BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Nikoqirja e financave publike

Nikoqirja e financave publike

Me përcaktimin popullor “nikoqire” zakonisht kuptojmë një amvise shtëpie që terezit si duhet llogaritë e shtëpisë, ose po të shikojmë në internet Fjalorin e Gjuhës Shqipe, cilësimi i plotë është: “Amvisë e mirë, grua që di të mbajë në rregull shtëpinë e të qeverisë me kujdes e me kursim të ardhurat; zonja e shtëpisë”(https://fjale.al/nikoqire). Kur flasim për harxhet e shtëpisë, nikoqiren dimë ta dallojmë qartë tek familja, tek farefisi apo komshinjtë. Ndryshon puna kur bëhet fjalë për harxhet e Shtetit tonë. Aty dimë ose kuptojmë shumë pak. Dhe e kemi të vështirë të dallojmë ministrat e financave (në 22 vitet e fundit kemi patur 14 të këtillë) që janë treguar të papërgjegjshëm, dorëlëshuar, aventurierë apo nikoqirë të përgjegjshëm me paranë tonë që del nga taksat tona. Akoma dhe më pak njohim, për shembull, ministrat e financave shqiptare të viteve 1912-1944. Disa syresh kishin kulturë perëndimore për kohën dhe provuan të bënin mirë, megjithë kushtet tejet të vështira të mungesës së informacionit dhe disiplinës financiare. Një ministër i qeverisë shqiptare në kohën e nazizmit gjerman(1943-1944), Sokrat Dodbiba njihet akoma edhe më pak. Por ama e tregoi veten një nikoqir të mirë të shtetit të zaptuar shqiptar. Kundërshtoi dhe ia arriti të mos futej në tregun shqiptar marka e zhvlerësuar gjermane(gjë që ndodhi rëndom në shumë shtete të tjera të okupuara nga nazistët në Evropë), duke mos e përmbytur kështu sistemin e pagesave me franga ari që kishte deri atëherë vendi ynë. Gjermanët i kërkuan qeverisë shqiptare 30 mijë franga ari në vit kontribut për qëndrimin e ushtrisë gjermane tek ne. Ende nuk dihet se si zoti Dodbiba, ndoshta duke rrezikuar edhe kokën e tij, arriti t’u jepte gjermanëve vetëm 5-6 mijë franga ari në vit. Një përkushtim të tillë ndaj interesave të shtetit shqiptar e shohim rrallë ose asfare në ministrat e financave ose në kryetarët e komisionit të planit të shtetit të kohës së diktaturës komuniste, edhe pse nga kjo kohë kemi sërisht shumë pak informacion objektiv. Spikat vetëm në nëntor 1996 kurajo e një ministri të Partisë Demokratike, Ridvan Bode, që ishte i vetmi që paralajmëroi për efektin shkatërrues të skemave piramidale. Një gjë të tillë nuk e bëri as edhe misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar që ishte në Tiranë po në nëntor 1996! Më vonë, i njëjti ministër ishte ndër arkitektët e drejtimit financiar të shtetit me duar të pastra në vitet 2005-2007, kur u kursyen 2 miliardë dollarë nga mirëadministrimi i taksave dhe kontrollet doganore kundër futjes së mallrave pa akcisë. Në vitet e mëvonshme ky ministër la shumë nga përkushtimi për paranë e të gjithëve, në këmbim të kapitalit vetjak në parti. Megjithatë arriti të tereziste buxhetin e shtetit në vitet e krizës së fortë botërore financiare dhe ekonomike 2009-2012, ndërsa e lëshoi përfundimisht dorën në kataklizmën financiare të periudhës janar-gusht 2013. Mori në vitin 2009 edhe një kredi sindikale(nga dy banka ndërkombëtare njëherësh) prej 250 milionë eurosh. Kredi për të cilën e kallzoi në Prokurori 5 vite më vonë nikoqiri i tretë i rëndësishëm i shtetit shqiptar (pas Sokrat Dodbibës dhe Ridvan Bodes së periudhës kur bënte ekonomistin e zotë dhe jo politikanin), Shkëlqim Cani, ish bankieri më i mirë qendror që kishim, për t’u bërë në shtator 2013 ministër i Financave. Ky ministër mendonte se Shtetit nga kredia sindikale e marrë shumë shtrenjtë i ishte shkaktuar një humbje prej 60 milionë euro, edhe pse kredia u muar në periudhën më të vështirë për kredidhënien në tregjet ndërkombëtare. Ishte ministri që ndërtoi marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar për huanë e butë trevjeçare prej 330 milionë euro, që arrnoi dhe mbushi xhepat e shpuar të buxhetit të shtetit dhe disiplinoi disi financat tona publike të dala nga binarët. Ishte mendja pas një projekt-ligji për procedurat tona tatimore që do të përmirësonte ndjeshëm administrimin tonë të taksave, por