Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Nga filmat me Babale në video-skandalet presidenciale

Postuar: 20/11/2019 - 07:14

Të gjithë jemi të përgjuar. Shqiptarë e ndërkombëtarë. Zakon i mbetur nga sistemi diktatorial, ku survejohej jeta private dhe ajo në shoqëri. Përgjim deri brenda familjes. Në zyra. Fabrika. Kapanone ushtarësh. Kudo. Po atëherë ishim të ndërgjegjshëm, se kjo ndodhte dhe secili bënte kujdes të mos binte viktimë e përgjimeve ambientale me çimkat e famshme, vendosur deri në strehëzën e kapelës apo në kokat e krevateve të dhomave të gjumit. Sot në demokraci për survejimet harxhohet pa masë. Këtu në vendin tonë, vazhdon tradita e vjetër që nesër asnjëri të mos mendojë se është i lirë të veprojë në kokë të vet. Duhet ta gjykojë, sa të hedhë një hap në drejtim të kundërt, jo sipas dëshirave të pushtetarëve dhe opozitarëve, do t`i vihet përballë, video përgjimi, materiali komprometues, skandali që t`i lëvizë mendja e kokës dhe t`i thotë zotit: Ç’të kam bërë?! Mjeshtrit e përgjimeve janë bërë kryemjeshtra. Përgjimet po shndërrohen në sisteme seriale me autor nga i pari i shtetit tek më periferiku. Kontingjent të përgjimeve janë bërë bariu i deleve, fermeri në fushë, biznesmeni, intelektuali, pastruesi, lulishtari. Së fundi edhe peshqit e mëdhenj, ambasadorët. Të gjithë kanë nga një sekret të cilin duhet ta dinë ata atje lart. Video-përgjimet janë kthyer në sistem. Gati si një makth që të qëndron pas veshit. T`i ecën në punën tënde, po video-profesionalistët të ndjekin hap pas hapi, si hije në dritë të diellit dhe netëve të errëta pus. Të shoqëruar nga videot me shumicë, prodhim nga regjisura dhe skenaristë të SHQUP-it, me autorë ish-deputetë të PD-së dhe gazetarë të oborrit, u mbajt peshë kureshtja për një vit. Çfarë nuk u sajua kundër zyrtarëve më të lartë të mazhorancës. Në qendër u vu ministri i Brendshëm i kohës. Fatmir Xhafaj, i cili patjetër duhej të pleksej me bëmat e vëllait të akuzuar si trafikant droge. Efektet politike të video Babales dihen. Pothuaj i vunë flakën Shqipërisë dhe shërbyen si adrenalinë për organizmin e protestave të mëdha në bulevardet e Tiranës. Synimi? Diskreditimi, jo vetëm i Xhafajt si vëlla i trafikantit, po i qeverisë për t`u thënë shqiptarëve, ja cilët u drejtojnë. Historia e kësaj video njihet nga i madh e i vogël në vendin tonë. Çmontimi i saj, si një gënjeshtër e shndërruar në art skenik, u kthye nga tragjike në komike. Aktorët kryesorë që montuan faktet e paqëna në studiot e selitë e partisë në opozitë u shkrinë si kripa në ujë. Heroi i partisë që ishte vendosur në qendër si denoncues, asi i opozitës iku nga sytë këmbët për t`i shpëtuar drejtësisë. Sot gati pas një viti të gjithë autorët e videos kërkojnë t`i largohen produktit të tyre si ata që vrapojnë të ikin nga ndërtesat kur nis të shkunden nga tërmetet. Asnjëri nuk merr sot autorësinë. Ata që mburreshin me gjetjen më të madhe të shekullit, videon anti ministër, super skandalin më të madh që ka ngjarë ndonjëherë në vendin tone janë bërë hije. Të gjithë fshihen, bëjnë të paditurin. Po përgjimet me personazh kryesor “Babalen” një vit më parë kanë mbetur tanimë në hije, si një kujtim i shëmtuar e të bërit politikë. Një plagë e hapur nga të papërgjegjshmit, ata që vënë në qendër të goditjes pas shpine cilindo. Po tek e fundit, ishte një lojë e brendshme me aktorë e lojtarë të brendshëm për qëllime pushteti. Aktorët edhe regjisorët, peshkuan kundërshtarët. Sherre brenda shtëpisë. Së fundi video-skandalet kanë avancuar së tepërmi. Janë në perfeksion. Nga lokale e kombëtare, po shtrihen në ndërkombëtare. Regjisorët dhe iniciatorët e përgatitjes dhe formatimit të tyre nuk merren më me punët e këtushme. Kanë ndryshuar skenaristët. Nga deputet periferik dhe studio partish, janë transferuar në Presidencë, kanë ndryshuar kinostudion, bash në krye të piramidës shtetërore. Në