BREAKING NEWS

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI parti klienteliste, Basha në luftë të hapur me paraardhësin dhe Presidentin

Pas Berishës, Genc Ruli shënjestron Metën dhe e cilëson LSI
x

Opinion / Editorial

Njeriu i vitit 2020 - ata që i mbijetuan Covid-19

Njeriu i vitit 2020 - ata që i mbijetuan Covid-19

Këtë fund viti, media dhe shtypi u përpoqën dhe dhanë argumentet e tyre për shpalljen e “Njeriut të vitit” 2020. Disa media shpallën “Njeriun e vitit” ndonjë politikan, duke u nisur thjesht nga bindjet e tyre partiake. Disa të tjerë shpallën realisht njerëz me kontribute si shkrimtarë, studiues, artistë dhe shkencëtarë. Të gjithë janë në të drejtën e tyre të shpallin të zgjedhurin e vitit 2020, sipas preferencës së tyre. Por vetëm politikan nuk mund të ishte i zgjedhuri si Njeriu i vitit 2020. Jo vetëm që asnjë përfaqësues i klasës sonë politike nuk ka qenë në lartësinë e detyrës që kërkonte mposhtja e së keqes së madhe që na shkaktoi viti 2020 me Covid -19, por edhe sikur të ketë kontribut maksimal në këtë luftë, nuk kanë bërë gjë tjetër veçse detyrën që u ka ngarkuar populli. Kemi kaluar një vit jashtëzakonisht të vështirë dhe urimi i secilit është mos u përsërittë më kurrë një vit i tillë. Ky ishte kryeurimi i çdo shqiptari në këtë vit të ri 2021. Askush nuk duhet t’i harrojë ato ditët e fillim marsit, kur në vendin tonë u konstatuan personat e parë të prekur nga koronavirusi. Disa e morën me mendjelehtësi, madje pati edhe politikanë, por vetëm kur u prekën realisht nga virusi e kuptuan rrezikshmërinë e tij vdekjeprurëse. Pati të tjerë që ironizuan deri në banalitete, duke ngritur edhe këngë se vaksinën e kishin gati “speca, hudhra raki fshati/ ik virusi në pikë të vrapit”. Ca të tjerë u përpoqën të bëjnë politikë me pandeminë duke kritikuar qeverinë për masat shtrënguese që mori. Por rezultoi se qeveria kishte patur të drejtë dhe se Covidi nuk ishte një grip i thjeshtë, që shfrytëzohej për “konspiracion”. Pra kaluam një vit tepër të vështirë dhe si vazhdimisht duhet shpallur Njeriu i këtij viti. Për mua Njeriu i vitit 2020 janë të gjithë ata që u prekën dhe i mbijetuan Covid-19 dhe u rreshtuan përsëri në llogoret e jetës. Ata që panë vdekjen me sy kanë çfarë t’u mësojnë të tjerëve sidomos në faktin se sa e shtrenjtë është jeta. Kur shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin për ata që mposhtën me sukses Covidin, shpreh njëkohësisht dhimbjen e madhe për ata që ikën nga kjo jetë, si për ata që nuk i kam njohur, ashtu dhe për ata me të cilët kam punuar e jetuar, e i kam patur pranë deri para ca javësh, duke biseduar e qeshur me ta. Ata që ikën nuk mund t’i shpallësh më njeriu i vitit 2020, sepse ata nuk janë më mes nesh. Ata e kanë marrë me vete vlerësimin e madh që u takon, duke u prehur në qiejt e paqes. Vlerësimi për ta u shpreh gjatë ditëve që u larguan nga jeta, edhe pse në distancë, pasi rregullat e mbrojtjes nga Covidi, privuan edhe njerëzit më të dashur per t’iu gjendur pranë për t’u hedhur një grusht dhé tek varri. Por lotët që u derdhën për ndarjen e tyre nga jeta, qenë lot të sinqertë, lot njerëzor. Ata që mori Covidi qenë me dhe pa kontribute, por dhembja qe e njëjtë, se qenë njerëz. Por njerëzit me kontribute do të jetojnë më gjatë në kujtesën e njerëzve. Në radhë të parë meritojnë vlerësimin dhe nderimin e merituar 25 mjekët që u ndanë nga jeta gjatë këtij viti që lamë pas. Këta mjekë duhen vlerësuar dhe kujtuar gjithmonë, sepse ata dhanë jetët e tyre për të shpëtuar jetën e të tjerëve. Do të më mbeten të gjithë në mendje këta mjekë, por sidomos ata që kam njohur si Agron Menzelxhiu, Ferdinand Shkrepa, Drini Dobi. Ata morën me vete mirënjohjen dhe vlerësimin e secilit, por Njeriu i vitit 2020 janë kolegët e tyre trima, profesionistë të ndershëm, që edhe pse shihni që kolegët e tyre humbnin betejën me coronavirusin, nuk u tërhoqën për asnjë çast nga fronti i betejës për të shpëtuar nga thonjtë e vdekjes çdo jetë njeriu. Ata e meritojnë të quhen Njeriu i vitit, sepse në punën e tyre nuk bënë dallime, nëse ishe politikan apo biznesmen, artist e shkencëtar, por i trajtuan me profesionalizëm e me një barazi të admirueshme, duke kthyer në jetë, ata mund të largoheshin nga kjo botë për arsye shërbimi. Humbëm shumë këtë vit në vlera materiale e financiare, por humbja më e madhe ishte në vlerat njerëzore. Nuk mund të harrohen kurrë artistët e mëdhenj, Koço Devole, Xhevdet Ferri, Rikard Ljarja, Avni Mula, Besim Zekthi, Nexhmije Pagarusha, që me interpretimet e tyre ia ngritën lart, brenda e jashtë kufirit, emrin atdheut tonë të dashur. Nuk mund të harrohen personalitete të tilla si Moikom Zeqo, Maks Velo, Marko Bello, Shpresa Vreto, Luljeta Blloshmi, Bedri Çollaku e të tjerë, që kanë lënë gjurmë në historinë e viteve të fundit. Ata morën madhështinë me vete dhe lanë lavdinë pas. Por jo më pak duhen të shpallen Njeriu i vitit ata që duruan dhembjen e madhe nga humbjet e të dashurve të zemrës dhe ditën të bëhen përsëri pjesë e armatës jetësore, për të ecur përpara, pa rënë në pesimizëm e disfatizëm. Ndërmjet lotëve të ndarjes, ato mblodhën fuqitë dhe ngushëlluan veten dhe të tjerët me dëshirën engjëllore: u prehshi në paqe. Por mund të shpallen fare mirë Njeriu i vitit familjarët, shokët, miqtë e tyre që u prekën dhe triumfuan mbi Covidin. E lamë pas 2020, por Covidi nuk është zhdukur, ai kërcënon vazhdimisht jetën e kujtdo. Duke pritur vaksinën kundra Covidit, të mos i varim shpresat vetëm tek ajo, por të jemi sa më të kujdesshëm e të zbatojmë çdo ditë me rreptësi masat mbrojtëse ndaj këtij virusi vdekjeprurës.