BREAKING NEWS

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në disa qytete të vendit, ja ku ishte epiqendra

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në
x
BREAKING NEWS

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, zbardhen detaje nga dosja që e ka fundosur

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i
x

Opinion / Editorial

Neveria e demagogëve korruptivë kur flasin për urinë pa e provuar një ditë!

Neveria e demagogëve korruptivë kur flasin për urinë pa e

Kush nuk e di se në Shqipëri, pagesa e pensioneve dhe paga minimale janë në zona urie? Kush nuk e di se 100 euro pension dhe 150-160 euro pagesa minimale që realisht paguajnë në Shqipëri jo ato që regjistrojnë te zyrat e qeverisë janë pagesa urie? Çfarë mund të zgjidhësh me 100 euro pension? Çfarë? Si të ngrohesh, si të paguash energjinë, ujin dhe ushqimet. Si të blesh ilaçet e skaduara që tenderat e miqve të Ramës fitojnë për ilaçet e skaduara të pensionistëve? E ky nuk është majtizëm dhe as populizëm, por thjesht realizëm dhe diçka që e dinë të gjithë përveç...atij.  Si të jetojë një djalë i ri me pagën e një kamerieri 200.000 lekëshe të vjetër, sepse nuk paguhet me shumë? Si të martohet dhe si të vishet? Po një murator qoftë dhe me 10.000 deri 15.000 lekë të vjetra në ditë pa sigurime, pa siguri dhe pa orë të përcaktuara në ditë dhe pa ditë të dielë dhe aspak të sigurtë se do të punojnë vazhdimisht? E pastaj preferojnë të shkojnë në Mal të Zi ku sëpaku aty iu japin 20 euro në ditë dhe bukën e drekës e darkës dhe fjetjen gratis. Me çfarë do të blejnë shtëpi dhe ta ngrohin atë? Me çfarë do të blejnë librat e fëmijëve? Po këpucët? Po pagat minimale dhe pensionet në Shqipëri përbëjnë mbi 1.000.000 individë dhe kjo sasi impresionante marrin mesatarisht nga 100 – 200 euro në muaj? E sigurisht kjo është pagë urie. Njerëzit që marrin 100-200 euro në muaj janë në uri. Me çmimet tona dhe nivelin tonë shpesh herë më shumë se sa në BE për elementë elektronikë dhe karburante e tatime. Kush nuk e di? Këtë nuk e di Edi Rama, nuk e ka ditur (nuk ka dashur të dijë) Fatos Nano, nuk e ka ditur Sali Berisha që besonte vetëm veten e tij ose kopukë si vetja e tij. E pse nuk e kanë ditur? Nuk e kanë ditur sepse asnjë ditë në jetën e tyre nuk kanë pasur uri. Asnjë ditë në jetën e tij Sali Berisha, të cilin e përkëdheli PPSH-ja e tij. Asnjë ditë Fatos Nano që e përkëdheli PPSH-ja e tij, asnjë ditë Edi Rama se e përkëdheli PPSH-ja e babait të tij. Akoma më qartë nuk njohin uri në demeko demokraci. Asnjëherë nuk menduan se si do të jetojnë deri në fund të muajit. Asnjëherë nuk menduan se si t’ia bëjnë t’iu veshin fëmijëve këpucë të reja për vit të ri shkollor. Asnjëherë nuk menduan në se fëmijëve ju kërcasin zorrët atëherë dhe tani nga uria dhe asnjëherë nuk iu munguan paratë për ilaçet. Nano dhe në burg hante më mirë se jashtë burgut. Mirëpo këta tre tipat, kanë bërë kryeministrat e këtij vendi dhe sigurisht është dhe arkeologu Meksi, por unë e përjashtoj, sepse ishte kryeministër që eklipsohej nga Berisha. Sot në krizë energjitiko ekonomike, njeriu që tashmë demagogjinë dhe arrogancën e saj e ka talent donkishotesk, por ndryshe nga Berisha në folklorizëm, por si art thotë: Dikush mund të thotë e mirë, po këto s’janë asgjë, për sa kohë nuk rriten pensionet në mënyrë domethënëse. Disa madje thonë, bëje pensionin minimal 300 euro dhe pagën minimale 500 euro, pastaj mund të kesh fytyrë e të na dalësh përpara. Unë ju them, nëse ne e rrisim pensionin minimal sot jo në 300 