BREAKING NEWS

Edi Rama jep sinjale për ndryshime në qeveri, zbardhen paralajmërimet në takimet me deputetët e krerët e bashkive, ja ministrat që pritet të lëvizin

Edi Rama jep sinjale për ndryshime në qeveri, zbardhen
x

Opinion / Editorial

Nga shtet i qeverisur, në shtet demokratik   

Nga shtet i qeverisur, në shtet demokratik   

Do mësosh se ne rrugëtimin e jetës tënde, do takosh shumë maska dhe pak fytyra, shkruante shkrimtari i madh, Luigi Pirandello. Kur shprehem kështu kam parasysh se midis fjalës dhe asaj që tregon ajo, midis emrit dhe objektit, largësia është e madhe. Me të vërtetë është e madhe. Merrni me mend numrin e shteteve në botë të cilat deklarojnë se në to sundon demokracia dhe kini parasysh gjendjen faktike në ato vende. Lajthitja më e madhe që i bëhet demokracisë është kur të jepet një parim si diçka e vërtetë, siç ndodh rëndom në atdheun tonë nga sundimi i partive. Se Shqipërisë, po si buka dhe uji i duhet një qeverisje demokratike e vendit është, të shprehem në gjuhën e matematikës, një aksiomë. Shqipëria ka kaluar nëpër një periudhe në të cilën demokracia është ndërtuar në rrugë jodemokratike. Këtë duhet ta kenë parasysh pushtetarët kur do t’i marrin postet. Shqipëria duhet të kalojë prej demokracisë së qeverisur në demokracinë qeverisëse. Lista e gjendjeve që mund të prodhohet me qeverisje jodemokratike është shumë e gjerë dhe shtrihet prej tiranisë e despotizmit, kalon nëpër diktaturë e absolutizëm dhe përfundon me autoritarizëm, totalitarizëm dhe autokraci, gjendje këto që për Shqipërinë e mëhershme dhe më të re nuk ishin dhe nuk janë të panjohura. Prandaj, “qërimi i hesapeve” me të kaluarën, të largët dhe të afërt do të duhej të ishte detyrë mbi detyrat e qeverisë së re në Shqipëri, punë kjo që nuk do të bëhet as lehtë dhe as pa mundime, sepse çdo gjë tjetër ndryshon më shpejt se mentaliteti, veçanërisht nëse ai është i murosur. Për një numër deputetësh të rinj në Shqipëri do të duhej të kalonte kohë e gjatë adaptimi në një qeverisje të vendit, e cila shikimin e vet do ta drejtonte në bërjen e demokracisë një realitet. Ajo do të duhej të kishte para vetes këshillën se vetëm realizimi i qëllimit mund ta mbajë në pushtet. Në Shqipëri do të përparojë ajo qeveri që do të dijë saktësisht. Qeveria e re në Shqipëri duhet ta nxjerrë vendin nga një gjendje në të cilën ai i ngjan fëmijës që sapo ka lindur i dobët. Nuk më duket se qeveria e re do të duhej të humbiste shumë kohë në kërkimin e diagnozës sa në gjetjen e terapisë për ta ngritur në këmbë të veta. Shqipërisë i duhet një konsensus për vlerat themelore të demokracisë, sepse vetëm ai mund të sigurojë një qëndrueshmëri të saj. Mirëpo, nuk duhet jetuar në iluzione se ai konsensus do të arrihet lehtë dhe pa mundime. Shqipëria do të kalojë nëpër të ashtuquajturin konsensusin procedurial, që do të thotë të pajtuarit me rregullat e lojës demokratike dhe duhet të jetë e gatshme edhe për disensusin, që në fakt, do të thotë mospajtim. Teoria e demokracisë e quan tharm që i jep shpirt demokracisë të pajtohesh me mospajtimin. Qeveria e re e Shqipërisë duhet të shfrytëzojë shansin që duke pasur para vetes edhe një këshillë tjetër, se çdo shans i pashfrytëzuar humbet përgjithmonë. Qeverisja e mirë është e nevojshme në Shqipëri jo vetëm për funksionimin normal të një rendi, por edhe për sigurimin e zhvillimit të vazhdueshëm të tij. Qeveria më e mirë është ajo e cila vetë i nënshtrohet ligjeve. Ajo që është më e vështirë se padrejtësia është drejtësia. Shqipëria njeh shumë padrejtësi dhe ndien nevojën për shumë drejtësi. Drejtësia trimërohet me zbatuesit e ligjeve, e dhunohet me shkelësit e tyre. Fatkeqësia më e madhe është ajo, nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria kur ligjet i kanë shkelur ata që kanë qenë dashur vetë t’i zbatojnë. Qeverisësit e rinj në Shqipëri duhet të kujdesen shumë që të mos e shpërdorojnë pushtetin. Kënaqësia për pushtetin është shumë e madhe dhe ajo nuk ka lindur sot. Prandaj thuhet se pushteti është ilaçi në të cilin politikanët kapen si në grep. T’i bësh një këshillë pushtetarëve është rrallë e mirëpritur. Por të bësh një kritikë është shumë neveritëse. Pushteti është alergjik në kritikën, sa më e ashpër që është kritika, alergjia bëhet më e madhe. Do t’u sugjeroja pushtetarëve që t’i mirëpresin edhe të parat, edhe të dytat, sepse ato, kur bëhen me qëllimin e mirë, mund t’i korrigjojnë veprimet e tyre. Është shumë më mirë të korrigjosh së pari se të gabosh së dyti. Qeveria në Shqipëri duhet të jetë shumë e vëmendshme që postet t’i ndajë sipas zotësive, e jo sipas partive. Me një shkrim timin të mëhershëm kam përdorë vetëm pjesën e parë të mendimit të Tallejrandit se arti i vendosjes së njerëzve të duhur në vendin e duhur është kusht i parë në shkencën e qeverisjes dhe nuk e besoj se dikush do të mund të provonte të kundërtën. Pjesa e dytë e mendimit të tij është një diçka që provokon përherë se arti i gjetjes së vendeve për të pakënaqurit, është më i vështiri. T’i gjesh njerëzit që do të realizojnë qëllimet e qeverisë është thelbi i ndarjes së posteve. Ka një mendim shumë të urtë në lidhje me këtë. Nëse do që një punë të bëhet mirë, zgjidh një njeri që është i zënë, të tjerët nuk kanë kohë.