BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Opinion / Editorial

Ne të marrët e "old fashioned", një person, një votë!

Ne të marrët e "old fashioned", një person, një

Duke e ndjekur me kujdes fushatën brenda Partisë Demokratike Amerikane, kuptohet qartë jo vetëm modeli ndryshe i demokracisë së tyre me ne dhe Europën, por dhe qartësohesh mbi mënyrën demokratike se si del kandidati real, që përballet për garën presidenciale në SHBA. Gjithsesi njeriu që deri tani është përpara për garën brenda partisë të së majtës amerikane, ose Bernie Sanders thotë: “I'm old fashioned. I believe in democracy: one person, one vote. Not billioneries buying elections”. Ose më qartë në shqip: “Unë jam me modën e vjetër. Unë besoj në demokracinë: një person një votë! Jo miliarderët që blejnë zgjedhjet”. Sigurisht që ky model dhe ky funksion filozofik, por në mënyrën e mundshme më banale dhe më kanceroze, vepron ashpër dhe te ne. Metoda e vjetër bolshevike e Sali Berishës në vitin 1996-të, e cila ka shkatërruar parimin e demokracisë "one person one vote" në të cilin besojmë ne të "modës së vjetër" nuk përdoret më. Dhuna në qendrat e votimit dhe në rrugë partisë tjetër, nuk është më primare në zgjedhje. Ishte banaliteti që ju dha dhunë votimeve normale në Shqipëri, por...! Duke filluar nga Nano dhe pastaj Berisha i dytë dhe me përkryerjen e plotë të sistemit nga sinteza Rama & Basha vota në Shqipëri blihet më pak, sepse në fakt miliarderët e sistemit blejnë zgjedhjet duke filluar në blerjen e partive. E ky është dhe problemi i madh dhe jo ai që akuzojnë Lulzimat e PD-së për të mbuluar marrëveshjet me miqtë e tyre të Rilindjes si pushtetarët e PS-së në Shqipëri. Kur opozita dhe Lulzim Basha apo dhe të tjerët llafollogë mbas tij, akuzojnë se njerëz të Rilindjes blejnë vota te fshatarët apo njerëzit poshtë, qëllimi është të mos thuhet e vërteta dhe të mos zbulohet krimi zgjedhor. Në të vërtetë PD dhe njerëzit e saj, mbrojnë Rilindjen dhe Ramën, duke e akuzuar se po ju blejnë vota njerëzve, sepse në fakt akuza po ju bëhet atyre që pranojnë të shesin votën. Sigurisht akuza ju bëhet njerëzve të thjeshtë dhe fukarenj, që e dinë se vota e tyre nuk vlen asgjë, që protesta e tyre (e sabotuar nga Basha) nuk vlen asgjë, që zëri tyre nuk vlen asgjë dhe me një "njëzet mijë lekësh apo pesëdhjetë mijë lekësh" për kokë, sëpaku një muaj e shtyjnë me ushqime. Por nuk është ky deviacioni i zgjedhjeve. Kur në të vërtetë zgjedhjet (jo kaq shumë zgjedhësit e varfër) i blejnë miliarderët e partive dhe sistemit të korruptuar të tyre, ose një partitokracie dhe lidershipi të korruptuar në të gjithë klasën politike. Loja e fjalëve të bukura akuzuese të opozitës rëndon në fakt më shumë "ato që shiten" ose njerëzit aty këtu të thjeshtë, se sa tarikatin e qelbur të miliarderëve të partitokracisë shqiptare, që blen sistemin dhe zgjedhjet, sepse përpara ka blerë partinë ose të gjitha partitë politike relevante në Shqipëri. Po këtë gjë, po përgatisin të bëjnë në një marrëveshje devijate dhe aspak në të mirë të demokracisë sot PS-ja dhe PD-ja. Po përgatisin të kalbin akoma më shumë demokracinë, duke bërë akoma më "pis sistemin" me trumpetat e kota, të cilat ulërijnë medemek mbrojtjen e votës. Aplikimi që nga fillimi i viteve 2000 i njerëzve të pasur në politikë, i krijimit të një partitokracie tashmë jo të varfër, por të pasur, me pasunarë që i kanë bërë pasuritë në shumicën e rasteve duke thyer ligjin dhe me trafik, por që kanë paguar te politika dhe partia - ka sjellë krijimin e një modeli plutokratik në Shqipëri, sa banal dhe arrogant. Kaq arrogant sa kryeministri thotë: "Le të thonë çfarë të duan amerikanët, unë e kam mik". Kur është e qartë se ajo lloj plutokracie, ka thyer çdo element të