Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Nga kush kanë frikë izraelitët në Shqipëri?

Postuar: 11/09/2018 - 07:02

 Në harkun kohor të dy vjetëve në Elbasan janë luajtur dy ndeshje futbolli të kombëtares së Shqipërisë më kombëtaren e Izraelit. Do të doja të flisnim shumë për ndeshjet e futbollit dhe rezultatet e tyre, mënyrën e të luajturit, por më shumë se për të folur për ndeshjet e futbollit, fokusin e analizës e kam tek një fenomen i trishtë dhe shumë i shëmtuar që ka ndodhur në këtë qytet dhe që ka pasur jehonë në Shqipëri.

Një qytet me rrethim total nga policia, bllokim rrugësh në një rreze të madhe përreth stadiumit, policë pa fund, zymtësi me shumicë, makina policie në çdo kënd, gjithçka të jep përshtypjen e një ngjarjeje shumë të madhe dhe ruajtje nga ndonjë sulm bërthamor apo sikur të jemi në një luftë të madhe. Thuhej se ekipin e Izraelit e kishte shoqëruar edhe shërbimi sekret Mosad a thua se do të luhej një ndeshje futbolli apo ndonjë përleshje armiqsh. Si bilanc, mësohet se 200 persona në gjithë vendin janë shoqëruar nga antiterrori për verifikim. Mësohet gjithashtu se personat e shoqëruar janë me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa janë të dyshimtë për rrezik shoqëror.

Nuk ka mbetur njeri pa diskutuar se përse ndodh një fenomen i tillë në mes të Shqipërisë në qytetin paqësor me një histori të hershme me izraelitë dhe ku kanë jetuar shtetas izraelitë në shtëpitë e elbasanasve. Në këtë realitet të pazakontë për Elbasanin dhe në tërësi për shqiptarët, ajo që të bën më shumë përshtypje dhe që të shkon në mendje pyetjen se nga kush kanë frikë izraelitet në Shqipëri, nga kush rrezikohen ata, përse gjithë kjo përkujdesje e jashtëzakonshme?

A mund të luhet futboll nën këtë terror të vërtetë? Futboll është ky, apo ndeshje gladiatorësh si në Romën e lashtë? Nga kush kanë frikë izraelitët kur vijnë në Shqipëri?

Nuk dua të paragjykoj se nuk është mirë të thuhen ato fjalë që nuk i nxë kapaciteti intelektual i njeriut, por është për t’u thënë se këto lloj metodash qytetrrethuese me polici e makina, me pjesëmarrjen e shërbimeve sekrete, të lënë shijen e keqe të veprimeve të një shteti që nuk mirëpritet dhe që merr urrejtje nga popullatat, ku ai i bën këto lloj veprimesh.

Aq më tepër në Shqipëri nuk duhet të ndodhin këto shfaqje të shëmtuara. E them këtë sepse më shumë se të tjerët në Shqipëri, në qarkun e Elbasanit janë strehuar shumë hebrenj gjatë kohës së Luftës II Botërore. Jo vetëm janë strehuar, pro edhe mbrojtur nga shteti shqiptar dhe nga shtetasit e këtij vendi. Është e mirënjohur dhe kanë merituar vlerësimin e mirënjohjes familja Biçaku nga Librazhdi dhe familja Nosi në Elbasan që kanë strehuar dhe mbajtur me dinjitet familjet hebreje si Simon Aruejsti dhe e shoqja e tij dhe shumë pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje, izraelitë që kanë banuar në familjen Biçaku. Apo izraeliti Marko Menahemi që u strehua dhe shpëtoi jetën e tij në familjen Nosi të Lef dhe Vasil Nosi. Dhe shumë e shumë të tjerë në Vlorë e në Tiranë, në Shkodër e gjetkë dhe ky ishte një gjest madhor i një kombi për njerëzit e sulmuar dhe të persekutuar deri në genocide nga nazizmi gjerman.

Nuk duhet të harrojmë se ishte kohë luftë dhe në rrethana shumë e shumë më të vështira se sot, hebrenjtë u mbrojtën me fanatizëm dhe nuk i gjeti asgjë në familjet shqiptare. E gjitha kjo falë edhe zgjuarsisë së kryeministrit të kohës Ibrahim bej Biçakçiut, djalit të Aqif pashë Biçakçiut nga Elbasani. Të mos harrojmë gjithashtu se në mes të hebrejve që mbetën në Shqipëri dhe vendasve u bënë edhe krushqi si Jakov Simeoni që jetonte në Vlorë me një zonjë nga familja Harja e Elbasanit.

