BREAKING NEWS

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI parti klienteliste, Basha në luftë të hapur me paraardhësin dhe Presidentin

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI
x

Opinion / Editorial

Ne t’i japim votën herën tjetër këtij politikani? Kurrën e kurrës!

Ne t’i japim votën herën tjetër këtij politikani?

Ne, të udhëtojmë me këtë shofer? Kurrën e kurrës! E kështu “betimet”, vazhdojnë edhe për një mjek, për një dentist e çfardo tjetër. Është një mentalitet i trashëguar tashmë që çfardo të jetë një drejtues apo politikan, ndryshe sillet kur ia ka nevojën njerëzve dhe ndryshe mbasi “mbaron punë”! Ja të lexojmë më poshtë sepse nuk është për të qeshur, por për të “qarë”! Ja ç’na mëson Martin Luter King: “Historia do të shënojë se tragjedia më e madhe e kësaj periudhe tranzitore, nuk është britma çjerrëse e njerëzve të këqij, por heshtja lemeritëse e njerëzve të mirë”! Sikur Lutter Kingu të kishte jetuar në Shqipëri. Tragjedia jonë, nuk janë britmat çjerrëse të njerëzve të këqij, por heshtja lemeritëse e njerëzve të mirë… Këtë, po e ilustroj konkretisht me jetën e përditshme të secilit nga ne, duke marrë në rastin konkret një shofer apo çfardo tjetër, që na ka rënë rasti të gjithëve të udhëtojmë, apo një mjek stomatolog, para se të të marri paratë dhe mbasi i ka marrë… Nga njëra anë është drejtuesi i automjetit (politikani) me të dy fytyrat e tyre, atë të buzëqeshjes edhe të britmave dhe nga ana tjetër pasagjerët (populli) që vetëm heshtin. Shoferi, buzagaz ka dalë përpara makinës dhe i buzëqeshur pret pasagjerët për të shkuar në destinacion ose politikani i buzëqeshur një muaj para zgjedhjeve që pret të fitojë një mandat. Diku larg, shoferi (politikanin mendojeni vetë) sheh pasagjerët e parë ngarkuar me valixhe e çanta. Vrapon drejt tyre shoferi dhe sapo merr vesh që janë në destinacionin ku shkon ai, u rrëmben bagazhet dhe niset vrap për t’i vendosur ato në makinën e tij. Pasagjerët (votuesit) mendojnë sa “njeri i mirë”! Të tjerët vijnë me radhë dhe shoferi i buzëqesh duke i drejtuar të gjithë në ndenjëset e tyre, si politikani që u bën premtimet duke buzëqeshur. Kapaciteti i makinës, është për katërmbëdhjetë pasagjerë, por në të hipin njëzet e shtatë. “Bëfsh hair more djalë që na zgjidhe hallin”! Se mos e sheh populli fakir që shoferi shkel me të dy këmbët ligjin, e më keq akoma nuk i bën hesapet për jetët e njerëzve. Makina merr rrugën (fillon procesi votimit) dhe shoferi (politikani), janë në ankth. Edhe me udhëzimet e covid-it edhe me ngarkesën, makina është jashtë çdo rregulli, jashtë çdo ligji. Më pas, shoferi, i kënaqur që do të fitojë dyfish në një rrugë, fik kondicionerin që të mos harxhojë asnjë pikë naftë. (Politikani, ka fituar në zgjedhje). Pasagjerët e bërë ujë në djersë, njëri prej tyre, ankohet “O vëllai-o, po mos e fikni atë kondicionerin more se na bone “sallatë””! (Politikanit, dikush i kërkon llogari për premtimet e pambajtura)! Shoferi, i buzëqeshur pak më parë, egërsohet! “U prish byrazer, po të doni qëndroni, po të doni zbrisni, unë nuk iu mora me zorr”! Të tjerët, nuk i drejtohen shoferit që është në shkelje të ligjit e të jetëve njerëzore, por i drejtohen atij që u ankua. “Po ç’të duhet që hap gojën more, apo të na zbresë të gjithëve, kërkoni të dukeni?! Shoferi vazhdon me britmat: “Ti atje në fund ulu poshtë, të gjithë uluni të mos dukeni nga xhami se mos na sheh ndonjë polic, apo kërkoni t’u zbres të gjithëve”! (Politikani, tashmë që fitoi as që denjon më të dëgjojë votuesit e tij). Të gjithë bëhen barkas. Përsëri