BREAKING NEWS

Shteti i tij për tu marrë shembull, mjeku suedez hedh dritë mbi të vërtetat e pandemisë dhe skandalin e numrit të vdekjeve: E kuptuam situatën menjëherë, jam i gatshëm të vë bast se vendet që janë mbyllur ...

Shteti i tij për tu marrë shembull, mjeku suedez hedh dritë mbi
x

Opinion / Editorial

Ngazëllimi i Bashës dhe trishtimi i shqiptarëve nga vendimmarrja karantinore europiane!

Ngazëllimi i Bashës dhe trishtimi i shqiptarëve nga vendimmarrja

Gjatë një komunikimi me publikun përmes ekranit televiziv, lideri i PD-së, Lulzim Basha, sikur të na jepte sihariqin e madh, na kumtoi plot ngazëllim, lajmin se nga takimi me përfaqësues të rëndësishëm e plotfuqishëm të Europës, Shqipëria është shpallur nga këto vende shtet në karantinë. Në realitet në njëmijë mënyra shqiptarët e kanë mësuar prej kohësh këtë lajm dhe e kanë pritur me pesimizëm dhe frikë, duke gjykuar se është një dënim i padrejtë, marrë në kushtet kur vendi ynë nuk ka asgjë më shumë se shtetet e tjera, jo vetëm të Ballkanit, po edhe vendimmarrësve. Në realitet, pandemia nuk lindi, fatmirësisht në Shqipëri. Ndryshe do na barazonin me kanabizimin, korrupsionin, klandestinizmin, me të cilat na kanë vënë vulën prej kohësh edhe pse me subjektivizëm ekstrem. Erdhi pikërisht nga ato vende që rishpallën regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë, të mësuar me javët e muajt e qëndrimit para dyerve të ambasadave dhe konsullatave në pritje të vizës hyrëse për shtetet deri kohë më parë, si mollë e ndaluar. Heqja e regjimit të vizave, ka qënë një nga fitoret e mëdha për popullin tone, i ngujuar dhe mbyllur, rrethuar me tela me gjemba për më shumë se gjysmë shekulli. Atëherë për arsye e shkaqe të tjera, të cilat buronin nga ideologjia me të cilën udhëhiqej vendi ynë, ishte i vetëkarantinuar. Viti 1990 hapi portat për shqiptarët, të cilët udhëtonin edhe pse me vështirësi, drejt shteteve perëndimore të shumë ëndërruara për t`i vizituar, pse jo edhe për të jetuar e punuar në to, ashtu siç ka ndodhur në tërë këto vite me emigrimin jo të vogël të qytetarëve të vendit tonë. Po e kaluara ka ulur perden dhe duket sikur ka ngjarë shekuj më parë. Pikërisht, pandemia në solli në vitin zero dhe jemi duke përjetuar një refresh, si të ishim fotokopje të së kaluarës. Pse pikërisht tani, pyesin qytetarët dhe a vërtet jemi delja e zezë, më e nxira e Europës, qoftë edhe për pandeminë dhe virusin e rrezikshëm? A është Shqipëria vendi i eksportimit të virusit dhe mos lejimi i lëvizjes së shqiptarëve për në shtetet e Perëndimit përmirëson situatën në ato vende dhe u largon rrezikun si me magji? Janë të shumtë shqiptarët që kanë mbetur në hotele apo shtëpi me qira në Perëndim dhe presin kthimin në atdhe. Të tjerë, jo të pakët kërkojnë të udhëtojnë për njëmijë arsye drejt këtyre shteteve për t`u bashkuar me familjarët e tyre apo për të kryer vizita të ndryshme mjekësore. Pengimi i lëvizjes, shoqërohet me trishtim, mërzitje, nxehje, sorollatje, drama familjare të thella nga të gjithë ata që mbeten përballë traut të kalimit, në pritje të shfaqjes së shenjës “GO”, pra të ndezjes së semaforit jeshil. Po semafori nuk ndryshon ngjyrë, mbetet gjithnjë e kuqja, stop, këtej nuk kalon dhe shtetasit e vendit tonë janë të detyruar të bëjnë prapaktheu. Në këtë vorbull e pësojnë, jo vetëm ata që duan të kalojnë për problematika më të lehta, po edhe ata që vijojnë kimioterapi, dializë apo