Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Një vetërenditje ekstremisht e gabuar e Presidentit

Postuar: 12/01/2019 - 07:19

Nuk po gjykojmë veprimin e Presidentit Meta, në lidhje me refuzimin e propozimit të ministrit të ri, Gent Cakaj, në numrin e madh të ministrave, propozuar nga Rama për dekretim. Ai është kompetenti që lëshon dekretet, kur i kundërshton, edhe kur ato mund të jenë në papajtueshmëri me kushtetutën. Tek e fundit ai konsiderohet babai i saj dhe nuk përbën sakrilegj nëse e shkel një, dy apo dhjetë herë. Është “babai” dhe ka më shumë të drejta në familjen e një vendi që quhet Shqipëri. As përse ka refuzuar nuk mund t’i kërkohet llogari. Ai është në majë të piramidës shtetërore dhe ka informacione që organet e tjera shtetërore ndoshta nuk i dinë. Në këtë kuptim nuk mundemi ta qortojmë të parin e shtetit, Presidentin, Kryekomandantin, Kryetarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Aq më pak të hyjmë në mes të debatit në të dyja anët e kufirit në Shqipëri e Kosovë, që pothuaj të gjithë nxitojnë të marrin pjesë në një debat gati surreal.

Ajo që duam të ndalemi është renditja që bën Presidenti, Shkëlqesia e Tij, Ilir Meta kur i përgjigjet Ramës. Për ta vënë në vështirësi Kryeministrin e vendit, në replikë me të, e cila në realitet shkon shumë thellë dhe bën pothuaj një kronologji për tërë “mëkatet” e Ramës në përgojime, denoncime, kanosje, siç i emërton Presidenti. Dhe para se të kundërshtojë deklaratën e Ramës, ai nis të numërojë bëmat me të cilat e evidenton të parin e qeverisë, i cili sipas konkluzioneve presidenciale, kanë qenë gjatë një kohe të gjatë target i luftës së Kryeministrit. Dhe të kërcënuarin e parë rendit komisar Zaganin, i cili është sot në egzil dhe deklaron luftën që ka bërë me strukturat shtetërore së pari me policinë gjatë një kohe të gjatë në denoncimet e tij, kundër atyre që bënin trafikun e drogës në bashkëpunim me zyrtarët e policisë. Me fjalë të tjera, me ata që e kanë detyrë numër një ta luftojnë këtë fenomen kur ndodh edhe tek të tjerët. Është një odise e gjatë, kjo e betejës së të “ndershmit” Zagani dhe këtyre të policisë këtu, të cilët shkëmbejnë replika të shumta dhe secili vetëshpallet si hero kundër kanabisit. Po ky Zagani, edhe pse një komisar i emëruar nga shteti në një pozicion kyç nuk ka kursyer askënd me denoncimet e veta dhe në mbrojtje të jetës së tij, iku nga detyra për të kërkuar strehim politik jashtë shtetit dhe ia arriti ta përfitojë atë. Sipas informacioneve të policisë, po edhe të drejtësisë, ai ka disa llogari me drejtësinë e këtushme dhe duhet të japi llogari si ka vepruar dhe përse nuk ka qëndruar këtu për të argumentuar e provuar me fakte veprimtarinë e tij, për të pastruar veten dhe për të përgjegjësuar të akuzuarit prej tij. Në këtë kuptim, Zagani duhet të lajë vetveten, pasi edhe ai është i akuzuar për informacione të paautorizuara ndaj policisë italiane, pasi këtë të drejtë e kanë organet kompetente. Pa folur se ai, këto informacione i ka shitur nën dorë. Në këtë mënyrë, Zagani nuk është se mund të shërbejë si një alibi nëse e denoncojnë organet e vendit tonë për bëmat e tij. Dhe në këtë drejtim, edhe nëse e denoncon Kryeministri, që besojmë se ka informacionin e mjaftueshëm për të thënë fjalën e tij. Kështu që Zagani nuk ka si të vendoset në krye të listë së të kërcënuarve, vetëm pse i është kërkuar të sqarojë pozicionin e tij këtë histori.

Fill pas Zaganit, Presidenti rendit të kërcënuarin e dytë. Dhe ky është nënkomisar Muka, i cili shërbente në Komisariatin e Fushë Krujës. Është zyrtari i policisë që shkroi një informacion që su provua asnjëherë. Denoncoi Ballën dhe disa deputet të mazhorancës se i kishin shkuar në zyrë dhe e kishin kërcënuar që të hiqte dorë nga hetimi i djalit të deputetit socialist, Rraja. Dhe pasi hodhi tymueset në tërë opinionin e vendit, ai u largua duke shkelur tërë legjislacionin shqiptar dhe vetë rregulloren e funksionimit të Policisë së Shtetit. Ai zgjodhi të shkruante, të informonte, po jo të ballafaqohej. Hetimi nxori falsitetin e denoncimit të nënkomisar Mukës. Asgjë nuk u pa në kamerat që vëzhgojnë si një sy që nuk fle kurrë. Po edhe nga vetë Xhisiela dhe i akuzuari për dhunë nuk doli gjë në dritë. Falsiteti i akuzave të Mukës ishte kaq i trashë dhe i pavend sa asnjëherë ai dhe të tjerët që e mbështesnin nuk nxorën qoftë edhe një fakt të vetëm për të provuar se ka pasur të drejtë. Edhe arratisja e tij nga vendi i detyrës, si dhe kërkesa për azil politik tregon se ky zyrtar i shtetit, i paguar nga taksat tona, në vend që të qëndronte dhe të mbronte akuzat dhe të dilte e vërteta në shesh nuk zgjodhi rrugën e ballafaqimit me akuzat që vërshuan ndaj tij, po përkundrazi gjithçka e llogariti si të fitonte vetë ai dhe ata që e përpunuan dhe rrëmbyen frytet e zhurmës me lajmet që asnjëherë nuk u provuan. Përkundrazi, u demaskuan si të pavërteta dhe sajime të nënkomisarit të Fushë Krujës.

