BREAKING NEWS

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI parti klienteliste, Basha në luftë të hapur me paraardhësin dhe Presidentin

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI
x

Opinion / Editorial

Njëherë bashkë, ngaherë bashkë!

Njëherë bashkë, ngaherë bashkë!

Të ikur që rrinë

Koha ndal dhe gjithçka përmbyset kur të dashurit tanë ndahen nga kjo jetë. Mendja e shpirti trazohen në një vorbull emocionesh e përjetimesh të pazakonta, një rënie e lirë e qenies në një dimension krejt të huaj që tejkalon vetë fizikën, ku fjala e imagjinata nuk ia del dot asaj që ndjehet dhe gjithçka duket e si e pamundur të thuhet e kuptohet. Por ndërsa ndarja me të dashurit e boshllëku i papritur brenda e rrotull nesh ku tinëzisht ngjizen dëshpërimi e brenga, bëjnë të tyren, ashtu, mes mpirjes dhe zymtësisë që pllakos, ndarja e hidhur struk edhe jetën duke na rikujtuar gjithçka të mirë që ajo dhuron. Dhe aq sa këmbanë e dramës së humbjes, ndarja është dhe trumbetë e magjisë së jetës e vlerës së saj, një himn për dashurinë për ata që ikin e ata që mbeten pas. Rikujtesë se të gjithë, nuk jemi keq për para e mall që shkojnë e vijnë, por për kohën që ikën tutje dhe me të edhe shanset për dashuri e respekt në jetë. Ndarja me të dashurit është shansi sublim që vetë jeta na jep për ta jetuar e gëzuar si duhet atë, një amanet magjik që vetëm ajo di ta përcjellë. Apel i heshtur ky që njëkohësisht fton për t’u bërë bashkë në botën e zhurmshme të të gjallëve, por dhe që sjell më pranë atë dhe botën e heshtur të të ikurve si dy skaje të pandashme të fillit të jetës pambarim. Sa kohë jeta mbart dashuri, të ikurit tanë mbeten gjithmonë pranë. Ndarja me ta na largon, por dhe na afron njëkohësisht falë dhuntisë së asaj “shqise” ekstra që vetëm ndarja e çliron. Me të cilën kuptojmë ku ishte konfuzion më parë, shohim ku nuk dallohej më parë dhe ndjejmë kur nuk prekeshim më parë. Një zhgjëndërr e dimension “alien” ku dalim nga vetvetja duke mos e njohur atë, ku të mirëqenat shihen nga e para, ku të “pakuptimtat” e djeshme bëhen domethënëse e plot gjëra të “vyera” nuk emocionojnë më. Drama e ndarjes zgjon “magjiken” brenda nesh, ndjeshmërinë që sfidon shabllonet e rutinës së jetës për të komunikuar përtej të zakonshmes edhe me të ikurit tanë. Çdo gjë zë vend. Kujtimet, gjërat e lëna pas, rutina e djeshme etj marrin tjetër kuptim. Karrigia, hapat në korridor, stilolapsi dhe shënimi i saponisur, libri i hapur mbi tavolinë, fjala e ëmbël, kapela e varur… asgjë nuk është më si dikur, por sërish është aty dhe tashmë, nuk moshohet më kurrë. E përtej kujtimit dhe të paprekshmes që ndarja çliron dhe mundëson ta përjetojmë duke na ribërë bashkë me të dashurit tanë, familja e fëmija janë dimensioni tjetër që na mban bashkë në përjetësi me ta. Dashuria dhe “klonimi” që lë pas brez pas brezi fillin e jetës, gjakun, genin, ndjesitë, zakonet, temperamentin e morinë e të pashpjegueshmeve të shpirtit, që të gjitha bashkë kapërcejnë kufijtë mes dy botëve, bëjnë njësh ato duke zbehur dhe vetë frikën e ndarjes mes nesh. Edhe pa qenë fetar, jeta vazhdon dhe ikja është rikthim. Përjetësia është thelbi i vetë natyrës dhe rimishërimit pafund në të dhe familja e fëmija garantojnë përjetësi e afërsi mes nesh pafund. Ndaj, qoftë në dimensionin shpirtëror apo atë biologjik, ndarja nuk është fund, por rifillim. Shans për të parë gjërat në një tjetër dimension dhe bërë më mirë ato, apel për të kaluar mirë me të gjallët dhe respektuar e nderuar të ikurit trashëgimia e të cilëve mbetet tek e përditshmja e gjithkujt pas. Ndarja me të dashurit ngre një mur, por dhe zgjat një urë duke qenë ai dimension i munguar që plotëson vetë jetën, guri i fundit në mozaikun solemn të saj që vetëm ndarja e shpalos dhe na mundëson ta shikojmë. Të ikurit nuk ikin gjëkundi, thjesht ndryshon prania e tyre nga më parë dhe është vetë ndarja me ta që hap sytë, mendjen e shpirtin si kurrë më parë e dalluar fillin e padukshëm të jetës që na mban të lidhur fort përgjithmonë.