presin të bëjnë ndërhyrje në spitalet e specializuara të Greqisë, Gjermanisë, Italisë, Austrisë apo gjetkë. Po këtë mundësi e kanë të privuar plotësisht. Për ata nuk kanë asnjë mundësi të kapërcejnë gardhin e kyçur. Ne, në 1990-ën për tetë orë shkatërruam klonin, gardhin me tela me gjemba që qarkonte Shqipërinë nga Kepi i Stillos në kufi me Greqinë deri në Vermosh. U bë inekzistent ashtu si Muri i Berlinit. Po sot, një klon ndryshe, me një emërtim special “Covid-19” në dukje një gjetje shumë më e moderuar, pengon lëvizjen e lirë. Këtë vendim të Europës, shteteve përkatëse, na e dha si një lajm të gëzuar, Lulzim Basha drejt e nga ekrani. Seç kishte një si frymë triumfi në atë komunikim, natyrisht, jo se Lulzimit i bëhet qejfi që na rivendosën sistemin e përkohshëm të vizave dhe riizolimin, pavarësisht se mungojnë klonet dhe muret, po ato tani janë edhe më të rënda, pasi janë shkresore, mbajnë firma, vula, frymë karantinimi, akte burokratike, të panegociueshme, një farë spostimi me stil, mbyllje në dukje si me kapak floriri, po kafazi është i njëjtë si nga dru, hekur, tela bakri, me gjemba edhe prej ari, aq më shumë kur janë vendime institucionale. Po Basha, çuditërisht ndihej mirë, kënaqshëm, buzagaz si të na kumtonte vendimin e çeljes së negociatave, apo ndonjë financim miliarda dollarësh për ekonominë e Shqipërisë nga Perëndimi. Nuk dihet si e vlerësoi këtë masë kur e dëgjoi ballë për ballë me të huajt e rëndësishëm, si na tha, si ndëshkim ndaj qeverisë së Shqipërisë, minus në drejtimin e menaxhimin e pandemisë? Ky triumfalitet, siç dukej, ngjan fare i zi, është shprehje e mllefit, zbrazje e inateve dhe pengjeve ndaj kundërshtarëve politikë. Konsiderohet një disfatë për ata që janë në pushtet dhe një relaks për ata në opozitë. Realisht, Shqipëria, situatën e Covid-19 që kur u shfaqën rastet e para, e trajtoi në mënyrë më të mirë të mundshme. Edhe pse virusi, zbriti si nga qielli pa re, një rrufe në kohë me diell dhe pa asnjë paralajmërim, zbatimi i rregullave dhe menaxhimi, si nga institucionet edhe shërbimet spitalore, gatishmëria e mjekëve dhe mijëra infermierëve, të cilët u gjendën në kohë reale, kudo ku shfaqeshin simptomat tek njerëz të prekur nga ky virus vdekjeprurës. Dhe ka qënë ky menaxhim, deri në perfeksion, i cili bëri të mundur që shumë pak qytetarë shqiptarë, të preken prej tij. Po kështu, shërbimi spitalor nuk u vu në alarm as në kolaps dhe nuk u bllokua. Veç spitalit infektiv, Ministria e Shëndetësisë, mori masa dhe përshtati në spital për trajtimin e pacientëve të infektuar me virusin Covid-19 edhe spitalin “Shefqet Ndroqi” gjë që lehtësoi shërbimin spitalor dhe numri i të infektuarve dhe vdekjeve, fatmirësisht dhe shtrimeve në pavijone të infektivit ishte në nivele dhe parametra shumë të ulët. Ka qënë ky menaxhim që edhe OBSH dhe institucionet e Europës e vlerësuan menaxhimin e situatës në vendin tonë. Po në ato muaj, rrufetë, ranë mbi kryeministrin, ministrat dhe veçanërisht qeverinë. U shanë me rrënjë e fis, me emër e mbiemër, u anatemuan e mallkuan, si gardianë të lirisë, burgosjes nga diktatorët në pushtet. Shumë akuza e baltë ranë mbi të gjithë ata që situata e deshi të rreshtohen në frontin e parë, përballë cënimit të jetës së qytetarëve dhe qëndruan me stoicizëm në ruajtje të jetës. Erdhi momenti dhe Shqipëria e liroi rripin. Masat shtrënguese u lehtësuan. Qytetarët dolën në rrugë. Bizneset u hapën dy