që fatkeqësisht mbeti vetëm një projekt, pse të tjerë pas tij menduan vetëm si e si të kënaqin kompanitë vendase mbizotëruese në disa tregje. Ishte drejtuesi që arriti që çmendurinë e koncesionit PPP të skanimit të kontenierëve në dogana ta ulte me 44 përqind, nga 39 euro në 22 euro për kamion, në pamundësi për ta anulluar. Ishte ai që, edhe pse në publik foli fjalë mbështetjeje, duhet të ketë qenë, së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, varrmihësi i idesë tjetër të çmendur, që kishte kaplluar kësaj rradhe qeverinë ku bënte pjesë, të dhënies me koncesion PPP të mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH). Ku me një ofertë të pakërkuar, kompania e huaj private nga Hong-Kongu zotohej të mblidhte për vitin 2016 11 përqind TVSH më shumë, në një kohë kur vetë buxheti i shtetit kishte mbledhur për vitin 2015 13.7 përqind më shumë! Nikoqiri u largua, duke lënë...gërmadha. Pas tij, në tre vitet e fundit ndodhi kapja më e përbindshme e shtetit nga interesat e kompanive vendase mbizotëruese në disa tregje. Koncesionet e dhëna me formulën e partneritetit publik-privat (PPP-janë mbi 2.2. miliardë euro) dhe që kanë hyrë në xhepin tonë si qytetarë pagues taksash edhe për 9-14 vitet e ardhshëm, u shitën plot shkëlqim si alternativa të fuqishme dhe të guximshme investimi të privatit, për të balancuar përfundimin e dy koncesioneve TAP dhe hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Por ndërsa këto 1.7 miliardë euro investime vinin nga jashtë, kapital tërësisht i huaj që i hynte vendit, këto 2.2 miliardë euro ne shqiptarët po i marrim nga këtu, nga paratë e Buxhetit apo kreditë nga bankat tona dhe po na kushtojnë sa frëngu pulën! Me protestat e studentëve në dhjetor 2018, shumëkush mendon se qeveria u riformatua përgjysëm nga ky presion studentor. Në të vërtetë, skandali me kompaninë fantazmë DH Albania po në dhjetor 2018 riformatoi qeverinë, duke i larguar aventurierët e parasë publike. Në janar 2019 erdhi në krye të financave tona publike një zonjë që deri atëhere bashkë-drejtonte një bankë tregtare të huaj tek ne, vetëm falë aftësive të saj që e kishin ngjitur në krye. Drejtuesja e re mblodhi frerët e shpërndara të një superministrie(një bashkim monstruoz i detyrave të një ministrie finance me detyrat e një ministrie ekonomie!) dhe i dha drejtim përgjegjësive të kësaj strukture  kaq amorfe. Në pak muaj u arrit të vihej disiplinë në binarët e panumërt të mbledhjes së parasë publike dhe në planet për shpenzimet me kujdes dhe planifikim paraprak për të mbajtur Shtetin. Asnjëherë në 22 vitet e fundit, dikasteri i mbledhjes së parave tona dhe i shpenzimit të tyre për interesat e Shtetit nuk ka patur një qetësi dhe besim në kapacitetet e gjithëseicilit që punon dhe vlerësohet për punën që bën, e jo për përmbushjet e tekave apo trilleve të pashait të financave publike. Zonja Denaj ia doli të rrezatonte profilin e saj të një ekonomisteje me integritet, vizion të qartë dhe aftësi organizative, duke e nxjerrë një staf prej 184 vetësh nga intrigat e pashallëkut modern. Pavarësisht se u përball me harakirin buxhetor të PPP-ve të vjetra dhe të reja, me dëmet dhe shkatërrimet nga tërmeti dhe me cunamin ekonomik të pandemisë së Koronavirusit, ia doli në këto 20 muaj të disiplinojë rimbursimin e TVSH-së, të raportojë në kohë konkrete dhe me transparencë të plotë për detyrimet e prapambetura të Shtetit, të mos bëjë asnjë piruetë me treguesit kryesorë makroekonomikë të vendit, të bllokojë hemorragjinë e detyrimeve buxhetore ndaj PPP-ve të vjetra dhe atyre të reja, të ngrejë një sistem raportimi profesional dhe të ndershëm dhe të lidhë informacionin e llogarive bankare me syrin vrojtues e kontrollues të tatimorëve të shtetit. I uroj suksese Nikoqires së katërt dhe të plotë të Shtetit tonë që nga viti 1943, që po e mban në drejtpeshim barkën e Buxhetit të të gjithë shqiptarëve në një zbritje si ato të kanioneve të Osumit! Duke shpresuar që dhe me kontributin e saj të pazë(nga modestia) por shumë të rëndësishëm e gati përcaktues, do të arrijmë të ngjitemi vitin që vjen.