Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Një partizan lufton me dyqind fashistë!

Postuar: 13/08/2019 - 07:15

“E dimë që Latua e lau me gjak.

 Titullin “Hero” do ta kishte me hak”!

          (Arben Duka)

1. Milicët fashistë nuk ishin “popullorë, as pa armë, as pa uniformë”, siç shkruajnë ca “akademikë dritëshkurtër”, por të armatosur deri në dhëmbë. Mjafton të kujtojmë betejën e një partizani komunist me një batalion fashistë.

Përleshen 200 “skifterë”

me një “shqiponjë”!

 Ky ishte Lato Braho nga Erindi i Lunxhërisë të Gjirokastrës, dëshmor. Jetoi 29 vjet. U diplomua në Francë për jurist. Erdhi në Shqipëri më 1934 me diplomë në xhep. Por u rekrutua ushtar nga regjimi i Zogut! Në Francë u njoh nga afër me fitoren dhe dështimin e Komunës së Parisit, me celula komuniste, me zhvillimet politike, ekonomike, kulturore e shoqërore. Takohej shpesh me vëllezërit Gogo e Kozma Nushi. U pajis me përvojë të pasur revolucionare. Pas kthimit në atdhe vepronte guximshëm si antizogist, antifashist dhe komunist, ende pa u themeluar partia. Është një nga dyqind petritët. Regjimi i Zogut e dënoi në burgun e Tiranës. Pesë vjet i lidhur më zinxhirë kokë e këmbë, natë e ditë. U lirua me pushtimin fashist. Por u burgos në Berat. Edhe pse u porosit “të mos lëvizte”, ai shkonte ilegalisht në Tiranë, takohej me Qemal Stafën e Vasil Shanton, njohur në burg, me vëllezërit “Nushi”, Mihal Duri e Misto Mame etj. Ka një rrugë luftarake: Luftëtar i orëve të para, një nga propagandistët, organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të Antifashizmit në Gjirokastër, sidomos në krahinën e Lunxhërisë e të Rrëzës. I njohur për cilësi të larta njerëzore politiko-morale. Kryevirtyti i tij ishte atdhedashuria. Shquhej për trimëri, dituri, oratori, iniciativë, veprues, drejtues. Anëtar i qarkorit të Gjirokastrës. Krijues i celulave të partisë, të aktivëve të rinisë, të njësiteve guerile, të grupeve edukative, të organizatës së gruas në Lunxhëri; të aksioneve antifashiste kundër postave armike, në hapjen e depove të tyre për marrjen dhe shpërndarjen në popull të bereqetit e të armëve për partizanët. Agjitator shtëpi më shtëpi. Masovik, i pandarë nga njerëzit e thjeshtë, sidomos nga rinia. Mbrojtës i interesave të vegjëlisë. Përherë në punë shoqërore. Veprues aktiv në qytetin e gurtë, në minoritetin grek, në Kurvelesh, në Zagori. I hapur dhe i aftë në nxjerrjen e partizanëve sipas parimit të vullnetarizmit. Atje ku shkelte këmba e tij, çdo aksion ishte i sigurt. I dalluar si veprimtar e kuadër. Një çetë partizane në krahinë u quajt me emrin “Lato Braho”. Ishte njeri i aksioneve. Nuk rrinte pa vepruar çdo ditë. Shkonte fshat më fshat dhe ndihmonte në zgjidhje problemesh. Për faktin se nuk rrinte dot pa aksione, edhe kur nuk caktohej për ndonjë aksion të tillë, ai sa e merrte vesh, shkonte vetë. Me pushkë në krah apo në dorë dhe me revolver në brez, e shihje gjithnjë. Jo vetëm, por ai me shpirt sulmues zgjidhte edhe probleme të tjera. Në Valare Mbeti Zog kishte një parcelë tokë, që ia mbillnin, i shërbenin dhe merrnin prej saj prodhime të freskëta, të cilat ia dërgonin mbretit në vilë! Këtu ishte roje një matjan, trupgjatë, i shëndetshëm, i fortë. Por ishin hapur ca fjalë se ai ngacmonte një femër, e cila i pati treguar vendin. E mori vesh Latoja dhe i shkoi në vend, ku bënte roje. Sa nisi të fliste me të për çështjen në fjalë, roja mblodhi dorën grusht dhe po bëhej gati ta godiste. Po përpara kishte një njeri që “s’ia hante qeni shkopin”. Ku kishte burrë nëne t’i dilte përpara Lato Brahos, këtij trimi të shkathët, që syri s'donte t’ia dinte e dora nuk i dridhej. Me shpejtësi nxori revolverin, e rrotulloi në pëllëmbën e dorës dhe pa ia drejtuar fare rojës, ky ndaloi veprimin që kishte ndërmend të kryente, shtangu, shqeu sytë dhe u tërhoq! Mori një përgjigje të prerë: “po i ngajte një fije floku asaj gruaje, ose ndonjë gruaje tjetër, t’i hodha trutë në erë!”. Të nesërmen e në ditë të tjera ky roje nuk u duk më në atë detyrë! Nuk dihet u largua vetë nga frika, apo e hoqën eprorët e tij...Me Lato Brahon nuk bëhej shaka...

