BREAKING NEWS

Masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve komunikon vendimin e fundit

Masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19,
x

Opinion / Editorial

Një i çmendur edhe një Amerikë e “çmend”!

Një i çmendur edhe një Amerikë e

Sikur të ishte gjallë Martin Luter King, me siguri do të shkruante: Tragjedia më e madhe e ngjarjeve të 6 janarit në Amerikë, nuk është çmenduria e një të çmenduri, qoftë ky edhe president, por “mençuria” e organeve ligjvënëse, ligjzbatuese dhe e atyre të drejtësisë që heshtën edhe nuk i vlerësuan qëndrimet e tij prej aventurieri, për të mos lejuar të vendosej një njollë turpi në historinë e demokracisë amerikane. Me siguri do e thoshte këtë King, përderisa dihet që të çmendur ka e do të ketë kudo, në çdo vend të botës, por që ata të njollosin demokracinë qysh kur Amerika fitoi pavarësinë para dyqind e dyzet e pesë viteve, kjo është e papranueshme. “Në vendin tim e në vendin tënd/ Një i çmendur, një vend e çmend”, shkruan Dritëro Agolli. Por ja që paska edhe më keq akoma, kur një i çmendur mund të çmendi edhe një Amerikë. Por nuk duhet të çuditemi nga “bëmat” që mund të bëjë një i çmendur, sepse nga këta lloje “speciesh” jo vetëm pësojnë të tjerët, por nxjerrin edhe mësime nga këta, që siç shkruan më poshtë Dritëroi: “e shpojnë lakrën, i hedhin mënd”. Është një ngjarje e paprecedentë sulmi i 6 janarit në “trurin” e demokracisë amerikane, ku turma të irrituara, të nxitura nga një i çmendur, përdhosi demokracinë dhjetëravjeçare, ku deri në këtë kohë quhej “Bastioni i demokracisë”! Asnjëherë më parë në historinë shumëvjeçare të Amerikës, nuk ka ndodhur një ngjarje e tillë kur, brenda pak orëve “pushtohet” ndërtesa e Kongresit bashkë me senatorët e të dy dhomave të Senatit, ishin mbledhur për certifikimin e zgjedhjeve. Pavarësisht se si u zhvilluan ngjarjet, ajo ç’ka dua të theksoj, kjo nuk është e rastësishme dhe si e tillë, më tepër se një i çmendur, “çmenduria” më e madhe është “mençuria” e përfaqësuesve të pesëdhjetë shteteve, e organeve të sigurisë dhe atyre të zbulimit. Vallë këta organe përgjegjëse, nuk kishin dijeni për këto veprime kur diheshin qysh kur Trump mori mandatin e zgjedhjeve? Zgjedhja e tij u shoqërua me protesta të fuqishme edhe kundër, por edhe pro tij. Kjo është një e vërtetë e madhe e aq më tepër në këtë hark kohor të katër viteve të fundit kur edhe nga më naivët, diheshin halucinacionet e një Trumpi qysh nga mënyra se si i “fitoi” zgjedhjet në mandatin e parë e deri tek mënyra se si ai “i fitoi” ato për të qeverisur edhe për një mandat tjetër. Demokracia amerikane, ka dhënë shumë prova si “kështjella e demokracisë” ku në të vërtetë, popujt kanë mësuar shumë e në mënyrë të veçantë popujt e ish-vendeve komuniste të Europës Lindore. Kjo, është një e vërtetë e pamohueshme. Është po kaq e vërtetë që edhe sot, nuk mund të themi që demokracia amerikane tashmë nuk funksionon, por një goditje të rëndë, e ka marrë. Ne shqiptarët, ndaj këtyre fenomeneve, jemi shumë të ndjeshëm sepse sidomos në këto tridhjetë vite i kemi provuar mbi kurriz veprimet arbitrare të të “çmendurve” që duan vetëm pushtet. Në fund të fundit, demokracia jonë, është një demokraci e brishtë dhe akoma duhet kohë për të konsoliduar demokracinë dhe shtetin ligjor dhe krahas kësaj duhen vënë në “udut” të çmendurit, që