BREAKING NEWS

Lajme të mira pas krizës nga COVID-19/ Ministrja e Financave zbulon kur do të hapen të gjitha bizneset

Lajme të mira pas krizës nga COVID-19/ Ministrja e Financave zbulon
x

Opinion / Editorial

Një president i tipit “anarkist” mesjetar!

Një president i tipit “anarkist” mesjetar!

Presidenti, vrapon me shpejtësi drejt “gropës” që vetë e ka përgatitur! Vetëm këtë po vërteton çdo ditë e orë që kalon dhe asgjë tjetër. Historia njeh shumë ngjarje të rëndësishme për besëlidhjen shqiptare, por po veçojmë vetëm tre prej tyre. Ngjarja më e rëndësishme është ajo e Kuvendit të Lezhës më 2 Mars 1444, një vit mbas kthimit të Skënderbeut. Qëllimi i vetëm ishte bashkimi i të gjithë princave dhe Principatave kundër Perandorisë Osmane. Për të mos u zgjatur, po themi konkluzionin më të rëndësishëm që del nga kjo ngjarje. Kuvendi i Lezhës, ishte pikënisja e krijimit të shtetit shqiptar. Kurse pikënisja juaj o president, është pikënisja për shpartallimin e shtetit shqiptar, atë synim që kishin shovinistët në të kaluarën. Ngjarja e dytë është Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbas afro katër shekuj e gjysmë me synimin për t’i dalë zot Shqipërisë përballë shovinizmit të ndihmuar edhe nga fuqitë e mëdha, që Shqipëria të mos copëtohet, që edhe kjo ngjarje e rëndësishme ka lënë gjurmë për atë më kryesoren, që Shqipëria dhe shqiptarët të mbijetojnë. Ngjarja e tretë jo më pak e rëndësishme, që pritet të zhvillohet më 2 Mars të këtij viti mbas afro një shekull e gjysmë nga Lidhja e Prizrenit, ta quajmë Besëlidhja “president – popull” që do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”! Kjo “Besëlidhje” ndryshon nga dy të parat mbasi në këtë eveniment, nuk do të bëhet fjalë për bashkimin e popullit, por për atë të përçarjes së popullit. Është shtyrë populli shqiptar në rrjedhat e historisë herë me trima e patriotë në krye dhe herë me “katrigarë”, që më shumë se të huaj këta të fundit janë të vetët që ngrenë kokë në momente të caktuara. Ka edhe një veçanti tjetër kjo ngjarje, sepse sot, që Shqipëria aderon në NATO, së shpejti pret momentin e rëndësishëm që të bëhet pjesë e familjes europiane. Por ja që “katrigarëve” kjo nuk i pëlqen dhe kërkojnë me çdo mjet e me çdo çmim të kthejnë prapa rrotën e historisë. Nuk bëhet fjalë ta kthejnë para afro pesë shekujsh, sepse atëherë bëhej fjalë për bashkim, por shumë më herët në epokën kur njerëzit jetonin të vetmuar në pyll dhe ushqeheshin me rrënjë e gjethe pemësh. Sikur të mos mjaftonte edhe kaq, të mendosh që këtë “gjëmë” do t’ia bëjë Shqipërisë, kreu i shtetit, apo siç quhet Presidenti i Shqipërisë, kjo është pak të ngresh “kujën”. Të gjithë që e dëgjuan deri në orët e vona të natës se çfarë fliste ky president, është shumë pak që ta quash të “lajthitur” dhe masa më e parë që duhet të merret ndaj tij, është izolimi jo vetëm nga populli, por edhe nga Dervishaj dhe Blushi. Edhe ai më naivi pyet me kureshtje: “Vallë ky të jetë president” që ka ikur fare nga “fiqiri” dhe kërkon të protestojë me popullin? Në mendje të vijnë disa pyetje që duan edhe përgjigje që disa “gazetarucë” i anashkalojnë për të mos e “shqetësuar” presidentin si një fanatik i tij, që dikur deshi edhe ai të bëhej i tillë, por sa veshi kostumin u kthye