Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Njëra palë Kushtetuesja rroftë, tjetra Kushtetuta poshtë!

Postuar: 15/11/2019 - 07:14

Sa nisi reforma në drejtësi të skicohej dhe komisioni i posaçëm nisi punë, përplasjet mes palëve politike kanë qenë të përditshme. Ndarë në palë ballë përballë, mazhoranca dhe opozita bashkë me të LSI si pjesë e qeverisë, secila ka qëndruar në llogoren e vet. Në Kuvendin e Shqipërisë u luajt dramë komedia me dy akte. Nga kundra njëqind për qind, Kushtetuta e reformuar, u votua me 140 vota. Fitore, thirri opozita. Fitore deklaroi edhe pozita. Po beteja vijoi me përplasje, argumenta e kundërargumenta. Palët u paraqitën secila me strategjinë e vet për rrugën që do ndiqte reforma në drejtësi. Liderët e opozitës u hodhën në sulm kundër iniciuesve të saj. U shanë SHBA dhe BE. Në emër të sovranitetit u etiketuan armiq. Ramaformë e pagëzoi Ilir Meta. Slogani më i zakonshëm gjatë tërë kësaj periudhe ishte: “Reformën e kapi qeveria. Komandën e bën Rama. I mori të gjitha”! Dhe loja vazhdon, po gjithnjë ruajnë ritmin si në ditën e parë të luftës. Ta pengojnë për mos t’u bërë kurrë ka qenë aksioni i opozitës fatkeqësisht. Kjo strategji, kuptohet nuk bëhet hapur. Maskohet pas pavarësisë, mënyrës së zbatimit të ligjit, radhës së emërimit të gjyqtarëve, afateve kushtetuese, cili do shënojë i pari dhe kush do mbajë rezervën për të thënë fjalën e fundit. Nga kënga, se Shqipëria nuk mund të bëjë asgjë se nuk ka Gjykatë Kushtetuese, shkrirja e saj vuri në rrezik sistemin demokratik, mungon arbitri për të gjykuar kushtetutshmërinë e vendimeve të qeverisë dhe për t`iu dhënë përgjigje shumë ngërçeve të provokuara qëllimisht nga presidenti që nga zhdekretimi i dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit apo më parë me refuzimin e dekretimit të dy ministrave të qeverisë, atë të brendshëm e të jashtmin u ndërrua pllaka. Me njëmijë arsyetime politike, ata që qanin mungesën e kushtetueses dhe e konsideronin një akt makabër, një gropë të madhe të zezë që kishte vënë në dyshim demokracinë në vendin tonë, vajtuesit e mëdhenj, sapo panë që vakancat po plotësohen, dhanë sinjalin “sos”. Kur arriti numri pesë, iu vërsulën mazhorancës e gjithë botës. Nisën betejën kundër kryeministrit Edi Rama. Zgjedhjen e anëtarëve të rinj e cilësuan si vepër të tij për të kapur Kushtetuesen. I pari që doli në shesh të mejdanit, ishte vetë presidenti i vendit, Zoti Ilir Meta. Pas dekretimit të gjyqtarit Besnik Muçi dhe betimit para presidentit, Gjykata Kushtetuese u bë me dy anëtarë. Në kompetencë të presidentit, brenda një afati kohor prej tridhjetë ditësh, sa i njeh Kushtetuta, duhet të zgjidhte edhe anëtarin e dytë nga lista që i kishte dërguar KED. Po ç`ndodhi? Pasi përfundoi ky afat, presidenti nuk bëri zgjedhjen e vet siç kërkon Kushtetuta. U mjaftua me një letër sqaruese në Kuvendin e Shqipërisë, duke sugjeruar deputetët ta studionin me vëmendje çdo argument që parashtronte i pari i shtetit. Po kjo letër nuk kishte asnjë lidhje me kompetencën e tij për të zgjedhur brenda tridhjetë ditëve anëtarin e dytë të Kushtetueses. Mosveprimi i presidentit i hapte rrugën miratimit të emrit të parë të listës direkt, sipas pikëve të grumbulluara. Në radhë ishte Zonja Vorpsi, e cila u zgjodh automatikisht. Pas zgjedhjes së dy anëtarëve nga Kuvendi me 105 vota, Gjykata Kushtetuese u plotësua me pesë anëtarë të mjaftueshëm për nisjen e funksionimit sipas kërkesave të ligjit. Në vijim pritet të miratohen edhe anëtarët e tjerë. Një nga Kuvendi, një presidenti dhe tre nga Gjykata e Lartë. Pra shumë shpejt, Kushtetuesja do jetë me gjashtë anëtarë. Të mjaftueshëm për të gjykuar çështje me peshë pasi plotësohen dy të tretat e numrit të përgjithshëm prej nëntë anëtarësh. Çuditërisht ata që deri dje kishin vënë kujën për mungesën e Kushtetueses, që nga momenti që u plotësua me pesë anëtarë e kthyen pllakën. Të parët që komentuan ishte Presidenca. Në mungesë të presidentit, këshilltari i tij, Blushi, me një gjuhë jo etike e sulmoi këtë zgjedhje, duke e etiketuar si Ramaformë. Nëse presidenti flet nga pozitat e të parit të vendit dhe e flakë gjuhën zyrtare të komunikimit mes personaliteteve më të larta që duhet të jenë shembulli i komunikimit zyrtar dhe etik, një këshilltari që mbanë protokollin apo bën zëdhënësin