kanatshe. Prodhimi dhe shërbimet u rijetësuan. Po hapja, u shoqërua me shtim të të infektuarve. Qytetarët tanë nuk i përfillën masat e distancimit social. Shumë prej tyre e etiketuan si lojë virusin, manovër të Ramës dhe qeverisë. Dhe nisën të bëhen bashkë, të ecin të përqafuar. Mbushën kafenetë, restorantet. Harruan të ecin në baraslarguar, të përqafohen e puthen pas një kohe të qëndrimit të veçuar. Shtimi i individëve të infektuar, u shoqërua me akuza edhe më të rënda. Ata që deri kohë më parë mallkonin izolimin, tani mallkojnë njëqindfish lirinë. Dhe stuhia e shigjetave përsëri në të njëjtin drejtim. Dhe zhurmën më të madhe e bëjnë pikërisht ata që deklaronin fundin e demokracisë nga autoritaristët e diktatorët. Njëlloj me se ma potise gomarin. Me ujë të ftohtë ma ftohe, me të ngrohtë ma dogje. E njëjta histori me të njëjtët skenaristë me të njëjtët aktorë e regjisorë. Në vazhdën e denigrimit të qeverisë, së pari të Edi Ramës, i pari i demokratëve i cili për hir të së vërtetës është një nga faktorët e grumbullimeve dhe kalimeve si në pasarelë të atyre që grumbullonte në takime, na dha sihariqin e madh se si rrjedhojë e mosmenaxhimit dhe keqpërdorimit të rregullave, keqmenaxhimit shtetëror, Europa na vendosi në karantinë. Mbylli kufijtë. Ekonomia do vuajë pasojat e izolimit. Këtë deklaratë e shtrinë shumë më gjerë, duke treguar përralla nga e kaluara, me turizëm të dështuar, agjenci turistike të rrënuara pasi nuk ndihmohen nga shteti. Po si duhet të ndihmohen dhe sa janë mundësitë që shteti të zërë të gjitha vrimat? Për Bashën dhe opozitën, kjo nuk ka fare rëndësi. Nuk e dimë se cili ka qënë reagimi i Bashës, gjatë njohjes me vendimin shqetësues për bllokimin e lëvizjes së shqiptarëve në Europë?! Shpresojmë që ai si burrështetas, kryeministri në pritje, pretendenti për ta na drejtuar nëse populli, duhet sigurisht të ketë mbajtur qëndrim pro, ne qytetarëve që e shikojmë në dritë të syrit. Nuk besojmë të ketë shprehur entuziazëm për një vendim të tillë, i cili nuk dëmton asnjë nga qeveria apo lidershipi opozitar, po i vuan shqiptari dhe Shqipëria. Do zoti nuk ka shprehur ngazëllim si në ekranin televiziv. Vendimi i shteteve të Europës për vendosjen në karantinë të njëzetë e tetë mijë kilometër katror dhe një popullsie prej tre milionë banorë që jetojnë në këtë cep të Europës, është një masë drastike e pangjashme me politikat e këtyre tri dekadave. Njëherësh, kjo flet edhe për një ndarje si me thikë mes ballkanasve dhe gjykim subjektiv. Vendi ynë nuk ka tregues më të lartë të të prekurve nga vendet e tjera të Ballkanit. Edhe me shtetet vendimmarrëse që imponojnë mbylljen e kufijve të Shqipërisë. Vendi ynë, është në nivele shumë më të ulta në përhapjen e epidemisë dhe infektimin e qytetarëve nga Covid-19. Nëse brenda kësaj mase dhe në përmbajtje të vendimit të shteteve që na kanë vendosur traun për të shkuar në Europë nuk ka prapamendime apo arsye të tjera, kjo masë është në dëm të Shqipërisë, trishton shqiptarët, i bën pesimistë, mosbesues ndaj vendimmarrësve. Shqipëria nuk është vendorigjina e virusit. Nuk është në nivele më të larta me infeksionin nga shtetet përreth. Ndaj dhe nuk e përtypin këtë vendim që u kujton kohët e shkuara në vitet e demokracisë dhe lirisë për të cilën besuan. Ndaj ngazëllimi i Bashës, trishtimi i shqiptarëve,vendimi i europianëve për kthimin në izolim, duket se demokracia vuan nga një super paragjykim e mosbesim!