vulgariteti si individ apo si kope. Dhe në këtë turmë na shfaqet një tip i ri "lideri", i cili nuk pranon arsye apo të japë të drejtë, por thjesht e dëfton veten të aftë për të diktuar kudo opinionin e tij me budallallëkun e vet. Thjesht këtij tipi absurd i mungon aftësia e të ideuarit, drejtuarit e dëgjuarit. Ai nuk e ka konceptin, madje edhe të atmosferës së rrallë në të cilën rrojnë idetë. Dëshiron të ketë opinione, por është i pavullnetshëm të pranojë kushtet që presupozon cilido opinion, kësisoj, "idetë" e tij janë në fakt asgjë më shumë se orekse të shprehura në fjalë, diçka e ngjashme me orekset e një adoleshenti të "llastuar". Mbi të gjitha kjo i drejtohet opozitës rrugore " mandat-lënë", që pavarësisht se bredh rrugëve paguhet nga taksat tona duke e çuar numrin e deputetëve mbi dyqind. Paradoks shqiptar ky që do ngelet në histori si shumë të tjerë duke përfshirë edhe mitingun e presidentit të shumicës kundër shumicës së vet! Në këtë proces kjo opozitë ka përgjegjësi kombëtare me qëndrimin që do të mbajë. Ajo duhet të ndryshojë kurs dhe strategji drejt europianizimit të mendimeve, veprimeve dhe qëndrimeve të saja. Nëqoftëse, me të vërtetë ajo dëshiron integrimin e Shqipërisë, që padyshim është edhe në interesin e saj për të ardhur në pushtet me zgjedhje të lira, të pamanipuluara, siç edhe dëshiron ajo, atëherë ky është momenti që ta tregojë veten, si një "pioniere" e integrimit. Sepse po bëhet një kohë e gjatë, qysh nga 2013, që opozita me Lulin në krye, e ka humbur orientimin. Lundron në "detin e politikës" si një anije pa busull e pa xhiroskop. Pa ide, pa kauza, dhe pa vizione. Një opozitë e mefshtë, anemike dhe diabolike. Dhe kjo, për "meritë" të kryetarit të saj, i cili nuk arrin dot të udhëheqë dhe frymëzojë "të vetët", pastaj të tjerët. Një kryetar partie "autsajder mendor", që kërkon me çdo kusht e mjet pushtetin, pa patur një vizion dhe një kauzë frymëzuese për të ardhur në pushtet. Por për fat të keq, paaftësia e të ideuarit, drejtuarit e të kuptuarit është karakteristikë e gjithë klasës politike shqiptare. Sepse nuk kanë konceptin, madje edhe të atmosferës së rrallë në të cilën rrojnë idetë. Sepse të kesh ide, të formosh opinione, do të thotë të kesh arsye dhe të besosh se kjo arsye ekziston si autoritet, të cilit ti i drejtohesh dhe i nënshtrohesh, pranon kodet dhe vendimet dhe beson se forma më e lartë e marrëdhënieve ndërshoqërore është dialogu, në të cilin shtrohen për diskutim arsyet e ideve apo "tekave" që ke. Ndërkaq, në një kohë që e ndjejnë veten të humbur, përpiqen të krijojnë konflikte, apo të këmbëngulin deri në budallallëk me qëndrimet e veprimet e tyre, duke ndjekur një strategji tashmë të provuar dështake. Dhe vazhdojnë përsëri me të njëjtën strategji, duke i përsëritur e përsëritur "akuzat" aq shpesh, derisa trutë e njerëzve të mund të mbajnë atë ç'ka thonë ata. Pavarësisht kësaj, kjo klasë politike duhet të ndërgjegjësohet tani në prag të negociatave dhe të shfrytëzojë shansin që i ka ardhur në derë për t'u sjellë si europiane. Të dialogojnë dhe të bashkëpunojnë sëbashku me qeverinë, që së bashku ta bëjnë Shqipërinë si gjithë Europa, ëndërr e cila është lançuar qysh në fillimet e demokracisë. Në të kundërt historia nuk do t'ua falë... Për herë të parë në historinë e këtij tranzicioni të trishtë, bashkohuni dhe tregohuni një herë të vetme racionalë dhe të përgjegjshëm si qeveria ashtu edhe opozita. Është ky një detyrim, që juve të gjithë bashkë, ua keni borxh popullit tuaj këtë aspiratë europiane. Më e pakta që mund të bëni përkundrejt "mëkateve" tuaja të mëdha me kusari, mashtrime, premtime,vrasje,abuzime, korrupsion, nepotizëm, padrejtësi, pabarazi e varfëri të tejskajshme. Në të kundërt historia do t'u "kryqëzojë" në “shtyllën e turpit"!