Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Nga Apeninet në Andet ose nga periferia, në qendër të Tiranës!

Postuar: 26/05/2019 - 07:39

...E më keq akoma, të udhëtosh nga një cep i periferisë në cepin tjetër si fjala vjen nga Babrruja në Allias, apo nga ish Kinostudioja në ish Kombinatin e tekstileve!... Nuk e kam fjalën për Markon e vogël, personazhin e librit “Zemra” të novelistit të shquar italian Edmondo de Amicis, i cili u nis nga Apeninet në Veri të Italisë e deri në Apeninet në Argjentinë, në kërkim të nënës së vet.. Jo, unë e kam fjalën për mijëra e mijëra “Marko” në Kryeqytetin tonë, që shkojnë për të zgjidhur hallet e tyre brendapërbrenda Kryeqytetit apo në periferi të tij... Vetëm hallet ndryshojnë sepse “halli hallit nuk i ngjan”. Tjetër hall kishte Markoja dhe të tjera halle kemi ne, “markot” që udhëtojmë me autobusët urbanë brenda përbrenda Kryeqytetit! Hallet ndryshojnë por koha që duhet, është përafërsisht e njëjtë!

Dua sikur të largohem pak nga politika e përditshme por, ngado që të shkoj përsëri do të dal po në atë “qafë” në atë të politikës, që nuk do t’ja dijë për “tmerrin” e trafikut në Metropol! Nejse...

 E akuzojnë politikën shqiptare, këtej e përtej kufirit sikur duan të krijojnë Shqipërinë e madhe. E vërteta është ndryshe sepse ne, jo vetëm Shqipërinë e Madhe” nuk po përpiqemi të krijojmë, por edhe kështu si e kemi sot, po e “rrudhosim” dhe po shkojmë drejt krijimit të “Shqipërisë së Vogël” brenda kufijve të Tiranës me rrethinat e saj!... Kjo është njëra anë, sepse çdokush ka të drejtën e tij të lëvizi lirshëm e të shkojë atje ku ai jeton më mirë, atje ku i krijohen kushtet për një jetë normale, në këto kushte dhe mundësi që janë. Po si i përgjigjet “pritësi” apo shteti i këtyre mijëra e mijëra të ardhurve nga krahina të ndryshme të Shqipërisë? Sikur ta pyesësh shtetin, me siguri, dhe jam shumë i sigurt për këtë që do të marrësh një përgjigje të tillë: “A nuk e shihni punën që po bëjmë për ndërtimin e unazave në mënyrë që të eleminohet ky trafik i rënduar që nisesh në mëngjes nga ish Kinostudioja dhe përfundon në ish Kombinat në drekë? Ka edhe kjo një grimë të vërtete brenda saj, siç ka edhe shumë të tjera kur shteti kujtohet “pas pilafi”, që pasi qytetarët kanë ndërtuar shtëpi e biznese, vjen një ditë dhe shteti kujtohet për të ndërtuar atje një unazë. Qytetarët mund të kenë “kusuret” e tyre, por fajtori kryesor është shteti. Pse ai i ka lejuar që të ndërtohen vend e pa vend dhe vjen një ditë e kujtohet për prishjen e tyre? E dyta, pse është zvarritur legalizimi i tyre për vite e vite me radhë dhe një ditë, ose i nxjerr të paligjshme, ose edhe të ligjshmet, nuk i shpërblen me vlerën e tyre. Ç’është kjo administratë dhe këto institucione që zvarritin punët e tyre me dhjetra vite si puna e vendimeve të gjykatave? Një veprim i tillë është më shumë se spekullim sepse projektet, urbanizimin e ku ta di unë, më mirë se kushdo i dinë specialistët e pushtetit qendror apo vendor. Po të shohësh këtë Tiranën tonë menjëherë do të të bjerë në sy një kaos ndërtimesh vend e pa vend, e njëjtë me atë të parkimit të makinave. Nuk po dal nga tema, mbasi jo pak bëhen pengesë për trafikun e rënduar edhe parkimi i makinave. Sa e sa raste vdekjesh ka pikërisht për atë shteti i ka lejuar të ndërtojnë kuturu dhe në rrugicat e ngushta që gjarpërojnë nëpër lagje, edhe laraska hyn me vështirësi e jo më makina apo ambulanca.