nuk pranojnë humbjen, që nuk njohin kalimin paqësor të pushtetit. Është edhe një mësim i madh ky që marrim nga Amerika, sipas të cilit, nuk janë e keqja më e madhe ata që nuk kanë të hanë, por janë ata që janë të etur për pushtet, e në radhë të parë ata që kanë pasuri përrallore. Këtë mësim, na e jep Trump sipas të cilit as milionat e as miliardat nuk vlejnë përpara pushtetit. E kundërta ndodh me fukarain që sikur të marrim ata që tek ne jetojnë me katër mijë lekë asistencë, t’i shtoheshin edhe një mijë lekë të tjera, do të fërkonin duart dhe do të ishin më të lumturit. Fukarai, kënaqet me pak, të pangopur, janë ata që kërkojnë të kenë tërë pasuritë e rruzullit tokësor. Është e patolerueshme për organet që përgjigjen për rendin dhe qetësinë apo të shërbimit informativ që të mos kishin të dhëna e aq më tepër kur diheshin qëndrimet e një Trumpi, që pretendonte për “vjedhjen e votave” nga kundërshtari i tij. Jo vetëm kaq, por ky President paralajmëronte edhe protesta, bile edhe të dhunshme dhe ndodh që këto organe të kishin të dhëna sikur “do të zhvilloheshin protesta të paorganizuara me pjesëmarrje të vogël të cilat do të ishin të papërfillshme! Dita e 6 janarit, i vërtetoi që nuk ishin të tilla por të organizuara në mënyrë “Trampçe”, d.m.th ushtarët e Komandantit të Përgjithshëm, do të sulmonin “vendkomandën e Komandantit të Përgjithshëm” apo më thjesht Trumpi kundër Trumpit! Trumpi, ashtu si e filloi mandatin e tij qeverisës, ashtu edhe po e mbyll. Që ka të çmendur kudo në botë, kjo dihet, por problemi është që të çmendurit, nuk duhet të bëjnë ligjin, apo mbi organet e zgjedhura me votë demokratike, të bëjnë ligjin turmat e rrugëve. Kjo, nuk ka vend ku të qëndrojë. Në këtë kuptim, i çmenduri konkret, jep edhe mësimin tjetër edhe për ne që jo në pak raste turmat e rrugëve, me bomba molotov e të armatosur me shkopinj e xhepat e mbushura me gurrë, kërkojnë të rrëzojnë pushtetin legjitim. Ja pra që kjo, nuk ndodh vetëm në një vend të vogël siç jemi ne e me një demokraci të brishtë, por edhe në një vend të madh me demokraci dhjetra vjeçare siç është Amerika në rastin konkret. Pushteti, merret, mbahet, apo dorëzohet vetëm me votë. Edhe Trump këtë e vërtetoi në praktikë. Trampizmi, më së shumti në histori do të hyjë si një rrymë që vendos veton e tij edhe mbi organet ligjvënëse edhe mbi organet ligjzbatuese edhe mbi organet e drejtësisë. Në mos gaboj, Trump i etur për pushtet nuk përfilli as mbi tetëdhjetë gjykata, të cilat me fakte kundërshtonin pretendimet e tij, “sytë e errur” për pushtet të Trumpit, as këto organe nuk i përfillnin. Jo vetëm kaq, por ai shpërdoroi edhe kompetencat që i jep ligji, duke i shfrytëzuar në mënyrë të jashtëligjshme siç është rasti kur ai kërcënon edhe të zgjedhurit nga populli apo duke bërë presion mbi ta për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, pra as më shumë e as më pak të veprojë jo ligji, por antiligji. “Dështimi për ta mbajtur përgjegjës Presidentin, do të dëmtonte më tej demokracinë tonë dhe aftësinë tonë për të përmbushur në mënyrë efektive qëllimet tona të politikës së jashtme”, thuhet në njërin nga kabllogramet që u shpërndanë midis diplomatëve të javën e kaluar të cilën e dërguan në udhëheqjen e Departamentit të Shtetit. Por, kundërshtitë ndaj politikave të Trump, nuk janë vetëm në politikën e