makina ndalon dhe merr një pasagjer me dy thasë misra për t’i shitur në hyrje të qytetit. Nga njëzet e shtatë, bëhen tridhjetë sepse edhe thasët me misra nuk do të qëndronin havadan... Pak më tutje, ndalon përsëri dhe merr edhe një tjetër, me një tepsi të mbushur me manaferra, pra u bënë tridhjetë plus edhe një tepsi me manaferra Në sfond duket polici, i cili si për koincidencë shijonte një misër të pjekur. (Organet e kontrollit të shtetit apo drejtuesit e institucioneve për zbatimin e ligjshmërisë, merreni si të doni). Pasagjerët, (populli), që me vështirësi marrin frymë, pëshpëritin: “Bobo, do t’ia marrë patentën djalit që na bëri nder dhe ne i bëmë qeder” duke u ulur edhe më poshtë akoma që të mos dukeshin nga polici. Ai që nuk e prish fare terezinë, është shoferi (politikani) që ia kanë marrë mirë dorën të lidhen e të bashkëpunojnë me organet e kontrollit dhe institucionet e shtetit, që kur shohin paranë, ters e vërtitin “sherihanë”. Me një gjest autoritar, polici i bën shenjë makinës të hapi krahun dhe të ndalojë. “Bobo ç’e gjeti shoferin tani, filluan pëshpëritjet. Nga këta pasagjerë, (ky popull), askush nuk mori guximin t’i thoshte drejtuesit në shkelje të ligjit, “More, çfarë jemi ne, kunguj apo njerëz”! Apo, t’i thonë deputetit, politikanit: “Ku i keni premtimet që na bëtë para fushatës zgjedhore”? Që kishin hall, jemi dakord, por jeta është më shumë se halli, sepse në fund të fundit, janë njerëz e nuk janë kokrra manaferrash, duke i dhënë shkak që me heshtjen dhe verbërinë e tyre u japin shkak njerëzve të “pangopur” që t’i trajtojnë si skllevër, pasagjerët në makinë dhe popullin që nuk “bëzan”. Makina frenon lehtë dhe nga mbingarkesa, kaushët me manaferra, bien mbi kokat e njerëzve dhe merret me mend si u bënë. Edhe po të ankoheshin do të ndeshnin në vështrimin e egër të pasagjerëve gjë kjo e cila do të ishte një hiç përpara “gjëmës” që mund të gjente shoferin, (politikanin) që i besojnë për të drejtuar. Siç e thamë, vetëm shoferi (politikani) nuk qederosen sepse kanë një bazë ku (lidhen me fije të padukshme) që ia dinë mirë “midenë” njëri-tjetrit që pasagjerët, (populli) nuk i dinë! (i pafajshëm)! Makina ndalon pranë këmbëve të policit dhe ky, pa lëvizur nga vendi “çirret” e “bërtet”. (Është i rreptë shteti), por pa u afruar tek makina për të parë sa ishte kapaciteti i saj dhe sa pasagjerë ishin brenda. “Ho mo a ke nonji jasht veneve? Jo, jo, shef-o” dhe në këtë moment, shoferi rrëmben nja dhjetë copë misra nga thesi “agait” (pse të fortët që shkelin ligjin mos vallë do të paguajnë për shefat lart, nga xhepi i tyre? I fut ato në një “qese”, fut aty brenda edhe diçka tjetër (me vete, mërmërit, o bo bo iku patenta). Një nga pasagjerët, sikur deshi të përfitonte nga “zemërgjerësia” e pronarit të misrave dhe i drejtohet: “Dua edhe unë nja katër pesë copë, bëhet? “Pse vëllai-o mos i kam gjet në rrugë unë. Hidhi paret dhe të marrësh sa të dush, unë nuk kom dal për sevap”. Mos shif shoferin ti, çfarë të kam unë ty? Shoferi, bashkë me misrat largohet dhe pronari i misrave i thotë “Ho mo merr sa të duash, a don ma”? Shoferi, me vrap i çon ato në anën tjetër ku ishte makina e policit sikur nuk kishte të bënte fare me policin, por dukej sikur ia çonte ndonjë miku të vet! Ja kështu edhe shumë banorë të Tiranës, në festën e 1 Majit para disa viteve, me çantat e mbushur me ushqime dhe pije, ngrinin dolli për shtetin për “mirëqenien” që u ka siguruar. Polici, që ndoqi veprimet e “opozitarit” të tij, kur pa që “gjithçka ishte në rregull”, që pasagjerët ishin sipas udhëzimeve “anti