BREAKING NEWS

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona
x

Opinion / Editorial

Nga partizanët e diktaturës tek profesorët e demokracisë që drejtuan vendin

Nga partizanët e diktaturës tek profesorët e demokracisë

Asnjëherë vendi ynë nuk ka gjetur qetësi dhe prosperitet që nga pavarësia e Shqipërisë më 28 nëntor 1912 e deri në ditët e sotme. Vazhdojnë në Shqipëri të gëlojnë edhe sot e kësaj dite individët dhe partitë e tyre që shpalosin dhe që çorodisin mendjet e popullit shqiptar brenda dhe jashtë vendit për dobitë e programeve përkatëse në drejtimin e vendit, programe që deri tani nuk e kanë çuar Shqipërinë askund përveç se në krijimin e një kaste të korruptuar, hajdute dhe anti-atdhetare. Përsa u përket të mirëve dhe të liqve dihet se të mirët në këtë kastë drejtuese janë me kokrra, kurse të liqtë janë me bollëk dhe gëzojnë liri të plotë e janë mbi ligjin. Një Shqipëri e cila nga 1912 e deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore u drejtua nga kasta e edukuar në Perandorinë Osmane, e cila e la Shqipërinë një vend të prapambetur dhe pa perspektivë njëlloj sikur ishte e okupuar nga ajo Perandori për 450 vjet, me po ato tradita, mënyrë jetese që nxiste dembelizëm, arrogancë, injorancë, hajdutllëk, e deri në diktaturën e komunizmit ku klasa drejtuese e kaluar u shfaros, u zhduk ose emigroi jashtë vendit. Gjatë kësaj periudhe elita intelektuale e trashëguar nga perandoria turke ishte e arsimuar mirë, por nuk mund të kuptonte dot Perëndimin, zhvillimin e tij dhe dëshirën e popullit për t’u shkëputur përfundimisht nga ideologjia osmane e jetesës e për të jetuar si europianë. Diktatura komuniste u drejtua nga ish-partizanët të cilët u arsimuan kryesisht në BRSS dhe në vitet e fundit të jetës së saj, dërgoi një pjesë të bijve, bijave e besnikëve të drejtuesve të tyre në Francë, me qëllim që të drejtonin vendin gjithashtu të prapambetur e të varfër. Kuptohet vetvetiu se programi i asaj partie ishte lufta e klasave, barazimi në varfëri dhe krijimi i njeriut të ri, gjë që i shkaktoi vendit mungesën e një elite intelektuale të vërtetë dhe mungesën e një disidence të vërtetë, aq sa në ndërrimin e sistemeve dhe kalimin në sistemin botëror të demokracisë borgjeze, nuk kishte asnjë intelektual apo grup intelektual, që të merrte përsipër drejtimin e vendit. Partizanët e djeshëm që drejtuan vendin dhe u arsimuan, por ishin pa kulturën e duhur europiane, arritën disa objektiva në të cilat objektivat më të rëndësishëm ishin arsimimi i popullatës, shëndetësia falas, tharja e kënetave, industrializimi & elektrifikimi i vendit dhe rritjen e popullatës deri në 3.2 milionë banorë nga 790.000 banorë që kishte në kohën e Zogollit.