jashtme, por në shumë raste edhe në politikën e brendshme dhe si e tillë, veprimet e fundit të tij, nuk janë rastësore. E megjithatë, akoma hezitohet të hiqet nga “trupi” një “çiban” që kërkon të mahisë gjithë trupin, pavarësisht se sa do të mund të arrijë qëllimin e tij. Më tej në kabllogram, thuhet: “Është thelbësore që Departamenti i Shtetit të denoncojë qartë rolin e presidentit Trump në këtë sulm të dhunshëm ndaj qeverisë amerikane", ku theksohet se komentet e vet presidentit nuk duhet të përdoren "pasi ai nuk është zë i besueshëm për këtë çështje". Trump, është i vetmi President që është vënë para përgjegjësisë dy herë radhazi edhe në rastin e ndërhyrjes ruse në fushatën zgjedhore të Trump edhe në ngjarjet e kohëve të fundit. Ajo ç’ka është pozitive, në rastin e ngjarjeve të 6 Janarit edhe nga dhoma e përfaqësuesve demokratë edhe nga ata republikanë, u kritikuan ashpër veprimet e çmendura të Presidentit republikan. Kjo tregon atë që mbi gjithçka, është ligji pavarësisht se kujt partie i përket apo me çfarë bindjesh politike është. Ja edhe këtu ne, nxjerrim një mësim të madh që mbi gjithçka, është Shqipëria, është shteti ligjor dhe demokracia, mbi bindjet partiake apo krerët e forcave të ndryshme politike. Jo në pak raste tek ne, është bërë e modës që mbi Shqipërinë e mbi ligjin, mbrojmë turmat e rrugës, marrim në mbrojtje veprimet e tyre antiligjore në drejtim të rendit apo të ruajtjes së pronës publike. Jo më larg se viti i kaluar, ish-deputetët demokratë u përleshen me forcat e rendit për “padrejtësitë” që ata kishin bërë duke i ndaluar për dhunë ndaj forcave të rendit dhe shkatërrim të pronës publike. Duke sulmuar njëri-tjetrin apo duke i shkelur syrin njëri-tjetrit, as që bëhet fjalë për të konsoliduar demokraci të vërtetë, apo shtetin ligjor. Shumë shumë veprimet e Trump, mund t’i vijnë në “ndihmë” Presidentit tonë, por jo demokracisë për të cilën ne aspirojmë e aq më tepër kjo, të jetë një mësim edhe për demokracinë amerikane. Individët, kanë rolin e tyre të padiskutueshëm në histori edhe në interes të përparimit kur zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet, por edhe në regresin kur këta shkelin ligjet dhe u kundërvihen atyre me metoda arbitrare. Individë të tillë, qofshin këta edhe presidentë shkaktojnë tragjedi të tilla sa që do të jetë shumë e vështirë të riparohen. E megjithatë, rasti Trump, është një mësim për politikën tonë e në mënyrë të veçantë për “Trumpët” si “kryeministri i ardhshëm” me shkollim perëndimor Basha, apo ndonjë si Mediu republikan jo që e mbështetën në inaugurimin e tij me pjesmarrjen e tyre me kapelat Trump dhe dy gishtat përpjetë dhe akuzuan ashpër Ramën, i cili qysh atëherë u shpreh që “zgjedhja e tij do të ishte fatkeqësi për Amerikën”. Më së shumti “Trampët” tanë, në këtë drejtim, janë “mësuesit” e Trumpëve amerikanë se si ata duhet të veprojnë kur u “vidhen” zgjedhjet. Së fundi, marrim vesh që Trump, nuk do të jetë pjesmarrës në inaugurimin e Biden si President i 46-të i Amerikës. Aq më keq për të, ku edhe ky do të jetë një rast i rrallë në historinë e Amerikës. E megjithatë, askush të mos mendojë që mospjesëmarrja e Trumpit në betimin e Presidentit të zgjedhur dhe qëndrimi i tij larg, nuk do të thotë që edhe ithtarët dhe turmat e tij do të jenë larg, përkundrazi, ato do të jenë “afër” Capitolit.