Opinion / Editorial

Një pyetje për ndërtuesit dhe sizmologët

Një pyetje për ndërtuesit dhe sizmologët

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 me magnitudë 6.4 ballë shkundi plotësisht qytetin e Durrësit dhe shkatërroi shumë shtëpi, pallate, hotele, spitale,shkolla etj. Shkatërrimet e shumta që shkaktoi ky tërmet tregojnë për një memorie të dobët që ne kemi në lidhje me historikun e tërmeteve në vendin tonë. Kjo ndodhi shqetësuese, na tregoi edhe një herë, për mos funksionim të institucioneve përkatëse, nënvlerësim dhe një shpërfillje të tyre ndër vite nga qeveritarët tanë. Dihet që vendi ynë është një vend me aktivitet të lartë sizmik dhe sipas sizmologëve qysh nga shekulli i dytë p.K në Shqipëri janë regjistruar rreth 55 tërmete me intensitet deri 8 ballë. Dihet që qysh herët qyteti i Durrësit veçanërisht, është goditur dhe rrafshuar nga tërmete shumë të fortë. Historiani Alain Ducellier përmend korrikun e 1267, ku asnjë ndërtesë në këtë qytet nuk i mbijetoi atij tërmeti të fuqishëm, ku shumë njerëz vdiqën brenda ndërtesave të rrëzuara, ndërsa ata që dolën jashtë u larguan dhe braktisën këtë qytet. Por ne duke mos ditur këto fakte apo duke i nënvleftësuar ato, ndërtuam përsëri në kundërshtim me rregullat dhe kodet e ndërtimit, të cilat përcaktojnë mënyrat e ndërtimit në zonat sizmike. E njëjta skenë si ajo e tërmetit të vitit 1267 u përsërit edhe në 26 nëntor 2019, ku toka u drodh fort dhe njerëzit u zunë në grackë brenda ndërtesave të tyre, edhe ata që shpëtuan, u larguan dhe shkuan në qytete të tjera të vendit. Një memorie e dobët historike mbi tërmetet, si dhe një mos zbatim i rregullave në ndërtim solli këtë tragjedi në humbje jetësh si dhe dëme të mëdha materiale. Sipas profesorit grek të sizmologjisë Papazakos: “Ndërtesat e reja të viteve të fundit u kthyen në një sistem antisizmik shumë më të këqija se ato të vjetra. U ndërtuan banesa me një nivel të ulët sigurie. Për shkak të tranzicionit u vërejt një anarkizëm i plotë në ndërtim. Shoqëria shqiptare duhet të pranojë gabimet e saj përndryshe pas pesë apo dhjetë vjetësh do të përjetojmë një Durrës tjetër, apo një vend tjetër që do të shkatërrohet”. Tani jemi në momentin ku janë verifikuar të gjitha problematikat në lidhje me dëmet, është nxjerrë dëmi ekonomik, fatura për riparimin e të gjithë këtyre dëmeve për kthimin në normalitet në gjendjen më të mirë se përpara tërmetit. Sot qeveria po kërkon fonde për rindërtimin dhe riparimin e banesave dhe e çdo gjëje tjetër të dëmtuar. FMN ka akorduar sot për dëmet nga tërmeti 87 milionë euro. Por çfarë mendojnë specialistët e ndërtimit- përsëri do të vazhdohet me mënyrën e deritanishme të ndërtimit, me hekur dhe beton, me ndërtesa të larta dhe pa kriter? Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik dhe ndoshta duhet të ndryshojmë mënyrën e ndërtimit, duke ju përshtatur metodave bashkëkohore, sidomos të atyre vendeve që kanë një eksperiencë të madhe në lidhje me tërmetet, si Japonia apo Kalifornia. Metoda e ndërtimeve me hekur dhe beton po tregon që nuk është shumë efikase në vendet me aktivitet të lartë sizmik, pasi sipas specialistëve të ndërtimit, betoni si material i ngurtë pranon shtrëngime të mëdha në shtypje, por shtrëngime të vogla në zgjatje dhe kalon në thyerje, ku në rastet e tërmeteve punon në tërheqje apo zgjatim, ndërsa çeliku ka fortësi të madhe në zgjatim, e cila është gjë pozitive në këtë rast. Gjithashtu kjo metodë ndërtimi i jep peshë ndërtimit apo objektit, gjë e cila është në disfavor në lidhje me lëkundjet, por vetëm koston e ka më të ulët se metodat e tjera. Japonia besoj është shembulli më i mirë për tu marrë, për masat parandaluese dhe menaxhimet në të tilla raste. Metoda e ndërtimit të vendeve të tjera me konstruksione apo me material amortizuese në themelet e ndërtesave, e bën të rezistueshme atë nga çfarëdo lloj lëkundjeje. Edhe metoda me struktura fleksibël me Teflon, sipas ndërtuesve jep qëndrueshmëri të madhe në rastet e lëkundjeve. Egziston edhe metoda ku ndërtesat bëhen me bazë gome të fryra dhe me një material të lëngshëm që thith lëkundjet, por ka një kosto të lartë në ndërtim dhe kërkon njerëz të specializuar për ndërtimin e tyre. Në këto banesa, veçanërisht për ndërtesat e larta janë përdorur materiale elastike për të shmangur thyerjet nga lëkundjet e forta të tokës deri në magnitudë 9 e shkallës righter. Në San Francisko për ndërtesat e larta në themelet e tyre vendosen amortizues me material elastik gome dhe pastaj vazhdohet me konstruksione metalike. Patjetër që këto metoda bashkëkohore të vendeve me një eksperiencë të madhe në lidhje me tërmetet, kërkon një analizë dhe një studim duke parë efektivitetin e secilës prej tyre si dhe mundësitë e realizimit. Edhe në qoftë se ndërtojmë banesa, me cilësi të lartë sipas eksperiencës sonë, me materiale beton dhe hekur, përsëri nga lëkundjet dhe goditjet e forta dhe të shpeshta sizmike, këto ndërtime do të dobësoheshin shumë dhe në një moment kohe do të bëheshin jo të sigurta për banim. Këtu shtrojmë pyetjen për specialistët e ndërtimit dhe të sizmologjisë: Nëse për ndërtimet e larta duhet të vazhdojmë me metodën që kemi, apo duhet të ndryshojmë metodë duke përdorur ato japoneze apo kaliforniane të ndërtimit? Patjetër që nuk duhet të nxitohemi duke mos analizuar metodat më të mira bashkëkohore në ndërtimet të cilat konsiderohen të larta. Duke u nisur nga dëshira e mirë për strehim sa më të shpejtë, apo ndonjëri edhe për fitimet e momentit, ne mund të gabojmë, duke na çuar përsëri po në atë gjendje ku ishim më parë. Sidoqoftë ky tërmet shkatërrues na tregoi që duhet të zbatojmë çdo rregull dhe sizmologët duhet të dëgjohen dhe të marrin rolin dhe përgjegjësinë e duhur në ndërtimet që bëhen sot. Është momenti që ne duhet ta vëmë në binarët e duhur mënyrën e ndërtimeve në Shqipëri për sa i përket qëndrueshmërisë sizmologjike dhe vendeve apo trojeve jo të përshtatshme për ndërtime. Patjetër që duhet të punohet për një kod të ri sizmik për t’iu përshtatur kushteve aktuale, i cili duhet të rinovohet në çdo pesë vjet, për t’iu adaptuar kodit sizmik europian. Sipas sizmologut grek Lekkas: “Është e nevojshme të hedhim hapa shkencorë që kanë të bëjnë me sizmikën, gjeologjinë, ndërtimet, në mënyrë që këto të dhëna të kthehen në ligje për shtetin duke mundësuar ndërtime të qëndrueshme”.