BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Opinion / Editorial

Nga premtime në angazhime në mes një mal pa ndryshime

Nga premtime në angazhime në mes një mal pa ndryshime

Përpjekja për të ndarë në dy kategori, fjalët, premtime dhe angazhime, për t`i diferencuar në përmbajtje dhe për t’u dhënë dimensione të ndryshme sikur njëra është vetëm fjalë dhe tjetra vepër, është si të ndash një mollë në mes. Të dyja janë copa të të njëjtit frutë dhe zor se gjen ndonjë ndryshim në shije përbërës, vitamina apo cilësi. Të dyja pjesët, janë veç nga i njëjti frutë. Iu referuam një fryti të pëlqyeshëm, siç është molla që e shijojmë të gjithë për të shmangur negativitetin në se do merrnim si shembull, një frutë të helmatisur, të hidhur a vdekjeprurës, ashtu si në të vërtetë janë premtimet apo angazhimet. Është e njohur renditja dy, tre, dhjetë a njëmijë shifrore kur vjen puna për të bërë premtime para fushatës elektorale. Ajo që duhet të dallonte është se, forcat politike serioze nuk premtojnë qiejt dhe janë të kujdesshme për mos ta bërë baltë gjithçka që u thonë qytetarëve në emër të votës dhe joshjes për t`i afruar rreth programit politik. Që bëhen premtime lumë dhe shumica nuk realizohen asnjëherë, kjo nuk është ekskluzivitet vetëm i një force politike dhe nuk ka origjinë shqiptare. Kështu veprohet në shumicën e partive në botë, ku lumi i premtimeve vërshon, duke përmbytur opinion e gjerë shoqëror, të cilët ngrenë supet dhe i përtypin pa e kaluar në filtra dhe shumë herë bëhen viktima të mirëbesimit dhe robër të angazhimit të tyre politik. Nëse u referohemi programeve dhe detajeve që na jepen përditë nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pa lënë mënjanë bashkëkoalicionisten e majtë që kooperon djathtas, LSI, Monika Kryemadhi, dëgjon aq shumë premtime, sa duket sikur tërë teknologjia e botës së përparuar, prodhimi dhe paratë në bankat e njohura që nga ajo europiane deri tek Banka Botërore apo e Zhvillimit, kanë hapur që tani portat nga do vërshojnë fondet, vetëm për të mbështetur PD që rend drejt pushtetit pas tetë viteve në opozitë në një garë të jashtëzakonshme, të shfrenuar për të treguar sa të ndjeshëm janë për zgjidhjen e halleve të popullit. Ajo që të befason është fakti që populli trajtohet sikur të jetë në vitin zero, pa memorie, pa identitet, turmë amorfe, pa mendim, me tru të shpëlarë dhe për herë të parë i dëgjojnë veshët shifra për rritje pa kufi të pagave, progres në ekonomi, bursa pa kufi, shpërblime për çdo njeri, punësime mbi njëqind mijë shtetas, pagesa ekstra për të persekutuarit politik që do paguhen dy herë, njëherë u paguan nga socialistët, tani pas 25 prillit nga demokratët, pensione më të larta, trefish ndihmë ekonomike, mjekët të privilegjuar për të marrë më shumë para se homologët e tyre në Gjermani, Itali apo Francë. Pagesa të përmuajshme për bebet. Më pak sigurime shoqërore, zbritje deri shtatë përqind dhe pensione me rritje treshifrore. Të gjithë përballë programit ekonomik të Lulzim Bashës duhet të ndjehen krenar dhe të paduruar për atë që do përfitojnë dhe kanë për të marrë sa më parë dhe sa më shumë aq më tepër që në këtë periudhë pandemie nuk i dihet të nesërmes. Pasi e mbushi Shqipërinë me premtime dhe i ndryshoi tërë treguesit letër, Basha, duke mos u ndjerë i sigurt se ia ka arritur të fitojë vëmendjen dhe interesimin e miliona votuesve, bëri një kapërcim të ylberit që nuk është thjesht leksikor apo gramatikor, po konvertim stilistikor në angazhime sublime, me autoritet të paparë më parë. Iu drejtua shqiptarëve me të njëjtat premtime, po këtë herë i etiketoi angazhime. Në thelb, të dyja fjalët kanë të njëjtin kuptim. Kanë gënjeshtrën në themel, mashtrimin, sepse mund të kesh dëshirë, se cili është ai që nuk e ka, të bëjë çudira, po kur nuk e ke thesin plotë me se vallë mund t`ua mbushësh trastën atyre që u drejtohej?! Në këtë kuptim, premtimeve u mungon realizmi, janë boshe, jo objektiv. Ashtu sikundër dhe angazhimet vuajnë nga e njëjta sëmundje sepse burojnë nga e njëjta teknologji, mashtrimi pasi mund të angazhohesh nga mëngjesi në mbrëmje, të lëshosh parulla, ta mbulosh vendin me propagandë të ethshme, po në fund, ajo që mat angazhimet, është realiteti, evidenca, statistika, familjet, jetesa e cila nuk toleron dhe nuk mund të konvertohet në shifra në letër, po duhet përkthyer, me paga, prodhim, zhvillim, përparim. Ndryshe, fjalë imzot, fjalë. Angazhimet e Bashës, pas braktisjes së fjalës premtime nuk ndryshojnë asgjë. Më kujtojnë vite të shkuara kur kemi qënë në një fshat larg qytetit në Vagalat dhe donim si ekip i gazetës të kontrollonim