Po renditja presidenciale e të kërcënuarve nuk mbetet këtu. Në radhë vjen profesori i nderuar që i kishte shkruar një letër zotit President. Dhe vetëm se ai guxoi të informonte, u “kërcënua” nga Rama. Në realitet, shumë profesorë të Universitetit të Tiranës dhe qyteteve të Shqipërisë, pas protestës së studentëve dolën që nuk jetojnë me ritmin dhe pulsin e studentëve, as me kërkesat që ata kanë. Sepse shumica e tyre janë detyrim ekskluziv i tyre, që t’i zgjidhin ose t’i bëjnë prezente në organet kompetente. Po pas kësaj letre, Kryeministri foli për problematikat që adresonte profesori i nderuar. Dhe në to, ai kishte një duzinë që duhet t’i vinte në programin e tij të punës se është kreu i universitetit. Dhe nëse në disa prej tyre u denoncuan nga Rama, ky nuk është aspak kërcënim. Dhe në radhë, ata që janë “kërcënuar” nga Rama, vijojnë në listimin që parqet Presidenti, gazetarë e pronarë të mediave vizive dhe asaj të shkruar. Të gjithë ne që lexojmë ose ndjekim emisionet televizive apo opinionet në redaksitë e TV, kemi parë se Kryeministri asnjëherë nuk ka shkuar në to me kostumin autoritar të kryeqeveritarit. Përkundrazi ka debatuar si të ishte njëri prej gazetarëve dhe ka kthyer përgjigjen që ka gjykuar. Pa dredha, drejtpërsëdrejti. Duke mos iu anashkaluar debatit. As duke marrë poza e kërcënuar askënd. Nëse debaton dhe ke një argument ndryshe, kjo nuk do të thotë se kërcënon. Nëse një gazetar që sulmon me fjalët e rrugës dhe nuk debaton po imponohet, atëherë edhe i ftuari do përgjigjet brenda kornizës dhe etikës, po jo të pranojë apriori gjithçka që thonë gazetarët në emër të atyre që i paguajnë apo thjeshtë se ashtu gjykojnë. Deri sot nuk kemi parë ndonjë gazetar të denoncuar nga qeveria, të jetë anatemuar apo frikësuar, aq më pak të ketë ngjarje flagrante si ato që kemi parë ndër vite kur rrethoheshin redaksi dhe digjeshin makina e shtypshkronja, apo gazeta në mes të rrugës, vetëm se kritikohej qeveria. Debati nuk është kërcënim. Dhe shtypi vetë është debatuesi i parë që as trembet e as tremb askënd. Besoj se janë të gjithë dëshmitarë, sa herë Rama në redaksi ka shkuar si i ftuar dhe është trajtuar si individ nën akuzë. I është bërë biografia. Është akuzuar pa baza e pa prova. Është denigruar në një kohë kur paraardhësit e tij, vetëm se u janë kritikuar të afërm, fëmijë apo miq, kanë parë të zitë e ullirit deri tek burgu. Dhe disa që bëjnë sikur kanë humbur kujtesën është mirë t’i bëjnë rifresh kujtimeve të tyre. Në pamundësi, le ti drejtohen arkivave të shtypit dhe TV për t’i rifresukar ato skena, të cilat i kemi lënë në harresë.

Sa për kërcënimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që rendit në listën e gjatë Presidenti, ata nuk kanë nevojë të kërcënohen. Ata kanë vite të tëra që kanë shkruar biografinë tyre. Përjashto të pastrit, shumë nga ata që sot largohen nga drejtësia, si hajdutë e pa moral, siç ishte dhe rasti më i fundit, ai i gjyqtarit të Fierit, që në kulmin e luftës kundër korrupsionit në drejtësi kërkon favore seksuale, e kanë tejkaluar prej vitesh kërcënimin. Ata që vettingu i ka nxjerrë në pension nëse thellohet hetimi, dalin me këpucë të kuqe. Pra, për ta nuk ka nevojë fare t’i kërcënojë askush. Ata janë të vetkërcënuar dhe të vetë gjykuar së fundmi edhe nga organet kompetente se sa për popullin janë figura të djegura. E dinë mirë hallexhinjtë që kanë rënë në duart e tyre ndër vite.

