BREAKING NEWS

Mjekësia shqiptare në zi, ndahet nga jeta mjeku i njohur (EMRI+FOTO)

Mjekësia shqiptare në zi, ndahet nga jeta mjeku i njohur (EMRI+FOTO)
x

Opinion / Editorial

Njerëz mos vidhni, mos gënjeni, mos shisni drogë, peshqit e mëdhenj nuk duan konkurrentë!

Njerëz mos vidhni, mos gënjeni, mos shisni drogë, peshqit e

Ka një ndjesi që rëndon në shpirt dhe nuk durohet dot më. U drejtohem njerëzve hallexhinj, njerëzve të pamundur, qytetarëve të zakonshëm që ushqehen me mundin dhe djersën e derdhur në përditshmërinë e tyre. Kam vënë re një dukuri që është shumë e besueshme. Njerëzit që ushqehen me punën e krahut janë shumë më fisnikë se ata që mbajnë në qafë zinxhirë floriri, janë shumë më europianë se ata që kanë në pronësi resorte, që kanë biznese pa numër. Jeta e njerëzve të thjeshtë është më shumë e pasur se e atyre që kanë makina katër fenershe, që e pinë kafen e mëngjesit tek kulla Eiffel në Paris dhe kthehen në Tiranë për të hapur zyrat e biznesit. Të tjerë e nisin ditën e punës me telefon në vesh dhe flasin për llogari të pambyllura, për para të padepozituara në banka. Të futesh në botën e tyre është e frikshme, është e llahtarshme. Ka njerëz që jetojnë në parajsën e vënë pa mund, pa ditur se çfarë ere ka djersa, pa njohur këputjen e kurrizit nga puna e rëndë e një jete të tërë. Jam i bindur se këto punë të “rënda” nuk janë për ju. Pikërisht ju nuk arrini t`i bëni dhe mos i bëfshi kurrë! Nuk u lejojnë peshqit e mëdhenj të vidhni, të gënjeni, të merreni me drogë, të bëni trafiqe. Janë të tjerë ata që merren me punë të tilla, janë ata që nuk i prek as shteti, as qeveria, as perëndia. Ato punë i bënë vetëm raca e tyre. Ajo i ka patur që në krye të herës për zakon, vazhdon edhe sot e kësaj dite të marrë të gjitha përgjegjësitë. Ju njerëz të zakonshëm mos e merrni mundimin të fusni në mend trafikun e lëndëve narkotike. Nuk ka front pune për ju. E kanë marrë përsipër me tender këtë biznes peshqit e mëdhenj. Besoj i dini kush janë, ndaj nuk po i përmend me emra. Nuk e lënë në mes biznesin ata. Janë të shumtë në numër dhe si të tillë peshqit e mëdhenj nuk kapen pasi janë të mëdhenj. Këtë e ka thënë i pari ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu. Ai ka zbuluar se të kapësh peshqit e mëdhenj, peshqit e trafikut të lëndëve narkotike, vetëm gjenitë e bëjnë. Hiqeni nga mendja se me këtë biznes, për ju është e vështirë të ushqehesh. Ka shumë telashe, të cilat nuk i përballoni dot. Është e provuar kjo sipërmarrje, këtu nuk keni terren, as shans për të nxjerrë copën e bukës. Konkurrenca është e madhe, është e frikshme, është e rrezikshme. Keni parë e dëgjuar se ata që nuk u lënë të konkurroni dot, marrin përsipër dhe rrezikojnë shumë nga vetja. Ju nuk e merrni dot iniciativën për ta provuar, qoftë një herë të vetme. Ky është zanat i hershëm i tyre, ndaj mos guxoni të bëheni pjesë, ndryshe do rrezikoni shumë. Është një front pune që kërkon angazhime të tjera, kërkon mbështetje të qeverisë, të politikës, të grupeve rivale, histori këto që u nxjerrin juve me këpucë të kuqe. Keni mësuar në opinionin qytetar sa shumë “lodhet” drejtësia për të futur në burg njerëzit e biznesit të lëndëve narkotike?! E ka tepër të vështirë, nuk ka fuqinë e duhur për të ndëshkuar krimin. Ndërsa po të ishit ju në këto pazare, rrufeja do kishte goditur sa të nxirrte ujë të zi. Praktikisht jeni të përjashtuar automatikisht nga kjo ëndërr e frikshme. Mos provoni në asnjë rast të hidhni ndonjë gjysmëhapi, sepse ky treg ka vetëm peshq të mëdhenj, që u kollofisin sa hap e mbyll sytë. Hapi juaj është i vogël. Ata kanë tjetër status. Nuk i ha plumbi ata sepse kanë suflerë politikën. I mbron e shpëton ajo. Konkurrentët e mëdhenj nuk pranojnë rivalë, nuk duan ortakë si ju. Nuk u llogarit në këtë biznes askush, ndaj ktheni