masat e marra për ushqyerjen e lopëve, të tufëzave, të cilat ishin modeli i panjohur i fund sistemit komunist kur ekonomia kishte marrë tatëpjetën. I nisëm me radhë të gjitha stallat. Brenda ishin lopët me sy të xhamtë, po mungonte ushqimi. Në vend të jonxhës, himeve, misrit, barit, silazhit, bazës së nevojshme për t`i mbajtur gjallë lopët, në tërë faqet e stallës deri tek portat, ishin shpalosur banderola të kuqe të shkruara me shkrim kapital, parulla nga më të ndryshmet. Të tilla si: Do sigurojmë qumështin për çdo familje! Nesër do kemi bollëk mishi! Secili nga kooperativistët do marri qumësht sipas nevojave! Do rrisim rendimentin me dyfishimin e prodhimit! Dhe tekste të tjera që të binin mbi kokë si rrufe në qiell pa re. Të gjithë, mbetëm të shtangur. Angazhimet, ishin aq mbresëlënëse, sa secili nga ne, mbeti i surprizuar dhe i hutuar. Lopët dukeshin si pula e përrallës së Andersenit që duke ngrënë gazeta, vezët brenda ishin plot me shkronja. I binte që lopët të jepnin qumësht të kuq si bezet u mbeteshin për të ngrënë dhe qumështi ngjyrën e bezeve, jo të bardhë. Fshatarët vinin buzën në gaz pasi ata më mirë se cilido prej nesh që lopëve u donim vetëm qumështin dhe asgjë tjetër pasi nuk ishim marrë me to, e dinin shumë mirë se parullat nuk ishin baras me ushqim për blegtorinë. Angazhimet mbetën atje në parullat e kuqe që i mori era dhe i fluturoi shumë larg, duke lënë pas lopët e uritura. Propaganda nuk mund të zëvendësonte ushqimin, nuk ishin baras me barin e jonxhën, misër e foragjere. Dhe lopët nisën të dorëzohen një nga një, duke ngordhur. Jo vetëm qumështi nuk erdhi në familje, po edhe vetë lopët humbën në ditët e acarta të dimrit. Kështu edhe parullat e Bashës, të cilat i etiketon angazhime së fundmi për t`u bërë më i besueshëm, kanë për t`u tretur, si bezet e kuqe edhe pse shpalosja e tyre bëhet më komode, duke i ilustruar me grafik me ngjyra, jo mbi mure si dikur, ku shkruheshin parullat, po nga ekranet e televizioneve me ndriçim verbues dhe marramendës. Pasi na ngopi me premtime, Basha, një ditë ndryshoi strategji. Nga premtues u bë angazhues. Duket sikur kështu rritet serioziteti dhe besueshmëria. Qytetarët duhet ta marrin më seriozisht. Të besojnë pa vënë në dyshim çdo angazhim. Po cili është ndryshimi nga premtim në angazhim? Në kuptimin leksikor nuk ka asnjë dallim. Është e njëjta filozofi. E njëjta strategji. Ndryshon vetëm në leksikologji dhe përmbajtësi. Qytetarët shqiptarë kanë njohur ndër vite premtimet e shumë politikanëve dhe nuk habiten nga hiperbolizimi që u bën atyre kreu i PD-së, i cili ka vetëm një hall, joshjen e votuesve. Vjedhjen e besimit. Po shqiptarët, tanimë janë mësuar dhe thonë me gojën plot: Më mirë një vezë sot, se sa një pulë mot. Aq më tepër që janë kalitur ndër vite pasi kanë provuar premtimet e çekut të bardhe, detit kos, që në portet tona nga Durrësi në Sarandë nuk do reshtin së shkarkuari anijet shumë tonshe me prodhime, teknologji, pajisje, makineri. Se Shqipëria do bëhet më shumë se Gjermani! Se do kishim rrugë të standardeve më të mira të botës dhe premtime pa fund. Po, shqiptarët janë mësuar me të tilla broçkulla, të cilave u mbetet vetëm jehona dhe tingulli i zërit në eter. Nëse Lulzim Basha apo Edi Rama, Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Duka, Dule, Topalli, Patozi, Hajdari, Murrizi dhe cilido politikan ulet me këmbë në tokë dhe thotë atë që bën dhe bënë atë që thotë, atëherë edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve është më i madh dhe mbështetja do jetë e përkthyer në vota më shumë. Ndryshe, qofshin premtime, qofshin angazhime, janë shumë fjalë, zhurmë e pak, fare pak punë. Si kur premtohet edhe kur angazhohet një politikan, Basha në këtë rast, është njëlloj i vlerësuar pasi janë vetëm fjalë. Diferencën e bën mbajtja e fjalës. Kthimi i saj në vepra. Koha na ka mësuar. Aq sa udhëtuam me tram, erdhëm në Tiranë me tren, ecëm në rrugët e qytetit pa gropa, pamë në Tiranë, sahatin të punonte, u shplodhëm në lulishte, ecëm në rrugë të sigurta, jetuam në rend të garantuar kur i kishte detyrim, angazhuesi i sotëm, pretendenti për kryeministër, jo angazhime, po detyra ekzakte, aq do shijojmë, premtimet edhe vetë angazhimet. Kur nuk ke në shpinë barrën e pushtetit dhe në duar ekonominë dhe resurset janë të kufizuara, të duket se je mbi re dhe mund të zbresësh edhe qiejt e lumturisë ndër ne. Ndaj zbrit me këmbë në tokë, zoti kryeministër në pritje edhe kur premton edhe kur angazhohesh. Ju, besoj e dini nga premtimet në angazhime është vetëm një emërtim në mes është i njëjti mal pa ndryshime. Është mali me realizime!