Po në listën e të kërcënuarve para se ti vinte radha Presidentit është edhe opozita. E kërcënuar opozita? Opozita jonë, e cila nuk ka minutë që nuk kërcënon dhe dënon deri me vrasje. Opozita jonë, që bën opozitën më të egër që ka drejtuar, jo fjalën, po akuzat e pafundme për tërë strukturat e shtetit? Ajo opozitë që bën thirrje për të rrëmbyer armët, ja vdekje, ja liri?! Kjo opozitë që e ka kthyer kuvendin në arenë gladiatorësh, duke përdorur të gjitha mjetet, që nga çizmet deri tek flakadanët e vezët, që deklaron përditë për përmbysje të pushtetit dhe rendit kushtetues me dhunë? Që hyn e del në parlament sipas oreksit? Që nxin e shan tërë dynjanë? Që ka në plan të parë sherrnajën e pafund? Që mallkon me rob shtëpie tërë politikanët përballë? Që vërtetë kërcënon me revolucione të përditshme, merret në mbrojtje si e kërcënuar? Cili është i kërcënuari real? Opozita e Presidentit apo vetë qeveria dhe Pryeministri? Secili e bën vetë bilancin dhe e cakton se nga anon kërcënimi. Opozita nuk mund të konsiderohet e kërcënuar dhe besoj se është pa vend të renditet në listën e gjatë të të kërcënuarve. Më pas e kërcënuar ndihet edhe siguria kombëtare. Këtu lumi është shumë i thellë dhe ne nuk mund të gjykojmë se si një Kryeministër cënon sigurinë kombëtare, të cilën ka detyrimin kushtetues ta mbrojë e ta ruajë si sytë e ballit. Dhe lista me kërcënime e deformime që bën kryeministri, vijon deri tek falsifikimet. Epo nëse Kryeministri ka hyrë kaq thellë në zullume, kjo është detyra e Presidentit, që në vend që të kërkojë hetimin e DISK, të urdhërojë hetim të vetë Kryeministrit. Dhe në përfundim të listës së gjatë që rendit Presidenti për kërcënimet e kryeministrit, llogarit edhe veten si të kërcënuar.

Po nëse me tërë këta të renditurit e listës edhe mund të justifikohet dhe të gjykohet si kujdes presidencial i zotit Meta për individët e institucionet, ai i vendosjes së vetvetes si viktimë e kërcënimit është alarmant. I kërcënuar Presidenti?! Vetëm se nuk është dakord kryeministri me mosdekretimin e Cakës si ministër i Jashtëm? Vetëm se i kujton Kushtetutën? Apo se i sjell ndërmend edhe atë thirrjen në Lezhë për armatosjen e popullit, për të mbrojtur Shqipërinë nga qeveria “Rama”? Kjo nuk është një renditje normale. Vetërreshtimi i Presidentit, listimi si kërcënuar, është një vetërenditje esktremisht e padrejtë e Presidentit të Republikës në këtë listën e gjatë të të kërcënuarve nga Kryeministri Rama. Po në këtë rast, siç thotë edhe vetë Meta, ai nuk ka frikë nga askush në globin tokësor, që mund ta trembi. Dhe kur thotë këtë, kot që rendit veten në listën e gjatë të kërcënuarve. Presidenti nuk ka pse bën të viktimizuarin! As të kërcënuarin. Do ishte në nderin e tij që të mos e vendoste veten në këtë listën e gjatë. Dhe për më tepër, kur bëhet fjalë për dy nga institucionet më të larta të shtetit. Të na kursente këtë sherrnajë të madhe. Se kështu, ne populli duhet të vëmë kujën si të kërcënuarit e përditshëm dhe duhet të qajmë të ardhmen tonë si individë, që jetojmë nën kërcënim ekstrem. Dhe nga kush? Nga vetë Kryeministri. Ne presim që ai të në mbrojë të gjithëve nga kërcënimet. Deri edhe ato atomike, që mund të na ndodhin!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/10/2019 - 07:45

Ne shqiptarëve nuk na ligështon dhe demoralizon qëndrimi persistent i shpirtngushtësisë franceze, që mbylli portat e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Postuar: 20/10/2019 - 07:44

Ende e mbaj mend kur këtu e një dekadë më parë, në rrjetet sociale, shtrohej pyetja dhe hidhej në

Postuar: 20/10/2019 - 07:43

“Gabim historik” u cilësua nga vetë ekzekutivi i BE dhe shumica e vendeve të BE, qënd

Postuar: 20/10/2019 - 07:41

Tani po fillojnë të bëjnë "racizëm" diplomatik, politik, krejtësisht jo normal dhe pady

Postuar: 20/10/2019 - 07:40

....Emmanueli francez, nuk ka shumë kohë që ka dalë në skenë për t'i thënë "Jo" hap

Postuar: 20/10/2019 - 07:39

Pasi derdhëm marazin e zhgënjimit nga “jo”-ja franceze për të na çelur bisedimet e an

Postuar: 19/10/2019 - 14:40

Është për t`u habitur kur në kulmin e diskutimeve për çeljen e negociatave të Shqipërisë në Këshi