Periudha e demokracisë dhe ndërrimi i sistemit nisi që pas rrëzimit të bustit të diktatorit më 20 shkurt 1990. Për fat të keq duke mos patur disidencë, duke patur plagët e diktaturës me rreth 60.000 të burgosur e të internuar nga të cilët, gjysma e tyre ishin ish-aleatë të PPSH, ish-drejtues të PPSH dhe gjysma tjetër kulakë dhe të persekutuar të vërtetë nga regjimi, për shkak të presionit të madh që erdhi nga shkatërrimi i Bllokut komunist që filloi me vrasjen e Çausheskut dhe rënien e Murit të Berlinit, drejtuesi i fundit i regjimit, ish-partizani Ramiz Alia, urdhëroi bërjen e katër partive të reja, dy të djathta dhe dy të majta dhe shpërndau në këto katër parti, të gjithë anëtarët e PPSH, por edhe ish-spiunët dhe ish-sigurimsat proporcionalisht, si dhe me dekret lejoi pluri-partitizmin. Në krye të këtyre katër partive vendosi sekretarë partie rajonalë besnikë të Enverit dhe tij. Madje për të vendosur një President të ri, mendoi të vendosë shkrimtarin e talentuar të oborrit komunist, mikut të Enverit dhe Mehmetit, 12 vjet deputet në Kuvendin Popullor dhe zv/Kryetarin e Frontit Demokratik (që drejtohej nga Nexhmije Hoxha), shokun e dashur për partinë të rreptin Ismail Kadare, i cili për shkrimet e tij që hyjnizonin Enver Hoxhën- ishte i paprekshëm në atë kohë, madje ia përkthyen veprat një ish i burgosur në frëngjisht. Fatkeqësisht me gjithë propagandën, shkrimtari i talentuar nuk u bë dot disident dhe megjithë “arratisjen e tij të bujshme”, por qesharake në sytë e popullit, nuk realizoi detyrën e caktuar për t’u bërë president si shkrimtari-disident i vërtetë çek Vacllav Havel. Për të realizuar kalimin e butë Ramiz Alia mblodhi 200 “petritët” në shtator të 1990 (në fakt ishte më pak dhe, të gjithë anëtarë partie dhe drejtues organizatash partie, e anëtarë apo kandidatë të KQPPSH). Të gjithë ishin të arsimuar mirë, madje dhe në Francë, e pasi erdhën nga Franca apo diku gjetkë partia i bëri profesorë. Si shpërblim këta profesorë e shkrimtarë madje dhe artistë do të zbatonin porositë e fundit të Drejtuesit të PPSH, i cili pasi caktoi drejtuesit e partive të reja dhe pasi i ndryshoi emrin partisë mëmë, u shpërndau edhe një pjesë të pasurisë së vendit të cilën do ta konsumin ndër vite me qëllim që të formohej klasa kapitaliste. Këta profesorë me arsim të lartë por për fat të keq të pakulturuar dhe anadollakë, duke parë që u bë deti kos, iu kthyen zanatit të vjetër të të parëve të tyre, duke zhvatur e vjedhur në fillim nga pak, porsi ata qentë e rrugës, të cilët kthejnë kokën pas çdo çapi ushqimi që hanë se mos u bie ndonjëri me shqelm. Dhe kur e panë se askush nuk i ngacmonte, atëherë u bënë trima dhe vendosën “ta bënin Shqipërinë si Europa” (por e bënë han pa porta), ashtu si nuk e kërkonte populli i varfër shqiptar. Sigurisht ashtu sikundër thuhet në Bibël që “ruaju fakirit që bëhet mbret”, sepse kur ka fakiri, bëhet i keq dhe makut, i pashpirt, madje dhe i pabesë, ashtu ndodhi dhe me kryetarët e partive të reja dhe profesorët e PPSH, dhe i partiçkave të tjera që u formuan me kalimin e kohës. Rezultati? Përsëri rezultati mbeti si në dy fazat e kaluara të historisë së lavdishme të popullit shqiptar: nga njëra anë, populli i varfër e i drobitur, nga ana tjetër drejtuesit e kamur, të pashpirt, hileqare, të pabesë, anti-atdhetarë (por në fakt e mbulonin anti-atdhetarizmin me fjalë patriotike- kjo ishte moda e re e drejtuesve shqiptarë ndër vite) dhe sigurisht të korruptuar plotësisht. Aq vodhën e morën dhe shpërdoruan pasurinë kombëtare, sa… u iku shteti nga duart në 1997-1998 dhe një pjesë e popullsisë së bashku me disa hajdutë u larguan nga vendi. Si rezultat, në 2011 popullata ishte 2.8 milionë banorë dhe 1.4 milionë ishin larguar madje dhe kishin krijuar familje jashtë vendit, por ata që mbetën u traumatizuan aq shumë sa edhe sot e kësaj ditë shohim njerëz të hutuar e që flasin me vete duke rritur kështu numrin e individëve që kërkojnë psikologë dhe psikiatër. Për fat të keq hajdutllëku, korrupsioni, emigracioni, dhe droga (një mënyrë e re për t’u pasuruar pasi falimentuan firmat piramidale), prostitucioni, krimi, vazhduan gjatë gjithë kohës, aq sa dhe analistët, mediat, gazetat, e më vonë faqet e internetit dhe linket e internetit, e justifikonin këtë babëzi me të metat që na paskërka patur kapitalizmi për të cilin, “i poshtri” Lenin (sipas njërit nga drejtuesit e vendit) kishte thënë se kapitalizëm dhe korrupsion janë një e të pandarë. E po s`kemi ç`bëjmë.

Zgjedhjet parlamentare dhe vendore mbetën aq konfliktuoze dhe aq armiqësore sa dhe Europa si BE dhe SHBA, megjithë këshillat e ndihmat e tyre për Shqipërinë, nuk mjaftuan, por me ndërrimin e pushteteve në 2013, urdhëruan vetingun dhe pastrimin e politikës dhe të drejtësisë.

Shqipëria e drejtuar nga 1944 e deri në ditët e sotme nga drejtues të ardhur nga fshati të arsimuar por pa kulturën përkatëse qytetare, me mentalitet anadollak fshatar, të ngjashëm me atë që thuhet se e ka përmendur prefekti i Tiranës që “kur katundaria zbret në qytet atdheu është në rrezik”, e ka lënë Shqipërinë me gjithë ndihmën e BE dhe SHBA- pa një elitë intelektuale, pa një klasë politike të ndërgjegjshme dhe me një sistem gjyqësor të korruptuar dhe që nuk respektohet nga drejtuesit e vendit. Përpjekjet që po bëhen nga qeveria në drejtimin e vendit megjithë dy fatkeqësitë natyrore si tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia që po vazhdon, megjithë përplasjet e vazhdueshme nga ana e opozitës jashtë parlamentare për të penguar integrimin në BE dhe për të krijuar kaos dhe avantazh politik nëpërmjet akuzave për keqmanaxhimin e pandemisë e për keqmanaxhimin e fondeve për tërmetin, me gjithë gabimet e një qeverisjeje që punon, megjithë praninë e një Presidenti që nuk është i popullit, por i vetes së vet, Shqipëria po arrin të vendoset në binarët e ligjit duke u përkrahur fuqimisht nga BE dhe SHBA. Shpresojmë që më në fund Shqipëria me gjithë këto probleme, megjithë emigracionin e vazhdueshëm, ka shumë mundësi të integrohet në BE, duke zbatuar dhe realizuar kërkesat e BE. E rëndësishme është që në Shqipëri është e nevojshme të formohet një elitë intelektuale e respektuar pa paragjykimet e të kaluarës e cila do të mundësojë të realizojë meritokracinë, drejtimin e vendit me njerëz të përgjegjshëm, zbatimin e ligjit. Vetëm kjo është mënyra e vetme që të ndjehemi europianë.