parimit "një person një votë". Ne të marrët e këtij parimi ose "një person një votë" si themel demokracie, ju dukemi njerëzve të elitës së sotme mbi PD-në dhe PS-në, apo mbi LSI-në dhe sigurisht aleatëve përfitues dhe asgjëbërës të tyre - njerëzit më idiotë dhe më të kotë që ka bota. Ne të marrët që besojmë te parimi i demokracisë ose ne "old fashioned" të tipit "one person, one vote" jemi armiqtë më të shpallur të partneritetit morboz mes partitokracisë korruptive dhe pasurisë së miliarderëve që paguajnë për të pasur paketën kontrolluese në lidershipet e PS-së dhe PD-së dhe dihet qartë kush i ka të gjitha aksionet e LSI-së. Ku ka parti pa para në Shqipëri dhe sigurisht kush nuk e di, se nuk ka parti pa miliarderë sipër në parti!? Pasuria e tyre vjen si një bashkëpunim korruptiv që kryesoren nuk ka vetëm trafikun dhe të jashtëligjshmen e dikurshme. Jo, ka tenderin e djeshëm (alla Berisha) apo PPP-në e sotme (alla Rama), që grabit paratë nga taksat tona dhe ja jep plutokracisë së bashkuar, miliarderë dhe politikanë, në vallen e tyre mbi kurrizin tonë. Ata nuk kanë kaq shumë nevojë të blejnë fukarenjtë në Shqipëri. Biles atë gjë e bën ndonjë i kategorisë së dytë, që do të kënaqë paksa zgjedhësit e periferisë. E padyshim paguan disa horra sipër, të cilët ndajnë aty këtu dhe ndonjë para për të varfrit! Në fakt, të pasurit blerës së zgjedhjeve, blejnë në fillim sistemin dhe njerëzit e tij, që janë pjesë e partive dhe sigurisht lidershipin politik partiak. Prandaj në këtë pikë PD dhe Lulzim Basha apo "Lulzimbashizëm idea" është krejtësisht dakord dhe pse grinden me "Rilindjen e Edi Ramës" kudo që ajo ka çelësa kontrolli. Sepse nesër po kështu do të veprojë në pushtet dhe ky soj pushteti i duhet dhe jo ai i dalë nga demokracia. Absolutisht ju duhet pushteti i parave të plutokracisë që i thonë kot fare – oligarki. Kur në fakt në mënyrë banale dhe retro në Shqipëri, kemi një martesë idiote dhe të ndytë të politikës dhe pasurisë së biznesit politik! Kjo është kaq e qartë dhe kaq e dukshme, saqë nuk mund të ketë politikan dhe zyrë partie apo model politikë që nuk ka biznes dhe miliarderë që kanë aksionet e partisë në dorën e tyre. Po po, aksione me vlera monetare dhe aksione me vlera njerëzore. Po pra po, individë që ju shërben partia dhe ata partisë dhe që kanë pagën reale te pasuria e individët që blejnë zgjedhjet. Kjo marrëzi dhe degradim demokracie nuk rregullohet as nga partitë sot, as individët e drejtësisë sot dhe as e sotmja e marrëdhënieve politike me ndërkombëtarët. Këtë gjë e rregullon thjesht kalimi i kësaj shoqërie nga një retro-kulturë dhe anti qytetari europiane, në një më të emancipuar dhe më të drejtë. Akoma më shumë kur kanë prishur arsimimin dhe kur kanë devijuar partitokracinë përfundimisht nga demokracia. Kur kanë mbledhur rrondokopë e injorantë, por dhe hajna të ditur pranë zyrave të tyre dhe në lartësitë komanduese të politikës. Po absolutisht te të tre partitë e mëdha si në pushtet dhe opozitë. Janë pikërisht buka e një mielli të qelbur dhe mbushur me rrezatim vdekjeprurës. Në Shqipëri nuk ndahet normalisht politikani nga pasuria me fjalë në gazeta dhe duke ndjekur ndonjë kaqol, idiot, horr trafikanti, kur dihet mirë që një pjesë e madhe e politikës ka fjetur dhe ka bashkëjetuar, por dhe është martuar me kalbësirat e trafikut dhe drogës që janë bërë miliarderë. Ata do të vazhdojnë gjatë mbi jetët dhe kokat tona, sepse nuk mund të fitojë demokracia po u fut vetëm njëri në burg dhe bashkëjetuesi tjetër qëndron bie fjala në politikë i paprekur. Ne të marrët e "old fashioned" ose modës së vjetër, thjesht do të jemi spektatorë të krimit të madh që bën plutokracia shqiptare me demokracinë, dëshmitar dhe paralajmërues të këtij krimi, asgjë tjetër.