BREAKING NEWS

Ndërkombëtarët japin alarmin: Lidhjet me gjyqësorin po shpëtojnë politikanët nga burgu, Rama-Basha promovojnë vetëm besnikët, LSI parti familjare

Ndërkombëtarët japin alarmin: Lidhjet me gjyqësorin po
x

Opinion / Editorial

Një burrë i lirë mund të jetë shtetar, ndryshe është thjesht një pusht'etar!

Një burrë i lirë mund të jetë shtetar, ndryshe

"Burrat (njerëzit) luftojnë për liri", por pastaj fillojnë ligjet dhe sundimin për t’ia marrë pikërisht lirinë njëri-tjetrit! Në të vërtetë kjo ka ndodhur me ne, me Kosovën dhe për fat të keq, do të vazhdojë të ndodhë, sepse jemi akoma kulturalisht dhe filozofikisht jo vetëm të pasqaruar, por dhe të panxënë (mend) në klasat tona elitare politike! Tashmë është e qartë se në mënyrë arrogante "drejtësia" ndërkombëtare, duke thyer dhe tabu ligjore kërkon të largojë nga skena politike në Kosovë, atë grup ish-luftëtarësh të kthyer në politikanë të cilët kanë 20-të vite që sundojnë dhe nuk bëjnë dot shtet normal. Atyre luftëtarëve të gjakut dhe nderit të Kosovës në përballje me krimin dhe makinerinë kriminale të Serbisë! Si përgjigje ndaj tyre po politikisht, po lindin jo shtetarë të tjerë, por sundimtarë të tjerë që "ju ngjajnë", por nuk kanë shumë ndryshime esenciale, sepse nuk kanë kuptuar se "një burrë i lirë" e di kohën kur po kthehet në sundimtar dhe largohet nga skena politike. Absolutisht si te ne, po ashtu në Kosovë. Për fat të keq edhe pse kemi 80-të vite më shumë se Kosova si shtet, ne nuk jemi shembull i mirë i "burrave të lirë që janë shtetarë, por atyre deri në fund pushtetarë". Pra kanë vetëm një "liri", atë të sundimit mbi shtetin dhe njerëzit. Sepse liria është fuqia të bësh atë që është e mirë dhe jo ajo që të pëlqen. Po pra si një aforizëm i vjetër në Europë. Babai i demokracive moderne ose Montesquieu thotë: Liria është ajo e mirë që të bën të gëzosh çdo të mirë tjetër! E këtu ka dhe themelin demokracia! Ne nuk kemi pasur dhe nuk kemi akoma në lidershipet tona të larta si në Shqipëri dhe në Kosovë atë lloj burri të lirë që sipas Jules Renard - është burrë realisht i lirë që refuzon një ftesë për darkë, pa gjetur ose shpikur një gënjeshtër. E kjo pastaj përbën dhe atë të drejtpërdrejtën e njeriut të ndershëm që korrupsioni nuk ka se çfarë t’i bëjë. Po dhe as te ne, as ne Kosovë, këta burra nuk dolën (lart në politikë, sepse ka sa të duash në shoqëri) dhe nuk mund të dalin kaq lehtë, sepse është një shoqëri që mendon krejtësisht ndryshe! Por në ndërtimin e demokracisë sërish sipas Montesquieu: Liria është një e drejtë, të bësh çfarë ligjet të lejojnë. Nëqoftëse një qytetar do të kishte të drejtën të bëjë çfarë është e ndaluar, nuk do të ishte liri, sepse çdo kush tjetër do të donte të kishte të njëjtën të drejtë. E ky është thelbi i asaj që sundimtarët jo njerëz të lirë, bënin dhe bëjnë në shoqërinë shqiptare si te ne dhe në Kosovë! Në filozofinë që nuk mund të ndryshojë kaq shumë "rregulla" vlen sërish ajo e Jean Jacques Rousseau që thotë: Liria nuk konsiston kaq shumë kur bën vullnetin tënd, se sa kur nuk i je nënshtruar lirisë të dikujt tjetër. E këtë as e kemi kuptuar, as kemi dashur ta lexojmë dhe një pjesë e madhe e injorantëve që kemi katapultuar në politikë, nuk e kanë ditur, por që edhe sikur ta dinin, nuk do ta kuptonin dhe zbatonin kurrë!