mbrapsht. Nejse, kjo është punë e tij. Logjika ta thotë që në këtë protestë “alla Meta” do të vijnë simpatizantët e tij të tipit Kejda, Malaj, Klajda, Shezo, Panariti, Vasili and & co. Bashkë me këta ta zëmë se do të vijnë edhe 100.000 simpatizantë të tjerë, këta do të imponojnë këtë “trim” të nënshkruajë dekretin për “grushtin” kundër “grushtit të shtetit” që ai pretendon. Është e nevojshme që këtu, të bëjmë edhe një sqarim. “Ky, tha midis të tjerave presidenti, është një zhvillim i ri, është “grusht Kushtetute”dhe jo “grusht shteti”! Sa të rrojmë do të mësojmë nga këta farë politikanësh që na kanë mbirë në krye e nuk po shqiten. Po i drejtohem presidentit: “M’ fal, m’ fal, m’ fal, m’ fal... Pse nuk jeni shqetësuar kaq shumë ndonjëherë si sot që ju ka ikur edhe zëri edhe figura gjatë këtyre tridhjetë viteve në politikë që mjerimi është ulur këmbëkryq, që Shqipëria po shpopullohet, që fshatra e qytete të tërë janë braktisur, që shqiptarët sot janë ndarë jo në pesë shtete si dikur, por në pesë kontinente? Si nuk u shqetësuat ndonjëherë kaq shumë bashkë me të tërë kolegët e tu, të majtë e të djathtë, sepse të tërë një prerje “kallëpi” jeni, kur edhe pyjet janë “shpopulluar” që edhe lumenjtë e liqenet janë shterur, që edhe peshqit ja kanë mbathur larg për të mos u helmuar, që edhe natyra shqiptare është shpërfytyruar, që edhe korbat e sorrat ja kanë mbathur nga “trojet” e tyre edhe derrat e ujqit ja kanë mbathur sepse nuk gjejnë qetësi nga ajo që janë të ekspozuar para rrezikut. Qysh nga milingonat e deri tek kreu i shtetit mendjen e kanë vetëm për t’u larguar. Ju drejtohem juve president (megjithëse vetëm emrin e keni të tillë) sepse juve keni qenë në krye të piramidës këta tridhjetë vitet e fundit dhe juve jeni përgjegjësi i parë për gjendjen e krijuar për të mos thënë edhe të tjera. Këtu o i dashur president, bëhet vetëm luftë “bërrylash”, luftë për pushtet dhe për asgjë tjetër. Pyetjet për juve nuk kanë fund dhe po e vazhdoj për ata që do të vijnë në “kushtrimin” që keni lëshuar ju. Juve thoni që “do të më diktojë populli për atë çfarë unë do të dekretoj”! Po mirë more, populli këta simpatizantët tuaj janë, apo ka edhe të tjerë? As më shumë e as më pak këta që do të vijnë në sheshin tuaj, o president, janë opozitarë dhe juve do të zbatoni vullnetin e tyre për të përmbysur shumicën që vetë populli apo shumica e tij e ka votuar? Si është e mundur që opozitarët me në krye juve të përmbysin atë ç’ka populli ka votuar me votë, përfaqësuesit e tij? Kështu e thotë Kushtetuta që juve e mbani me vete? Kanë bërë shkelje, thoni juve, edhe Dvorani, edhe Parlamenti edhe “perla” e Ministrisë së Drejtësisë. More kjo “perla” mos ka bërë ndonjë zbulim andej nga Britania? Mirë që kanë bërë shkelje po pse nuk keni besim tek organet e drejtësisë që vetë keni qenë në krye të tyre? Drejtohuni tek organet e drejtësisë dhe të ndëshkohen fajtorët nëqoftëse janë, por pse i thërrisni simpatizantët tuaj në miting? A jeni në terezi nga mendtë e kokës? Pse juve pranuat të emëronit ata anëtarë të gjykatës, që nuk e kanë kaluar vetingun? As juve president, as politikanët e rangut tuaj kryeministër e kryetar Kuvendi, e deri tek “guri” i fundit të piramidës, luftoni vetëm për pushtet, nuk luftoni për