Kryetrimi partizan vret dhjetëra

fashiste dhe plagoset në kokë.

 22 korrik 1942. Fashistët dhe spiunët e kishin Laton në “rreth të kuq”. Ia kishin frikën. I tmerronte emri i tij, maliheri i tij. Dhe synonin ta kapnin të gjallë ose ta zhduknin. Një batalion me 200 milicë shkuan drejt Valaresë, ndalën në fushën e Erindit. U hapën gjoja për “stërvitje”. Në fakt vrojtonin të zbulonin ku ndodhet “komunisti Lato”. Rrotullonin sytë andej-këndej. Më në fund e dalluan. E rrethuan. Por këmbët u dridheshin nga frika. Ngushtuan unazën e rrethimit. Me gjysmë zëri kryemilici fashist i bëri thirrje: “Dorëzo armën”! Por mori përgjigjen trimërore: “Komunistët nuk e dorëzojnë armën”! Dhe në çast u përgjigj me gjuhën e maliherit. Vret dy armiqtë e parë dhe ishte gati për shkrepje të tjera…

 Zjarri kryqëzohet. Armiq dyqind, Latoja një! Shtrihet barkas. Merr shenjë. Vret dy armiq të tjerë. Edhe dy. Edhe dy! Latoja ndërron vendin. Shfrytëzon terrenin. Qëllon. “Palos” të tjerë milicë. Fishekët nuk i shkojnë bosh. E shkrep pushkën kur bindet se predha shkon në zemër ose në lule të ballit të armikut! Lëviz e shtrihet ku vret e vetë nuk vritet. Armiqtë s’e shohin, qëllojnë kot. Ai godit me precizon. Ishte snajper. Dy armiq i afrohen, i vret dhe këta. Afër tyre tre të tjerë, e panë dhe i drejtojnë pushkën. Por gruaja trime Shero Kaçi, që punonte aty pranë u foli shqip: “Mos qëlloni!”. Dhe vrapon drejt tyre me shat në dorë për t’i goditur! Armiqtë befasohen, tremben nga një grua! Ata më pushkë, ajo me shat! E vranë gruan e gjorë, dëshmoren e parë të rrethit. U ndezën gjakrat. Latoja hakmerret. I vret të tre burrecët që u matën më një grua. I afrohen dy armiq të tjerë. I vë në shenjë dhe i vret. Dy që ishin pas tyre prapsen nga frika dhe shtrihen përtokë për të qëlluar. Latoja i qëllon më parë, i vret dhe këta. Me pushkë në sy ka përpara tre armiq, i lë në vend! Por fishekët po i mbaronin. I mbetën vetëm dy! Ç’do bënte tani? Kishte dy bomba. U hoqi siguresën dhe i hodhi drejt armiqve. Tufa e fashistëve u sakatua. Vendi tym e flakë. Dëgjohen ulërima ”Mama mia”! Nga frika e krismave dhe zhurma ë bombave, gomari i Sheros këputi litarin ku ishte lidhur dhe lëvizi. Fashistët kujtuan se ishte Latoja dhe qëlluan më batare drejt zhurmës. Vranë gomarin! Qëlluan dhe një herë që të siguroheshin se “Laton e vranë” dhe përsëri plumbat shkojnë në trupin e vrarë të gomarit, që u bë copa-copa…Lato trimi vazhdonte të ishte gjallë, me pushkë në dorë… Mjedisi vazhdonte tym. Latoja kërcen si sorkadhe drejt rrjedhës së një rrëkeje më ujë dhe ngjitjet rrëzës së kodrës në krah të fshatit. Shtrihet, qëllon me ata dy fishekët e fundit. Dy fashistë bien njëri pas tjetrit pa frymë. Por një fashist e dallon dhe e qëllon: plumbi i tij e plagos në anë të kokës. Trimi vrapon më tutje, ecën dhe pak, qëllon, çan rrethimin. Gjaku i rrjedh nga koka. Rrugës duken pika gjaku. Fashistët e ndjekin sipas shenjave të gjakut. Duan ta kapin të gjallë. Me shpejtësi Lato trimi heq këmishën dhe me të lidh kokën. Gjaku s’pikon më. Humbasin gjurmët. Fashistët s’dinë nga ta ndjekin, djathtas apo majtas. Latoja shkon në thellësi të pyllit të dendur. Është i padukshëm. Qëndron në vend dhe vigjilon. S’ka më fuqi. Ai trup i fortë, bie përtokë, pa ndjenja…