Covid” makina me “gjysmën” e kapacitetit, i dha “vizën” për të vazhduar lëvizjen në destinacion, duke mos munguar as britma “këshilluese”: “Edhe kujdes ë, asnjë jashtë vendeve”! “Po po, e di shef-o” dhe shoferi buzagaz i vendos këmbën pedalit të gazit e bëhet erë, sikur brenda makinës së tij të kishte “qerpiçë” për kasollen. Mbasi pasagjerët, zbresin kur u filloi dhimbja e kockave u bënë “trima”: “E njof unë e njof këtë maskara, kam udhtu edhe herë tjetër dhe kështu ka bërë. E njof mirë unë këtë, por to të takohemi herën tjetër e ta shohi”. Diskutimet e shumta mbylleshin me një konkluzion “Kurrë nuk kam me hy më tek ky i paudhë”! Për politikanin, kurrë nuk kemi për t’ia dhënë votën këtij që nuk na boni as i gjo”! Shajnë, urrejnë, mallkojnë, betohen, përbetohen, ankohen, na kanë lënë mbrapa, jetojmë në mizerje, me këta njerëz nuk bëhet Shqipëria etj. etj. dhe deri këtu, asnjë hap më tej, jo atje ku është vendi, atje ku duhet, por, vetëm në kafene, në rrugë dhe asnjëherë atje ku është vendi. Edhe shoferët edhe politikanët janë mësuar me këta pasagjerë, (popull). Kanë kaluar kështu tridhjetë vite dhe gjendja nuk është as ajo ku e la diktatura, por edhe më keq akoma. Janë bërë gjatë këtyre tridhjetë viteve shumë protesta, por asnjëra prej tyre për gjendjen ekonomike, për mungesën e ujit që vazhdon të jetë problem edhe në këtë fillin të dekadës së tretë të shekullit të 21-të. Po përse janë bërë protestat? Janë bërë vetëm atëherë kur i bën thirrje opozita, që të ikin nga pushteti kundërshtarët e tyre dhe të vijnë këta “të mençurit”, këta që janë ideatorët dhe projektuesit e këtij sistemi të korruptuar deri në rrënjë. Dëgjojmë e ç’nuk dëgjojmë edhe në këtë fillim viti të Ri, dëgjojmë avazin e tridhjetë viteve të shkuara, vetëm pisllëqe, vrasje, krime, stres, vjedhje. Deri kur kështu? Të gjithë pranojmë që jemi vendi më i varfër në Europë, me të ardhurat më të pakta për frymë, me probleme të shumta në infrastrukturë, me taksat më të larta në vendet e Ballkanit dhe askush nuk e ngre zërin, të gjithë heshtin. A është protestuar ndonjëherë për këto probleme shqetësuese për të gjithë? Absolutisht jo. Në këto kushte kur shteti, politikanët, nuk kanë opozitë, nuk kanë sindikata, ata bëhen opozitarë me njëri-tjetrin, i çirren e i bërtasin njëri-tjetrit, shpifin dhe akuzojnë njëri-tjetrin, padisin dhe ç’padisin njëri-tjetrin dhe më pas, populli, u qan hallin, ca “kaut” të zi, ca të tjerë “kaut” balash që as njëri e as tjetri nuk i qan hallin shumicës. Ata, “britmat çjerrëse” akuzat e ndëshkimet që u bëjnë njëri-tjetrit, i kanë sa për të “larë gojën” sepse në parim, kanë të njëjtin qëllim për të qëndruar në pushtet apo për të ardhur në pushtet. Askush të mos mendojë se gjendja do të ndryshojë, përkundrazi, gjendja do të vazhdojë po kjo, në mos më keq akoma, derisa kjo “heshtje lemeritëse” për të cilën flet Martin Luter King, të bëhet zëri i vërtetë i sovranit për të bërë të mundur atë që kur shteti ka frikë nga populli, ka demokraci të vërtetë dhe në të kundërtën, kur populli ka frikë nga politika, atje ka diktaturë. Tani, kemi të drejtë të themi, edhe udhëtarët e furgonit që u “betuan” që nuk do të hipin më në atë makinë edhe populli që thotë ky apo ai deputet ta harrojë që unë do i jap votën, përsëri kur vjen puna, harrohen të gjitha dhe në krye të “sofrës” do të kemi po ata. Kur këto thuhen nëpër kafene e në rrugë si për t’u eglendisur, avazi tridhjetë vjeçar do të vazhdojë. Të kuptohemi, të tillë janë pak, por “heshtja lemeritëse” kthehet në tragjedi sepse “nxit ” që të tillë të bëhen shumë…