euro, po në 300 mijë lekë, në fund të vitit të ardhshëm ne duhet të mos bëjmë më investime dhe brenda 2 vjetësh, do të përjetonim falimentimin më tragjik të shtetit, ku jo vetëm s’do kishte më pensione, po për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga koha e Skënderbeut, do të shikonim çfarë do të thotë në të vërtetë të mos ketë bukë për të ngrënë. Ndërsa nëse e rrisim edhe pagën minimale jo në 500 euro, po në 500 mijë lekë, na duhet vetëm një vit të hyjmë në krizën e parë të urisë në 500 vjet histori. Si fillim, kemi qenë në dy kriza urie, por kështu ia kanë mësuar historinë Ramës. Kemi qenë në krizë urie dhe në Luftën e Parë Botërore dhe kanë vdekur nga uria. Kemi qënë në uri dhe në fundin e diktaturës ku sasia ushqimore e individit në Shqipëri po barazohej me Afrikën. Por Rama në ato kohë jetonte shumë më mirë se sa kooperativistët e atyre zonave që nuk iu lejonin as bagëti, as shpend asgjë. E merrnin 15 lekë për ditë pune. E vërtetë është ajo që thotë demagogu artist arrogant si kryeministër i shqiptarëve. Po të rrisësh pensionet 300.000 lekë dhe pagat minimale 500.000 lekë do të shkojmë në krizë, por kjo sepse tenderat dhe PPP do të marrin të gjithë mundin e djersën e taksapaguesve dhe asnjëherë nuk shërbyen si me Berishën dhe Ramën për të ngritur proporcionalisht pensionet në dinjitet dhe pagat minimale po ashtu. Biles as Rama që dikur fliste për pagesën e dinjitetit ose pagesën minimale jetësore nuk flet më. Rama kujton se nuk është pagesë urie një pension prej 100 euro. Ai thotë po rrita pensionet 300.000 lekë dhe pagat minimale 500.000 lekë do të hyjmë në uri. Ai nuk di se në uri praktikisht janë ata që kanë pensione 120.000 lekë të vjetra dhe paga 200.000 lekë të vjetra (sepse nuk iu jep kush më shumë) dhe pikërisht kur thotë këto fjalë idiote, nuk arrin të kuptojë se është në grotesk si dikur Berisha kur thoshte jemi pak më poshtë se Gjermania ekonomikisht në rritje. Rama nuk di se ka një sasi impresionante pensionistësh dhe të papunësh realë (jo ata që nuk duan të punojnë) dhe rinie page minimale apo gra dhe vajza në fasoneri që janë me paga urie. Nuk e di dhe nuk do ta dijë. Ai do ta dinte në qoftë se do të detyrohej të kuptonte me një eksperiment që të jetonte ai dhe familja e tij me dy paga minimale dhe të plotësonin kushtet familjare të sotme. Rama sillet si një delirant, që nuk do të besojë se ka uri. Ka uri në raport me demokracinë. Nuk vdes kush, por janë në uri për qeratë e shtëpive tepër të larta, për bukën e shtrenjtë dhe për vajin e shtrenjtë, për mishin e shtrenjtuar dhe për ngrohjen dhe elektrikun e pa përballueshëm. Kanë uri për pagesat e ilaçeve dhe të fëmijëve në shkolla. Kanë uri, por Rama këtë nuk e di dhe thotë se ne hyjmë për herë të parë në uri, po bëmë pensionet 300.000 lekë. Unë e di se ai nuk i bën sepse do të paguajë të gjithë konkubinat e politikës dhe të biznesit apo dhe ekonomisë me paratë e fukarenjve dhe të tregtarëve dhe të shtresës së mesme dhe të vogël që iu rrjep lëkurën me taksa. Ai nuk i bën pagat asnjëherë aq, sepse ka investime kapitale që iu shkojnë miqve të tij të biznesit politik në Shqipëri. Ai nuk do t’i bëjë kurrë pagat dhe pensionet aq, sepse nuk do, urren të jetojnë mirë ata poshtë. Ky është karakteri i tij dhe për fat të keq, të të gjithë mashtruesve të tjerë që ky popull i çon lart që ata pastaj t’i rrjepin lëkurën. Kështu që kush e kupton këtë natyrë njerëzore të Ramës dhe Berishës apo Bashës, apo të gjithë lëtyrave të pushtetit thotë: ika unë dhe nuk kthen kokën pas.