nuk i falet të etiketojë një reformë me përmasa madhore siç është cilësuar, shpresa e shqiptarëve për një drejtësi të re dhe efikase, të flasi me një gjuhë të denjë për njerëzit në rrugë. Së paku minimalja duhet t`i përmbahet kornizave të etikës dhe të ruajë pozicionin institucional. Blushi nuk është Meta. Nuk është presidenti. Nuk mund të bëhet kopja e tij as në citime apo deklarata. Më mirë të priste presidentin sa të mbërrinte në Shqipëri dhe le t`i bënte ai komentet dhe vlerësimet, si dhe pse nuk e përmbushi kompetencën sipas Kushtetutës për të emëruar anëtarin e dytë. Si gjithnjë në mbrojtje të veprimit të presidentit, u vu opozita, Basha, Vasili, Monika, duke treguar haptas se janë në të njëjtin front me Presidencën. Zgjedhja e anëtarëve të rinj nga Parlamenti me një numër rekord votash, u sulmua si një ujdi nga liderët e opozitës. Nuk flasim këtu për mllefin e ca individëve analistë që e kanë mënyrë sjellje, stil jetese, sulmin mbi gjithçka që bëhet në këtë vend, duke sulmuar me gjuhë halabakësh ambasadën amerikane e BE, mbështetësit më të rëndësishëm të reformës. Ata janë të interesuar seriozisht nuk pritën asnjë minutë, po vlerësuan këto zgjedhje, si një akt që i jep jetë nisjes së funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. E konsideruan triumf të reformës, ashtu siç realisht është. Po të dëshpëruarit e mëdhenj nuk mund ta pranojnë këtë arritje. Ndaj e sulmuan në front. E etiketuan si si hap i ndërmarrë nga ata që duan ta ndërtojnë gjykatën më të rëndësishme të vendit në interes të tyre. Në formatimin e Gjykatës Kushtetuese, secila palë duket se kërkon të ketë racionin e vet. Mundësisht, kjo gjykatë të mos jetë fryt e përzgjedhjeve sipas meritës, po e ndarë në parcela me përqindje. Kaq Presidenca (jo më kot, sapo zbriti në tokë, presidenti dekretoi të fundit në listën e KED, Marsida Xhaferllarin, si garante e halleve, syri dhe veshi i tij në Gjykatën Kushtetuese). Aq mazhoranca. Tjetrën opozita. Me fjalë të tjera, gjykatë pa shtyllë kurrizore, pa kokë, pa tru, amorfe, e varur dhe e komanduar nga politika. Pikërisht heqja e kësaj mundësie nga duart, ka revoltuar shumë prej faktorëve politik. Për ata që janë në ankth se cili do jetë verdikti i Kushtetueses për problemet e mëdha, më në hall është Meta. Si do jetë qëndrimi i anëtarëve të Kushtetueses? Do ia hedhi? Do refuzohet Kuvendi? Do thyej kokën qeveria dhe hundët Rama? Po për 30 qershorin cili do jetë verdikti? Të gjithë me sytë nga Kushtetuesja. Ndaj është krijuar fronti anti kushtetueses. Duket se faktorë të rëndësishëm qëndrojnë në pozicione gati për t`iu lëshuar gjykatës, për ta mbytur pa nisur të hedh hapat e para. Nëse nuk ia arrijnë ta ndalin, së paku ta kompromentojnë në sytë e ndërkombëtarëve dhe popullit shqiptar. Për t`iu thënë: E shikoni se cila është Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë? Një betejë sa qesharake aq edhe pa sens është lufta mes palëve kundër dhe pro Gjykatës Kushtetuese. Njëra palë thërret: Rroftë Kushtetuesja! Tjetra: Rroftë Kushtetuta! Menjëherë pala tjetër: Poshtë kushtetuesja! Shumë prej politikanëve do donin që Gjykata Kushtetuese të mbetej e vdekur. Argument për të sulmuar reformën se la Shqipërinë pa drejtësi! Dhe vijon kjo tragjikomedi, gjoja për drejtësi! 

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2019 - 07:54

Pas leximit të librit “Blloku” njerëz të fushës së letrave, mes të tjerave vunë në dukje sidomos faktin që libri lexohej me interes ngaqë ishte i shkruar mjaft bukur, pra të jepte një shije të mirë leximi.

Postuar: 08/12/2019 - 07:50

Në këto tri dekada që pas përmbysjes së sistemit komunist, për herë të parë ndodh një rokadë norm

Postuar: 08/12/2019 - 07:48

Tërmeti i 26 nëntorit krijoi jo pak viktima, trauma që zor se kanë për t’u harruar, por gji

Postuar: 07/12/2019 - 07:15

Është praktika më normale që një kryeministër dhe çdo qeveritar të takohet me qytetarët nga më i

Postuar: 07/12/2019 - 07:14

Kaluam një tragjedi të madhe, me humbje jetësh e materialesh, që nuk përshkruhen dhe as nuk harro

Postuar: 07/12/2019 - 07:12

Sipas vlerësimit nga shkencëtarët, në botë për çdo ditë ndodhin mijëra tërmete të intensiteteve t

Postuar: 07/12/2019 - 07:08

Vazhdon të rezultojë si një pyetje e rëndësishme ajo që tundon të gjithë: A mund të riparojnë dëm