Tirana, si edhe qytetet e tjera, është qytet i një lloji të veçantë ku ndryshe nga qytetet e botës, nuk bëhet më parë plani urbanistik, por bëhen ndërtimet më parë dhe më pas, pas dhjetë apo njëzet vitesh vjen plani urbanistik, plan i cili “është bërë qysh në kohën e Adil Çarçanit”! Janë intensifikuar këto ndërtime sidomos tani në prag zgjedhjesh dhe ku? Rreh e qark qendrës së kryeqytetit! Helbete, më shumë se kurrë, duhet shfrytëzuar rasti tani që duhen para dhe vota! Rrugët janë mbushur tërë pluhur me ngjyrën e vendit ku bëhen gërmime për të bërë pallate dhe makinat e rënda transportojnë inerte ditën dhe natën...

Nejse, këto nuk janë temë tjetër sepse direkt apo indirekt zgjatin kohën deri në destinacion. Më shkojnë në mendje këto gjatë kohës që megjithëse kemi hypur në autobusin urban ku kanë kaluar dhjetë apo pesëmbëdhjetë minuta, jemi në pritje të fatorinos që ka shkuar të hajë ndonjë byrek apo të pijë një kafe! Pasagjerët qëndrojnë ngjitur me njëri tjetrin dhe sikur të mos mjaftonte kjo, duhet t’i hapësh edhe rrugë një fatorinoje të shëndoshë që duke ngulçuar dhe përtypur fara luledielli, shtyn pasagjerët për të hapur rrugën e të presi bileta. Të rinjtë e të rejat, si më të shkathët që janë, kanë zënë vende ulur dhe nuk ndihen sepse “janë të punësuar” nëpër telefona që “çuçurrisin” pa pushim. Ata dhe ato, nuk humbasin kohë sepse atë kohë që do të kalonin në kafenë, e kalojnë në autobus duke kryer të njëjtën punë me të njëjtin rendiment! Ne, të moshuarve që nuk i kemi shumë qejf telefonat na turfullon koka! Autobusi niset. Nuk kalojnë disa minuta dhe sërish ndalon. Rrugën e ka zënë një makinë në krahun e tij dhe duhet të presim derisa shoferi i makinës të shkarkojë domatet dhe qepët! Ende pa shkuar në stacion, një “garip” me makinë luksoze që e ka punën “me ngut” i del përpara autobusit dhe i pret hovin! Makina atij i fiket dhe ne, bashkë me shoferin e inatosur presim. Kemi bërë jo më shumë se 4-500 metra dhe afrohemi në stacion, por aty janë parkuar makina. Autobusi ndalon diku larg dhe pasagjerët zbresin. Të tjerët presin në stacion që e duan autobusin të shkojë atje ku e ka të ligjëruar, jo më larg se tridhjetë metra. Hapet një vend në stacion dhe hypin të tjerë. Mirë që autobusi hyri në stacion, por si i bëhet halli për të dalë në rrugë! Makinat varg prapa ti nuk i japin sinjal që të hyjë edhe ai në rradhën e “shokëve”! Mbas një kohe dhjetë apo njëzet minuta, sepse është më mirë të mos e dish që kur je nisur, përsëri ndalojmë. Buritë ulërijnë, por askush nuk lëviz. Dikush thotë që rruga është bllokuar nga makina e plehrave! Punonjësit e saj, të bërë çakërrqejf, na shkelin syrin dhe duket sikur na thonë: “Aty qëndroni dhe mos u shpejtoni”! Makina e plehrave përpara dhe autobusi prapa saj! Çudia e rradhës është që plehrat nuk hiqen si në tërë botën në orët e mesnatës apo në orët pa trafik, por hiqen pikërisht në orët e mesditës apo të drekës, kur trafiku është në kulmin e ngarkesës. E kalojmë edhe këtë nyje, por autobusit i duhet të eci me hapin e breshkës. Çfarë të them tjetër? Më tej, një makinë ka qëndruar kryq në mes të rrugës dhe pret edhe ai t’i hapin rrugën të tjerët e pritja kalon “dorë më dorë”. Trafiku i makinave nuk të lejon t’i afrohesh semaforit pa bërë edhe tre-katër stacione të tjera. E po të llogaritësh numrin e semaforëve, le t’i bëjnë llogaritë qytetarët se sa kohë i duhet të shkojnë në destinacion. Vetëm se këto llogari nuk duhet t’i bëjnë me aritmetikën e Lulit, por të “Lalit”! Mirë e kanë shoferët që thonë “Nisja dihet por mbërritja jo”! Të gjithë e dinë, të gjithë i jetojnë këto skena por, ku është shteti? Do të thotë dikush “po ku është faji i shtetit”? Faji i shtetit është qoftë ky shteti i vogël, i ri apo lokal, qoftë i madh e i gjatë, vepron së prapthi!