Sot ne në Shqipëri jemi në këtë udhëkryq lirie dhe demokracie dhe duhet imagjinuar se janë po kaq larg dhe klasa politike në Kosovë. Ne sot nuk kemi burra të lirë. Nuk kemi pasur as dje! Duke përjashtuar "Rilindjen Kombëtare", e cila ishte pjesë e lirisë dhe pavarësisë kombëtare ne na mungojnë plotësisht njerëzit apo burrat e lirë në formim të shtetit. Nuk kanë qenë as Zogu, aq më pak Enveri, as Sali Berisha as Fatos Nano, as Edi Rama dhe as të tjerët përfshi Metën dhe Bashën. As soj e sorollopët e tyre. Nuk janë "burra të lirë" që të ndërtojnë shtet, por janë "burra sundimtarë" që nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë të lirë! As të lirë dhe as pjesë e lirisë në raport me shtetin dhe akoma më pak me demokracinë! Sundimi i tyre as ka sjellë begati, as liri në ekonomi dhe prona dhe nuk ka sjellë as largim nga rruga e lodhshme dhe e shëmtuar në tranzicionin korruptiv. Mungesa e "burrave të lirë" ka prodhuar "gjigantë" të sundimit në të ashtuquajturën demokraci, që e kanë emrin Sali Berisha dhe Edi Ram. Nuk kanë ndërtuar një ditë të vetme shtetin, (megjithëse kanë bërtitur po bëjmë shtet) ngrehinën e tij, nuk e kanë mbrojtur kurrë këtë ngrehinë, sepse nuk e kanë pasur në "arsyetimin" e tyre si sundimtarë. Kanë dashur të ndërtojnë "feudin" e tyre, pa shpenzuar as gjak, as para dhe as me merita apo trashëgimi dhe kjo i ka bërë të jenë pikërisht burra jo të lirë dhe aspak shtetarë! Nuk ndërtuan kurrë sistem të së drejtës në mënyrë racionale dhe të ndershme! E kanë futur popullin e tyre "ose më mirë njerëzit e feudit të tyre" në halle të mëdha si ekonomike dhe politiko – kulturore. Nuk krijuan kurrë "kohezion social" dhe në të kundërtën, e prishën atë me dashje, në saj të një nxitjeje filozofikisht devijate që rrjedh nga qenia "skllav i dashuruar pushteti dhe pasurimi me anën e tij". Të tillë burra jo të lirë, por pushtetarë, jo vetëm nuk ndërtuan shtet, por nuk bëjnë dot as komb! Nuk bashkohen dot në idealin e madh kombëtar, sepse nuk i lejon kjo psikologji fatkeqe pushtetërimi absurd. Japin shfaqe nga më idiotet me një nacionalizëm burracakësh që tashmë pjesa më e madhe e shoqërisë i ka kuptuar. Janë kaq të vegjël dhe të paburra, sa që nuk duan të lëshojnë benefitet e politikës së pushtetit - kurrë të lëshuar dhe shtetit kurrë të ndërtuar.

Tani me të tillë "burra" ne paraqitemi përpara Europës dhe Amerikës. Të tillë tipa, na përfaqësojnë. Këta marrin vendimet dhe vendosin firma dhe vula në emrin tonë dhe për jetën tonë. Kjo tashmë është dhe fatkeqësia jonë. Praktikisht pa zotësia jonë shoqërore. Ne nuk mundemi t’i largojmë pushtetarët për të ngritur shtetarët apo "burrat e shtetit". Ata që ndërtojnë shtet dhe largohen me detyrën e kryer. Ne po bëjmë fajin e madh të konsiderimit dhe rreshtimit për po të njëjtët "burra pushteti" të cilët nuk largohen kurrë me vetë dijeninë dhe ndërgjegjen e tyre! Sepse nuk kanë ndërgjegje, sepse në fund të fundit, nuk janë "burra të lirë"!