BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

"Neandertalizmi" filozofik i joni, mbi "demokracinë pa sistem drejtësie të zbatuar"!

"Neandertalizmi" filozofik i joni, mbi "demokracinë pa

Është për të ardhur keq, që për gati tre dekada, nuk arritëm të ndërtojmë një demokraci ku në bazë të kishte sundimin e ligjit. Faktet e sotme, janë një realitet i qartë absurdi mbi fajin e madh filozofik dhe politik tonin, ku perceptimi i demokracisë ishte "liria e veprimit në shoqëri jo të drejtë, pa ligje të shprehura dhe të mbrojtura nga kjo shoqëri që jemi sot". E kanë kuptuar të huajt dhe pothuaj e kemi kuptuar dhe ne, por që në të vërtetë kemi tre dekada që katapultojmë elita politike të pathyeshme në zakonin dhe marrëzinë retro, që ligjin e kanë një diçka jo të bashkuar me lirinë. Kurse demokracia është pikërisht "liria me ligje". Ndërtuam një sistem që lind vazhdimisht ligj të pazbatueshëm dhe akoma më në absurd, të zbatueshëm keq, me drejtësinë hallkën më të dobët dhe fatkeqe në themele të shtetit. Nuk kemi jetuar që nga shumë kohë edhe përpara 1990-ës, në një shtet dhe sistem, asnjë ditë në zbatim të ligjit dhe si pasojë asnjë ditë në demokraci. Për këtë arsye pothuaj asnjë ditë në liri të vërtetë dhe si koncept modern. Duke bërë një krahasim jo kaq shumë "lumturi plotë" por që tenton të ngarkojë gjithë shoqërinë me faj - jemi "neandertal-asit" e mbetur pa zhdukur të sistemit para "homo sapiens" në drejtësi. Dua të them se "neandertalët" ishin specia e cila realisht u zhduk nga fitorja e përshtatjes dhe suksesit të "homo sapiens-it". Por dallimi i tyre nuk ishte vetëm se "homo sapins" ishte "njeriu i mençur" ose i ditur, por nga diferenca parësore mes tyre. Diferenca mes "Neandertal-asve dhe Homo Sapiens" është se të parët ishin gjuetarë, mbledhës ushqimi, kurse “Homo Sapiens" nga kemi origjinën ne të gjithë - kalonin një jetë stabël, duke prodhuar ushqim nga agrikultura dhe zbutja e kafshëve, veçori që bëri zhdukjen e "Neandertal-asve" para 40.000 viteve dhe fitoren e Homo Sapiens-ave deri më sot. Fitorja e këtyre të fundit, kishte në bazë kreativitetin dhe rregullin ose në prehistori formën primitive të ligjit. Nuk i lanë jetës së tyre vetëm instinktin, por "zbuluan përshtatjen" dhe zbatimin e zakoneve ligj për mbjelljen, korrjen, ushqimin e ruajtur dhe ligjësinë e përsëritjes së rregullit në bashkëjetesë. U detyruan të zbatojnë ligjet e tyre prehistorike që funksionojnë deri me sot në organizimin primitiv familjar dhe fisnor. Ne në përgjithësi dhe sot dhe pse kuptojmë dhe duam rregullin dhe ligjin, kemi deformuar filozofinë mbi sundimin e tij. Jemi (si të thuash) të fundit "neandertalas" që akoma demokracinë e konceptojmë "liri pa ligje dhe rregulla të përbashkëta". Ose akoma më keq, me "rregullat e më të fortit" dhe rregullin absurd të fitores së antiligjit. Sot po kuptohet pse të huajt duan të shkatërrojnë të gjithë sistemin tonë të drejtësisë. E për mua kanë shumë të drejtë. Ne kemi pasur dhe kemi sistem drejtësie - neandertal-as. Instiktiv, të padrejtë dhe jashtë konceptit në shërbim të shoqërisë, të mirës së përbashkët. Ne kemi shkatërruar pronën akoma më shumë se sa diktatura e Enverit. E kemi transformuar atë në sajë të "drejtësisë së padrejtë" ose neandertalase në bumerang shoqëror. Kemi zaptuar, kemi dyzuar dhe kemi shkatërruar pronën dhe tokën tonë me "drejtësinë e padrejtë" dhe për më tepër politike. Me elitën "neandertalese" të ngritur fajësisht prej vitesh, kemi sajuar monstra morboze padrejtësie politike si partitë e fiseve, kryetarit të fisit dhe korrupsionit ku sundon vetëm një ligj - ai i neandertalasit "shef tufe" si organizim medemek vullnetar. Mbushëm drejtësinë me individët më të denatyralizuar demokrativisht në zbatim ligji dhe dhënie drejtësie për të zbatuar rregullisht ligjin. Të cilët lejuan të mos ndëshkohej krimi korrupsionit, krimi ekonomik, krimi rrugës dhe krimi politik. Nuk lejuan një ditë të vetme të zbatohej ligji. Mbrojtën pikërisht konceptin "neandertalas" mbi shoqërinë e cila vetëm gjuan, është gjuetare, që nuk prodhon dhe që nuk pranon jetën komunitare me rregulla të zbatuara dhe ligj të ushtruar normalisht. Janë bashkë me politikën, fajtorët më të mëdhenj të shoqërisë sonë e cila sillet si "homosapiense" dhe jeton me rregulla - neandertalase. E nuk janë fajet vetëm të Berishës, Nanos, Metës, Ramës (kapot e tufës) dhe të tjerëve për këtë sistem. Jo është dhe faji jonë. Na pëlqen vetëm të jemi gjuetarë, të grumbullojnë ushqim dhe pasuri, por më pak të prodhojmë, të zbatojmë rregulla të përbashkëta për të jetuar në komunitet dhe kështu të zhvillohemi si shoqëri në modernitet. Krahasimi është paksa i rëndë, por më të mirë se sa ky krahasim në qoftë se duam të përfitojmë nga faji - nuk mund të ketë. Prandaj kemi humbur pasuritë tona dhe mjafton të kujtoj vitin 1997-të. Kështu nuk shfrytëzojmë dot bakrin, kromin, naftën, gazin, pasuritë natyrore dhe atë që na ka falur territori ynë madhështor ku mund të jetohet shumë lehtë, shumë më lehtë se sa në Suedi. Por por në Suedi mbas përfundimit të "neandertalasve" - njerëzit u përshtatën, zbatuan ligjet e shoqërisë dhe jetojnë, duke pasur shumë më pak resurse, shumë më mirë se ne që kemi më shumë. Të tjerat që mundohemi të arsyetojnë me armiq të shumtë, histori kundra nesh dhe pushtime - nuk do të na sqarojnë kurrë fajin tonë. E njëri prej tyre ose më i madhi është "ankesa" jonë e vazhdueshme për zbatimin e ligjit dhe ushtrimit të tij. Kaq dhe nuk besoj se ka më shumë nevojë për të nxjerrë pastaj konkluzione më të shumta dhe më të detajuara. E për fat të keq, akoma nuk e dimë se kur do të mbarojë kjo fatkeqësi.