“Për të çmendur,

ka të mençur”!

Fashistët janë të mundur, humbës dhe inatosen. Alarmohen. Hakmerren. Kërkojnë forca të reja. Batalioni armik shtohet. Rrethohet fshati Erind. Kontroll gjithandej. Dyshojnë: është vrarë apo jo “rebeli komunist”? “Mos është futur në ndonjë shtëpi?! Dhe e kërkojnë nga banesa në banesë. Pyetje, presion, kërcënime. Duan të dinë: ”Po nuk është vrarë, ku është strehuar? Nëse është vrarë, ku është trupi i tij?” Kontroll i fortë në shtëpinë e tij. Dufin e urrejtjes e nxjerrin duke arrestuar familjen: babain, nënën, dy vëllezërit, dy motrat adoleshente. Presion psikologjik, por më kot. Armiqtë largohen me turp, por vigjilojnë se mos Latua u del përpara në befasi… Hakmarrjes fashiste i përgjigjet atdhetarizmi, uniteti e solidariteti shqiptar. Fshatarët përhapen në kërkim të shokut të tyre luftëtar. Pas tri ditësh, e gjetën në pyll, pa ndjenja. E pyesin, ai s’flet. E pyesin prapë, lëviz pak, hap sytë përgjysmë. Një buzëqeshje të lehtë. I fshijnë gjakun. Ë ngrenë në krahë dhe, me dashuri e lot në sy, shkojnë drejt fshatit. Po ani? Me kujdesin e Qarkorit të Partisë i plagosuri niset për Gjirokastër. E pret kirurgu antifashist Vasil Laboviti për t’i hequr plumbin nga koka. E veshin si nuse, e hipin mbi kalë. E shoqëron një grup i armatosur, si dasmorë. Dhe grupi u nis. Udhëtojnë lirshëm. Rrugës edhe këndojnë, për të dhënë përshtypjen se janë vërtetë dasmorë. I afrohen urës së Gjirokastrës. Dëgjohet urdhri: “Ndal!”. Afrohet përgjegjësi i rojës. Hedh sytë sa nga krushqit dhe sidomos nga “nusja”, me revolver të padukshëm në brez për çdo eventualitet!! Krushqit qëndrojnë në vend, por me vigjilencë të mprehët e të buzëqeshur! “Kërcen prifti nga belaja”! Përgjegjësi i rojës jep urdhër: “Avanti”, kaloni! Hapet postbloku. Nusja dhe grupi i “dasmorëve” kalojnë pa problem. Fitore! (Kështu është vepruar edhe kur doli nga qyteti i Fierit dhe shkoi partizane komunistja Heroinë e Popullit, Liri Gero)… Operacioni u krye më sukses. Maliheri priste të zotin. U takua pushka me trimin. Latoja gati për beteja të tjera. I mbeti pushka në sy. Jeta nuk iu sos. Trimi do vijonte luftën, do plagosej dhe dy herë me plumb në kokë dhe do shpallej dëshmor. Në vendin ku luftoi heroikisht me dyqind fashistë ngrihet lapidari kushtuar dëshmorit Lato Braho!