kokën nga çajrja juaj dhe aty kollundrisni, tiganisuni, bëhuni të urtë, njerëzorë. Ndryshe do paguani shumë haraç. Nuk mban shpina juaj pazar pa kandar. Ju keni të drejtë të çuditeni se si ata që kanë pushtuar tregjet e rënda të biznesit të miellit, nuk ndëshkohen, nuk kapen, nuk gjykohen, nuk dënohen nga drejtësia, nga shteti, nga qeveria, e cila bërtet e thotë se kush merret me punë të pista, me veprimtari antiligjore do kalbet në burg. U bënë shumë kohë që është larguar ish-ambasadori amerikan, zoti Donald Lu nga Shqipëria, i cili ka thënë se ka dëshirë të shohë një peshk të madh në burg. Bukur e tha. Ishte dëshirë e tij, por edhe e jona. Po, hë, është kapur ndonjë peshk? Emrat e tyre lëvizin nga një dosje në gjykatë në tjetrën, por emra konkretë nuk ka. Ku shkuan peshqit e mëdhenj? Në rast se ndonjë nga ju, o njerëz të thjeshtë, o njerëz të besuarit e zotit do kishte vjedhur një biçikletë me një rrotë diku të hedhur në rrugë, me siguri do e kishte ngrënë burgun. Në raste të tilla gjyqi është gati të vërë litarin në grykë. Ndërsa për peshqit e mëdhenj që rrotullojnë botën, gjykatat anulojnë seancat, në rastin tjetër nuk zhvillohet sepse avokati ka marrë raport mjekësor. Kështu ndodh sa herë që vjen puna për të mbrojtur bosët e krimit, ndërsa ju nuk ka kush ju përfaqëson, nuk ka kush ju mbron. Nuk duam të ketë keqkuptim kur themi se bosët e drogës nuk pranojnë konkurrentë të tjerë, sepse janë në habitatin e tyre. Janë klasikë dhe në këtë sipërmarrje nuk ka dalë njeri tjetër t`u bëjë karshillëk, krahëmarrje. Këta konkurrentë, këta sipërmarrës profesionistë nuk janë të vetmit që dinë të bëjnë tregti, të cilët ligjit i kalojnë si satelit dhe të sfidojnë. Me cilësinë e konkurrentëve që nuk të falin, ka politikanë që janë ekspertë të vërtetë, janë profesionistë. Kanë kohë që e ushtrojnë këtë profesion, ka dekada që nuk është penalizuar askush, por midis tyre ka një lidhje të fortë se s`ka shtet, s`ka polici, s`ka drejtësi që i dënon. Si mund të ndëshkohet politikani kur është vetë ligji, vetë Maliqi? Është e njohur thënia brilante se ligji në dorë të Maliqit, bën gjëmën. Ndodh kështu, ndaj dhe njerëzit e thjeshtë që mendojnë për të nxjerrë ca pare për të mbajtur frymën gjallë, ulin kokën dhe bëjnë sikur jetojnë, sikur ushqehen, sikur janë në demokraci. Demokracia nuk është për ju, o njerëz, o votues, o sovran. Demokracinë në Shqipëri e përfaqësojnë trustet e mëdhenj që kanë në dorë milionat, që administrojnë çdo hyrje e dalje kufitare, që reflektojnë “shkëlqim”, ngado t’i kthesh, ngado t’i rrotullosh. Këtë e dinë si drita e diellit njerëzit, po kush i dëgjon ata? Qeveritë, partitë politikë në këto tre dekada tranzicion i kanë lënë të ngrohen në diell, sepse për të tjerat merren vetë ata që vetëquhen elita e kombit shqiptar. Ata e marrin veten për elitë se të tillë janë vërtet. Punët e konkurrencës së pandershme janë në dorë të tyre, janë në zotërimin e njerëzve që nuk kanë djersirë njëherë, pra zanatin e qajnë me lot. Sëra e tyre është e destinuar të prodhojë kundërshtarë, të dhunojë të pafajshmit, të gozhdojë mendimin e lirë, të fusin para pa hesap, jo në xhepa, por të mbushin thasë. Njerëzi e ndershëm kanë frikë nga këto punë dhe nuk kanë arsye të bëhen bashkë në këtë sipërmarrje, që të nxjerr gjumin në mes të natës. Kam dëgjuar një shprehje me të cilën ngushëllohem edhe vetë, e kam si një dritë shprese për të ardhmen. “Më mirë fukara dhe i ndershëm sesa një shpirt i burgosur”. Njerëzit e mençur mësojnë shpesh herë edhe nga ata që nuk të lejojnë në konkurrim të zi. Kjo është shumë e rëndësishme si vlerë dhe e lehtë për t`u vënë në jetë. Është dinjitoze o njerëz të vështroni filozofinë tuaj dhe të mbani larg, shumë larg, racën e konkurrentëve antishtet, sepse ju nxjerr më drejt dhe ka kosto të përballueshme.