Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Një opozitë e dështuar vazhdon avazin e “Babaleve”

Postuar: 11/09/2018 - 07:09

 Opozita jonë e dështuar ka bojkotuar parlamentin dhe ka filluar luftën nga hollet e hoteleve luksoze. Nga Shkodra Lulzim Basha me suitën e tij donkishoteske kaloi në Elbasan. Dhe kush ishte alternativa apo mesazhi që u përcolli shqiptarëve?! Ajo që kemi dëgjuar gjithmonë nga goja e tij, që kur doli në opozitë, sharje ndaj kryeministrit Rama, thirrje bajate për dekriminalizim e dekomunistizim. U mbushën 6 vjet që PD dhe LSI, populli i nxori në opozitë dhe që nga ajo ditë nuk kemi parë të shtrohet një alternativë prej tyre, një program për një qeverisje ndryshe, që të ngjalli besim tek populli e të bëhet e besueshme për të marrë pushtetin. Çdo opozitë gjithë punën e luftën e saj e mbështet në alternativa e programe konkrete me qëllimin e vetëm që të bëhet sa më e besueshme në elektorat për të bërë rotacionin e pushtetit. Këtij populli iu bë i urryeshëm Berisha, dhe kur nuk deshi ta lëshojë kolltukun, populli e nxori me armë nga dritarja. Iu bë i bezdisshëm Meta duke qëndruar në kalin e pushtetit me hipokrizira, ndaj i tregoi vendin të provonte se sa fuqi kishte. Tani po i bëhet i mërzitshëm e i padurueshëm Basha, që tregon përralla me babale në çdo takim që bën e në çdo konferencë shtypi që jep. Opozitarizmi i ngordhët i Bashës i ka bërë edhe më skeptikët që janë të pakënaqur nga qeverisja socialiste të shprehen: Ka shumë gabime kjo mazhorancë, po kujt t’ia japësh tjetër votëbesimin!? Ky është realiteti sepse populli të sheh, të gjykon dhe të vlerëson nga puna, nga alternativat, nga mendimi progresiv dhe konstruktiviteti i aksionit politik e pasi arsyeton me objektivitet të jep atë që meriton.

Motoja e gjithë opozitarizmit e këtyre dy forcave politike, PD dhe LSI, që nga fillimi i demokracisë ka qenë: Mos bëni si bëj unë, por bëni si them unë. Kjo opozitë bën kritika për ato gabime e faje që vetë i ka bërë me tepricë, por që nuk u ka kërkuar një herë falje shqiptarëve. Çdo aksion që ajo ka nisur, ka përfunduar në hiç, sepse nuk ka patur as kauzë dhe as motiv politik e social. Të gjithë e mbajmë mend se si e nisi luftën e saj opozita jonë sapo zuri karriget e parlamentit si kundërshtare politike. E nisi me luftën kundër komunizmit që përfaqësoheshin nga Gramoz Ruçi si kryetar parlamenti dhe Fatmir Xhafaj si ministër i Brendshëm, madje bëri betimin para shqiptarëve se vendosja e tyre në postet që mbajnë sot, do të arrihej vetëm nëse kalohej mbi trupat e tyre. Ky lloj opozitarizmi, popullit në një vesh i hynte dhe në tjetrin i dilte se, ai e ka të qartë se është ndarë përfundimisht me komunizmin dhe vetëm ora e opozitës ka mbetur në ato kohëra kur Sali Berisha, lideri i saj historik ishte sekretar i PP. Lufta e opozitës me komunizmin i ngjan asaj të Don Kishotit me mullinjtë e erës dhe vërtetonte thënien proverbiale se foleja e fundit e strehimit të një maskarai është antikomunizmi. Pra populli kishte votuar PS, se i kishte pëlqyer programi dhe alternativat e saj, dhe pak i interesonte se kush ishte kryetar parlamenti apo ministër. Pasi u zgjodh Gramozi e Fatmiri pa kaluar mbi trupat e tyre, Basha filloi luftën me grabitësit e hajdutët e pronave, e ata që ngritën e objekteve të paligjshme dhe përfituan nëpërmjet legalizimeve, por kur vjehrri i tij mori miliardat nga pallati që i shembi qeveria, e uli zërin, e mërmërisë me veten, por populli filloi t’i tundte kokën: bjeri ti bjeri, se i more paratë e tuaja, më shumë se tu deshën! Opozita pra e harroi shumë shpejt luftën kundër hajdutëve të pronave se kishte një objektiv: të ruante me çdo kusht pasuritë dhe privilegjet e shumta që kishte vënë në kurriz të këtij populli fukara. Ndaj e harroi shpejt Gramozin e komunistët dhe iu turr me gjithë mllefet mesjetare dhe bateritë e sapokarikuara moszgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme. Betimi përsëri ishte po ai: Prokurorja do të zgjidhej vetëm nëse do të kalonte mbi trupat e Bashës, Monikës, Tit Vasilit, Palokës e Flamur Nokës. Dhe këtu e treguan veten se ç’opozitë ishin, sidomos kur Monika hoqi këpucën dhe kaçakët e Bashës mbushën trastat me miell e xhepat me vezë e iu turrën qeverisë në podium. Kjo ishte alternativë “alla kryemadhçe!” U tret edhe ky aksion si vesë mëngjesi. Atëhere u morën ca kohë me ish ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, ngritën dhe një komision të madh hetimor parlamentar, por kur edhe këtu dolën bllof, iu sulën vëllait të ministrit aktual, Xhafaj. Dhe se nga gjetën një Babale pa identitet dhe pa dinjitet, i bënë një instruktazh të qepur trashë, i vunë pas një gazetar të panjohur që mori përsipër një rrisk të madh, dhe kështu nisën “epopenë” tjetër, që mbeti në histori me emrin Babale. Por Babalja i shkretë më shumë u ngatërrua me këmbët e veta, se sa e ngatërruan ata që e paguan dhe u zhduk pa nam e pa nishan. Si “padashje”, opozita e la edhe këtë aksion “tronditës” në harresë. Atëhere duhej gjetur domosdo një Babale tjetër. Dhe ngrihet Lul Basha në mes të parlamentit dhe si të kishte zbuluar Amerikën, drejton gishtin drejt mazhorancës, duke akuzuar Taulant Ballën, se një Toytë Yaris me 3,4 milionë euro kishte hyrë në Shqipëri me porosi të tij. U lëshua kjo deklaratë në ajrin e demokracisë me “krenari udhëheqësi” dhe i plasi mbi kokë si tullumbace. Edhe pse pa asnjë program e alternativë, opozita jonë nuk dorëzohej kollaj. E gjeti armën tjetër të opozitarizmit: mbrojtjen me trupat e saj, të godinës së vjetër të teatrit. Populli priste të merrte vesh se nga erdhën, kush i dërgoi dhe ku shkuan paratë, nëse ishin të vërteta deklaratat e Lulit, dhe se kush ishte fajtori që duhej dënuar. Mbeti vetëm zhurma dhe opozita vazhdonte të kakariste nga tribuna e parlamentit, pa sjellë asnjë fakt konkret, dhe kështu hëngri bukë ca kohë me këtë akuzë false! Por kot nuk rrihej. Me realitetin, “qeveria puno e opozita shpif”, do të kalohej dita e do i thuhej elektoratit se bëjmë opozitarizëm “të fortë”! Kështu, se ku gjetën edhe një Edmond Beg, i cili paska lidhje me Taulant Ballën dhe paska përfituar tenderë me miliarda lekë prej tij. Zgjati dhe kjo nja dy-tri ditë e plasi si flluskë sapuni, si të tjerat.