Dëshmori mbeti në këngën:

“Qani fusha, qani male”

Këngë e ngritur dhe e kënduar nga populli edhe në festivale të krahinës. Këndohet dhe sot nga grupi artistik i Lunxhërisë. Ishte dhe ka mbetur i nderuar për meritat e tij. Është përmendur e përmendet për trimëri në dallgët e lutës, në krahinat e Gjirokastrës dhe më tej, në të gjithë qarkun. Pleq të ditëve të sotme kujtojnë dhe tregojnë episode nga jeta dhe figura e tij. Ishte shembullor në lidhjet me popullin, i dashur shumë me njerëzit dhe për njerëzit, madje dhe me kafshët. Tregojnë se ai kishte një mushkë besnike! Kur trimi Lato mungonte se shkonte në këmbë me punë partie nga fshati në fshat, mushka e kërkonte, nuk hante, nuk pinte ujë e nuk flinte. Kur e shikonte së largu se po vinte në Erind, nisej vrap, i dilte përpara dhe ulej në gjunjë që ta merrte në kurriz kaluar për ta sjellë në shtëpi! Kur po varrosej e njerëzit qanin disa gra ulërinin, mushka dëgjonte, shikonte dhe hingëllinte pa pushim, “qante” si njeri! Pas varrimit njerëzit u shpërndanë, por mushka Laton nuk e pa kurrkund. Vraponte nëpër fshat, shkonte te varri, e kërkonte gjithandej. Duke hingëlluar shkonte në ato vende që kishte qenë me Laton, prapë nuk e gjente. Kaluan disa ditë. Të vrapuarit e mushkës nëpër gurët me zhurmë të fshatit dhe hingëllima pa pushim e saj shqetësonte banorët, të cilët u mblodhën dhe vendosën ta largonin. Shkuan në Maqedoni. Atje mushka jo vetëm nuk e pa Laton, por s’njihte asnjeri. Dhe mushka shkoi vetë në liqen të Ohrit dhe u mbyt!

***

 U përleshën dyqind skifterë me një shqiponjë! 200 fashistë me një filiz komunist, partizan me maliher, me emrin e të cilit u përurua një çetë partizane e asaj treve. Beteja u zhvillua me zjarr.

Liria nuk dhurohet, por fitohet me pushkë, me gjak. Pushka do barut të thatë. Kërkon shpirt atdhetari, zemër shqiptari, sy, duar, trimëri. I tillë ishte Lato Bahoja!...

Nga Sevo Tarifa

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2019 - 13:40

Sipas nenit 129 të Kushtetutës “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”.

Postuar: 15/11/2019 - 07:14

Sa nisi reforma në drejtësi të skicohej dhe komisioni i posaçëm nisi punë, përplasjet mes palëve

Postuar: 15/11/2019 - 07:13

Quhet Francesko Becchetti (në shqip Françesko Beketi).

Postuar: 15/11/2019 - 07:11

...Nuk kanë asnjë ndryshim bile muhabetet e gjahtarëve pas gjahut sikur plagosin arinj, ujq, çake

Postuar: 15/11/2019 - 07:10

Tashmë janë të qarta dhe ditët e përfundimit të "dashurisë" së politikanëve andaj këtej

Postuar: 15/11/2019 - 07:09

Për nga faktet dhe historia e shqiptarëve të Kosovës, vërehen dy elementë kryesorë që i ngjajnë k

Postuar: 15/11/2019 - 07:08

Pas më shumë se një viti pritjeje për fillimin e punimeve në shëtitoren “Naim Frashëri&rdqu