 

Amaneti që na bën bashkë

 

Ca nga mosha, ca nga sëmundja, ca nga e keqja mes nesh, ndarja nuk kursen. Ikën prindi, gruaja e re, kushërira e shtrenjtë dhe gjëma të tjera që nuk ndalen dot dhe kur ndodh, që ndarja të bartë vërtet solemnitet e t’i japë kuptim real asaj që mbetet pas, lypet që të ikurit të vlerësohen, duhen dhe respektohen sa janë ende mes nesh. Atje ku ka dashuri, nuk zë vend ndarja e harresa dhe filli jetës zgjatet pambarim. Duke filluar nga dashuria e parë mes prindit e fëmijës që ngjiz mbarë dashurinë në shoqëri. Familja është e para dhe prindërit tanë gojëmbël dhe duarartë për të cilët nuk u rritëm kurrë dhe meraku zgjat një jetë, meritojnë gjithçka. Ata dhanë gjithçka, për familjen e shoqërinë dhe kur ikin një ditë, mbeten prapë këtej, sepse dhuruan shumë dashuri dhe mirësi për të gjithë që zgjat pafund si jeta. Ndaj, u kemi shumë detyrim dhe fjala e mirë është e para. Për fat të keq, në 30 vjet demokraci, politika e mbrapshtë volli vrer pafund në emër të antikomunizmit ndaj një brezi të tërë që në socializëm punoi për shtetin e kombin shqiptar. Një llum absurd që shpërfilli shumë vlera, nuk kurseu kënd dhe tentoi të përçajë në emër të ideologjisë një komb të tërë. Kjo nuk duhej të ndodhte dhe ajo mbetet brenga e amaneti i të ikurve, por dhe shumicës së atyre që mbetën pas. Askush nuk është i përsosur, por prindërit tanë dhanë gjithçka mundën në kontekstin historik. Komunist apo pa parti, punëtor apo drejtues, qytetar apo fshatar, sigurims apo ushtarak, në masë dërmuese kontribuan për forcimin e shtetit shqiptar të mbetur një shekull pas fqinjëve tanë. Besonin tek komunizmi, por akoma më shumë tek shteti e kombi shqiptar. Dhe nëse u abuzua, në demokraci nuk futet gjithçka në thes duke etiketuar një brez të tërë. Demokracia është çudibërëse pikërisht sepse gjen tek të gjitha kohërat, qoftë monarki, socializëm apo demokraci, atë fillin që na bën një si komb dhe respekton së pari, punën e njeriun e ndershëm pa dallim. Mes dhjetëra e qindra mijëra prindërve të nderuar që kontribuan deri dje dhe nuk janë më sot ishte dhe im atë, inxhinier, major Xhemal Duka për ata që e njohën në jetë. Si plot të tjerë kontribuoi në luftë, u diplomua shkëlqyeshëm në Akademinë Navale në Leningrad ku dhe e kërkuan si asistent pedagog, por u rikthye për të punuar në atdhe nga drejtues tek Dega e Teknikës Operative tek Shtëpia me Gjethe (ku sot bën spektakël dyshja PS-PD ndonëse Sigurimi Shtetit ishte domosdoshmëri përballë antishqiptarizmit shekullor) ku kontribuoi për modernizimin e teknikës dhe ngritjen e standardeve profesionale në përballimin e agjenturave antishqiptare mbi bazën e të dhënave objektive të teknikës që i kundërviheshin praktikave abuzive që mund të sillte llafi gojës apo presioni nga lart. Më pas si mësues në shkollat e mesme dhe drejtor i Uzinës Metalike Tirana që nga problem i përvitshëm për dikasterin u shndërrua në fituese flamujsh garash në rang republike etj. Qindra mijëra prindër të nderuar të asaj kohe, kudo ku punuan, vunë interesin e punës, kolektivit dhe shoqërisë mbi gjithçka. Ishin “mysafirë” në shtëpitë e tyre sepse i rrinin punës mbi kokë, nuk përfituan nga posti as të mira materiale, as shtëpi sepse respektonin punëtorët nevojtarë (uzinat bënin plot atëherë) etj. duke fituar respektin e të gjithëve me të cilët i lidhte puna dhe dalë në pension faqebardhë. Edhe im atë, si shumica e bashkëmoshatarëve të tij, kaloi një pleqëri modeste ndonëse shteti demokratik e la pa shtëpi e pronat e familjes nuk u dhanë kurrë (duke shpërfillur të drejtën e kënaqësinë e njeriut për të lënë trashëgimi pas) duke u befasuar mbi të gjitha nga shpërfillja sistematike e politikës ndaj punës kolosale të brezit të tij ndonëse mbeti besimplotë deri në fund se në demokraci e drejta zë vend gjithmonë një ditë.