Me këto përralla, opozita jonë e shtyu vapën e korrikut dhe gjysmën e vapës së gushtit. Po vinte sesioni i ri parlamentar, ndaj duhej gjetur një “babale” i ri. Filluan të gërmonin në arkiva jashtë vendit dhe këtë herë gjetën një material “të freskët”, përgjimin e bisedës së Denar Bibës me gjyqtarin e Strasburgut, Ledi Bianku, ku “pushtetari” Biba i bëka presion për të mos u dhënë shpërblimet e vendosura nga gjykata pronarëve të ligjshëm. Po biseda ka qenë brenda relatave miqësore e procedurave standarde, se po të ishte ndryshe, nuk do t’i kishte marrë i vjehrri i Lulit miliardat e objektit të tij! Edhe për këtë rast populli iu kthye Lulit: Vjehrri yt i mori paratë, kurse ti na tregon përralla Strasburgu! Vallë, a ka dinjitet e moral opozita jonë, hidh akuza e asnjë fakt që të vërtetojë ato!? Populli do përgjigje: Si i mori paratë vjehrri i Bashës, ç’u bë me akuzat për vëllain e Xhafajt, kush shpifi e kush vodhi? Ku shkuan 3.4 milionë eurot, që erdhën me Toytën Yaris e ku përfunduan? Ku vajti Babalja e Edmion Bega, ç’u bë me Balilajt e financierin e tyre? Populli pret të shpjegohet Basha, ose si akuzues me fakte ose të dënohet si shpifës.

Qysh në ditën e parë të sesionit të ri parlamentar, opozita e gjeti vegjën e bojkotimit: ngjarjet kriminale që ndodhën kohët e fundit në Shkodër. Dhe vajtën e u mblodhën në një sallë atje në atë qytet, pa treguar asnjë emër krimineli, pa treguar asnjë rrugë se si mund të forcohet rendi e siguria, si duhet ndihmuar policia e ndëshkuar krimi, por edhe atje treguan përrallat e përditshme që kemi dëgjuar në parlament e konferenca shtypi, me akuza plot mllef për mazhorancën e qeverinë “Rama”. Nga Shkodra në Elbasan, lëshuan thirrjen “për mobilizim të gjithanshëm të popullit” për rrëzimin e qeverisë. Dhe Luli me Saliun, Monika me Tit Vasilin, presin si ariu se këtë vjeshtë mos bëjnë shumë gorricat. Pak halle ka ky popull e pak gabime bën qeveria, mbi të cilën mund ta mbështesë opozitarizmin e saj opozita jonë, e të bëhet e besueshme, por merret me “mustaqet e Çelos. Bukur e sintetizoi opozitarizmin e dy partive tona, PD dhe LSI, komshiu im: E gjithë puna e opozitës sonë- tha ai- është: “shkul ullinj dhe mbill shalqinj”.

Nga Ramazan SHERJA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 4. Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 07:43

Gjurmët e jetës, punës dhe sakrificës së Qazim Demit janë të gdhendura fort në qytetin e Sarandës, ndonëse ai ka lindur në Filat të Çamerisë, një ndër qendrat kryesore patriotike e kulturore të trevave të Jugut.

Postuar: 23/09/2018 - 07:40

 “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, tashmë është një ëndërr që për shqiptarët ësht

Postuar: 23/09/2018 - 07:38

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 23/09/2018 - 07:37

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 22/09/2018 - 07:24

Pozita dhe lidershipi i saj, akuzon opozitën për pengesë në reformën e drejtësisë dhe sidomos dy

Postuar: 22/09/2018 - 07:22

Para çdo palë zgjedhjeje, në Shqipëri, klasa politike as nuk ia ka idenë te premtimet ndaj zgjedh

Postuar: 22/09/2018 - 07:19

Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tj