Ndërsa popullsia në Kryeqytet është shtuar pesë apo gjashtë herë, po kaq herë janë ngushtuar edhe rrugët, sepse Lali Eri, në të dy anët ka bërë rrugë për biçikleta, bile edhe me dy korsi dhe përsëri këto biçikleta nuk shkojnë atje ku i thotë Lali Eri, por në rrugën e makinave dhe në trotuare, atje ku ka! Janë po ato rrugë, edhe kur Tirana kishte njëqind e pesëdhjetë makina, edhe sot që ky numër është qindfishuar disa herë! Për trotuare nuk bëhet fjalë sepse dalëngadalë ato po hiqen fare. Ku ka më mirë që makina, qytetarë, karroca, dum-dumë, vinça të kalibrave të ndryshëm, makineri të rënda me inerte, motorra të kohës së Luftës etj., etj., që nxjerrin blozë, të jenë të gjithë bashkë, në rrugë për të shkuar në Europë? Dikush aty pranë më thotë: “Më mirë të kisha shkuar në këmbë”! Po mirë i them, mos kujtoni që në këmbë shkon më shpejt në destinacion? “E ku do të kaloni”? Në trotuare që janë të zëna me klientë që hanë qofte, që janë mbushur me tavolina apo me prodhimet e fshatarëve, apo të ecësh në rrugë duke marrë në sy rrezikun jo vetëm nga makinat por edhe nga biçikletat për të cilat nuk kanë as shpejtësinë e lejuar, as nuk njohin semaforë dhe më keq akoma nuk shkojnë atje ku i thotë lali Eri! Veç kësaj, duhet të jesh i pajisur edhe me mjete mbrojtëse, si helmetë për ruajtjen e kokës, kundërgaz për filtrimin e aromave “të këndshme”! Duhet të kesh edhe një parzmore, sepse edhe 10 m rrugë të bësh kush e di se me sa kalimtarë përplasesh sepse nuk shohin rrugën por shohin telefonat duke qeshur me vetveten dhe përfundon në rrotat e ndonjë makine. Kanë ndodhur pa tregohen! A nuk kam të drejtë të them që edhe Markoja që u nis nga Apeninet e veriut të Italisë, shkoi më shpejt në Andet në Argjentinë në kërkim të nënës kurse ne “markot” e Kryeqytetit, nuk kemi shkuar akoma tek “Pallati me shigjeta”? Nuk është çudi që derisa të shkojmë në ish Kinostudio, me siguri edhe Markua do të ketë mbaruar punë në Argjentinë dhe do të jetë kthyer! Po të isha i ngeshëm, nuk do të më vinte keq, por shpejtoja për të kapur një “ofertë të çmendur” dhe nxitoja, siç e kisha dëgjuar në disa media për të mos humbur këtë rast, por ato na thonë vetëm “Nxitoni” por se ç’heqim ne, këtu në Metropol, vetëm ne e dimë!

Nga Pandeli BARDHI     

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/08/2019 - 07:23

 Fundi i datës 30 qershor dhe fillimi i pushimeve ishte për Bashën, një rrëzim i plotë politik opozitar!

Postuar: 17/08/2019 - 07:22

Gjuha jonë shqipe na lartëson dhe na bën krenarë, sepse ajo konsiderohet si gjuha e parë në Ballk

Postuar: 17/08/2019 - 07:20

 Qëndrimi i kryeministrit Rama pas njohjes me dokumentet e drejtësisë italiane të servirura

Postuar: 17/08/2019 - 07:17

Ky vit është viti jubilar i 75 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, ndaj dhe jehona, kremtimi dhe pub

Postuar: 17/08/2019 - 07:15

Ne shqiptarët pretendojmë se kemi nisur të udhëtojmë në demokraci, edhe pse votën e lirë e të nde

Postuar: 16/08/2019 - 07:23

(Ne ishim ata që e mbronim dhe kurrë nuk na shkonte ndër mënd të merreshim me shitjen e detit)

Postuar: 16/08/2019 - 07:21

Ky sistem partitokracie me një sundimtar absolut dhe jashtë kontrollit të statuteve dhe vendimmar