Të gjithë mund të kenë rezerva për të djeshmen sepse vesi njerëzor hedh tentakulat në çdo sistem dhe ideologjia mund ta maskojë e inkurajojë atë, por në demokraci nuk ka bardhë e zi dhe zemërthyerja nuk ka vend për qindra-mijëra prindër të mirë që si im atë dhanë sa mundën për shtetin e shoqërinë. Besimi në një sistem të vëllazërimit e solidaritetit si socializmi nuk është mëkat e naivitet, por virtyt njerëzor ashtu sikurse sot në demokraci është besimi tek liria e individit dhe drejtësia e paanshme pa dallim dhe abuzimi me sistemin nuk ka pse zhvlerëson vlerën e moralin e kohës së tij (ndryshe bashkë me kryqëzatat, Inkuizicionin e krimet në emër të fesë duhej të anatemohej jo vetëm feja,s por dhe besimtari korrekt). Me qindra mijëra qytetarë e komunist korrekt të kohës ishin të tillë sepse e ndjenin që duhej të ishin të tillë. Shumë prej tyre nuk janë më mes nesh dhe ndarja me ta ende nuk flet e transmeton apelin e duhur pa vlerësuar më parë si duhet kontributin e tyre dhe gjithçka të mirë lanë pas. Të gjithë do të donim një ditë më shumë me të dashurit tanë për të thënë ca gjëra që nuk i zumë në gojë një jetë të tërë, por mbi të gjitha peshon amaneti tyre, ende për t’u përmbushur, i vlerësimit të punës së një jete të tërë që na bashkon e bën të ndjehemi mirë të gjithë si individ e shoqëri. Është hedhur shumë baltë mbi të shkuarën duke futur gjithçka në një thes dhe, sikurse koha tregoi, e ardhmja nuk arrin të jetë faqebardhë pa e pastruar atë llum si shoqëri. Nderi, dinjiteti e puna fisnike e prindërve tanë kërkojnë vendin që u takon dhe duke respektuar ato, respektojmë vetveten dhe lëmë vend për më tej jetës, dashurisë dhe mirëkuptimit pafund që na mban bashkë të gjithëve, të gjallë e të ikur, në një botë ku ndarje nuk ka.