Përballë një realiteti të tillë, përsëri bëj pyetjen se nga kush rrezikohen izraelitët në Shqipëri, kush u ka bërë atyre ndonjë të keqe? Shpesh thuhet se ruhen nga aktet terroriste. Duhet pranuar detyrimisht se asnjë akt terrorist nuk i është bërë asnjë izraeliti apo amerikani, asnjë rusi apo europiani në Shqipëri dhe gjithçka që stiset në këtë mënyrë është një ligësi dhe një paranojë e keqe e atyre që e kanë bërë që duket si ai fajtori që ruhet nga gjithkush.

Të bësh kështu për një ndeshje futbolli, të stisësh grupe terroriste siç u veprua në Shkodër me të pafajshëm etj., etj., janë vepra me sens negativ që nuk pëlqehen dhe nuk mirëpriten në Shqipëri. Në ndeshjen e parë që u luajt në Elbasan vërtet u bë një qytetrrethim i jashtëzakonshëm si për një gjendje të jashtëzakonshme dhe ku tifozëria humbi toruan dhe interesimin. Edhe në ndeshjen e dytë po e njëjta gjë.

Mund të thuhet se një veprim i tillë ka ndodhur edhe në ndeshjen e luajtur mes Serbisë dhe Shqipërisë para disa vjetësh, por ajo kishte një arsye nga vetë sjellja e serbëve, por kurrsesi kjo nuk mund të ndodhë me izraelitet, me të cilët nuk kemi pasur asnjë incident, asnjë përplasje, asnjë vepër terroriste. Mirësia e një kombi qëndron tek sjellja dhe veprimet e mira dhe për shqiptarët kjo është një vlerë kombëtare.

Përsëritja e situatave dhe sjelljeve të tilla, detyrimisht që do të shkaktojë mërzitje dhe urrejtje për organizatorët, sepse në Shqipëri sporti i këtij vendi brenda dhe jashtë kufijve ka pasur traditë të ruajë në besë mikun dhe jo ta presë në besë atë.

Shqipëria apo Elbasani nuk janë Palestina, me të cilët izraelitët kanë problemet e tyre historike shumëshekullore. Nëse feja islame ka dominim në Shqipëri dhe në trojet jashtë këtij vendi, kjo nuk mund të përbëjë shkak që një vend si Izraeli të ruhet si djalli nga temjani, se kjo fe islame ka qenë edhe 75-80 vjet përpara dhe ishin këto familje muslimane që i strehuan hebrenjtë, i mbajtën me bukë ata, bënë miqësi mes tyre dhe në Jahtvashem ndodhen të shkruajtura shprehjet e mirënjohjes për këta shqiptarë të fesë islame, si dhe për ortodoksët që në fund të fundit vunë jetën në rrezik për të shpëtuar jetët e hebrenjve, burrave, grave dhe fëmijëve të tyre. Është e pajustifikuar një sjellje e tillë, aq më tepër që për vepra të tilla nuk prononcohet as shteti, Ministria e Brendshme as edhe Federata e Futbollit. Ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë në vendin tonë, i duam dhe i mirëpresim miqtë dhe kurrë s'kemi bërë vepra negative ndaj tyre.

Nga Hyqmet ZANE

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 14

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/11/2018 - 07:11

Megjithëse sistemin e kaluar e lamë pas, duket sikur Sekretarët e parë nuk duan të shkulen nga politika në ditët e sotme.

Postuar: 16/11/2018 - 07:10

Sigurisht që duheshin sjellë eshtrat e Mid'hat Frashërit në Shqipëri!

Postuar: 16/11/2018 - 07:09

Në parim zonja Monika Kryemadhi mund të ketë të drejtë se realiteti shqiptar është i hidhur.

Postuar: 16/11/2018 - 07:07

Opozita, që kur humbi pushtetin në qershor të vitit 2013 e në vazhdimësi të veprimtarisë së saj p

Postuar: 15/11/2018 - 07:12

Edhe pse çështja e përkatësisë fetare të një Heroi Kombëtar, në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi

Postuar: 15/11/2018 - 07:11

Është e sigurtë se diktaturat krijojnë siguri dhe rend publik!

Postuar: 15/11/2018 - 07:09

Teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si punojmë dhe mendojmë në shumë drejtime përfshirë dhe audit