BREAKING NEWS

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e njohur Luan Dacin

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e
x

Opinion / Editorial

Një e qeshur e madhe kur kalon kryeministri, është mrekulli demokracie!

Një e qeshur e madhe kur kalon kryeministri, është mrekulli

Në pazarin e Shkodrës, jo shumë mbas viteve 1930-të, emërojnë si post komandant një farë Mazllum aga. Në fakt i thoshte vetes agë, (aga) sepse për të qenë ishte nga një vend shumë larg Shkodrës, i panjohur dhe pa asnjë rëndësi dhe rastësia (e miqve) e kishte sjellë si komandant gjendarmësh në pazarin e Shkodrës. Po pra tregun më të madh në trevat shqiptare dhe rajonale të kohës me 1100 dyqane, gjashtë banka dhe 11 magazina të mëdha malli me shumicë. Mazllum aga ishte kapadai, fjalaman dhe me një dialekt që në Shkodër nuk e merrnin vesh. Kapadainjtë kot dhe arrogantët në qytetin tradicional nuk i tolerojnë, por në fillim tallen. Një ditë të diel pazari, mbushur plot me qytetarë dhe katundarë përreth Shkodrës, Mazllum aga kishte gjetur ditë të mbante fjalime dhe me dy xhandarët mbas vetes kishte marrë një "gjygym" hinkë, që përdorte tellalli dhe po ju jepte porosi - urdhëra dyqanxhinjve sipas mendjes së tij. Dikur nga një mejhane dëgjohet një hahahahaaaa, po kaq e madhe, sa e stërkaloi përhapjen e zërit nga gjygymi i Mazllum agë xhandarit. Të gjithë kthyen kokat dhe vetë Mazllumi mbeti keq. Sepse mbas tre sekondave qetësi, ja plasën të gjithë gazit në pazar. Mazllo agai urdhëron xhandarët të cilët filluan të kërkojnë në tym ndonjë viktimë për ta arrestuar, sepse ishte ndaluar fjala e Mazllum agë xhandarit të pazarit. Dikur gjejnë një fakir fukara, një hamall i cili "ishte gjithmonë buzagaz" dhe xhandarët menduan se "ky qeshka" për kunj të Mazllum agës. Fukaraja po bënte me duar dhe këmbë, por xhandarët e kapën dhe e lidhën. Dikur dalin nga "dugajat arit" dy terzij të famshëm të Shkodrës të njohur në qytet dhe krahinë, zotni Filipi dhe Ragip aga dhe ashtu të pasur e veshur me petka të shtrenjta, ndalin xhandarët dhe i afrohen Mazllum agës e mbasi i paraqiten i thonë: Mazllum agë, ke arrestu njeriun e gabuar, sepse nuk ka qeshur ai. Ku e dini ju, ju thotë Mazllum xhandari. Ndigjo Mazllum agë, i shpjegojnë dy tregtarët e pasur të Shkodrës - ai që ke arrestu është memec, nuk ka zë, është "pagojc", por ti mos u shqetëso shumë, "zene se kemi qesh ne të dy" dhe jemi gati me të pagu gjobën e të qeshurës. Mazllum aga, ishte një idiot por jo deri aty sa të kapej me dy pasanikë të pazarit të Shkodrës dhe për më tepër, se ata po thoshin na dëno sipas ligjit për të qeshurën me zë të lartë. Kreu ajo "lojë" me aq dhe Mazllumi iku prej pazarit të Shkodrës, por më vonë e transferuan në Burrel.

Po i kthehem ditëve të sotme. Ngjarja me ndalimin e një gruaje apo individi çfarëdo që qesh me të madhe kur po flet apo ecën, apo tregon ndonjë gjë Kryeministri, nuk është se ka lidhje kaq shumë me Mazllumin, por në fakt është "mazllumizëm modern.. Edi Rama ka freskuar si ide se "ky popull e ka kuptuar" se nuk i bëjnë asgjë me porosi ose dhe me mllef kur e shajnë Kryeministrin, e akuzojnë për kriminel dhe mafioz apo armik etj etj. Po pra sikundër e akuzon Lulzim Basha. Kryeministrit të Shqipërisë nuk i bën përshtypje kur me nerva, ti e shan mbarë e mbrapsht ( padyshim është shumë keq), por kryeministrit tonë i bën shumë përshtypje kur i presin fjalën dhe kur qeshin kur ai flet. Tashmë ai ka ardhur në ditët kur po e merr vesh, se modeli i tij është për të qeshur pikërisht atë farë "moderniteti" të tij që vlen për Spiropalen dhe Manastirliun apo ato që kaq kanë si "arritje" njerëzore si akuzat pa pudor dhe pa llogaritje të Luluzimit - por për shoqërinë e qeshura është veprimi më i qartë që mund të bëhet për këtë lloj "folkokracie lumpenësh " të quajtur Rilindje. Rama është person që tall dhe fyen, që bën demek humor dhe nganjëherë qesh vetëm ai, me humorin "të stërlodhur e zgjatur" që bën, por pikërisht në delirin e drejtimit të shtetit në groteskun folklorik dhe perfid e pervers të tij, duhet e qeshura për të mos nisur urrejtjen që pastaj prish ekuilibrat njerëzorë dhe shoqërorë në Shqipëri. Tashmë Kryeministri jonë e kupton që njerëzit që e qeshin me të madhe hahahaha... kanë shumë më tepër argument dhe forcë bindëse në publik se Lulzim Basha që ia rrit "pordhët" duke e akuzuar rëndë për të treguar se është medemek kundër tij. Në tragjikomedinë tonë qeverisëse dhe politike, një pjesë e qartë e shoqërisë shqiptare duhet të qeshë me të madhe. E i pari për të cilin duhet qeshur është Edi Rama. Të qeshim delirin politik dhe ekonomik, për delirin pa pluralizëm politik dhe administrues krejtësisht vetëm të një shteti gjysmagjel dhe më folklorikun arrogant që Shqipëria ka pasur ndonjëherë përfshirë dhe shtetin e tillë të Sali Berishës. Ai duhet qeshur kudo që shkon, kudo që flet dhe çfarë do që premton, (jo vetëm ai por dhe sivëllai i tij opozitar Luli) apo inaguron apo dhe prezanton. Duhet qeshur për të mos hyrë në kurthin e tij të ngritur në bashkëpunim me Bashën, të sharjeve të pista politike apo akuzave të mëdha për të cilat justifikojnë demokracinë dhe pluralizmin si Rama dhe Basha. E qeshura për kryeministrin dhe përballë tij, kur ai flet, është një kryevepër demokracie në Shqipëri. Ajo na ka mbetur përveç ditës së votimeve të cilën dhe atë e kanë në dorë të tillë personazhe humori dhe marrëzie politike si ato që kemi sipër kokave si në pozitë dhe opozitë. Një e qeshur e madhe kur kalon kryeministri, është një kryevepër demokracie.