BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Një herë më thonë je njeri me maska, herën tjetër pse nuk e ke vënë maskën?

Një herë më thonë je njeri me maska, herën tjetër

Një nga intervistat e mia të sikletshme, e cila më ka venë në një pozitë tejet të vështirë, ka qenë ajo që i mora “Babales”, bashkëvendorit tim. Them e sikletshme sa ja mendoni se si mund ta ndjejë veten dikush, kur shkon dhe interviston për bëmat e tij, një person me precedent penal dhe e dyta ishte se “Babalja “qëndronte në ilegalitet të plotë. Gjithsesi ashtu sikurse e ka dhe tradita e Labërisë ai më priti në mënyrë dinjitoze, aq sa që dhe vetë fillova të dyshoja në vërtetësinë e skandalit që tashmë në botën mediatike njihet me kodin “Babale gate”. Natyrisht që intervista duhej të rridhte si një bisedë e zakonshme dhe pa sforco, madje duhej të bëja kujdes që problemi duhej parë përtej Albert Veliut si person. Sapo i bëra të njohur qëllimin ai pranoi, por me një kusht që unë ta hiqja maskën. Dhe në fakt ashtu bëra. Por jo a i vrarë – më tha Berti ose me saktë i famshmi “Babale”, e kam fjalën që me mua të flasësh pa maska e hapur, sepse jeta më ka lodhur aq shumë sa që dhe varrit do ia tregoj se ç’kam hequr unë mbi tokë. Ja e di ti miku im se unë, madje jo vetëm unë, por të gjithë pa dalë fare “Kovidi” i vinin e i hiqnin maskat sa herë të dëshironin. Do thuash ti që unë iu futa punës kriminale me transport dhe shpërndarje të drogës! Po pse ore ata pronarët e bar-bufeve nuk shesin drogë?! Pse si mendon ti mos rakia e Skraparit që prodhohet atje në të vendin e Ilirit, apo rakia e koçimares së Karaburunit nuk është drogë?! Pi të lutem nje dopio raki koçimare dhe ta shohësh kur të çohesh mbas dy ditësh i trullosur e të flasësh si e ëma e Zeqos në majë të thanës. Më kanë akuzuar se unë bëja me demek fallco në atë video. Ja supozojmë se bëra fallco, po të pyes ty cili pushtetar nuk bën fallco nuk gënjen e mashtron?! Pse ore premtimet që bëjnë e nuk i mbajnë e që na gënjejnë, a nuk janë fallco? Më kapën mua fukarain më incizuan dhe o burra j fajin e paska Babalja! Unë e kam deklaruar dhe në video se kam transportuar hashash, drogë, madje dhe shejtanin shqiptar e kam çuar me gomone në Itali. Po pse ore unë qenkam fatkeqësia e Shqipërisë që kur bie shi në dimër më pikon shtëpia?! Unë qenkam krimineli që vuaj për bukë dhe mbasi më gënjyen ma futën sa krahu e nuk më dhanë asnjë kacidhe?

Ndërkohë unë e ndërpreva dhe e pyeta Babalen se a kishte fakte për pushtetarët, apo thjesht deklaratën enigmatike e bëri për interes të PD-së.