këtë mënyrë pesha dhe problematika që ngërthejnë videot më të fundit as kanë të krahasuar me të djeshmet të cilat para tyre duken minore dhe foshnjarake. Në skenë po dalin përgjimet dhe filmimet me autor vetë Presidentin e Republikës Shkëlqesinë e Tij, zotin Ilir Meta. Pas video-përgjimit të skandaleve me kryetarin e KED, Dvorani, radha u erdhi për të rënë në rrjetë ambasadorit të OSBE-së, Borchard. I vënë në qendër të kritikave për gishtin e mesit për të cilën kërkoi ndjesë, pas ndjekjes deri në apartamentin e banimit, ambasadori është shpallur nongrata nga i pari i shtetit. Nuk do ta ketë më shansin të kapërcej gardhin e institucionit të presidencës, duke i vënë kufi përfaqësuesit të një organizate me tagrin për t’u futur edhe në vendet ku zhvillohet luftë. Embargo kreut të OSBE-së në Tiranë. Aq me tepër kur edhe pak dhe ne do jemi vendi kryesues i saj. Pikërisht sot, përfaqësuesi i OSBE-së është i përjashtuar nga presidenti. Gjendet para semaforit të kuq. Borchard, është trajtuar si të ishte individ nga rruga. E kanë bashkuar me kontingjentet që nuk i duan. Është cilësuar si njeriu që nuk ka mbrojtur dekretet e Metës për 30 qershorin. Me këtë akt nuk armiqësohet zoti Meta me OSBE-në as ka një konflikt të hapur me ambasadorin, po Shqipëria është vënë përball një akti që ka ngjarë vetëm në 1997 kur ra shteti. Zëdhënësit e presidentit përditë japin njoftime të rëndësishme se presidenti do shfaqë videon më të re. Do jetë fantastike. E paparë! Një tjetër video është gati dhe pret që kinooperatori të japë urdhër për t’u publikuar. Duket se jemi para Hollivudit për filmin e radhës. Është një nga ambasadorët që i kanë përgjime ku nuk përjashtohen edhe skena erotike, seksuale. Pas nuk mbetet as ambasadori i BE-së, i cili akuzohet si shkaktari i shkatërrimit të Gjykatës Kushtetuese. Njeriu që i ka dhënë akses të pakufishëm kryeministrit Edi Rama. E ka mbrojtur. Është vet Luigi Soreca, i cili anatemohet fortë nga i pari i shtetit shqiptar, duke e bërë përgjegjës për reformën në drejtësi. Po video-përgjimet nuk mbeten tek Soreka. Tërë ambasadorët e përkëdhelur prej presidentit deri sot, siç deklaroi i pari jonë, presin në rresht për t`u njohur me filmimet dhe video-përgjimet. Janë të gjithë. Përmendur përditë. Me emra. Me simbolika. Tërthorazi. Drejtpërsëdrejti. Janë të gjithë të përgjuar. Tërë ata që nuk janë në krah të presidentit dhe nuk dakordësohen me veprimtarinë e Presidencës, janë të shënjestruar. Të gjithë me video, secili i regjistruar. Ambasadorët duhet të presin për t`u njohur me surprizën dhuratë nga Presidenca. Vetëm koha për njohje të filmit ndryshon. Dikush e ka radhën tani. Të tjerët më pas. Po të gjithë duhet ta dinë se janë të regjistruar. Për ta ka sekrete që do dalin në kohën më të volitshme. Ndaj zotërinj ambasadorë, prisni për t’u njohur me filmin tuaj. Të gjithëve iu është rezervuar surpriza. Ndaj kujdes . Mos dilni në kundërshtim me vendimet e presidentit! Ai e ka shpallur skenarin e radhës për ju. Ndryshe shfaqja e videos iu pret. Dhe kështu me shpejtësi, videot nga kombëtare, po marrin përmasa ndërkombëtare, me objekt qendror juve zotërinj ambasadorë! 

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2019 - 07:09

Shumë shpesh duken nga Gjermania si LVV dhe LDK në momentin kur akoma nuk gjejnë dot një pikë të rëndësishme mbështetjeje themelore për qeverinë e tyre të koalicionit në Kosovë!

Postuar: 11/12/2019 - 07:08

E hëna e 9 dhjetorit ishte pushim, pas së dielës që ishte festë kombëtare, Dita e Rinisë.

Postuar: 11/12/2019 - 07:07

Solidariteti si një produkt shoqëror, lind, rritet e zhvillohet në shoqëritë e emancipuara.

Postuar: 10/12/2019 - 07:12

Është vlerësuar korrekt qëndrimi i Lulzim Bashës pas tërmetit të 26 nëntorit.

Postuar: 10/12/2019 - 07:10

Post tërmeti sigurisht ka mënyrën më të mirë "përfituese" kur nxirren konkluzione, jo v