parimet, për ligjet, por si e si të kapni ndonjë mik në organin më të lartë të drejtësisë, si të korruptoni ndonjë gjyqtar dhe gjyqtarët e prokurorët kanë të drejtë të “lyejnë rrotën e qerres” që të lëvizin. Të gjithë të tillë janë, por në mënyrë të veçantë ata më të paaftët që të tillë janë me shumicë qysh nga juve i pari. As më shumë e as më pak o president, paskeni qenë njeriu më i çuditshëm në llojin tuaj dhe qenkeni fare i çmendur pas karriges. Mirë ta tha një nga gazetarët, që populli flet me dy mënyra, ose me referendum ose me zgjedhje. Po kjo lloj “paçavure” e juaja e ç’farë lloji është? Si merrni guximin e thoni që njëqind apo dyqind mijë vetë do t’u imponohen dy milionë të tjerëve?  A jeni apo nuk jeni juve i gjithë shqiptarëve? Të tërë “i shitët”, edhe kombëtarët edhe ndërkombëtarët, njihni vetëm Kushtetutën, të cilën këtë e keni shkelur me të dy këmbët, duke filluar qysh me thirrjen që bëni për “shpartallimin e grushtit kundër Gjykatës Kushtetuese”! Përderisa Gjykata Kushtetuese, nuk funksionon, mbetet të themi që juve jeni vetëm një roje i thjeshtë, që qëndroni në hyrje të saj. Çfarë ruani atje? Do të vijnë këta mbështetësit tuaj “me qetësi e dashuri” apo të “egërsuar? Për të treguar që jeni “paqësor” pozoni me një degë mimoze! Me këtë pozë që bëni doni të tregoni që jeni “paqësor” apo që jeni simpatizant i” ngjyrës së verdhë”? Juve thoni: “Do të vijë populli që të ngrejë të gjitha institucionet që kanë rënë dhe ka mbetur vetëm “kështjella kolibe” ku jeni mbyllur juve! Për këtë keni të drejtë, por problemi është si do t’i ngrenë dhe t’i marrin në “duart e tyre”?! Më tej thoni që: “Mua më intereson integrimi në familjen europiane”. Bukur, por në familjen europiane do të shkojmë me anarki dhe duke shkelur Kushtetutën? Me gojën tuaj pranoni që “po të jetë puna për forcë, unë i kam 1000 vetë”! Ç’është kjo rezervë, që mbani juve në “skalonin e kështjellës” tuaj? Mos vallë këta e bëjnë atë “kështjellë” të pamposhtur? Ku e ka shkruar Kushtetuta këtë? Nuk kam ç’ju them tjetër përveçse: “Zoti ju bekoftë”! Që është e kotë të merresh me juve, kjo dihet, por nuk e mora vesh që gjatë gjithë kohës, në çdo tre fjalë, pesë herë përmendnit Kushtetutën që e keni aq për “zemër” dhe në fund ja falët një “kokëpalari”, duke i thënë: “Vetëm i thoni shqiptarëve që kjo është Shqipëria, kjo është Amerika, kjo është Europa”, pra të gjitha ato që juve i keni shkelmuar. Vetëm tek një “kokëpalarë” e patët këtë besim për t’i dorëzuar Kushtetutën në këmbim të stilolapsit që ai ju dorëzoi me shqiponjën e Skënderbeut e stemën e Besëlidhjes së Lezhës. Duke ditur që për juve ç’do gjë që thoni është e kundërta, Besëlidhjen e Lezhës, do ta ktheni në “Besëprerën” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe shqiponja që juve e keni qejf vetëm duke e formuar me pëllëmbët e duarve, por ajo nuk i shet pjellat e veta dhe si shqiponjë, do të turreni mbi “sorrat” për t’i shqyer ato? Sa janë vallë këto “sorra mafioze” që tentuan t’u “vidhnin” një anëtar të Gjykatës Kushtetueses, që do t’u shpëtonte nga “bëmat” e shumta? Nuk e mendoni që kjo aventurë do t’u kthehet në bumerang? Presim “Kuvendin” tuaj e të shohim se si e çfarë do të firmosni në bulevard, që askush deri më sot nuk ka guxuar ta bëjë...