E çfarë lesh PD-je e PS-je?! Nuk më paske ndjekur ti që unë shikoj jetë time private?! Ore miku gazetar, ore ku më shumë e ku më pak të gjithë ata që kemi mbi krye janë të përfshirë në afera të ndryshme korruptive në të gjitha fushat, të gjithë gënjejnë dhe nuk gjen dot njeri të ndershëm. Por unë nuk kam fuqi që tu them pse na gënjyet me atë çekun e bardhë, apo kur na mburreshin me “Dragonjtë e Vlorës” e se gjasme me këta dragonj do lulëzonin Shqipërinë dhe e hëngrëm sa krahu aq sa na shqyen dhe rrënxallen. Pa më thuaj ti mua, ti që rri me laps në dorë a mori shteti nën akuzë ndonjë prej tyre? Jo! E hëngri ajo Sudja si puna ime. Ta them unë fukarai që ma futën sa krahu dhe më gënjyen... Ore fundja kush nuk do gënjehej për atë shumë të majme që ata më premtuan?! Po pse ore ai presidenti ynë që bën shqiponjën në mes të kraharorit mos është më i ndershëm nga unë? Mua, fundja më gënjyen, por ama ai paratë i kërkoi hapur, e çfarë i bënë atij? Asgjë! Thanë që videoja e tij na qenkësh fallco. Edhe timen e nxorën fallco, ama mua duan të më dënojnë e atë jo. E shikon ti që në këtë mes e ha vetëm fukarai? Plasi Gërdeci sa u çudit bota? Do më thuash ti që po plasi, por askush nuk e dëshironte të ndodhte ajo që ndodhi. Joooo moreee... Po pse nuk e dinte ai Berisha im (se më përpara dhe unë kam qenë me PD-në) se paratë atje i ndante Mediu me Zenin? E çfarë u bëri drejtësia atyre?! Asgjë prej gjëje. Madje kur ata të drejtësisë e panë Berishën të përlotur e se ai vetëm atëherë e mori vesh se atje i punonte dhe i ndjeri baxhanak apo kunati u erdhi jashtëzakonisht keq. Më kanë thënë, por unë me thënë të drejtën vetë nuk e kam parë, që një avokat me emrin Genci vajti t’i fshinte lotët me shami, por pa dashje nxori e ja fshiu me nja dy kartëmonedha 500 euroshe që i kishe në xhep. Ke parë ti që Berisha ia mori na dora e i tha lëri se i fshi vetë lotët! Fundja le të marrim dhe vetë Ramën, po ai pse do ta ngushëllonte, mos vallë dhe atij i erdhi keq? Do më thuash ti që Berisha nga ajo ngjarje u prek shumë në shpirt dhe qau. Hesht a i vrarë, se Berisha kurrë në jetën e tij nuk ka qarë veç i ka bërë për të qarë. Mësoje e të mo e harroç kurrë se i nuk qante për njerëzit, por për paratë që iu dogjën nga tymi e flaka e Gërdecit. Hëë pa më thuaj ti mua tani, kush është ai me maska, jam unë apo ata? Ore vëlla, dëgjomë mua, këta të gjithë janë të përlyer, apo e harrove atë Sokolin e Vlorës kur ishte kryetar dege që për llogari të tij niseshin me hashash skafet nga Pylli i Sodës. Po pse ore çfarë ndryshimi kam unë nga ata juristë, doganierë, avokatë, noterë deri te kryetarë bashkish që vjedhin me të dy duart? E di ti që unë jam më i pastër? Unë nuk vodha, e pa do thuash ti se shpifa dhe shpifja dënohet. Po këtu a të “q...a udhët” të gjithë shpifin! Shpifin ndaj dhe na e kanë bërë dhe vendin të shpifur duke marrë njerëzit arratinë. E mua më thonë fol hapur e hiqi maskat! Po ç’të them ore aman kur unë e deklaroj se e kam nisur hashash në Itali, bile dhe jam dënuar a ka më të sinqertë se unë? Unë e tregoj çiltër e hapur biografinë time, ata e fshehin dhe më vonë mbasi iu dalin zullumet i heqin nga lista për deputetë. Po ti or lumëmadh nuk e di se si janë pasuruar ata të komisariateve nga ku dhe një polic i thjeshtë që dje la dhitë dhe pa asnjë gram shkollë policie sot ka bërë vilë në Vlorë lëri më ata superiorët e mëdhenj. Ka raste që ata gëzojnë kur kapin ndonjë si puna ime e dikurshme. Jo se gëzojnë se luftuan krimin, por gëzojnë se mbasi e kanë kapur “barishten” fërkojnë duart, sepse në ato momente fillojnë dhe pazaret. Po pse ore ti kujton se ata nuk i kanë të evidentuar, nuk i njohin dhe nuk i dinë se kush merret me këto punë? I dinë si dreqi, por dhe i lënë sepse kur të piqet malli do marrin dhe ata pjesën e tyre. Po a godasin? Sigurisht që dhe godasin ndonjë sa për të shkruar ndonjë artikull ju gazetarët, por dhe atë e dënojnë pak. Ai amerikani që iku e që u tha shikoni peshqit e mëdhenj, bëri mirë ç’është e vërteta, po këta ma futën mua që jam e ngelem një cironkë e vogël e që artificialisht më ushqyen me hormone peshqish duke më quajtur peshkaqen. Po mirë ma bënë se me të vërtetë u tregova peshk! Ja i shikon ti ato pallatet afër stadiumit diku aty pranë “Arabit”?! Atje që thua ti, poshtë themeleve të disa pallateve të reja që janë ndërtuar kanë gjetur rrënojat e Vlorë së vjetër antike dhe e kanë shpallur zonë arkeologjike, por ama pallatet sipër tyre, që kanë më shumë se 10 vjet të ndërtuara, as nuk i kanë prishur e as nuk i legalizojnë. E di ti pse nuk i legalizojnë? Ja ta them unë, nuk i legalizojnë se ata që mbulojnë këtë sektor duan para dhe pa para sot asgjë nuk bëhet. Ata nuk dalin hapur or vëlla, por me maska dhe të sorollatin sa andej këtej duke të të zhvatur, ndërsa mua Bert Veliut, apo si më thërrisni tani ju “Babale”, ata që vjedhin më shumë nga unë e që janë në shtet më thonë: hiqi maskat! Ja unë i hoqa, po ata pse nuk i heqin? Apo përfitojnë nga pandemia dhe me këtë rast venë maska. Shiko e them, hapur vërtetë jam pa shumë shkollë, por të jesh i sigurt se ata janë kusarë e kaluar kusarëve ndaj dhe bërtasin.

- Po ç’mund të na thoni z. Babale tashmë që do bëhen zgjedhjet a beson te deputetët?

Nuk kam besim te asnjeri. Po të ishte për mua do propozoja Biken, Sabriun. Edhe ai është çam si puna ime, është njeri i besës dhe i ndershëm sa ska paçka se na ka dalë nami si “çam i pabesë”, por unë e di që atë kurrë s’kanë për ta zgjedhur sepse ai i shkreti jo që nuk di të vjedhë, por i lejon të tjerët dhe ta vjedhin. Unë tani jam në hall të madh se kur vë maskën më thonë pse rri i maskuar, kur heq maskën më kërkojnë llogari që përse nuk e ve maskën. Këta po më detyrojnë të jem me dy fytyra.